Vlera e muajit Muharrem – Shejh Mahir el Muajkili – 14.09.2018

Mekë 14.9.2018

Vlera e muajit Muharrem

Shejh Mahir el Muajkili

 

 

Falënderimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë, falje e udhëzim, dhe çdo lavd ia dedikojmë Atij.

Mbrojtjen e Allahut e kërkojmë nga të këqijat e vetvetes dhe veprave tona, atë kë e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb, e atë që e humb Allahu nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe i pashoq, Dëshmoj se Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me një  frikë të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë myslimanë” Ali Imran 102.

“O ju njerëz. Frikësojuni Zotit tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe prej saj krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Kini frikë Allahun me  emrin e të Cilit përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju” Nisa 1.

“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh” Ahzab 70-71.

Frikësojuni Allahut, se padyshim që frika ndaj Tij është fitorja e madhe e bindja ndaj Tij është përkatësia më e mirë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju fal mëkatet tuaja, Allahu është Mëkatefalës dhe Mëshirues i madh.” Hadid 28.

Allahu i ka nderuar dhe lartësuar disa prej krijesave të Tij ndaj disa të tjerëve dhe kjo si përzgjedhje e nderim nga ana e Tij: “Zoti yt krijon çfarë të  dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk i takon zgjedhja” Kasas 68.

Prej vendeve ka përzgjedhur Mekën, Medinën, ka bekuar dhe Kudsin e trevat që e rrethojnë.

Në mesin e kohërave, ka përzgjedhur kohë, ditë dhe muaj ku derdh mirësitë e Tij në to ndryshe nga ditët e zakonshme, i fituar është ai që i shfrytëzon këto ditë me vepra dhe punë të mira.

Ndër muajt që ka përzgjedhur Allahu, janë muajt e shenjtë, i ka shenjtëruar që nga dita që ka krijuar qiell e tokë, thotë Allahu i Madhëruar: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt e tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë ndaj mos e ngarkoni veten tuaj në këto muaj” Teube 36.

Ibn Abasi ka thënë: “Allahu i ka veçuar këto katër muaj duke i shenjtëruar në maksimum, ndërsa gjynahun e konsideron dhe më të madh nga muajt e tjerë, por dhe shpërblimi për veprën e mirë është më i madh.”

Këto muaj na i ka sqaruar Profeti a.s në hytben e Haxhit të Lamtumirës ku thotë: “Kalendari është kthyer, ashtu sikurse ishte ditën kur krijoi qiejt e tokën, viti i ka 12-të muaj e prej tyre janë katër të shenjtë, tre janë të njëpasnjëshëm: ‘Dhul Ka’deh, Dhul Hixheh, Muharremi, si dhe Rexhebi që është mes Xhumada dhe Shabanit siç thonë fisi Mudar” Mutefekun Alejhi.

LEXO  Kuptimi i devotshmërisë dhe rrugët për ta arritur atë

Muajin Muharrem e ka nderuar e lartësuar aq shumë, sa i thuhet muaji i Allahut Muharemi, madje dhe arabët në periudhën para islamit e respektonin shumë për vetë shenjtërinë që ka.

Respektimi i muajve të shenjtë ka qenë traditë e arabëve para islamit, po myslimanët të cilët i ka udhëzuar Allahu, e kanë pranuar Allahun si Zot, islamin si fe e Muhamedin si Profet.

A nuk janë më të kërkuar që të madhërojnë atë që ka madhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij? Ta privojnë veten nga gjynahet, nga shkaqet që të çojnë për në to dhe t’i largohen rrugës dhe metodave të islamit.

Nëse e keqja dhe padrejtësia është e ndaluar vazhdimisht, në këto muaj bëhet dhe më e ndaluar, kjo për vetë faktin se me gjynahin njeriu tregon guximin në kundërshtimin e Zotit dhe injorimin e asaj që Ai e ka bërë të shenjtë.

Padrejtësia më e madhe që njeriu i bën vetes është të bërit shok Allahut: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe” Lukman 13.

Të bërit shok Allahut është gabimi, të cilin Allahu nuk e fal, nëse njeriu vdes me diçka të tillë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal t’i përshkruhet Atij shok, e përveç këtij mëkati ia fal kujtdo” Nisa 48.

Gjynahu i idhujtarisë bëhet akoma dhe më i madh kur idhujtari pranon se është Allahu Ai që e ka krijuar, Abdullah ibn Mesudi thotë: “E pyeta Profetin a.s:

-Cili është gjynahi më i madh tek zoti?

Ai më tha: -T’i bësh shok Allahut e Ai është që të ka krijuar.” Mutefekun alejhi.

Ndër padrejtësitë ndaj vetes është dhe lënia e ndonjë obligimi të cilin e ka urdhëruar Allahu, ose kryerja e ndonjë harami që shkelen kufijtë e Zotit: “E kush del jashtë dispozitave të Allahut. Ai vetëm e ka dëmtuar veten” Talak 1.

Të nderuar besimtarë! Ndër mirësitë e Zotit ndaj robërve të Tij është dhe fakti se muaji i fundit i vitit është muaj adhurimi, po ashtu dhe muaji i parë i vitit, pra besimtari e nis vitin me adhurim dhe me adhurim e përfundon.

Gjëja që më së shumti duhet t’i kushtojë rëndësi myslimani në këtë muaj është sinqeriteti në njehsimin e Zotit, të adhuruarit vetëm Atë duke mos i bërë shok, të afruarit drejt Tij duke kryer obligimet, kryerja e sa më shumë nafileve, se vetëm kështu fitohet dashuria e Allahut.

Në një hadith kudsij transmetohet: “Nuk më afrohet Mua robi im me gjë më të dashur për Mua nga ajo që unë i kam obliguar, robi kryen nafile të vazhdueshme për Mua, derisa Unë ta dua, e kur ta dua, do jem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin shikon, dora të cilën e përdor, këmba me të cilën ecën, nëse më kërkon diçka Unë do ia jap, e nëse më kërkon mbrojtje prej diçkaje Unë e mbroj” Buhariu.

LEXO  Edukata me Zotin dhe të dërguarin - Dr.Abdurrahman es Sudejs - Mekë 30.11.2018

Ndër këto nafile me shpërblim të madh është dhe agjërimi vullnetar, thotë Profeti a.s: “kush e agjëron një ditë në rrugë të Zotit, Zoti ia largon fytyrën prej zjarrit 70-të vite” Buhariu.

Profeti a.s e ka veçuar muajin Muharrem me një adhurim të tillë: “Është pyetur Profeti a.s: Cili namaz është më me vlerë pas namazit të obliguar? Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit?

Ai tha: “Namazi më me vlerë pas namazit farz është namazi i natës, ndërsa agjërimi më me vlerë pas agjërimit të Ramazanit është agjërimi në muajin e Zotit Muharemin” Muslimi.

Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Agjërimi në muajin Muharem është konsideruar si agjërimi më i vlefshëm dhe kjo për vetë faktin se është fillimi i një viti të kaluar, ndaj dhe nisja e tij me një vepër të tillë konsiderohet ndër veprat më të mira.”

Kërkoj mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar: “Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përulurit e të përulurat, dhënësit e lëmoshës dhe dhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e tij, ata që e përmendin shumë Allahun dhe ato që e përmendin shumë atë, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh” Ahzab 35.

Zoti më bekoftë mua dhe ju me Kuran dhe Sunet, na bëftë të përfitojmë nga urtësitë që gjenden në to, kjo ishte ajo që doja t’ju thosha, i kërkoj falje Allahut për vete dhe ju edhe ju kërkojini falje Atij, se vërtetë Ai është Falës!

Falënderimet janë për Allahun, të zotin e mirësive të mëdha, Bujarin dhe Dhuruesin, dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut i vetëm dhe i pashoq, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, familjen e tij, dhe mbi mbarë shokët e tij!

Të nderuar besimtarë! Dita e dhjetë e muajit Muharem ka vlerë të madhe dhe shenjtërim të hershëm, pasi në këtë ditë Allahu i Madhëruar e shpëtoi Musain dhe kombin e tij prej faraonit, ndaj dhe Profeti Musa a.s e agjëroi këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Zotit.

ibn Abasi tregon se kur Profeti a.s u vendos në Medine, pa se hebrenjtë e agjëronin ditën e Ashurasë ndaj dhe i pyeti: “-Ç’është kjo ditë që po e agjëroni? Ata i thanë: -Kjo është një ditë e shënuar, në këtë ditë Zoti e shpëtoi Musain dhe ndjekësit e tij prej faraonit të cilin e mbyti, Musai e agjëroi këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Zotit, kështu e agjërojmë dhe ne.

Profeti a.s tha: -Ne jemi më të afërt dhe më primar me Musain,- e agjëroi dhe urdhëroi të agjërohet” Muslimi.

LEXO  Egoja, arroganca - Meka 15.3.2019

Ibn Abasi ka thënë: “Nuk e kam parë Profetin a.s t’i kushtojë rëndësi dhe vlerë agjërimit të ndonjë dite, sikurse ditës së Ashurasë” Buhariu.

Prej sunetit të nderuar besimtarë është dhe agjërimi i një dite para kësaj, ibn Absai përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Nëse do jetoj vitin tjetër, do e e agjëroj dhe të nëntën” Muslimi.

Kur është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Ashurasë ka thënë: “Agjërimi i kësaj dite shlyen gjynahet e vitit të kaluar” Muslimi.

Kjo është prej mirësive të Zotit ndaj nesh: “Allahu është Zot i mëshirës së madhe” Ali Imran 74.

Le të shfrytëzojmë këto kohë të begata të nderuar besimtarë, le të garojmë në to në të mira, i fituar është ai që fajëson veten e tij dhe punon për pas vdekjes, i humbur është ai që i bindet vetes së tij në çdo epsh dhe më pas shpreson shumë tek Allahu.

Dijeni të nderuar besimtarë, se Zoti ju ka urdhëruar me një vepër të vyer të cilën e ka nisur me veten e tij ku thotë: “Allahu dhe  Melaiket e Tij e lavdërojnë Pejgamberin, o ju që keni besuar lavdërojeni atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.

Zot lavdëroje Muhamedin dhe familjen e tij sikurse e ke lavdëruar Ibrahimin dhe familjen e tij, Bekoje Zot Muhamedin dhe familjen e tij sikurse e ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e tij ti je i falënderuari dhe i lavdëruari.

Ji i kënaqur Zot me katër kalifët e drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe me mbarë sahabët e tjerë, tabiinët dhe ata që e ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e fundit.

Zoti ynë lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ruana boshtin e fesë, bëje të sigurt këtë vend dhe mbarë trevat islame!

Zoti ynë dhe i Përhershëm! Kërkojmë ndihmën Tënde, rregulloje çdo gjendjen tonën, mos lejo ti mbështetemi veteve tona për asnjë çast!

Zot largoja hallet dhe brengat çdo të brengosuri prej myslimanëve, shlyeja borxhet çdo borxhliu, shëroi të sëmurët e myslimanëve, përmirësoje gjendjen e myslimanëve kudo që ata ndodhen!

Zoti ynë! Bëjë këtë vit të mbushur përplot me besim, mirësi e begati!

Zot jepi sukses prijësit tonë, ndihmoje me ndihmën Tënde, shpërbleje për atë që kontribuon për islamin dhe myslimanët!

Jepi sukses dhe zëvendësit të tij për ato gjëra që Ti i pëlqe, jepu sukses e bereqet dhe mbarë prijësve të myslimanëve në atë që kënaq Madhështinë Tënde!

Zoti ynë! Kushdo që intrigon ndaj vendin tonë, ndaj nesh dhe sigurisë tonë, shkatërroje!

Ndihmoju ushtarëve tanë që luftojnë në kufijtë e vendit tonë, ndihmoju ndaj armikut Tënd dhe tyrin dhe ktheji pranë nesh shëndoshë e mirë dhe fitimtarë!

Zot fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit!

I Lartësuar qofsh Zot, prej çdo gjëje që trillojnë ndaj teje, paqja qoftë mbi pejgamberët dhe falënderimi qoftë për ty vazhdimisht!

Meka / by

Post Author: admin