Hytbe e Qabes 20 Xhumadel Akhir 1441
14-02-2020 Shejh Fajsal El Gazauij
Tema: Namazi
Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Nisa, 1.)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Ahzab, 70-71.)
Sa madhështor është ai, sa e vlerë është pozita e tij, sjell rrizkun, ruan shëndetitn, dëbon të keqen, largon sëmundjet, forcon zemrën, zbardh fytyrën, gëzon veten, heq përtacinë, aktivizon gjymtyrët, shton energjitë, qetëson kraharorin, ushqen shpirtin, ndriçon zemrën, ruan mirësinë, të mbron nga fatkeqësitë, sjell begatinë, largon shejtanin, të afron me Rrahmanin.
Sa e sa tekste fetare janë shpallur për të treguar vendin dhe pozitën e tij të veçantë mes veprave të tjera. Sa e sa libra kanë shkruar dijetarët për të paraqitur pozitën e tij, sekretet, dispozitat, fjalët dhe veprat që përfshin.
Sa fort e kanë paraqitur vaizët këshillues pozitën e tij dhe rëndësinë e kujdesit për të në çdo rast. E si të mos jetë kështu ndërkohë që ai është themeli i fesë pas teuhidit të Zotit të botëve, qoshja e saj e fortë, shtylla dhe kollona e saj kryesore.
Ai është namazi.
E ku e di ti se çfarë është namazi!? Përsëri, ku e di ti se çarë është namazi!? Ai është detyra e parë pas besimit në Allahun dhe të dërguarin e Tij. Ai i cili e kryen atë është drejtuar tek Zoti duke fituar kështu lumturinë dhe afërsinë ndërsa ai i cili e lë pa e kryer atë i ka thyer shpinën Zotit të tij e kështu hedh mbi veten mallkimin dhe largësinë. Ai është lidhja mes robit dhe Zotit, nëse nuk kryhet atëherë shkëputet lidhja mes tyre. A e kuton o rob i Allahut se çdo të thotë të shkëputet lidhja mes robit dhe Allahut!? Kjo do të thotë shkatërrim për robin, rrënim të situatës së tij, humbje, falimentim, poshtërim, disfatë në gjithçka, ekspozim ndaj shkatërrimit, ndaj rrënimit e ndaj dëmeve.
E çka mund ti mbetet robit kur ai largohet prej Allahut, kur ndërpritet lidhja e tij me Zotin, kur nuk i pranohet lutja e kur e braktis Kujdestari i tij e kur privohet prej mëshirës së Allahut.
Namazi, o muslimanë është adhurimi fizik më fisnik dhe kreu i tij. Ai është mjet lidhës i kësaj krijese të dobët me burimin e forcës, mëshirës dhe përsosmërisë.
Vlerën e namazit e di vetëm ai rob që e kryen atë dhe shijon ëmbëlsinë e tij, që arrrin të afrohet me kënaqësinë e Zotit.
Ai ka ëmbëlsi e çfarë ëmbëlsie!?
Kënaqësia më e madhe, kënaqësia e dy syve, për Profetin (salallahu alejhi ue selem) ka qenë namazi. Ai thoshte: Na rehato me të o Bilal. Ai, kur i vështirësohej diçka ngrihej shpejt e falte namaz.
E si të mos jetë i tillë kur tek ai nxiton çdo i penduar kur gjendet në vështirësi. I brendosuri kur fal namaz largohen prej tij brengat. I frikësuari kur e kaplon frika fal namaz e kështu i ikën frika. I arratisuri prej frikës kur fal namaz i kthehet qetësia.
Namazi është një prej mundësive më të mëdha për stabilitetin psiqik. Ndërsa ai i cil nuk e fal namazin është i shpërndarë, me çrregullime e në degradim.
Fitore, sukses, shpëtim, arritje, lehtësim nuk do të ketë për atë që nuk fal namaz. Por do të ketë poshtërim, dëme, humbje, shkatërrim, turp e diskretitim. Ai që nuk
kujdeset për namazin që është kollona e fesë do të ketë pasoja në sjelljet, moralin dhe biografinë e tij. Një person i tillë për ku do të drejtohet kur të gjendet në vështirësi e në momente ngushtie. Në ato momente ku do të gjejë strehim e ku do të gjejë ndihmës, ku do të gjejë rehati e qetësi. E çfarë lumturie mund të arrijë një rob i cili është larg Zotit që nuk fal namaz për Allahun e nuk bien në sexhde.
Allahu thotë: ”Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar”(Ta Ha 124)
Ai i cili nuk fal namazin është fatkeq e i përbuzur, gjithmonë i stresuar e i brengosur. Çdo njeri që nuk fal namazin do të jetë i privuar e nuk do të arrijë të jetë në gjendje të mirë. Meditoni në fjalët e Allahut të lartësuar: “Allahu u tha: Unë jam me ju! Në qoftë se do të kryeni namazin” (Maideh; 12). Ky ajet tregon se ai i cili nuk e fal namazin nuk e gjen ndihmën dhe përkrahjen prej Allahut.
Rob të Allahut, Të gjitha ajetet kuranore, hadithet profetike dhe transmetimet e të parëve rreth namazit tregojnë rëndësinë e tij në islam dhe rrezikun e lënies së namazit, humbjes dhe neglizhencës në kryerjen e tij.
Prej teksteve që kanë lidhje me këtë po përmendim:
Fjalën e Allahut:
“Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe.” (Teubeh; 11).
Ky ajet tregon se namazi është ndarësi mes muslimanë dhe të tjerëve.
Fjala e Allahut të madhërishëm:
“Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet” (El Maun; 4,5).
Allahu në këtë rast kërcënon ata që falen dhe ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm që do të thotë se ata falen por nuk përqëndrohen gjatë tij, e vonojnë kohën e kryerjes së tij dhe angazhohen me gjëra të tjera atëherë çfarë mund të mendosh për ata që nuk e falin namazin.
Mund të kujtojmë këtu në lidhje me ndërshkimin e madh të lënësit të namazit fjalën e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e gjatë të ëndrrës: Sonte më erdhën dy persona e më thanë të shkoja me ta, e unë shkova. Ne ecëm deri sa arritëm tek një person që qëndronte shtrirë e një tjetër që qëndronte mbi të me një shkëmb në duar të cilin ia hidhte mbi kokë atij që ishte shtrirë duke
ia shkërrmoqur kokën. Guri pas kësaj rrokullisej aty pranë. Ai shkonte të merrte gurin ndërkohë që ai kthehej, koka e personit shtrirë ështe kthyer e plotë si më parë. E ai kthehej dhe vepronte me të si herën e parë. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: Unë thashë, I Pa të meta është Alalhu, çështë me këta dy? Por më thanë: Ec. E ne ecëm….. vazhdon hadithi derisa Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: Unë i thashë atyre dyve se sonte kam parë gjëra të habitshme, e çfarë ishte ajo që pashë? Ata dy më thanë: Ne do të tregojmë ty. Personi i parë tek i cili ishe dhe pe që i goditej koka me një gurë, ai është personi i cili e merr kuranin por e refuzon atë dhe flenë ndaj namazit të obliguar. Këtë hadith e transmeton Buhariu.
Nga Umer ibnul Khatab transmetohet se ka thënë: Çështja juaj më e rëndësishme për mua është namazi. Kush e kryen namazin dhe kujdeset për të e ruan fenë e tij ndërsa ai i cili e humbet namazin tek të tjerat veç tij është më humbës.
Nga Abdullah ibn Umer r.a transmetohet se ka thënë: Nuk ka besim ai i cili nuk mban amanetin, nuk ka namaz ai i cili nuk është pastruar e nuk ka fe ai i cili nuk ka namaz. Pozicioni i namazit në lidhje me fenë ëshë si pozicioni i kokës me trupin.
Abdullah ibn Mesudi ka thënë: Gjëja e parë që do të humbisni prej fesë tuaj është amaneti dhe gjëja e fundit që do të humbisni prej saj është namazi.
Besimtarët kur e njohin vlerën e namazit e shtojnë akoma më shumë dashurinë për të, lidhjen me të dhe angazhimin me të. Besimtarët e duan dhe i japin përparësi namazit mbi çdo gjë tjetër të dashur për natyrën njerëzore.
Namazi është arma e durimtarëve dhe e të devotshmëve.
Ibn Abasit gjatë një udhëtimi i sollën lajmin e vdekjes së vëllait të tij Kuthem. Ai tha lutjen përkatëse dhe qëndroi në anë të rrugës. Fali dy rekate namaz dhe qëndroi gjatë i ulur. Pastaj u ngrit e duke shkuar tek kafsha e tij lexonte ajetin; “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit” (Bekare; 45).
Besimtari e ruan namazin duke u kujdesur për, kohët e tij, kushtet, shtyllat, obligimet, sunetet e tij dhe duke e kryer atë gjithmonë në vazhdimësi. Ai nuk e humbet namazin kurrë sido që të jenë rrethanat dhe situatat. Allahu i ka cilësuar namazlinjtë me fjalët e Tij; “dhe ata të cilët i kryejnë rregullisht faljet.” (Mu`minun; 9).
“e ata që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre” (El Mearixh; 23).
Disa dijetarë kanë thënë: Durimi ndaj kujdesit për namazet duke i kryer ata në kohën e duhur dhe kujdesi ndaj dy prindërve është një çështje e domosdoshme e përsëritur vazhdimisht. Durim në mbikqyerjen e Allahut në lidhje me namazin nuk mund të kenë vetëm të sinqertët. Këtu mbaron fjala e tij.
Nuk është habi që personi ti japë rëndësi namazit e të kujdeset për saktësinë e tij. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të transmetohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë Gjëja e për për të cilën do të merret në llogari robi ditën e kijametit prej punëve do të jetë namazi i tij. Nëse namaz është i saktë do të shpëtojë e do të kalojë e nëse është i parregullt atëherë do të dështoje e do të humbasë. Transmeton Ebu Daudi, Et Tirmidhij dhe En Nesaij.
O popull musliman Allahu na ka nxitur të kujdesemi për namazin. Allahu thotë: “Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.”(El-Bekare 238)
I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na ka tërhequr vërejtjen nga lënia e tij duke thënë: Mos lini me vetëdije asnjë namaz farz (obligativ) e për atë që e lë me vetëdije nuk ka më justifikim. Transmeton ibn Maxheh.
I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) edhe duke qenë në shtratin e vdekjes porosiste për të duke thënë: Namazin, namazin! Me këto fjalë do të thoshte faleni namazin vazhdimish dhe kujdesuni për të, keni kujdes mos e lini faljen e namazit apo të lini pa e kryer atë në formë të plotë. Edhe pse këto porosi të shtrenjta e këto këshilla të larta janë mëse të qarta, në kohën tonë janë shtuar njerëzit e pavëmendshëm. Të tillët nuk i japin vlerën e duhur namazit, pesha e namazit tek ta është lehtësuar, nuk e kanë më prej preokupimeve dhe përparësive të tyre, tregon më pak interes për të madje e braktis atë totalisht duke e shpërfillur masën ndërshkuese të lënies së tij, apo që neglizhon në kryerjen e tij në mënyrë të vazhdueshme me durim.
Allahu, duke kritikuar njerëz që thyejnë urdhërin e tij thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. A do të pësojnë (Gajen) dënimin e madh”. (Merjem; 59). “Gajen” është një luginë prej luginave të xhehenemit sikurse ka thënë një grup i dijetarëve të parë. Ky ajet tregon se mos kryerja e namazit është e keqe e madhe e cila e shkatërron personin e për këtë nuk ka kurrfarë mospajtimi.
O rob të Allahut si është puna me disa njerëz që prezantohen si muslimanë e namazin e kanë braktisur e që pëlqejnë të jetojnë një jetë të pavlerë. Si ua pranon
shpirti e si ndihen të qetë kur nuk falin namaz. Si besojnë që pas jetës vjen vdekja e pas vdekjes do të ketë ringjallje e përsëri nuk falin namaz!?
Njeriu pa namaz është si trup pa shpirt e jetë pa kuptim. Lënësi i namazit mendon se gabimi i tij është i lehtë mirëpo tek Allahu është shumë i madh.
Ibnul Kajim ka thënë: Të gjithë muslimanët pa përjashtim besojnë se lënia e namazit farz me vetëdije është prej gjynaheve më të mëdha. Ky gjynah tek Allahu është më i madh se gjynahu i vrasjes së njeriut, dhe se gjynahu i përvetësimit të pasurisë, se gjynahu i imoralitetit, vjedhjes apo pirjes së alkolit. Personi që lë namazin është i ekspozuar ndaj ndërshkimit të Allahut, zemërimit dhe poshtërimit të Tij në këtë jetë e në tjetrën. Këtu mbaron fjala e tij, Allahu e mëshiroftë.
A habitesh me këto!? Habitu më shumë me disa njerëz që agjërojnë e nuk falin namaz e që shkojnë në haxh e nuk falin namaz!? Pasha Allahun ky është një paradoks i çuditshëm.
Kush dëshiron të shpëtojë veten e tij le të falë namazin e kush do të shpëtojë prej zjarrit le të falë namazin. O ti që ke braktisur namazin, i bëj thirrje llogjikës tënde, i bëj thirrje shpirtit tënd, i bëj thirrje ndjenjave të tua! Unë për ty jam këshillues dhe kam frikë për ty kështu që shpëtoje veten tënde, bashkangjitju rradhëve të të penduarve që kthehen dret Allahut, nxito ti bashkangjitesh karvanit të namazlinjëve përpara se të të befasojë vdekja e të mbushet afati e të takohesh me Allahun e islamit nuk i ke dhënë madhështinë e duhur sepse islami në zemër tënde ka zënë vend aq sa namazit ka zënë vend në zemrën tënde.
A e ke pyetur veten se cili është shkaku i të gjitha këtyre të këqijave e problemeve që të janë mbledhur!?
A e ke pyetur veten se çështë kjo ngushti e përherëshme në kraharorin tënd!?
A e ke pyetur veten se çfarë e ka turbulluar kjelltësinë e jetës tënde në këtë botë e që njerëzit në zemra të urrejnë!?
Ai i cili nuk fal namaz nuk e madhëron Allahun si duhet. Një person i tillë ka rënë në një humnerë të thellë prej së cilës nuk del dot veçse me pendim të sinqertë. Ai ka rënë në një humnerë të thellë shkatërrimi, atje e kafshojnë sëmundjet dhe fatkeqësitë. Një person i tillë rrezikon në ketë përfundim të keq, vetëm nëse Allahu tregon butësi ndaj tij duke e kthyer në xhadenë e së vërtetës.
Ai i cili nuk fal namaz jeton në errësirë sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Namazi është dritë. E ku do ta gjejë dritën ai i cili nuk fal namaz.
O rob të Allahut e si ta lëmë namazin e lënësi i namazit është larguar prej Zotit të tij, ka lënë atë që i bën dobi dhe e udhëzon duke ndjekur shejtanin dhe dëshirat e veta e pastaj dëbohet prej mëshirës së Allahut.
O rob të Allahut, e si të lëmë namazin ndërkohë që banorët e zjarrit kriminelë kur pyeten se çfarë i bëri të përfundojnë në Sekarr (Zjarr i xhehenemit). Nuk përmendin gjë tjetër më parë se lënien e namazit. “Ata thanë: Ne nuk ishim prej atyre që falin namaz”
Ata janë të mallkuar, kur urdhërohen për namaz që është më i larti i adhurimeve nuk e kryejnë atë: “Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” – ata nuk përkuleshin.” (Murselat: 48).
O rob të Allahut si ta lëmë namazin e lënësi i namazit ka thyer besën dhe ka njollosur synimin. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Besa mes nesh dhe atyre është namazi e ai që e lë atë ka mohuar. Transmeton Ahmedi dhe katër autorët e suneneve.
O rob të Allahut si ta lëmë namazin e Allahu i madhërishëm thotë: “Namazi ndalon nga imoraliteti dhe e keqja.”
Si është puna me robin që nuk falet, si do të largohet prej punëve të shëmtuara, të poshtra dhe krimeve të mëdha e ai nuk ka ndonjë kundrapeshë që ta mënjanojë prej tyre!?
O rob të Allahut si lihet namazi ndërkohë që ai është një prej shkaqeve më kryesore të ligjëruara për mbrojtjen prej belave, tejkalimin e vështirësisë dhe dëbimin e sprovave.
Nëse dikush thotë: Mjafton ajo që përmende në lidhje gjendjen e lënësit të namazit por më trego rrugën e kthimit pasi që e kuptoj se jam larguar nga Allahu me lënien e namazit, me neglizhencën në kryerjen e tij?
Në përgjigje të kësaj pyetje thuhet: O rob i Allahut, çështja është e lehtë. Nëse vepron mirë në atë që ka mbetur atëherë në favorin tënd do të shkruhet edhe e kaluara edhe ajo që ka mbetur. Ti duhet të nxitosh të pendohesh tek Allahu të drejtohesh për tek Ai se ai të pranon. Nxito të kryesh namazin e mos e humb shpresën për gjendje tënde, Allahu të orientoftë në rrugën e duhur. Sa e sa njerëz të çorientuar e të humbur janë kthyer për tek Allahu e Ai i ka pranuar e i ka dhënë përfundim të mirë, të bukur e pozitë të nderuar.
Sot është shansi yt që ti rikthehesh vetvetes e të rikuperosh atë që ka kaluar përpara se të ikë mundësia e të zë vend vetëm pikëllimi. Me vendosmëri të sinqertë thuaj: O Zot, ja ku jam, u ktheva tek Ti, më prano! O Zot, ja ku jam, u ktheva tek Ti, më fal! O Zot, ja ku jam, u ktheva tek Ti, pranoje pendimin tim e më bëj të qëndrueshëm!
Merre dhe këtë përgëzim prej Zotit të njerëzve për atë që i kthehet bindjes së Allahut dhe atë që e kënaq Atë. Allahu i madhërishëm thotë: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan; 70).
Ti nëse pendohesh dhe i kthehesh namazit do të fitosh shumë e do dë arrrish sukses madhështor. Allahu fshin gabimet e tua, veprat tua të këqia ti shdërron në të mira e ku ka dhuratë më të madhe se kjo! Nuk është vetëm kaq por ata të cilët pendohen, kthehen tek Zoti i tyre dhe kujdesen për namazin do të shohësh se si ndryshon jeta e tyre, se si pastrohen zemrat e tyre, se si largohet mënxyra prej shpirtërave të tyre, se si i largohen streset dhe brengat, pikëllimi, ngushtia që i shoqëronte vazhdimish, e si fillojnë të ndjehen të kënaqur në vetvete e të lirë në kraharor.
Me këto fjalë e mbyll dhe i kërkoj falje Allahut për veten time e për ju.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut i cili ligjëroi për robërit e tij ligjet më të mira të fesë e namazin e bëri obligim në kohë të caktuar për besimtarët.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të prejtë përpos Allahut, i vetëm e i pashoq, i Tij është pushteti dhe atij i përket lavdia e Ai ka mundësi për çdo gjë.
Dëshmoj se zotëria ynë profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. I sinqerti në premtim dhe besniku në amanet. Nderimet, begatitë dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
O rob të Allahut namazi është kështjella e muslimanit. Ai aty kthehet për tu strehuar. Namazi është nyja e fortë për të cilën ai kapet fort. Ai është litari i zgjatur mes tij dhe Zotit të tij për të cilin besimtari lidhet fort. Ai është ushqim i shpirtit, balsam për plagët, ilaç për vetveten dhe përkrahje për të brengosurin.
Ju namazlinj, që e shijoni këtë mirësi, që kujdeseni për namazin ta falni atë sikurse ju urdhëron Zoti juaj e keni detyrë të jeni thirrësa të mirësisë, pishtarë udhëzues për
njerëzit, të urdhëroni të tjerët për faljen e namazit. Të njoftoni ata që e kanë lënë dhe e kanë braktisur namazin duke i treguar për rrezikun e madh që i kanoset. Përjetoni gjendjen dhe përfundimin e tyre. Tregohuni të dhembshëm ndaj tyre dhe shpresoni për ta të mirën. Këshillojini, diskutoni me ta dhe u flisni me fjalë që ti zgjoni nga gjendja në të cilën ndodhen ndoshta zgjohen e ndoshta kthehen.
Le të jetë motoja juaj fjalët e njerëzve të shpëtuar: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet”. (EL A`raf; 164). Sa bukur do të ishte që namazlinjtë që i dëgjojnë këto fjalë të përkujtojnë ata që nuk falin namaz përrreth tyre si të afërmit, komshinjtë dhe miqtë, ndoshta kthehen në udhëzim pendohen tek Zoti i tyre, me qëllim që të fitojnë lumturinë e të shpëtojnë prej zjarrit.
Ebu Khaladi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Në një popull që gjenden njerëz që neglizhojnë namazin e nuk korrrigjohen prej të tjerëve për veprimin e tyre dije se ndërshkimi i parë që u vjen këtij populli do të jetë pakësimi i rrizkut. Këto ishin fjalët e tij Allahu e mëshiroftë.
Muslimani në lidhje me ritualin e namazit nuk ka detyrë vetëm ta kryejë e të kujdeset për të por ai duhet të jetë ftues për në namaz. Këshillon dikë, përgëzon këtë e orienton atë, siç i thotë Allahu profetit të tij (salallahu alejhi ue selem) : Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! (Taha; 132). Apo si e përshkruan Allahu profetin e tij Ismailin a.s: Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet. (Merjem; 55).
Përpiquni o vëllezër të islamit të shfrytëzoni çdo mjet të dobishëm me qëllim që të kujtoni të tjerët me namazin qoftë me ndonjë këshillë të drejtpërdrejtë gojarisht, apo me shkrim, apo nëpërmjet mjeteve të ndryshme informacionit. Është shumë e nevojshme të kontriboni në vetëdijësimin e njerëzve e të jeni si ata që Allahu i ka përmendur duke thënë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Al Imran; 104).
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e dhuruar e mbi mirësinë e dhënë. Allahu thotë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah bekoje profetin tonë Muhamedin, pasardhësit e tij të mirë, bashkëshortet e tij, halifët e tij të mbarë, shokët dhe pasuesit e tyre të mirë!
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. Ndihmoji robërit e tu monoteistë, shkatërroi armiqtë e Tu armiqtë e fesë.
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona
Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë.
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.
O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës.
O Allah na bëj ne namazfalës, po ashtu edhe pasardhësit tanë!
Zoti ynë pranoje lutjen tonë!
Falenderimi i takon Zotit të botëve!