Tre mirësi themelore – Meka 29.05.2020

Hytbe e Qabes                  06-10- 1440 H       29-05- 2020 

Shejh Mahir El Muajkili            Tema:   Tre mirësi themelore

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut poseduesit të vlerës e të mirësisë, të bujarisë e të dhuntisë. Ai me bujarinë e Tij ka përshirë tërë njerëzit e me mëshirën e Tij i ka ftuar për në venbanimin e paqes. Ai është më meritori për adhurim, më i larti që përmendet, më i dhembshuri që sundon, më ndihmuesi kur i kërkohet, dëgjuesi kur thirret, më bujari kur jep, më i drejti në vendim.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Ai është i Vetëm e i Pashoq.

Dëshmoj se i nderuari dhe i dashuri ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe shokët e tij.

O besimtarë jini të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni, ndiqni rrugën e profetit tuaj, rregullojini mardhëniet mes njëri-tjetrit, ruajeni unitetin e radhëve e të vatanit tuaj, shtojini furnizimet e dijeni se furnizimi më i mirë për udhëtimin tuaj është devotshmëria.

“Prandaj, jinni të devotshëm ndaj Meje, o njerëz të mençur!” (El Bekare; 197).

O muslimanë kudo që jeni! Festa është shenjë prej shenjave të Islamit, sezon për ripërtëritjen e dashurisë e të afrimitetit. Allahu i bëftë festat tuaja të gëzueshme, u shtoftë lumturi e hare! Ardhshin për ju festa të tjera e të jeni në mirësi e besim, rend e siguri, shëndet e falje, pa sëmundje e pa epidemi.

Vëllezër besimtarë! Mirësitë e Allahut nuk numërohen e nuk llogariten. Ato janë mirësi të dukshme e të padukshme. Mundet që një mirësi e fshehtë e padukshme të jetë më e madhe se një mirësi që duket qartë. A nuk shihni që Allahu ka nënshtruar për ju gjithçka në qiej e në tokë!? Ai ka derdhur mbi ju mirësitë e Tij të dukshme e të padukshme. Njerëzit nuk munden të numërojnë mirësitë e jo më të kryejnë falenderimin që lipset për to. Në sahihun e Buhariut shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Falenderimi i takon Allahut, shumë, bukur e pandërprerë edhe pse nuk e përbushim dot falenderimin ndaj Tij nuk e ndërpresim atë e ne nuk mund të heqim dorë prej tij o Zoti ynë.” Thotë se mirësitë e tua mbi ne o Zoti ynë janë të vazhdueshme e të pandërprera përgjatë gjithë jetës tonë.

Talku ibn Habib, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Haku i Allahut është më i rëndë se të mund ta kryejnë atë njerëzit. Mirësitë e Allahut janë aq shumë saqë njerëzit nuk mund ti numërojnë ato. Kështu që pendohuni në mëngjes e pendohuni në mbrëmje.

Njerëzit gjatë kësaj pandemie i kanë ndjerë tre mirësitë kryesore pa të cilat jeta njerëzore nuk mund të gjejë rehati. Në sunenin e Tirmidhiut me zinxhir të mirë transmetimi shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ai cili gdhihet i sigurtë në strehëzën e vet, pa probleme në fizikun e tij dhe e ka ushqimin e asaj dite është sikur ti jetë dhënë e tërë bota.” Këto fjalë të bukura të kujtojnë mirësitë që i vijnë natyrshëm shumicës së njerëzve aq sa ata ndoshta nuk e ndjejnë si duhet vlerën e tyre.

Kryesorja e këtyre mirësive është ajo të cilën Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka përmendur të parën. Mirësia e rendit e sigurisë në vete, në familje, në vatan e në pasuri. Këtë mirësi ka përmendur të parën edhe Ibrahimi a.s në lutjen e tij për Vendin e Shenjtë. “Kur Ibrahimi u lut: Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” (El Bekare; 126).

Allahu, të dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) dhe shokëve të tij u siguroi strehimin përpara furnizimit me të mira materiale. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (mosbesimtarët) do t’ju gllabëronin! Ai ju strehoi dhe ju forcoi me ndihmën e Tij e ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni.” (Enfal; 26).

Rendi kur mbizotron mbi një vend dhe njerëzit janë të sigurtë në fenë, vetveten, pasuritë dhe nderin e tyre atëherë shpërndahen nëpër tokë dhe nxitojnë të fitojnë të mirat materiale duke iu frikësuar vetëm Allahut të madhërishëm. O Allah Ty të përket falenderimi për mirësinë e rendit e të sigurisë.

E dyta prej mirësive bazë është kërkimi i shpëtimit ndaj çdo gjëje që mund ti kanoset njeriut. Kjo është një prej dhuntive më të larta dhe një prej mirësive më të mëdha që Allahu i jep robërve të Tij. Në musnedin e imam Ahmedit shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Asgjë nuk iu është dhënë pas dëshmisë së sinqeritetit më e mirë se shpëtimi prandaj kërkojini Allahut shpëtim!

Kush dëshiron të vazhdojë të jetë i shpëtuar le të ketë frikë Allahun në fshehtësi e në publik. Ti kërkosh Allahut shpëtim tregon vlerësim ndaj mirësive madhore të Allahut, pranim të nevojës së madhe që ka njeriu për Krijuesin e tij, për butësinë e Tij e për faljen e Tij të vazhdueshme. Lutja për shpëtim e falje është lutja më e mirë dhe më e dashur tek Allahu i lartësuar.

Në sunenin e Tirmidhiut me zinxhir të mirë transmetimi prej Abasit r.a përcillet se ka thënë: Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut, më mëso diçka që t`ia kërkoj Allahut! Ai tha: “Kërkoji Allahut shpëtim!”

Qëndrova disa ditë pastaj erdha dhe thashë: O i Dërguar i Allahut, më mëso diçka që t`ia kërkoj Allahut! Ai më tha: O Abas, o xhaxhai i të Dërguarit të Allahut kërkoji Allahut shpëtim, Kërkoji Allahut shpëtim në këtë botë e në botën tjetër.

Përsëritja e kësaj porosie nga ana e Profetit [ për xhaxhain e tij tregon rëndësinë dhe madhështinë e të luturit me të. Jo vetëm kaq por i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e niste ditën e tij dhe e mbyllte me këtë lutje. Në sunenin e Ebu daudit prej ibn Umer r.a përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk i linte pa i thënë këto lutje në mëngjes e në mbrëmje: “O Allah kërkoj të më shpëtosh në këtë botë e në botën tjetër. O Allah unë kërkoj falje dhe shpëtim në fenë time, jetën time, familjen time dhe në pasurinë time”.

E treta mirësi bazë është sigurimi i vaktit të ditës me ushqim dhe pije. Uji është një prej mirësive më të mëdha. Ai është gjëja e parë prej mirësive për të cilat do të pyetet njeriu ditën e gjykimit. Në sunenin e Tirmidhiut me zinxhir të saktë transmetimi përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Gjëja e parë për të cilën do të pyetet ditën e kijametit – pra njeriu për mirësitë- e ti thuhet atij: A nuk të kemi dhënë fizik të shëndetshëm e të kemi shuar etjen me ujë të freskët!?

“Pastaj, atë ditë do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)” (Tekathur: 8).

O vëlla i bekuar nëse dëshiron të jesh i qetë e me përfundim të bukur hidhe vështrimin tënd mbi çështjet e kësaj bote tek ata që janë poshtë teje me qëllim që ta kuptosh masën e mirësisë së Allahut ndaj teje. Ndërsa në çështjet e fesë hidhe vështrimin tënd tek ata që janë mbi ty me qëllim që ta kuptosh masën e neglizhencës tënde në lidhje me përmbushjen e detyrimeve që ke ndaj Zotit tënd e kështu të përpiqesh të plotësosh vetveten.

Ty që të ka mbuluar Allahu me petkun e faljes, që të ka shpëtuar me tërë familjen tënde, që të ka furnizuar me ushqimin e ditës e që të ka dhuruar siguri në zemër, qetësi në vetvete dije se Allahu të ka dhuruar të gjitha mirësitë sepse edhe ai i cili sundon tërë botën nuk do të arrijë diçka më shumë se kaq. Nise ditën tënde duke falenderuar për këto mirësi, përmbushi detyrimet, largohu prej ndalesave që të jesh prej falenderuesve. “O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)! Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” (Sebe`; 13).

O Allah na bëj falenderues ndaj Teje, pëkujtues të Tu, të frikësuar ndaj Teje, të nënshtrua ndaj Teje, të përgjëruar para Teje e të kthyer tek Ti. O Allah na ndihmo në përkujtimin Tënd, në falenderimin ndaj Teje dhe në adhurimin sa më të bukur ndaj Teje.

O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndërshkimi tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!

I kërkoj mbrojtje Allahut prej shejtanit të mallkuar

“Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (Ibrahim; 32-34).

Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës.

Hutbeja e dytë

LEXO  Miqësia dhe shoqëria në Islam - Meka 26.11.2021

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut që me mirësinë e tij na dhuroi fenë Islame, që na lehtësoi agjërimin dhe namazin e natës gjatë ramazanit.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq, madhështori e bujari.

Dëshmoj se i nderuari ynë Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, më i miri adhurues i Allahut në agjërim e në namaz. Nderimet, shpëtimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët dhe pasuesit e tyre.

Vëllezër besimtarë, para pak ditësh i dhamë lamtumirën një muaji fisnik, një sezoni madhështor. Ditët dhe netët e tij kaluan shumë shpejt. Rregjistrat e tij u mbyllën. Ai që mundi të fitojë në të pastrim të zemrës dhe shpirtit të tij pas ramazanit do të jetë i dhënë pas veprave të mira sepse prej shenjave të pranimit të një vepre të mirë është kryerja e veprës së mirë pas saj.

Dije vëlla i bekuar se vetëpëlqimi dhe syefaqësia e asgjësojnë veprën e mirë. Ibrahimi a.s kur ndërtoi Shtëpinë e Shenjtë me urdhër të Allahut u frikësua se mos nuk do të pranohej prej tij dhe tha: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!”

Në Sahihul Xhami`u shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nëse nuk do të bënit gjynahe do kisha frikë për ju ndaj diçkaje që është më e madhe se kaq; vetëpëlqimi, vetëpëlqimi. Për këtë arësye të parët tanë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me ta bënin kujdes të madh ndaj vetëpëlqimit dhe këshillonin të tjerët të bënin kujdes ndaj tij.

Nëse muaji i agjërimit mbaroi, dije se Allahu ka bërë tërë jetën mundësi për agjërim e namaz. Kështu që bëni sa më shumë vepra të mira vullnetare dhe bëni gara në mirësi. Në sahihun e Muslimit shënohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush e agjëron ramazanin e pas tij agjëron gjashtë ditë prej muajit Sheual konsiderohet si të ketë agjëruar tërë kohës. Kjo për shkak se një e mirë shpërblehet me dhjetë. Ramazani me dhjetë muaj dhe këto gjashtë ditë me dy muaj. E numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj.

Besimtari nxitet të agjërojë ditën e Hënë dhe të Enjte të çdo jave dhe ditën e bardha të çdo muaji. Duhet të dimë o besimtarë se namazi më i vlefshëm pas namazit farz është namazi i natës. Në sunenin e Ebu Daudit me zinxhir të saktë përcillet se Aishe r.a ka thënë: Mos e lër namazin e natë! I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk e linte atë. Ai kur sëmurej apo kur ishte i lodhur falej ulur.

Rrugët e mirësisë janë të shumta. Shtigjet e shpëtimit janë të lehta. Mëshira e Allahut është e gjerë. Dyert e xhenetit janë tetë. Kush ka qenë prej namazlinjve do të thirret prej derës së namazit. Kush ka qenë prej njerëzve të sadekasë thirret prej derës së sadekasë. Kush ka qenë prej agjëruesve thirret prej derës së Rrajanit.

Sufjan ibn Abdilah Eth-thekafij r.a erdhi tek i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe tha: O i Dërguari i Allahut: Më thuaj një fjalë në islam për të cilën nuk do të kem nevojë të pyes askënd tjetër pas teje! Ai tha: Thuaj; Besova Allahun e pastaj drejtohu. Transmeton Muslimi. Pra drejtohu në teuhid (monoteizëm) dhe në ligjin e Zotit tënd që kur të takohesh me Të të jetë i kënaqur ndaj teje sepse Allahu nuk ka vendosur afat tjetër përfundimtar për fundin e veprave të besimtarit përveç vdekjes.

Puna më e dashur tek Allahu është puna e vazhdueshme edhe nëse është e pakët. E pakta e vazhueshme është më e mirë se e shumta që ndërpritet. E shumta e rëndë sjell venitje, mërzi, ndërprerje dhe lënie të punës.

Në dy sahihet transmetohet se Alkameh ka thënë: Unë pyeta nënën e besimtarëve Aishe r.a, e i thashë; O Nënë e besimtarëve si ka qenë vepra e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)? A ka veçuar diçka prej ditëve? Ajo tha: Jo, vepra e tij ishte e vazhdueshme.

Në Kuranin madhështor: “Adhuroje Zotin tënd derisa të vijë e sigurta (vdekja)” (Hixhr; 99).

Dijeni o besimtarë se Allahu ju urdhëron për diçka fisnike ku e fillon me Veten e Tij. Allahu ka thënë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah nderoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke nderuar familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit

Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah bëje këtë vend të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!

O Allah rregulloje çështjen e muslimanëve në çdo vend!

O Allah të lutemi Ty me mirësinë, bujarinë, fsnikërinë të na ruash nga çdo e keqe dhe e urryer!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme!

O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!

O Allah pas vështirësisë na sill lehtësim, pas ankthit zgjidhje e pas ngushtisë rrugëdalje!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në gjithë çështjet tona, na mbro prej poshtërimit në këtë jetë e prej ndëshkimit në jetën tjetër!

O Allah na i shëro të sëmurit tanë, na i shpëto të sprovuarit tanë, ndihmoji të dobëtit tanë me mëshirën Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah, o i Larmadhërishëm, o i Gjallë e i Përjetshëm jepi sukses Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Jepi atij shpërblimin më të mirë për islamin dhe muslimanët. O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij besnik të bëjnë atë që është e dobishme për islamin dhe muslimanët!

O Allah jepi sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve të gjykojnë me Librin Tënd dhe me Sunetin e profetit tënd.

O Allah jepi fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë, me mëshirën, mirësinë dhe bujarinë Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

Zoti ynë pranoje pendimin tonë, pastroji gjynahet tona, pranoje lutjen tonë, qëndroje argumentin tonë, udhëzoji zemrat tona, saktësoji gjuhët tona dhe largoje të keqen prej zemrave tona!

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të shkatërruarve!

O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit