Rreziku që kanoset nga gjynahet – Shejh Abdullah el’Buajxhan – Medinë – 03.08.2018

Hytbja e Medines 21.Dhul Ka’de.1439 3.8.2018

“Rreziku që kanoset nga gjynahet”

Shejh Abdullah el’Buajxhan

 

Falënderimet dhe lutjet i përkasin vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, prej Tij kërkojmë udhëzim!

Kërkojmë mbrojtjen e Tij prej të këqijave dhe ligësive të veteve tona, si dhe atyre të veprave tona.

Atë kë e udhëzon Allahu, është i udhëzuar, e kë e humbet Ai, s’mundet kush veç Tij që mund ta udhëzojë për në të.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përpos Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij!

Atë e dërgoi Allahu si mëshirë për botën, duke udhëzuar zemrat e duke ndriçuar mendjet,

nëpërmjet tij u çelën sy të verbuar, e veshë të shurdhuar, si dhe zemra të ligështuara.

Paqja e Zotit qoftë mbi të, familjen e tij si dhe shokët e tij, deri në ditën e kiametit.

Dijeni se bindje ndaj Zotit, do të thotë të punosh me atë që ka urdhëruar, e gjynah do të thotë të kundërshtosh e të shpikësh risi.

Gjërat më të këqija janë kundërshtimet e risitë, gjynahet e padrejtësitë, ndërsa më e keqja e tyre është pasimi i epsheve dhe luhatjet e dyshimet.

Ndaj kijeni frikë Zotin në atë që ka urdhëruar, ndaluni prej atyre që ka ndaluar e paralajmëruar!

“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut sikurse e meriton, dhe mos vdisni vetëm si besimtarë!”.

Zoti është Ai që e krijoi njeriun, e pajisi me mendje e gjuhë, e urdhëroi me besim dhe ia mësoi atij të folurën, dërgoi dhe profetë që t’i mësonin, u dha atyre libra dhe masa drejtësie, caktoi jetën dhe vdekjen për t’ju provuar se cili prej jush do veprojë më drejtë.

Njeriun e ka krijuar që t’i bindet Atij sa të arrijë kënaqësinë e Tij, e ka ndaluar nga të kundërshtuarit të Tij i cili shkakton zemërimin e Tij.

“Kush punon një grimcë të mirë, për të do të shpërblehet, e kush punon një grimcë të keqeje, për të do të shpërblehet”, Zelzele 5-6.

Kjo botë është vend pune dhe sprovimi, por është e amshueshme, ndërsa bota tjetër është për të dhënë llogari e për shpërblim, ajo është e përhershme.

“Kush vepron mirë, punon për veten e tij, e kush vepron keq si bën keq vetëm se vetes së tij”, Fusilet 46.

Për të devotshmit ka përgatitur kopshte nën të cilat burojnë lumenj të përhershëm, në të gjendet ajo që syri kurrë s’e ka parë, veshi s’e ka dëgjuar dhe askujt si ka shkuar nëpër mend.

Për mohuesit ka përgatitur zjarrin e xhehenemit që: “Ai nuk len gjë dhe nuk kursen asgjë, lëkurat i shkrumbon”, Mudethir 26.

“Që aty të mbeten përgjithmonë, aty nuk do të shijojnë as freski e as pije, përveç ujit të valuar e ndyrësive, (kjo) si shpërblim përkatës” Nebe 23-26.

O ju besimtarë! Njeriu është i sprovuar me epshe dhe dyshime të ndryshme, i dhënë pas dëshirave e rahative, i sprovuar me gjynahe e të këqija.

Armiqtë e tij nuk i ndahen dhe shejtani është armiku i tij më i madh, por dhe vetja e tij e urdhëron për keq dhe ajo është pjesë e tij e pandashme, e gjymtyrët e tij janë dëshmitare për të.

Shejtani është betuar e ka hënë: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë” Sad 82.

Zoti na drejtohet e thotë: “Shpirti është i prirur drejt së keqja” Jusuf 53.

LEXO  Këshilla Ramazani

thotë gjithashtu:” Atë ditë që do të dëshmojnë kundër tyre, gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë”, Nur 24.

Dhe thotë: “Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: ‘Pse dëshmuat kundër nesh?’ E ato do të përgjigjen: ‘Allahu i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçka, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni. Ju nuk u fshehët që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit”, Fusilet 21-22.

Shejtani nxit për ligësi e gjynahe, shpirti thërret për në kundërshtime e gjynahe, ndërsa gjymtyrët do jenë dëshmitarë të pamohueshëm të veprave të njeriut, ndërsa i zgjuar është ai që e kundërshton shpirtin, e braktis këtë botë dhe punon për botën tjetër.

Të nderuar besimtarë! Kundërshtimi i Zotit dhe bërja e gjynaheve, është një vepër e ligë e cila shkakton zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit, sikurse zbret dënimin dhe vuajtjet.

“Sa shumë qytete u treguan kokëforta para urdhrave të Zotit të vet dhe të dërguarve të Tij! Ne u kërkuam llogari të rreptë dhe i ndëshkuam me dënim të ashpër. Ata i provuan pasojat e veprave të tyre dhe fundi i tyre ishte shkatërrim. Allahu ka përgatitur për ta dënim të rëndë, prandaj frikësojuni Allahut o njerëz të mençur, që keni besuar!” Talak 8-10.

Ajo që përjetojnë myslimanet prej sprovave të ndryshme, përçarjeve e padrejtësive, shtrenjtësisë dhe pushtimit të armikut, thatësirës së tokës dhe qiellit, dhimbjeve e sëmundjeve të ndryshme, nuk është tjetër vetëm si pasojë e gjynaheve dhe kundërshtimeve të tyre.

Zoti ka sjellë shembuj për atë që ka mend, ka sqaruar se gjynahet dhe kundërshtitë janë shkaku kryesor i humbjes së mirësive ndaj dhe thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i vinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” Nahl 112.

Që këtu vërehet se sa të pavlerë janë krijesat për Zotin, kur i braktisin urdhrat e Tij.

Të nderuar besimtarë! Rreziku i gjynaheve shtohet dhe më shumë kur njerëzit i transformojnë gjynahet në diçka normale, i shfaqin dhe krenohen me to, sikur kërkojnë të sfidojnë Zotin.

Gjithë ymeti i Muhamedit është i sigurt, përpos atyre që i publikojnë gjynahet dhe njerëzit nuk do shkatërrohen derisa të fillojnë të justifikojnë veten.

Vëllezër të nderuar! Publikimi i gjynaheve, është dhe një mospasje e konsideratës e madhështisë ndaj Zotit, guxim ndaj Zotit, kundërshtim i besimtarëve, shkak i ndëshkimit të të tjerëve me gjynahet e gjynahqarëve.

Publikimi i gjynaheve bën që mosrefuzuesi i tyre të jetë gjynahqarë, ndaj kush sprovohet me ndonjë gjynah, së paku le të fshihet e t’i kthehet pendimit.

Të nderuar besimtarë! Pandjeshmëria e gjynahut, zvogëlimi i tij, guximi për veprimin e tij, mosmohimi i këtij gjynahu, janë shenja që tregojnë zemërimin e Zotit ndaj njeriut të tillë.

Abdullah ibn Mes’udi, përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Bëni kujdes nga mosmarrja në konsideratë të gjynahut, ata i mblidhen njeriut derisa e shkatërrojnë” dhe sjell dhe një shembull për një gjë të tillë ku thotë: “Si shembulli i atij populli që sjellin nga një dru, më pas një tjetër dru, më pas dhe një tjetër derisa bëhet një grumbull dhe i vënë flakën.”

LEXO  Mbrojtësit e Islamit - Medina 20.11.2020

Por fatkeqësia e vërtetë për nënçmuesin e gjynaheve të vogla, do të jetë në ditën e kiametit, kur të shikojë se gjynahet e vogla që ai s’i kishte marrë në konsideratë, tashmë janë shtuar e zmadhuar, dhe thotë i tmerruar: “E do t’i shohësh gjynahqarët se si tmerrohen nga ato që gjenden në to dhe thonë: ‘Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë’. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt” Kehf 49.

Falënderimet qofshin për Allahun, Falësin e gjynaheve, Mbuluesin e të metave, Lehtësuesin e brengave.

Ai e shtrin dorën e tij natën për mëkatarin e ditës, e shtrin dorën e Tij ditën për mëkatarin e natës, që të kthehet e pendohet.

Kini frikë Allahun dhe mos shkelni në gjynahe, mos i nënvlerësoni por pakësojini dhe dijeni se gjëja më e mirë për ju është që Zotin ta takoni me sa më pak gjynahe.

Rreziku i gjynaheve zmadhohet dhe të tundon, sprova e tyre të pikëllon, nëse bëhet publikisht dhe njerëzit nuk e mohojnë më.

“Ata Izraelitët, që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin e shkelnin çdo kufi. Nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” Maide 77-78.

Ebu Bekri r.a, përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Kur njerëzit ta shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, rrezikojnë dënimin e Zotit.”

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, është ndër veçoritë e ymetit të Muhamedit a.s, është siguri prej dënimit të Zotit, është mbrojtje prej kurtheve të armiqve e të prishurve.

Ai është ndër urdhëresat e Zotit ndaj dhe thotë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të këqija. Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit” Ali Imran 104.

O umeti i Muhamedit! Urdhëroni për të mira me të mirë, ndaloni nga të shëmtuarat me të mirë dhe kush prej jush e sheh ndonjë të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, me zemrën e tij dhe ky është besimi më i dobët.

O robër të Zotit! Ju jeni përgjegjës për shtëpitë dhe familjarët tuaj, ndaj kini frikë Allahun në gratë dhe fëmijët tuaj, mësojuani fenë e Allahut, ndalini nga gjërat që ka ndaluar Zoti, edukojini me morale dhe virtyte të larta dhe dijeni se do të pyeteni për ta para Allahut, ndërsa ata do jenë dëshmitarë për ju!

Dëshmia e tyre do shkruhet dhe do pyeten për të në një ditë ku krimineli për të shpëtuar nga frika e asaj dite do flijonte dhe fëmijët e tij, gruan dhe vëllain e tij, të gjithë ata që e rrethojnë, madje mbarë ata që gjenden në tokë për të shpëtuar.

Kujdesuni për ata që i keni në përgjegjësi, mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin e Tij në çfarë ju është lënë amanet duke e ditur fort mirë!

Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë sprovë për ju, dhe se Allahu ka një shpërblim të madh.

LEXO  Pastrimi i shpirtit - Shejh Abdullah ibn Abdurrahman el Buajxhan - 05.10.2018

Atij që Zoti i ka lënë në ngarkim të tjerë dhe ai nuk e mban këtë amanet, e ka haram xhenetin.

Kush përpiqet për edukimin e familjes dhe mbjelljen e besimit te ata, ai merr shpërblimin e veprës së tyre dhe askujt nuk i pakësohet ky shpërblim.

Përcillet se Profeti a.s ka thënë: “Kur vdes njeriu, veprat e tij shkëputen përpos tre”, dhe përmendi: “…dhe fëmija i mirë që lutet për të”.

Të nderuar besimtarë! Sulmet perëndimore kanë depërtuar në familjet tona, mjetet e telekomunikacionit dhe rrjetet po prishin moralin dhe virtytet, ajo që deri dje ishte e shëmtuar, sot është bërë normale, e ajo që deri dje ishte vepër e mirë, sot po cilësohet i prapambetje dhe jocivilizim.

Ebu Mes’ud el Ensariu, shkoi tek Hudhejfe ibn el Jemani dhe i kërkoi që ta këshillonte.

Ebu hudhejfe i tha: -Akoma s’të ka ardhur jekijni?

-Po,- i tha,- pasha madhështinë e Zotit!

-Atëherë dije se devijimi i vërtetë, është të miratosh atë që deri dje e konsideroje të shëmtuar, ta konsiderosh të shëmtuar atë që deri dje e konsideroje të mirë, ruhu nga servilizmi dhe ngjyrosja, se feja e Zotit është një!

Kapuni fort pas sunetit, largohuni nga risitë, se çdo risi është shpikje e çdo shpikje të çon në humbje dhe çdo humbje shpien në zjarr!

Zot na e trego të vërtetën ashtu siç e ke bërë, dhe bëna prej pasuesve të saj, na e trego të kotën sikurse e ke krijuar dhe bëna prej atyre që i largohen asaj!

Zot na bëj ta duam besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëna ta urrejmë kufrin, gjynahet dhe kundërshtimin dhe bëna prej të urtëve!

Zot, lartësoje Islamin dhe myslimanët, ndihmoji robërit e tu njehsues, bëje Zot këtë vend të sigurt e të qetë si dhe mbarë trevat Islame!

Zot ji pranë të dobëtëve të Guta të Shamit, ruaje gjakun e tyre, mbuloji të metat e tyre, qetësoji brengat e tyre!

Zot! Frikën e tyre zëvendësoje me siguri, dobësinë e tyre me triumf, ata janë të shtypur ndaj hakmerru për ta, Zot ndihmoji kundër atyre që i shtypën me padrejtësi, o i Plotfuqishëm!

Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve kudo qofshin o Zoti i botëve!

Zot jepi sukses prijësit tonë, shërbyesit të dy xhamive të shenjta, ndihmoje atë dhe zëvendësin e tij, në atë që ti do dhe të pëlqen.

Zot jepu sukses në atë që ka dobi Islami dhe myslimanët, në atë që ka dobi vatani dhe mileti!

Zot ndihmoji ushtarët tanë që ndodhen në kufij, ruaji me ruajtjen tënde, përkujdesu me përkujdesjen Tënde!

Besimtarë të nderuar, dërgoni salavate mbi atë që vetë Zoti ju urdhëroi të dërgoni salavate ku thotë: “Vërtetë Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të! O ju që keni besuar, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam”, Ahzabë 56.

Zot bekoje e begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e bekove dhe e begatove Ibrahimin dhe Familjen e Ibrahimit, Ti je i  Lavdëruari, i Madhëruari!

Zot ji i Kënaqur me katër kalifët e drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, me barë Sahabët dhe kushdo që e ndjek rrugën e tyre deri në ditën e fundit, bashkë me ta dhe ne, me mëshirën, bujarinë dhe madhështinë tënde!

 

Post Author: admin