Mos luani me zjarrin! – Muhamed Husejn – 21.09.2018

Hytbeja e xhumasë Aksa 21.9.2018

Myftiu i Kudsit Muhamed Husejn

Mos luani me zjarrin!

 

Falënderimet qofshin për Allahun, i Cili vendosi ligje për mbarëvajtjen e jetës së kësaj botë, dëshmoj se Allahu është Një i Vetëm dhe i Pashoq, Ai që e ndaloi vrasjen e njeriut me të padrejtë ku thotë: “Dhe mos e vrisni njeriun, se Allahu e ka ndaluar, përveç me drejtësi!” Isra 33.

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ai e kreu amanetin, e kreu misionin, ndërsa Umetin e tij e sqaroi aq mirë sa  rruga në të cilën i la, ka qartësinë e ditës së kthjellët, nuk devijon prej saj vetëm se i devijuari.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty, o zotëria ynë, o i dërguar i Allahut, mbi familjen tënde të ndershme, shokët e tu eminentë e besnikë, si dhe mbi këdo që ecën në rrugën e tyre dhe pason synetin e tyre, deri në ditën e fundit!

Të nderuar myslimanë! Të nderuar banorë të këtyre trevave të begata, e njerëz të qëndrueshëm, thotë Allahu i Madhëruar në librin e Tij Famëlartë: “Kush e vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i Hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh” Nisa 93.

Të nderuar besimtarë! Në këtë ajet dhe në ajete të tjera të Kuranit Famëlartë, ka paralajmërim prej vrasjes së besimtarit, ka ftesë për mëshirim dhe tolerim për besimtarin.

Besimtarët janë ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Vërtetë që besimtarët janë vëllezër”, Huxhuratë 10.

Të nderuar besimtarë, të nderuar banorë të tokave të begata! Ajo që po shohim këto kohë, është përhapja e vrasjeve në këto toka, në vendet e shenjta dhe në mbarë trevat islame.

Vërejmë se si myslimanët dhe grupet e tyre vrasin njëri-tjetrin, e nëse hulumtojmë për shkaqet e këtyre vrasjeve, gjejmë se janë arsye  të kota dhe nuk ia vlen të përmenden.

Në shumicën e rasteve janë probleme të papërfillshme të cilat mund të zgjidhen nëpërmjet një fjale të mirë, por gjejmë se shejtani me kriminelët e tij, qëndrojnë mbi kokën e të konfliktuarve, duke i nxitur për të derdhur gjakun e njëri-tjetrit, për të kryer këtë krim të kobshëm, krimi i parë i cili u krye nga bijtë e Ademit a.s.

Në lidhje me këtë thotë Allahu i Madhëruar: “Për këtë shkak (të atij krimi), Ne u shpallëm Beni Israilëve, se kush mbyt një njeri pa të drejtë, pa patur mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa patur bërë ai shkatërrim në tokë, është si të kishte mbytur të gjithë njerëzit, e kush e ngjall është si t’i kishte ngjallur të gjithë njerëzit”, Maide 32.

LEXO  Shpresë, pavarësisht mundimit të madh

Të nderuar besimtarë, ky është një krim i madh dhe është akoma më i madh, kur njeriu vritet me të padrejtë.

Ne jemi armiq të atyre që derdhin gjakun e të tjerëve pa justifikim dhe pa ndonjë krim të kryer nga ana e të vrarit.

Nëse kërkojmë në arsyet e këtyre krimeve, vërejmë se ato burojnë nga largimi me njëri-tjetrin, nga shkëputja e marrëdhënieve mes besimtarëve, nga pranimi i përhapjes së të keqes në shoqëri, këto janë arsye të mjaftueshme për nxitjen për në vrasje.

Ne të gjithë duhet të jemi si një digë ndaluese e këtyre shkaqeve, e këtyre arsyeve që nxisin drejt krimit të vrasjes, qoftë në shoqërinë tonë, atë islame, apo edhe për mbar shoqëritë e tjera.

Të nderuar besimtarë! Derdhja e gjakut të besimtarit është një vepër e urryer për Krijuesin e Gjithësisë, sikurse është transmetuar në një hadith: “Shkatërrimi i mbarë botës, është më e lehtë për Zotin, se vrasja e dikujt me të padrejtë”.

Përhapja e vrasjeve në mënyra të pajustifikueshme, i vë para përgjegjësisë pajtuesit, çdokush që ka pushtet e post, çdokush që zbaton ligje  që të punojnë për të gjetur një mënyrë parandaluese të gjakderdhjes, në mënyrë që të mbizotërojë siguria, njerëzit të ndjejnë dinjitetin njerëzor dhe të kuptojnë vlerën që ka njeriu te Zoti.

Gjakderdhja sjell destabilitet, ajo pason gjakderdhje të tjera në emër të hakmarrjes dhe një vepër e tillë nuk është ligjëruar në fenë tonë, madje feja ka vendosur zgjidhje ligjore, që janë si një ilaç shërues për familjarët e të vrarit me të padrejtë, thotë Allahu i Lartësuar: “O ju të zotët e mendjes, masa e dënimit me vdekje është për ju ashtu që të ruheni nga vrasja e njëri-tjetrit” Bekare 179.

Profeti ynë i nderuar ka thënë: “Nuk lejohet të derdhet gjaku i atij që dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguar i Tij, përpos në tre raste: kush vret vritet, i martuari që bën imoralitet dhe ai që e braktis xhematin dhe del nga feja e tij.”

Të nderuar besimtarë! Këto janë kushtet që një person të gjykohet me një gjykim të tillë, dhe nuk lejohet të zbatohen vetëm se në mënyrë ligjore.

Të nderuar besimtarë! Profeti a.s nuk ka paralajmëruar nga gjakderdhja me të padrejtë pikërisht në Haxhin e lamtumirës, ku ju drejtua të pranishmëve:

“-Ç’ditë është kjo? Ç’muaj është ky? Ç’vend është ky?”

LEXO  Kurthet e Armiqve - Shejh Muhamed Husejn - Aksa 22-3-2019

Të pranishmit ulën kokat, duke pritur se mos Profeti a.s do i emërtojë me emra të tjerë.

Ai u tha: -A nuk është ditë kurbani kjo?

Myslimanët i thanë: -Sigurisht!

-A nuk është muaji i Dhul Hixhes ky?

-Po-, iu përgjigjën myslimanët.

-A nuk është vend i shenjtë ky?

Myslimanët njëzëri i thanë: -Po!

Profeti i nderuar u tha: -Gjaku juaj, pasuritë tuaja si dhe nderi juaj, janë të shenjta si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, si shenjtëria e këtij vendi.

Kjo ishte ajo që doja të thosha, Allahut i kërkoj falje për vete dhe ju ndaj kërkojini falje dhe lutuni, duke qenë të bindur se do ju përgjigjet!”

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun, salavatet qofshin mbi Muhamedin që s’ka profet tjetër pas tij, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i Pashoq, Ai që e bëri dynjanë një arë për ahiretin, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, është i përzgjedhuri i Tij në mesin e mbarë krijesave dhe Profetëve, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi këdo që e ndjek rrugën e tij deri në ditën e fundit!

Besimtarë të nderuar! Bashkimi i myslimanëve në mbarë trevat islame, por veçanërisht në vendin tonë, është garantim për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe krimeve.

Ai është garant i lidhjes dhe ndjeshmërisë mes myslimanëve, sikurse thotë Profeti a.s: “Shembulli i myslimanëve në dashurinë, ndjeshmërinë dhe afrimitetin me njëri-tjetrin, është si shembulli i një trupi të vetëm, kur një pjesë e trupit sëmuret, pjesa tjetër e trupit ndjen dhembje.”

O ju besimtarë! O banorë të tokës së Israsë dhe Miraxhit, të Kudsit të nderuar dhe përreth tij. Nga ky minber lutem që Zoti t’i mëshirojë dëshmorët tanë, dhe t’i shërojë të plagosurit e t’u ndihmojë të burgosurve për lirim.

Zoti ynë! Ndihmoju dhe qëndroi pranë, largojua hallet dhe brengat, bëna dhe ne prej të qëndrueshmëve dhe luftëtarëve që luftojnë për xhaminë Aksa.

Të nderuar besimtarë! Të gjithë ju, bashkë me ju dhe arabët e myslimanët mbarë janë të vetëdijshëm për çfarë po ndodh në xhaminë Aksa, sulme dhe bastisje të drejtuara nga grupe terroristë të pushtuesve, të cilët pretendojnë duke gënjyer dhe ëndërrojnë rrejshëm.

Nga këtu u drejtohem e u them: Xhamia Aksa është vetëm islamike, për ekzistencën e saj si xhami dhe islamike, kemi vendimin e Tij në Kuran, dhe s’keni asnjë shpresë të jetë ndryshe, pasi ne nuk pajtohemi vetëm se me urdhrin e Zotit.

LEXO  Vazhdoni në punë të mira - Aksa 22.05.2020

Xhamia Aksa është larg çdo pretendimi të tyre, edhe nëse të tilla grupe mbështeten nga administrate zyrtare e pushtuesve.

Ne ua deklarojmë të gjithëve, dashamirëve dhe armiqve: Xhamia Aksa është pjesë e pandashme e besimit të myslimanit, kudo që ndodhet në botë.

Ne nuk lejojmë dhe as nuk pranojmë kurrsesi, që të na preket besimi për të cilin jemi gati të vdesim.

Arrogantët janë zhytur në padrejtësinë e tyre, kanë bërë të pamundurën për të dobësuar vendosjen e atyre që ruajnë xhaminë, të atyre që shërbejnë xhaminë, të atyre frekuentojnë xhaminë, të atyre që sakrifikojnë veten e tyre për mbrojtjen e besimit, për mbrojtjen e vendeve tyre të shenjta, për mbrojtjen e Kudsit të tyre.

Përgëzoj ata që shërbejnë dhe ruajnë xhaminë Aksa, u them se ne të gjithë jemi me ju, mbarë bijtë e Kudsit janë me ju, çdo njeri i lirë është me ju, ne nuk pranojmë kurrsesi përdhosjen e vendeve tona të shenjta, nuk pranojmë injorim të besimit tonë, nuk pranojmë cenimin e shenjtërive tona.

Nga këtu shfrytëzoj rastin të paralajmëroj të mençurit, ata që akoma i thërrasin mendjes dhe logjikës: Cenimi i xhamisë Aksa dhe vendeve tona të shenjta, të çon drejt pasojave të dhimbshme.

Bëni kujdes dhe mos lozni me zjarrin, mos prekni besimin, dijeni se të zotët e besimit nuk mund të pranojnë dhe as të pajtohen e dorëzohen përballë planeve të pushtuesve, sado e madhe që të jetë forca e tyre!

E drejta është me të drejtët me durimtarët: “Ne patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, edhe në ditën e prezantimit të dëshmive” Gafir 51.

Zot na kthe në fenë tonë me një rikthim të vërtetë, na jep ne dhe mbarë myslimanëve zgjidhje të shpejtë dhe efikase, furnizona me një prijës besimtar dhe të mëshirshëm, që i bashkon taborët dhe forcat tona dhe synon triumfin tonë!

Zot na e trego të vërtetën, sikurse është dhe na bë prej pasuesve të saj, na e trego të kotën sikurse është dhe bëna prej atyre që i largohen asaj!

Zot ruaji myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, mëshiroji të vdekurit tanë, O Zoti i Gjithësisë!

Zot përmirësoje moralin tonë, përmirësoje imazhin tonë në këtë botë dhe në Ahiret, na ringjall si besimtarë të denjë, padyshim që Ti mundesh për diçka të tillë, i dëgjon lutjet dhe u përgjigjesh atyre, falënderimet qofshin për Ty!

Aksa / by

Post Author: admin