Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 23-01-1447H 18-07-2025 D
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Thashethemet: Përkufizimi, dëmet dhe mënyrat për t’i larguar ato
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime të pa fundme.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e atij që mbahet fort pas Tij, i nënshtrohet vetëm Atij dhe e adhuron Atë.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari më i lavdishëm. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që Zotin e adhurojnë.
Në vijim
O ju muslimanë! Kush dëshiron fitoren dhe shpëtimin, kërkon lavdinë dhe suksesin le ti përmbahet devotshmërisë dhe bindjes ndaj Zotit të tij. “ Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (El-Ahzab 71)
Vëllezër në Islam! Nga parimet më themelore në Islam është detyrimi për të promovuar gjithçka që nxit vëllazërinë dhe dashurinë midis muslimanëve, dhe të ndaluarit e gjithçkaje që shkakton armiqësi dhe urrejtje midis besimtarëve. Nga shkeljet më të mëdha të këtij parimi është një sjellje e ndyrë dhe përshkrim i papranueshëm, e që pa tjetër, është përhapja, bartja e fjalëve midis njerëzve me qëllim shkaktimin e destabilizimit, mbjelljen e grindjeve dhe armiqësisë, nxitjen e përçarjes dhe urrejtjes. Kjo është ajo që quhet në terminologjinë Islame me thashetheme. Thashethemet minojnë vëllazërinë, krijojnë urrejtje, shkatërrojnë unitetin dhe përçajnë shoqërinë. Sa shumë mbulesat që ka shqyer kjo vepër dhe sa shumë mëri që ka shkaktuar. Kjo është arsyeja pse është ndaluar në Kuran dhe sunet, dhe dijetarët e kanë konsideruar atë një gjynah nga gjynahet e mëdha. Allahu i Madhërishëm në kontekstin e gjynahit thotë: “ Por ti mos iu bind çdo betuesi të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme, penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi.” (El-Kalem 10-12) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, vepruesin e këtij gjynahi të madh e ka kërcënuar duke thënë: “ Asnjë shpifës nuk do të hyjë në Xhenet.” Muttefikun Alejhi. Ndërsa në transmetimin e Muslimit ka ardhur: “ Asnjë përgojues, thashethemaxhi nuk do të hyjë në Xhenet.” Dijetarët kanë thënë: “ Një thashethemaxhi i dëgjon fjalët drejtpërdrejt, pastaj vazhdon t’i tregojë dhe t’i transmetojë ato. Ndërsa shpifësi i dëgjon të tjerët pa e ditur ata, në fshehtësi, pastaj vazhdon të transmetojë, të përhapi nga ato që ai dëgjon.” Përgojimi ka bashkuar shumë të ndaluara dhe shumë gjynahe vdekjeprurëse, shkatërruese. Prandaj, çdo gjë e përmendur në dy shpalljet, në Kuran dhe sunet, që ndalon tradhtinë është përfundimtare e prerë në ndalimin e përgojimit, thashethemit, sepse përgojuesi dhe nëse është i sinqertë në atë që transmeton, ai po tradhton atë për të cilin po transmeton. E nëse ai është gënjeshtar, atëherë është më i lig, hynë nën krimin e gënjeshtrës, e cila dihet se është absolutisht e ndaluar në argumentat e dy shpalljeve, Kuran dhe sunet. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A doni të ju tregoj për më të keqen tuaj, në mesin tuaj?”Ata thanë: “Po.” Ai tha: “Më të këqijtë prej jush janë ata që prishin në mes të dashurve, që përhapin thashetheme dhe që kërkojnë të dëmtojnë të pafajshmit.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi dhe të tjetë veç tij, e ai është hadith i mirë me të gjitha provat tij. Kjo për shkak se rezultati i saj është shkattërim i madh, përfundimi është shumë i keq, qëllimi dhe fryti i saj është korrupsion dhe e keqe e përhapur gjerësisht.
O ju të dashurit e mi! Nga gjërat e shëmtuara në lidhje me thashethemet është se ato përfshijnë edhe një krim të shëmtuar, që është përgojimi, i cili është një gjynah nga gjynahet e mëdha. Për këtë arsye dijetarët kanë vendosur për të një përkufizim të përgjithësim dhe të shëndoshë: Të gjitha thashethemet janë përgojime, por jo të gjitha përgojimet janë thashetheme. Kjo sepse thashethemi është transmetimi i fjalëve të folësit tek ai për të cilin flitet, dhe se thënësi i atyre fjalëve të bartura e urren që kjo të zbulohet. Për këtë, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përmendi një shembull të keq të ndëshkimit të thashethemaxhiut, sikurse ka ardhur në dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, ku tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka kaluar pranë dy varreve dhe ka thënë: “Ata të dy po ndëshkohen, por nuk po ndëshkohen për ndonjë gjynah të madh. Sa i përket njërit prej tyre, ai nuk e pastronte veten nga urina e tij, ndërsa sa i përket tjetrit ai përhapte thashetheme…” Hadithi.
Vëllezër në Islam! Dijetarët kanë thënë: “ Kujt do që i thuhet thashetheme duhet të bëjë gjashtë gjëra: Të mos i besojë thashethemexhiut, ta ndalojë ta bëjë këtë, në përhapjen e thashethemit, ta verifikojë dhe të mos ngutet, të mos mendojë keq për vëllain e tij në mungesë, të mos lejojë që ajo që i është thënë ta çojë drejt spiunazhit dhe të mos e tregojë atë thashethem, duke kërkuar ndihmën e Zotit për këtë gjë, duke kërkuar mirësinë e Zotit dhe kënaqësinë e Tij.” Prandaj, nga rrugët e atyre me mendje të shëndoshë dhe të urtë është ajo që është transmetuar nga paraardhësit tanë. Prej tyre, atë që është transmetuar se një burrë shkoi te Halid bin Uelidi, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “ Vërtetë filani të shanë, fyen ty.” Ai, Halidi, ka thënë: “ Ajo është dosja e tij, libri, le ta mbushi si të dojë.” Një burrë ka ardhur tek Imam Shafiu, Zoti e mëshiroftë, dhe i ka thënë: “ Filani të përmendën ty me të keqe.” Shafiu i është përgjigjur duke i thënë: “ Nëse thua të vërtetën ti je thashethemexhi, e nëse gënjen je gjynahqarë, prandaj shmangu prej nesh dhe largohu.” Një burrë ka ardhur tek Vehb Ibn Munebiu, Zoti e mëshiroftë dhe i ka thënë: “ Vërtetë filani të ka sharë, fyer ty.” Ai i ka thënë: “ Shejtani nuk ka gjetur lajmëtar tjetë veç teje?” Disa prej tyre i thanë atij që përcolli diçka, fjalë tek ata: “Ai që e tha këtë më qëlloi me një shigjetë që nuk më goditi, po ti pse e more shigjetën dhe ma ngule në zemër?!”
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, dhe bëni kujdes nga çdo sjellje e pahijshme. Stolisuni me virtyte, vlera të mira, që të jeni mirë në këtë botë dhe në botën Tjetër, në Ahiret, dhe të jeni të lumtur në vazhdimësi dhe përgjithmonë.
O Zot, prano pendimin tonë, vërtetë Ti je Pranues i pendesës, Mëshirëplotë, na fal, sepse Ti je Falës i Madh, Mëshirëploti. Na begato me atë që dëgjuam dhe mësuam. O Zot, të lutemi të na japësh sukses dhe udhëzim, o më i Madhi më Bujari.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e Madhërishëm dhe Bujar.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që ka adhuruar Zotin dhe ka falur namaz për Të. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij fisnik.
Në vijim
O ju muslimanë! Kush e ruan gjuhën e tij ka fituar dhe ka shpëtuar, e kush e përdor atë për vepra të mira do të ketë sukses dhe do të ngrihet lart në gradë. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf 18) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Kush e beson Zotin dhe Ditën e Gjykimit le të thotë fjalë të mirë ose të heshti.” Muttefikun Alejhi.
Pastaj shtoni lutjet dhe pëshëndetjet për zotërinë dhe të dërguarin tonë, Muhamedin.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë në çdo kohë dhe moment. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me pasuesit e tij të udhëzuar drejtë, me familjen dhe shokët e tij në tërësi.
O Zot, të lutemi të jesh i Butë me ne dhe me muslimanët. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me ne dhe na bëj të kënaqur, o Dhurues i Madh, o i Gjithëdijshëm. O Zot, o i Gjallë, o i Përjetshëm, ji bujar me ne me mirësinë Tënde të bollshme dhe bujarinë Tënde të pamasë. O Zot, jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës në atë që Ti do dhe je i kënaqur. O Zot, ruaj ata të dy me ruajtjen Tënde, mbuloi ata me mbrojtjen dhe kujdesin Tënd. O Zot, të lutemi të jesh në dnihmë dhe mbështetje të tyre, udhëzoi dhe drejtoi ata të dy.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Zot i botëve.
O Zot, përmirëso gjendjen tonë dhe gjendjen e muslimanëve. O Zot, bashko fjalën e muslimanëve në të vërtetën. O Zot, të lutemi të jesh i butë me vëllezërit tanë muslimanë në Palestinë. O Zot, mëshiroi ata me Mëshirën Tënde të Madhe. O Zot, shëro të sëmurët e tyre dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, largo shqetësimet nga të gjithë besimtarët. O Zot, të lutemi që të jesh kundër armiqve të muslimanëve, thyej pushtetin dhe forcën e tyre dhe intensifiko ndëshkimin Tënd mbi ta, o i Fortë, o i Plotfuqishëm. Tek Ti jemi mbështetur, tek Ti jemi drejtuar dhe me Ty jemi lidhur fort. Nuk ka fuqi dhe forcë tjetër përveç Teje, o i Lartësuar, o i Madhërishëm.
Afrim Smakaj