Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 01-10-1447 H 20-03-2026 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Gëzimi: Etiketa dhe disa nga rregullat e tij
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka dhuruar nga mirësitë e Tij, të dukshme ashtu dhe të fshehura. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë për dhuratat e bollshme dhe favoret e shumta që na ka dhënë, të cilat, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, kanë arritur tek një numër i madh njerëzish.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai na mbuloi me dhuratat e Tij të bollshme dhe bekimet e Tij gjithëpërfshirëse.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, nga bekimet e përhershme më të mëdha të Zotit dhe nga dhuratat më sublime të Tij, të dukshme. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin. Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin, falënderojeni Atë për atë që ju ka dhënë dhe dhuruar, gëzohuni për atë që ju ka veçuar dhe e ka bërë të mundur për ju, sepse gëzimi është adhurim me anë të të cilit robi i afrohet Zotit dhe Sunduesit të tij.
Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm e ka krijuar njeriun me ndjenjën e gëzim të lindur për bekimet që i bien dhe për të mirat që i vijnë, qofshin këto bekime të kësaj bote, sikurse Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Kur Ne u japim njerëzve të shijojnë mirësi, ata gëzohen me to…” (Er-Rum 36) Ose për mirësitë e botës Tjetër, Ahiretit, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij…”(Al ‘Imran 170)
Gëzimi është një cilësi e përsosmërisë, që është nga atributet, cilësitë e Zotit të Lartësuarit, të cilat i nënshtrohen vullnetit dhe vendimit të Tij. Nga Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij më shumë sesa dikush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë dhe i ka humbur, duke pasur aty ushqimin dhe ujin e tij, e ai e ka humbur shpresën për ta gjetur përsëri. Në atë gjendje shtrihet nën hijen e një peme, ndërkohë i shfaqet përballë deveja që kishte humbur. Ai ngrihet dhe e kap për litari, dhe nga gëzimi i madh thërret duke thënë: O Zoti im! Ti je robi im ndërsa unë jam zoti yt, duke u shprehur gabim nga gëzimi i madh.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Nëse ky është gëzimi i Zotit të Madhërishëm dhe i Lartësuar për pendimin e robit të Tij nga gjynahi dhe braktisjen e keqbërjes, sa i madh është gëzimi i Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar për kryerjen e adhurimit nga robi i Tij dhe kthimin e tij tek Ai me bindje?
Adhurues të Zotit! Gëzimi është dy llojesh: Gëzim i lavdëruar dhe i dëshiruar, gëzim i dashur dhe i kërkuar. Ai është gëzimi i mirënjohjes, nënshtrimit, përulësisë dhe vlerësimit për atë që Zoti i ka dhuruar robit të Tij dhe i ka dhënë atij nga të mirat e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit.
Sikurse ekziston gëzimi i qortueshëm, i urryer, i padëshiruar dhe i refuzuar: Ai është gëzimi i krenarisë, arrogancës, mendjemadhësisë dhe paturpësisë, si dhe gëzimi i mosbindjes ndaj Allahut, Zoti na ruajt. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (Et-Teube 81)
Nga gëzimet e lavdëruara është gëzimi i zemrës me Zotin, me njohjen e Tij, me dashurinë për Të dhe me fjalët e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata, të cilëve ua kemi zbritur Librin, gëzohen për atë që të kemi shpallur ty.”(Er-Ra’d 36) Imam Ibn El Kajmi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse Ithtarët, ndjekësit e Librit gëzohen me shpalljen, atëherë të dashurit e Zotit dhe pasuesit e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, meritojnë të gëzohen më shumë.”
Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.” (Et-Teube 124) Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ O njerëz! Ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”(Junus 57-58) Dijetarët e komentimit të Kuranit kanë thënë: Dhuntia e Zotit është Islami dhe mëshira e Tij është Kurani.
Nga gëzimet e lavdëruara është gëzimi për përfundimin e adhurimit dhe plotësimin e bindjes. I tillë është adhurimi i agjërimit gjatë muajit të qëndrimit në namaz. Ky gëzim është një bekim që u jepet robërve të Zotit në këtë botë para Ditës së Gjykimit, sepse ai përfshin sukses, mbështetje, lehtësim dhe udhëzim.
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë, andaj, ditën që dikush agjëron, të mos thotë fjalë të ndyta e as të mos bërtasë. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë: “Unë jam agjërues!” Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut, parfumit. Agjëruesi i ka dy gëzime që i përjeton: gëzohet kur të bëjë iftar dhe kur ta takojë Zotin e tij do të gëzohet me agjërimin e tij.” Muttefikun Alejhi.
Adhurues të Zotit! Gëzimi i agjëruesit kur ai çel agjërimin përfshin gëzimin e tij për çeljen e agjërimit të ditës në perëndim të diellit dhe gëzimin e tij për çeljen e agjërimit të muajit në fillim të Shevalit.
Adhures të Zotit! Prandaj, kini frikë Zotin dhe gëzohuni me atë që Ai ju ka dhënë për të përfunduar agjërimin e muajit të Ramazanit, falënderojeni Atë për atë që ju ka nderuar me bekimin e të qëndruarit në namaz dhe të lexim të Kuranit, dhe jini nga të udhëzuarit në rrugën e drejtë.
Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Të gjitha lavdërimet janë për Allahun, Ai që u përgjigjet lutjeve, plotëson nevojat dhe jep dhurata. Zotin e Lartësuar e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë. Ai ka falur gjynahet tona, na ka fshirë gabimet dhe ka fshehur të metat tona. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më fisnikun e të gjitha krijesave, zotërinë e zotërinjëve, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit e vlerave dhe virtyteve fisnike.
Në vijim
Ibn El Kajimi, Zoti i Plotfuqishëm e mëshiroftë, ka thënë: “Gëzimi me Zotin, me emrat dhe cilësitë e Tij, me të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me suneti dhe fjalët e tij është thelbi i besimit, forma dhe thelbi i tij i pastër. Gëzim, që ka nënshtrim të mrekullueshëm dhe ndikim në zemër që nuk mund të shprehet. Kënaqësia, gëzimi dhe lumturia e zemrës me Zotin, me emrat dhe cilësitë e Tij, me fjalët e Tij, me të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe takimi me Të është gjëja më e mirë që mund t’i jepet, në të vërtetë është dhurata më sublime. Ndërsa gëzimi në Ahiret me Zotin dhe takimi me Të është në varësi të gëzimit me Të dhe dashurisë për Të në këtë botë.”
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se nga mënyra për ta falënderuar Zotin për udhëzimin dhe ndihmën e Tij është të pasojmë adhurimin me një adhurim tjetër, dhe bindjen me një akt bindjeje tjetër. Nga kjo është pasimi i agjërimit të Ramazanit me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shavali. Nga Ebu Ejub El Ensariu, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Kush ka mundësi të agjërojë dhe e ka të lehtë, duhet t’i agjërojë gjashtë ditët kurdo që i përshtatet. Por kush e ka të vështirë, le të nxitojë ta bëjë këtë, ndërsa agjërimi është i nxehtë dhe shpirti i tij e dëshiron atë.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahit, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët, dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty. O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, dhe në lavdi të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o Zoti i botëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë të shtypur kudo që janë. O Zot, ji mbështetësi, mbrojtësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, shndërroj dobësinë e tyre në forcë, frikën e tyre në siguri dhe mjerimin e tyre në bollëk dhe begati. O Zot, jepu atyre fitoren në Palestinë mbi sionistët uzurpues.
O Zot, ruaj për vendin tonë sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe ushtarët e tij, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe agresionin e agresorëve, dhe nga të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.
O Zot, bëj të dashur për ne besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.
O Zot, na mbro nga sprovat, të dukshme dhe të fshehta, veçanërisht në vendin tonë dhe në të gjitha vendet muslimane, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
Afrim Smakaj