Pas Haxhit: Faqe e bardhë dhe qëndrueshmëri në bindje

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    19-12-1447 H     05-06-2026 D

Shejh   Salah Ibn Muhamed El Budejri 

Tema    Pas Haxhit: Faqe e bardhë dhe qëndrueshmëri në bindje

Lavdërimet janë Allahun, Falësin, të Dashurin, Zotëruesin e Mirësive të mëdha, Bujarisë të pafundme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që poshtëron hundët e mohuesve.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, drita e mesazhit të tij shkëlqeu në fusha dhe male, duke larguar errësirën e injorancës dhe netët e saj të zeza. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, sa kohë që pëllumbat gumëzhijnë dhe pemët nxjerrin gjethe.

Në vijim

O ju muslimanë! Kini frikë Zotin, me frikën e atij që i përmbahet urdhrave dhe përmbahet nga ndalesat dhe veprimet e pahijshme. “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

O ju muslimanë! Urime të gjithëve që qëndruan në Arafat, urime të gjithëve që shkuan në Muzdelife dhe kaluan natën atje, urime të gjithëve që arritën në Mina dhe qëlluan me gurë shejtanin. Urime të gjithëve që qëndruan në ato vende të shenjta dhe kryen ato rituale. Zoti e pranoftë Haxhin e Haxhinjëve dhe përpjekjet e tyre, e bëftë Haxhin e tyre të pranuar, përpjekjet e tyre të shpërblyera dhe gjynahet e tyre të falura.

O ju muslimanë! Kush nuk arriti të qëndronte në Arafat këtë vit, le t’i përmbushë detyrimet e tij ndaj Zotit, ashtu siç di ai. Kush u pengua të kalonte natën në Muzdelife, le të këmbëngulë në bindje ndaj Zotit të tij, i cili i afron të bindurit pranë Vetes dhe i lartëson ata. Dhe kush nuk ishte me ata që kaluan natën në Mina, le të vazhdojë t’i bindet Zotit të tij, sepse ai e ka arritur synimin e tij.

O ju që kryet Haxhin në Shtëpinë e Lashtë, Qabe, që erdhët nga çdo luginë e largët dhe iu përgjigjët thirrjes nga çdo vend i largët, me mirësinë e Zotit, Haxhi juaj u plotësua, ritualet tuaja u përmbushën dhe tani po përgatiteni të ktheheni në shtëpitë dhe vendet tuaja. Prandaj, kini kujdes në kthim nga ndotja me gjëra të ndaluara, nga mbulimi i akteve të turpshme dhe mbështjellja e fyerjeve. “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…”(En-Nahl 92) Një grua budallaqe, e ngathët dhe e hutuar punon ditë e natë për të tjerrë leshin për rroba, derisa të bëhet një fije e drejtë, e fortë dhe e endur fort. Pastaj kthehet duke ia zbërthyer fijet dhe duke ia zgjidhur lidhjet e sigurta, duke e bërë atë të ngatërruar pas forcës dhe  pas rregullimit e prishën atë. Ajo nuk fiton asgjë nga përpjekjet e saj përveç lodhjes dhe vështirësive. Prandaj, kini kujdes të mos jeni si ajo, sepse do të shkatërroni atë që keni ndërtuar, do të shpërndani atë që keni mbledhur dhe do të prishni atë që keni rregulluar.

LEXO  Origjina e adhurimit, ndikimet dhe kushtet për pranimin e tij

Haxhinjë të Shtëpisë së Lashtë, Qabes! Ju keni hapur një faqe të re e të pastër në jetën tuaj e, pas Haxhit tuaj, keni veshur rrobat e pastërtisë dhe të vlerave. Kini kujdes nga kthimi tek veprat e turpshme, shtigjet shkatërruese dhe veprimet e turpshme. Sa e shkëlqyer është një vepër e mirë që pasohet nga një tjetër vepër e mirë! Sa të neveritshme janë gjynahet pas një vepre të mirë! Le të jetë Haxhi juaj mburojë për ju kundër shtigjeve të shkatërrimit, pengesë për ju përballë grackave të rrënimit dhe nxitje për ju që të kryeni më shumë vepra të mira dhe akte të drejta. Hasan El Basriu, Zoti e mëshiroftë, është pyetur: “Kush është Haxhi i pranuar?” Ai tha: “ Haxhi i pranuar është të kthehesh duke hequr dorë nga bota dhe duke dëshiruar botën Tjetër, Ahiretin.”

O muslimanë! Sa bukur është që Haxhiu të kthehet nga Haxhi në familjen dhe atdheun e tij me karakterin më të përsosur, me mendjen më të shëndoshë, me qëndrimin më dinjitoz, me  nderin më të lartë, me tipare të këndshme dhe me cilësi fisnike. Sa bukur është që Haxhiu të kthehet nga Haxhi me trajtim të mirë të bashkëmoshatarëve të tij, me shoqërim të mirë ndaj fëmijëve të tij, me veten e tij të brendshme më të mirë se pamja e tij e jashtme dhe me virtytet e tij të fshehura më të bukura se shfaqjet e tij të jashtme. Kush kthehet nga Haxhi me cilësi kaq të bukura ka përfituar vërtet nga shkolla e madhe e Haxhit.

O muslimanë! Ritualet dhe aktet e Haxhit na kujtojnë se adhurimi është e drejtë vetëm e Zotit, nuk duhet t’i drejtohet askujt tjetër, sepse Ai është Krijuesi dhe Mbrojtësi ynë. Vetëm Ai është të Cilit i nënshtrohen shpirtrat, i kthehen fytyrat, i nënshtrohet i gjithë krijimi në kërkimin e nevojave, Atij, i kërkohet strehimit nga dëmi dhe ndihmë në kohë fatkeqësie. Si mundet atëherë që Haxhiu, pas kësaj, t’ia drejtojë ndonjë nga të drejtat e Zotit, siç është lutja, kërkimi i ndihmës, sakrifica dhe zotimet, betimet, dikujt tjetër përveç Tij? Çfarë lloj Haxhi është për atë që kthehet nga Haxhi duke kërkuar ndihmë nga të vdekurit, ose rrotullohet, bën tavaf, rreth varreve dhe mbetjeve mortore, ose sakrifikon, bën kurban, për xhindët dhe shejtanët, ose i bën banorët e varreve ndërmjetës në mes tij dhe Zotit të Botëve? Çfarë lloj Haxhi është për atë që kthehet pas Haxhit të tij dhe shkon tek sharlatanët dhe magjistarët, beson tek astrologët dhe fallxhorët dhe njerëzit e supersticionit, varën hajmali dhe kryen bidate, risi të urryera dhe të dënueshme?! Ku është ndikimi i Haxhit tek dikush që kthehet pas Haxhit duke lënë pas dore namazin, duke mos dhënë Zekatin, duke konsumuar ryshfet dhe kamatë, duke përdorur drogë dhe pije dehëse, duke shkëputur lidhjet farefisnore dhe duke u zhytur në gjynahet dhe shkelje të ligjit?

LEXO  Bajrami rast për vëllazëri dhe lidhje të zemrave

Haxhinjë të Shtëpisë së Lashtë, Qabes! O ju që jeni përmbajtur nga ndalesat e Ihramit gjatë Haxhit në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, në Qabe! Dijeni se ka ndalesa që mbeten në fuqi për gjatë gjithë kohës dhe jetës, prandaj kini kujdes nga kryerja e tyre dhe afrimi i tyre.

O muslimanë! Kush ju përgjigj Zotit gjatë Haxhit, duke ju përgjigjur thirrjes së Tij,  pas kësaj të mos i përgjigjet asnjë thirrjeje, parimi, doktrine apo apeli që kundërshton fenë e Zotit, e cila është feja e vetme e pranuar tek Ai për këdo. Kush i është përgjigjur thirrjes së Zotit gjatë Haxhit duhet t’i përgjigjet thirrjes së Tij në çdo vend dhe kohë, duke iu përgjigjur urdhrit të Tij, kudo që të kthehen kafshët e udhëtimit të tij dhe kudo që të ngrihen tendat e tij, pa hezituar, zgjedhur, nguruar apo u lodhur në këtë.

Zoti na bekoftë të gjithëve me Kuran dhe Sunet, na bëftë dobi me argumentet dhe urtësitë që ato përmbajnë.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai kërkoni falje, sepse me të vërtetë Ai është Falës për ata që i drejtohen Atij me pendim.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i ka dhënë mbrojtje çdo njërit që tek Ai ka kërkuar mbrojtje.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai i trajton me mirësitë e Tij ata që kishin humbur shpresën për shërim nga sëmundja.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Kush e pason atë është në rrugë të drejtë, e kush e kundërshton atë ka devijuar dhe në turpin e të kotës ka humbur. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të përhershme dhe të vazhdueshme.

Në vijim

O ju musliman! Frikësojuni Allahut, ndiqeni Atë, binduni dhe mos e kundërshtoni Atë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)

O vizitorë të Tajbes, Medines, ju që vini në këtë qytet fisnik dhe të këndshëm! Ju jeni në tokën e emigrimit, në shtëpinë e sunetit, në fortesën e besimit dhe në vendin e mirësive dhe bekimeve.

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ O Zoti im, me të vërtetë Ibrahimi ishte robi Yt, miku Yt dhe profeti Yt,  unë jam robi dhe profeti Yt. Ai të lutej për Meken e unë të lutem për Medinen me të njëjtën gjë që ai të lutej Ty për Meken.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Ndërsa në hadithin e Ebu Said El Hudriut, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka ardhur: “ O Zoti ynë, na jep dy bekime në një bekim.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Prandaj, njihni të drejtat e saj, vlerësoni vlerën e saj, respektoni shenjtërinë dhe mirësitë e saj dhe silluni në të me sjelljet më të mira.

LEXO  Vlerat e namazit

Nga Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Një namaz në xhaminë time, në xhaminë e profetit në Medine, është më i vlefshëm se një mijë namaze në çdo xhami tjetër përveç xhamisë së Shenjtë, Qabes në Meke.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Kjo është një deklaratë në kontekstin e favorit, bujarisë dhe mirënjohjes, e  në të përfshihen veprat e obliguara dhe nafilet, vullnetaret, sipas mendimit më të saktë nga dy mendimet e dijetarëve.

O robër të Zotit! O ju që ke përjetuar ditët më të mira të kësaj bote, por përsëri ngelët të lidhur nga zinxhirët e dëshirave! O ju që keni qenë dëshmitarë të sezoneve të bekimeve dhe mëshirës, ​​ por përsëri keni qenë të zënë me zbavitje dhe gjynahe! A nuk i keni parë karvanët e Haxhinjëve, ata që kryejnë Umren dhe adhuruesit? A nuk keni parë thjeshtësinë e tyre në Ihram, duart e tyre që dëshirojnë dhe lotët e të penduarve? A nuk i keni dëgjuar zërat e atyre që recitonin Telbijen, duke lavdëruar Zotin dhe shpallur Njëshmërinë e Tij? Më thoni,  ju lutem për Zotin tuaj: Çfarë ju ka shqetësuar dhe shpërqendruar? Çfarë ju ka larguar nga bindja ndaj Zotit tuaj? O ju që keni humbur rrugën në gjynahe dhe thoni: “Do të pendohemi sot ose nesër”: Kujtoni natën që do të kaloni vetëm në varr dhe nxitoni të pendoheni ndërsa jeni ende në kohën e paralajmërimit dhe hiqni dorë nga gjynahet dhe gabimet. “Thuaju robërve të Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez-Zumer 53)

Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë, udhëheqësit e  drejtë, njerëzit e nderuar dhe të ngritur, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët  dhe  shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, ruaj vendin tonë dhe vendet muslimane nga planet e keqbërësve, nga kurthet e atyre që thurin kurthe, nga smira e atyre që kanë smirë dhe zilia e ziliqarëve,  o Zoti i Botëve.

“Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt.” (El-Bekare 126)

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit  të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Do dhe je i Kënaqur, udhëzoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë.

O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve  në atë që është lavdia e Islamit  dhe përmirësimi i muslimanëve, o Zoti i Botëve.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sprovuarit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë, o Zoti i botëve.

O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë, shëro plagët e tyre dhe përshpejto fitoren e tyre, o Zot i botëve.

O Zot, bëj lutjet tona të dëgjuara dhe thirrjet tona të ngritura lart tek Ti, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1582593790533962/1580324636797699

Post Author: endrit