Zoti është mbrojtës i të shtypurve dhe poshtërues i arrogantëve

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa    14-07-1445 H     02-02-2024 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema  Zoti është mbrojtës i të shtypurve dhe poshtërues i arrogantëve

Lavdërimet janë për Zotin e botëve, u ka premtuar robërve të Tij që tek Ai janë mbështetur me mjaftueshmëri, ndihmë dhe fuqizim, ka lehtësuar vështirësitë e tyre dhe ka dobësuat komplotet e jobesimtarëve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai është Sundimtari dhe e Vërteta e qartë, i përgjigjet nevojtarit kur i lutet Atij dhe largon të keqen,Ai është Kujdestari i Lavdëruar.  Ai është që lehtëson shqetësimet,  gëzon zemrat, Falësi i gjynaheve dhe që mbulon të metat.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Udhëheqësi i të devotshmëve dhe zotëria i atyre që tek Allahu kërkojnë mbështetje. Drejtohej tek Zoti i tij çdo herë që i ndodhte ndonjë vështirësi, dhe kërkonte ndihmë nga Allahu për të lehtësuar fatkeqësitë dhe shqetësimet. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, jini të lidhur fort me litarin e Zotit, të kapur fort pas librit të Allahut, Kuranit, në ndihmën e Tij të bindur, shpresoni në premtimin e Tij, në mëshirën e Tij të mbështetur, me fuqinë dhe forcën tuaj të vendosur, nga gjynahet tuaja të ruajtur dhe që vetet tuaja i merrni në llogari. Mos u bëni nga ata që tundohen nga shejtanët të cilët i ka hutuar me bukurinë e kësaj bote dhe i ka larguar nga feja.  Mbështetuni tek Ai që i thotë gjësë bëhu dhe bëhet, dhe që di për interesat tuaj atë që ju nuk e dini. “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur 31) Paraqitni nevojat tuaja tek Zoti i krijesave dhe merrni lajmin e gëzuar për ndihmën e plotë dhe lehtësimin e çështjeve. Nëse dëshironi fitore, triumf dhe fuqizim, atëherë mbështetuni te Zoti i botëve. Nëse caktimi vjen për shkak të urtësinë e Gjykatësit të Drejtë, atëherë pranoje, përballuni me atë që ju ka ndodhur me mbështetje të mirë tek Zoti.  Përkujtoni gjithmonë fjalën e Allahut ë Madhërishëm që thotë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”(Et-Teube 51)

Nëse ju rrethojnë armiqë dhe ju ngushtohet toka, atëhere zbrisni në arenën e mbështetjes tek Zoti, sepse kush i mbështetet Zotit, Ai i mjafton atij. “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Et-Talak 3) Allahu e ka bër shpërblimin e mbështetjes tek Ai mjaftueshmëri dhe kujdes, kush është i kënaqur me Zotin e tij atij do ti mjaftojë Zoti. Duke qenë se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të,  ishte njeriu që më së shumti është mbështetur tek Allahu, Zoti e shpërbleu atë duke qenë se Ai ishte fuqia dhe mjaftueshmëria e tij, për atë dhe për ata që e pasuan atë nga besimtarët. Allahu i Madhërishëm ka thënë të vërtetën kur ka thënë: “  O Profet! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që të pasojnë.” (El-Enfal 64)

O ju namazfalës! Tmerret në Gaza janë të shumta, dhimbjet janë të mëdha, sëmundjet janë të rënda, pjesë të trupave njerëzorë janë gjithandej. Siguria ka humbur,  retë e fatkeqësive mbi qiellin e saj janë intensifikuar dhe bërë më të dendura. Por me gjithë këto ngjarje, ne duhet të ruhemi nga pëshpëritjet, vesveset  e shejtanit. Mos e lejoni atë të vjedhë nga zemrat tuaja mendimin e mirë për Zotin dhe mbështetjen e mirë në Zotin.  Allahu është ndihmuesi i robërve të Tij besnik dhe besimtar në Një Zot të Vetëm, Zoti është Kujdestari  ynë,  Zoti është Mbrojtësi ynë, Zoti është Ndihmuesi ynë, Ai është që ka thënë: “Thuaj: “Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo e keqe tjetër…” (El-En’am 64) Përkujtoni fjalën e Allahut të Madhërishëm drejtuar të dërguarit tonë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të; “Le të mos mendojnë kurrsesi ata që nuk besojnë se do të fitojnë, sepse nuk mund të Na pengojnë.” (El-Enfal 59)  Ky është kërcënim, paralajmërim, frikësim dhe tërheqje vërejtje nga Zoti për armiqtë e fesë. Zoti na lajmëron se ata janë nën shtypjen e fuqisë sonë dhe nën kontrollin e vullnetit tonë, kështu që ata nuk mund të na arrijnë. Dhe mos harroni se Zoti është i aftë për të bërë çdo gjë, Ai jep afat dhe nuk neglizhon. Për këtë Allahu i Drejtë ka thënë: “ Dhe do t’u japim atyre afat; vërtet që kurthi Im është i fortë!” (El-Kalem 45) I dërguari dhe i dashuri ynë i përzgjedhuri i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na përgëzon, prandaj merrni lajmin e gëzuar, ai ka thënë: “ Me të vërtetë Allahu i jep afat të padrejtit, e kur ta dënojnë atë, ai kurrë nuk mund të shpëtojë.” E pastaj ka lexuar: “ I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud 102) Nga këtu i nënshtrohemi dhe i dorëzohemi urdhrit të Zotit, sepse mundimi dhe sprovat janë nga ligjshmëria e Zotit në këtë jetë. “Që Allahu të veçojë të keqin nga i miri…” (El-Enfal  37) Ajo që sot shikojmë nga shkatërrimi, shpërnguljet, vrasjet dhe uria është një sprovë e madhe për muslimanët, për monoteistët, besimtarët në Një Zot. Prandaj jini të qëndrueshëm dhe mendoni mirë për Zotin. Bëni durim dhe vetëm durim, o ju të lidhur me këtë vend. Jini të durueshëm, jini të përmbajtur dhe prisni, mendoni për shpërblimin. Përkujtoni atë që ka premtuar Allahu për njerëzit e sprovave dhe fatkeqësive. “Prandaj, përgëzoji të duruarit.” (El-Bekare 155) Mendoni në fjalën e Allahut të Madhërishëm drejtuar të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të; “Prandaj, përgëzoji…” (El-Bekare 155) dhe merreni lajmin e gëzuar nga përgëzimi i të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe zbutja e zemrave

Madhërimi është për Ty Zoti im, nuk ka më të mëshirshëm se Ti, Madhërimi është për Ty Zoti im nuk ka më të Mirë së Ti.

O ju namazfalës! Luteni Allahut, sepse shigjetat e tij janë që godasin dhe pasojat e tyre janë përgjigje. Dijeni se Zoti i Madhëruar nuk vlerëson asgjë përveçse për shkak të një urtësie të madhe, të cilën e di ai që e di, e injoron atë kush nuk e di, nga njerëzit. Dijeni se në sprova ka mirësi. Sa mirësi dhe sekrete ka në sprova që mendjet nuk mund t’i kuptojnë. Caktimi është sekret i Zotit dhe se caktimet e Zotit janë mbi kapacitet e mendjeve njerëzore. Dijeni se Zoti juaj, të Bekuar janë Emrat e Tij, i ka shkruar dekretet dhe i ka vendosur çështjet pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën. Kjo është ajo që ka ardhur në hadith nga Abullah Ibn Amër Ibn El Asi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, që ka thënë: “ E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë;  Zoti e ka shkruar caktimin e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën.”

Dituria e Allahut është e Përjetshme, Allahu ka mbuluar çdo gjë me diturinë e Tij, Ai e dinte se çfarë do të bënin krijesat para se t’i krijonte ata. Allahu i Madhërishëm, ka qenë në dijeni për furnizimin e tyre, afatet e tyre, veprat e tyre, sikurse ka ditur lëvizjet dhe qëndrimet e tyre. “ …që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Et-Talak 12) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Çdo gjë, e madhe a e vogël qoftë, është shënuar (në Leuhi Mahfudh).” (El-Kamer 53) Është shënuar në rreshta në libra, është e shkruar.

O ju namazfalës! Kjo është akideja, besimi ynë, kjo është feja jonë, që njerëzit ta dinë se ky  univers ka Një Zot të madh, i përshkruar me të gjitha cilësitë e përsosmërisë, në mënyrë që ta adhurojnë dhe të mos i bëjn Atij shok diçka, ti luten Atij në kërkim të ndihmës dhe të mirave në këtë jetë dhe në botën Tjetër,  të kërkojnë mbrojtjen e Zotit të tyre nga çdo e keqe, dhe që të largojë prej tyre çdo të keqe në këtë botë dhe në botën Tjetër. Mos pyet, përse? Mos thuaj, përse? Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (El-Enbija’ 23)

LEXO  Shpëtimi i besimtarëve dhe shkatërrimi i komplotistëve intrigantë

O ju të lidhur me këtë vend! Prandaj, ne duhet të zbresim në arenën e mbështetjes tek Zoti, e ju po e shikoni qartë se çfarë na ka goditur nga fatkeqësitë dhe të vështirat. Vështirësi që na kanë rënë dhe kanë ndodhur me dijen e Allahut, e asnjë qenie njerëzore nuk i drejton apo i zgjedhën ato sipas tekave të tij. Nuk ka dyshim se në këto që na kanë ndodhur ka urtësi të cilën ne mund ta dimë  por dhe nuk mund ta dimë. Aandaj, kuptoni dhe nënshtrojuni, dorëzojuni Allahut,  dhe përkujtoni se ligjshmëria e sprovave të Zotit në të kaluarën, në dukje janë të rënda, të ashpra, të dhimbshme nga jashtë, por në të padukshmen, në brendësi e tyre, janë mirësi dhe mëshirë. Prandaj, jini të qetë dhe përgëzoni,  merreni lajmin e mirë. Kjo botë është vend i dredhisë dhe jo vend i të drejtës. Prandaj, mendoni, meditoni dhe kërkoni falje tek Zoti., përmirësoni mendimin për Zotin, jini të kënaqur me caktimin e Zotit. Të qenit i kënaqur me Zotin është një adhurim i mirë, kush e humbën atë ka humbur shumë të mira.  Intensifikimi, të shtuarit e fatkeqësive dhe sprovave është shenjë e afrimit të lehtësimit, dhe lehtësimi i Zotit është më i shpejtë se sa hapja dhe mbyllja e syve.

O ju namazfalës! Ligjshmëria e Zotit është vendsour, nuk zëvendësohet dhe nuk ndryshon. Nga ligjshmëria e vendosur e Zotit është se padrejtësia nuk zgjatën pafundësisht, nuk është e përhershme, sa do që të arrijë forca e të padrejtit, ai me forcën e Zotit është i mposhtur. Po, o adhurues të Zotit, pa marrë parasysh sa do të arrijnë tiranët dhe të shkojnë larg,  sado të shkelin dhe bëjnë padrejtësi, gjëja më e afërt është mposhtja e shtypësit dhe mundja e arrogantëve, tiranëve.  Nga shigjetat më të drejta është lutja e të shtypurit, të cilat Allahu i ngrenë përmbi re, në qiell.

O ti i padrejtë! Sa do mendjemadh të jesh, sa do tiran të jesh, mendon se nuk do të mposhtesh, mbi ty do të zbresi urdhri i Zotit, do të pushtojë frika, do të zbresi mbi ty dënimi i Zotit, ndëshkimi i Zotit, e dënimi i Zotit nuk largohet nga njerëzit keqbërës, të padrejtë. Tek ata do të përmbushet fjala e të Fuqishmit Fuqiplotit: “ …dhe dënimi Ynë nuk zmbrapset nga populli keqbërës.” (Jusuf 110) Ky është paralajmërim dhe kërcënim për zullumqarët, të padrejtët. Sepse i shtypuri ndjen shtypje dhe dhimbje.  I shtypuri ndjen pikëllim, konfuzion, ankth dhe tension, është i preokupuar duke menduar gjithmonë për ata që e kanë shtypur dhe i kanë hequr të drejtat. Për këtë arsye Zoti ka bërë që lutja e tij nuk mund të refuzohet ose të kthehet, ajo bartet me shpejtësi mbi re, në qiell. Për këtë Allahu në një hadith Kud’si thotë: “ Pasha Lavdinë dhe Madhështinë Tim do të ndihmoj, jap fitoren, qoftë dhe pas një kohe.” Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Frikësojuni lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse ajo, lutja e tij, ngrihet për në qiell si të jetë një shkëndijë.” Apo siç ka thënë.

Luteni Allahut duke qenë të bindur në përgjigje. Me të vërtetë fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj kërkoni falje tek Zoti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, dhe kjo na mjafton.

Lutjet dhe përshëndetjet për të përzgjedhurin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

LEXO  Këshilla për vepra të mira në lamtumirën e Ramazanit

O ju besimtarë në Një Zot të Vetëm! Shikoni popullin tonë në Gaza, kanë kaluar një vit të vështirë, nga të gjitha aspektet dhe normat njerëzore, humane. Vit shpërnguljesh, plagësh dhe dhimbjesh, vit urie, etje dhe të qenit të zbathur e të zhveshur, vit shkatërrimi, rrënimi dhe asgjësimi, një vit në të cilin kanë rënë të gjitha faqet,  vlerat e turpit, besnikërisë dhe njerëzores. Vit që hoqi maskat dhe zbuloi sekretet, vit në të cilin  ranë poshtë të gjitha ligjet, ekuilibrat dhe normat ndërkombëtare. Një popull pa ushqim, një popull pa ujë, pije, një popull pa ilaçe, por se dhe pa shtëpi, pa strehë dhe pa adresë. Tek ky popull u shkatërrua jeta, u shkatërrua fëmijëria, nuk ka qetësi dhe nuk ka siguri.  Mëshira Jote, o Zot, Mirësia dhe Butësia Jote, o Zot.

Jeni dëshmitarë dhe shikoni se është derdhur gjaku, gratë kanë mbetur të veja, fëmijët kanë mbetur jetimë, familjet janë shpërngulur dhe ndarë. Sa rrugë janë ndërprerë, gërmuar dhe mbyllur?! Sa shtëpi janë shkatërruar dhe nuk janë më të përshtatshme për përdorim?! Sa nga të sëmurët nuk kanë trajtim, brenda apo jashtë Gazas, nuk u jepet leje për të dalë jashtë?! Pavarësisht kësaj, ne jemi të duruar, të vendosur dhe shprsojmë shpërblimin tek Zoti. Të gjithë pyesin për sekretin e kësaj lidhjeje, vendosmërie tonën me tokën tonë. Bota pyet: Kush është sekreti i kësaj lidhjeje dhe vendosmërie? Dhe kush pyetën për sekretin; Sekreti është lidhja me këtë vend. O ju të lidhur me këtë vend, lidhja është një adhurim madhështorë, sakrificë e madhe dhe ligj, legjislacion Hyjnor. Lidhja është traditë profetike dhe cilësi e lavdërueshme. O ju të lidhur me këtë vend! Lidhja është shkollë besimi dhe sinqeritet me Zotin e krijesave.

O ju të lidhur me këtë vend! Ne duhet që të rinovojmë çdo ditë qëllimin e lidhjes tonë me Bejtul Makdis, Kud’sin dhe rrethinat e tij  dhe me xhaminë  e Aksasë më konkretisht. Ajo është emanet mbi qafat tona dhe porosia e të dërguarit tonë për ne, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

O ju besimtar në Një Zot të Vetëm! O të dashurit e të dërguarit të Allahut! Vërtetë xhamia e Aksasë është akide, besim, vërtetë Kudsi është akide, besim, vërtetë Palestina është akide, besim. Në Palestinë kanë kaluar shumë “kalimtarë”, është përballur me shumë mundime, luftra dhe vështirësi, por Aksa ngeli Aksa, Kud’si ka ngelur Kud’s krenare dhe e fortë, mbrojtësie e pozitës së saj fetare, e fort dhe e vendosur, qëndrestare me bijtë e saj mbrojtës, të lidhur dhe që kujdesen për të. E me lejen e Allahut, do të qëndrojë e papërshkueshme nga ata që kërkojnë ta poshtërojnë atë. Sepse ajo është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja me lejen e Allahut të Madhërishëm. Ezani do të vazhdo të ngrihet mbi minaret e tij, Kud’sit, duke sinjalizuar afrimin e një agimi të ri dhe një dite të re, e kjo nuk është punë e rëndë për Allahun Fuqiplotë.

O ju të dashurit e mi! Ata që sulmuan xhaminë e Aksasë për gjatë historisë u larguan, dhe Aksa mbeti krenare, e mbrojtur me mbrojtjen e Zotit të botëve, e mbushur me Islam dhe myslimanë, monoteistë, besimtar në Një Zot, të vendosur dhe të lidhur me të.

O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë nga komplotet e lakmuesve të saj, nga sulmet e agresorëve dhe bëje atë të mubushur me Islam dhe muslimanë.

Nga lartësia e këtij minberi të ndershëm, përshëndesim shpirtrat e dëshmorëve tanë të pafajshëm, shpirtrat e të cilëve u ngritën në lartësi dhe në gradë, e ata me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta! Sikurse nuk harrojmë të përshëndesim me konsideratë, nderim dhe respekt të gjithë të burgosurit në burgjet e pushtimit. O Zot, përshpejto lirinë e tyre.

O Zot, trego Butësinë Tënde me popullin tonë në Gaza, o Zoti i botëve.

O Zot, shtrije mbi ta rrobën e mirësisë, o Zot, mbuloi ata me mirësi, o Zot, shoqëroi ata me mirësi, dhe ruaj çdo qytet në tokën tonë të bekuar.

O Zot, mëshiro të vdekurit tanë, prano dëshmorët tanë, shëro të plagosurit dhe të sëmurët tanë, mundëso lirimin e të burgosurve tanë.

O Zot, përshpejto tek ne lehtësim dhe rrugëzgjidhje të shpejtë dhe të afërt.

O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të madhe,  na bashko me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët!

O Zot, zbrit mbi ne dritë nga drita Jote, lavdi nga lavdia Jote, shkëlqim nga madhështia Jote, dhuratë nga Bujaria Jote dhe mbështetje nga mbështetja Jote, o më i Madhi më Bujari.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Pas namazit të xhumasë do të falim namazin e xhenazes në mungesë me lejen e Zotit.

Ndërsa ti që fton për namaz, thirr për namaz.

Afrim Smakaj

Post Author: endrit