Hytbe e Qabes 03-12-1441 H 24-07-2020 D
Shejh Mahir El Muajkili Tema: Vlera e qëllimit të mirë
Falenderimi i takon Allahut, Falësi i gjynaheve, Pranuesi i pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.
Atë e falënderoj e i jam mirënjohës, pendohem e i kërkoj falje Atij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të vetëm e të pashoq, të gjithëditurit e të mirëinformuarit. Ai di të fshehtën dhe qëllimet. Për tek Ai ngjitet fjala e mirë dhe punët e mira e ai ka fuqi për çdo gjë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, i zgjedhuri dhe miku i Tij. Ai na ka lënë në një rrugë të ndritur ku nata për të është porsi dita ku prej saj devijon vetëm ai që është i shkatërruar.
Salavatet dhe selamet e Zotit tim qofshin mbi të, mbi familjen e tij të mirë e të pastër, mbi shokët e tij të shkëlqyer e të mbarë dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.
O besimtarë! Jini të devotshëm ndaj Allahut me një devocion të vërtetë përmirësojini veprat tuaja duke ndjekur shembullin e profetit tuaj dhe me sinqeritet ndaj Allahut të madhërishëm.
“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kehf; 110).
O muslimanë! Në muajin Rexheb të vitit të nëntë të hixhretit Profeti (salallahu alejhi ue selem) udhëtoi drejt veriut të gadishullit arabik. Ai kaloi pesëdhjetë ditë në mundime e vështirësi. Tridhjetë ditë duke ecur dhe njwzet ditët që qëndroi në Tebuk. Prej këtij udhëtimi u kthye në muajin e begatë të ramazanit. Në atë kohë ai (salallahu alejhi ue selem) i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Ajo është beteja e Tebukut të cilën Kurani fisnik e cilëson si orën e vështirësisë përshkak se ajo qe e mbuluar me mundime nga çdo anë.
Xhabir r.a ka thënë: Atyre iu bënë bashkë; vështirësia e transportit, vështirësia e ushqimeve dhe vështirësia e ujit. Në sahihun e ibn Hibanit transmetohet se Farukut i thanë: Na trego për ngjarjen e vështirësisë? Ai tha: Ne u nisëm për në Tebuk. Ishte shumë nxehtë. Qëndruam në një vend e na kaploi etje e madhe. Na u duk sikur po na plaste koka. E pati njerëz që therën deve për të pirë ujin që mbanin brenda. Rruga ishte shumë e gjatë. Ushqime e armatimet qenë të pakta. Vapa ishte
përvëluese. Në Medinen e profetit hurmat ishin pjekur e hijet ishin të këndëshme. Banorët e saj kishin kënaqësi të qëndronin në të. E në këtë kohe del për në betejë vetëm ai i cili i jep përparësi kënaqësisë së Allahut ndaj ëmbëlsisë së jetës së kësaj bote, e që parapëlqen të mos humbasë mundësinë e shoqërimit të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) dolën tridhjetë mijë prej banorëve të Medines e qëndruan ata që kishin justifikim prej Allahut e prej të dërguarit (salallahu alejhi ue selem). Allahu i liroi prej kësaj vështirësie dhe u mundësoi për shkak të qëllimit të tyre të pastër pozitën e atyre që morën pjesën edhe pse ata qëndruan të qetë e të sigurtë nëpër shtëpitë e tyre.
Nga Enes ibn Malik r.a përcilllet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u kthye prej betejës së Tebukut dhe kur ishte pranë Medines tha: Në Medine ka njerëz që për çdo rrugë që ju keni bërë për çdo luginë që keni kaluar kanë qenë me ju. Në një version; Kanë marrë pjesë me ju në shpërblim. Ata thanë: O i Dërguar i Allahut duke qenë në Medine!? Ai tha: Po duke qenë ata në Medine. Ata i pengoi pamundësia. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Vëllezër besimtarë, qëllimi (nijeti) është gjë madhështore. Ai është kreu i vlerës, themeli i punës, i vendosuri për të bërë mirë vepron, ai që synon të shkojë diku arrin. Për këtë të parët tanë të mirë e ngrenin lart çështjen e qëllimit. Saqë Sufjan Eth Theurij ka thënë: Ata mësonin qëllimin e punës ashtu sikurse ju e mësoni një punë. Qëllimi nëse është i pastër edhe puna do të jetë e pastër e nëse është i mirë puna pranohet. Ndoshta dikush bën një punë të vogël por qëllimi e bën atë madhështore e ndoshta dikush bën punë të madhe por atë e zvogëlon qëllimi.
Njeriu nëpërmjet qëllimit të sinqertë hyn në xhenet edhe pse akoma nuk ka punuar siç kanë punuar njerëzit që hyjnë në të.
Në sahihun e Muslimit shënohet se një person prej Beni Israilëve vrau njëqind persona e pastaj shkoi të kërkonte pendim. Ai u largua prej vendbanimit të tij drejt një vendbanimi me njerëz vepërmirë. Gjatë rrugës i erdhi vdekja. Allahu e pranoi pendimin dhe kthimin e tij dhe e shpërbleu për qëllimin e tij të mirë.
Amru ibnu Thabit r.a një prej shokëve të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) më parë refuzonte ta pranonte islamin. Ditën e Uhudit ai pranoi islamin. Mori shpatën hyri në mes idhujtarëve dhe luftoi derisa e ndalën plagët e shumta dhe vdiq, Allahu qoftë i kënaqur me të. Njerëzit e përmendën atë tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ai tha: Ai është prej banorëve të xhenetit. Transmeton imam Ahmedi.
Me dëshminë e teuhidit (monoteizmit) dhe synimin e vendosur për të bërë atë që duhet dhe vepra të mira arriti të jetë prej banorëve të xhenetit. Vdekja i erdhi para se të bëjë një sexhde të vetme për Allahun. Allahu kur vëren qëllimin e mirë të robit, synimin e bukur të tij dhe mirësinë në brendinë e tij i mundëson të flasë atë që duhet, i jep begati në vepra dhe tregon mirënjohje për përpjekjet e tij.
“Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.” (Isra; 19).
Me synimin e pastër për të arritur të mirën njeriu fiton atë që nuk e arrin me përpjekjet e tij. Allahu ia jep shpërblimin për të.
Në sunenin e Nesait shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush shkon në shtrat të flejë me qëllim që të ngrihet natën e të falet mirëpo gjumi e mund derisa agon do të shpërblehet për qëllimin e tij e gjumi është një sadekah për të nga Zoti i tij i madhërishëm.
Në Kuranin fisnik Allahu i madhërishëm thotë: “Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë.” (Nisa; 100).
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kush del prej shtëpisë së tij me qëllim të shpërnguljes dhe vdes gjatë rrugës tek Allahu ai arrin shpërblimin e atij që emigroi.
O besimtarë prej begatisë së qëllimit të mirë është fakti se ai i bën dobi të zotit të saj edhe nëse nuk kryhet vepra në formën e saj të saktë. Në dy sahihet shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) përmendi një person që ka qenë para nesh i cili jepte lëmosha aq në fshehtësi saqë i mbulonte edhe ndaj vetvetes. E për këtë sadekaja e parë ra në dorën e një prostitute, e dyta tek një pasanik dhe e treta tek një hajdut. Kjo gjë e vuri në siklet. E në ëndër dikush i tha: Sadekaja jote është pranuar. Sa për prostitutën ndoshta do të heqë dorë, e pasaniku ndoshta merr mësim e jep prej pasurisë që i ka dhënë Allahu, e ndoshta hajduti pas sadekas që mori nuk vjedh më.
Ibn Haxher ka thënë: Bamirësit, që jep sadekah me qëllim të pastër i pranohet sadekaja edhe nëse nuk arrin ta japë tek ai që e meriton.
Prej qëllimit të pastër besimtari shpërblehet edhe për punët e tij jetike, për përpjekjet e tij në fitimin e jetesës, gjërat e zakonshme shdërrohen në adhurime. Kjo është një derë madhështore për të fituar shpërblimet e Allahut të cilën e neglizhojnë shumica e njerëzve.
Në Dy Sahihet shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Për çdo gjë që shpenzon për hirë të Allahut do të shpërblehesh edhe për ushqimin që e vë në gojë të gruas tënde.
Imam Nueviu ka thënë: Të vendosësh kafshatën në gojën e gruas ky është një zakon në ledhatime, në sjelljet e bukura dhe në shijimin e gjërave të lejuara. E si e tillë është një prej veprimeve të largëta me adhurimin dhe çështjet e botës tjetër. Megjithatë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na tregon se personi me këtë kafshatë kur ka si qëllim kënaqësinë e Allahut merr me të shpërblime. Këtu përfundon fjala e tij Allahu e mëshiroftë.
Shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem), Allahu qoftë i kënaqur me ta, kështu e kuptonin këtë çështje. Muadhi r.a ka thënë: Unë e llogaris gjumin tim si qëndrimin tim duke u falur. Do të thotë se ai llogarit se po merr shpërblim me gjumin edhe pse është shplodhje njëjtë sikurse llogarit shpërblimin kur është i ngritur duke u falur.
Ty që të ka ulur sëmundja e që të ka ikur ndonjë vepër e mirë pa e bërë përshkak të udhëtimit. E për ty që Allahu ta di arsyen shpërblimi do të shënohet në regjistrin tënd në dashtë Allahu për çdo vepër të mirë që e veproje kur ishe i shëndetshëm e aktiv.
Në Sahihun e Buhariut shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Njeriu kur sëmuret apo udhëton i shënohen veprat e mira njëjtë sikur vepronte kur ishte rezident e i shëndetshëm.
Qëllimi i mirë është gjëja më e dobishme me të cilën njeriu nis dhe mbyll ditën. Ai është gjëja më e mirë që depoziton tek Zoti i tij. Besimtari duhet të ketë qëllim të mirë në fjalët dhe veprat e tij që kur ti vijë afati që e pengon prej veprave të mira Allahu ti shënojë shpërblim si punë të mira.
Abdullah i biri i imam Ahmedit një ditë babait të tij i tha: O babai im më jep ndonjë porosi! Ai tha: Syno të mirën sepse ti do të jesh mirë për aq kohë sa ke qëllim të mirën.
“S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa; 114).
Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës dhe Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut, falenderimi i takon Allahut që solli të Dërguarin e Tij me udhëzim e me fenë e vërtetë triumfuese mbi të gjitha fetë e Allahu mjafton si dëshmues.
Dëshmoj se nuk ka Hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut, i vetëm e pashok, e pranoj atë me monoteizëm.
Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Lëvdatat e Allahut dhe begatia e Tij qofshin mbi të Dërguarin tone, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij paqje dhe shpëtim pastë.
O besimtarë! Haxhi është një prej shtyllave madhështore të islamit të cilin Allahu e ka bërë detyrë mbi robërit e Tij me kushtin e mundësisë. Për shkak të kësaj pandemie është parë si më e dobishme realizimi i haxhit me një numër të kufizuar. Kjo për të ruajtur jetët e njerëzve. Një prej qëllimeve kryesore të ligjit islam është ruajtja e jetës së individit. Kjo është një prej pesë domosdoshmërive që islami urdhëron të ruhen fort e të mos ekspozohet ndaj shkatërrimit apo dëmit.
Allahu ia shpërbleftë shërbyesit të Dy vendeve të Shenjta dhe mëkëmbësit të tij besnik për angazimin dhe kujdesin e tyre ndaj muslimanëve.
Allahu ia ka këmbyer atyre që nuk kanë mundësi të kryejnë haxhin me sezonin e dhjetë ditëshit të dhulhixhes. Allahu, atë që nuk mundet të marrë pjesë në pelegrinazh e shpërblen me qëllimin që ka. Gjatë këtyre dhjetë ditëve Allahu ka ligjëruar punë të vlefshme të cilat muslimani i kryen duke qenë në vendbanimin e tij.
Prej veprave të ligjëruara në këtë sezon është agjërimi i ditëve të dhulhixhes sidomos ditën e Arafatit. Agjërimi i kësaj dite shlyen gjynahet e dy viteve.
Në sunenin e Ebi Daudit shënohet se disa prej bashkëshorteve të Profetit (salallahu alejhi ue selem) kanë thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) agjëronte të nëntën e dhulhixhes.
Dhikri gjatë këtyre dhjetë ditëve është më i mirë se dhikri në ditë të tjera. Në Musnedin e imam Ahmedit shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nuk ka ditë më madhështore ku te jenë më të dashura veprat e mira për Allahun se këto dhjetë ditë. Në to bëni sa më shumë tehlil (la ilahe ilallah), tekbir (Allahu Ekber) dhe tahmid (Elhamdulilah).
O besimtarë angazhohuni në këto ditë si duhet, madhërojini ato siç i ka madhëruar Allahu,shtojini veprat e mira në to, garoni në të mira sepse ato janë ditët më madhështore të kësaj bote.
Në sahihun e Buhariut shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nuk ka ditë që punët e mira të jenë më me vlerë se në këto (dhjetë ditë), – I thanë – O i Dërguar i Allahut! As lufta në rrugë të Allahut?! – tha – As lufta në rrugë të Allahut. Vetëm një burrë i cili del e rrezikon me pasurinë dhe veten e tij e nuk kthehet me asgjë.
Ibn Rexheb, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Disa prej krerëve të dijetarëve të vonshëm verifikues ka thënë: Këto dhjetë ditë janë më të mira se dhjetë ditët e ramazanit edhe pse në dhjetëshen e ramazanit është një natë që nuk ka më të vlefshme se ajo.
Dijeni o besimtarë se Allahu ju urdhëron për diçka fisnike ku e fillon me Veten e Tij. Allahu ka thënë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah nderoje Muhamedin,bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse ke nderuar familjen e Ibrahimit
O Allah bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!
O Allah largoi brengat prej muslimanëve të përvuajtur, mundësoi borxhlinjve të shlyejnë borxhet e tyre, shëroi të sëmurët tanë e të sëmurët e muslimanëve!
O Allah posedues i madhështisë e bujarisë, o I Gjallë e i Përjetshëm ruaje shërbëtorin e Dy vendeve të Shenjta e ndihmoje me përkujdesjen Tënde, Jepi atij shëndet të plotë Ti je kujdestari më i mirë e më i mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah saktësoi veprimet e tij dhe jepi sukses, ndihmoje dhe jepi fitore.!
Shpërbleje atë për muslimanët me shpërblimin më të mirë! O Allah jepi sukses atij dhe mëkëmbësit të tij besnik në të mirë të islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi sukse qeveritarëve muslimanëve të zbatojnë Librin Tënd dhe rrugën e Profetit Tënd!
O Allah jepi sukse të gjithëve atyre që punojnë në sektore të ndryshme të haxhit në këtë vit, shpërbleji ata me shpërblimin më të mirë!
O Allah bëjë këtë një haxh të qetë e të sigurt ndaj çdo të keqeje, pranoje prej atyre që po vizitojnë Shtëpinë Tënde të Shenjtë! Ktheji ata në vendet e tyre të shpëtuar e të fituar o Mëshirues i mëshiruesve!
O Allah të kërkojmë me mirësinë Tënde, fisnikërinë dhe bujarinë Tënde të na japësh sukses në këto dhjetë ditë të begata të arrijmë kënaqësinë tënde. O Allah pranoje prej nesh dhe prej të gjithë muslimanëve o Fisnik i fisnikëve!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme!
O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!
O Allah shëroi të sëmurit tanë, shpëtoi të sprovuarit tanë, mëshiroi të vdekurit tanë dhe ndihmoi të pafuqishmit prej nesh!
O Allah jepi fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë, O Allah jepi atyre fitore të madhe të shpejtë e jo të vonuar me mëshirën, mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje i pastër je prej mangësive e ne jemi të padrejtë!
Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të shkatërruarve!
O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!
Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!
I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!