Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 04-01-1448 H 19-06-2026 D
Shejh Halid El Muhana
Tema Xhamitë: Nderimi, vlerësimi dhe etiketa
Lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
O adhurues të Zotit! Xhamitë janë shtëpitë e Zotit në tokën e Tij dhe vendet më të dashura për Të, Zotin e Lartësuar. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vendet më të dashura për Zotin janë xhamitë ndërsa vendet më të urryera për Të janë tregjet.” Zoti urdhëroi që ato të ndërtohen dhe të ruhen në mënyrë që të jenë vende për përkujtimin, lavdërimin dhe madhërimin e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (Kjo dritë ndriçon) në xhamitë që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij. Atë e lavdërojnë aty në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun, për të falur namazin dhe për të dhënë zeqatin. Ata kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Ata shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.”(En-Nur 36-38)
Ato i mbushin burra që i frekuentojnë ato pesë herë në ditë e natë për të përmbushur obligimet e Zotit. Allahu ka dëshmuar për besimin e vizitorëve të tyre, kështu që askush nuk i frekuenton ato përveç se një besimtari që i frikësohet Jetës së Përtejme, Ahiretit, dhe shpreson mëshirën e Zotit të tij, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.” (Et-Teube 18)
Muslimani përmallohet për to dhe zemra e tij i dëshiron me zjarr, sa herë që kujton premtimin fisnik që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u dha vizitorëve të tyre, duke thënë: “Atij që shkon në xhami, në mëngjes dhe mbrëmje, Allahu ia përgatit një vend të nderuar në Xhenet, sa herë që shkon dhe sa herë që kthehet.”
Muslimani e mbush atë me përkujtimin e Zotit të tij, me leximin e Librit të Tij, Kuranit, dhe me kryerjen e detyrave të tij të obliguara, namazet. Ai shton në të akte vullnetare të adhurimit dhe mëson shkencat e fesë. Prandaj, ajo u ndërtua, u ngrit larg thashethemeve, e pastër nga fjalët boshe, mendjelehtësitë dhe vënia e gjërave në pikëpyetje.
Imami dhe një nga tabi’inët e mëdhenj, Said Ibn El Musejeb, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kushdo që ulet në xhami ai është ulur me Zotin e tij, kështu që ai duhet të thotë vetëm fjalë të mira.”
Ai që ulet në xhami për të përkujtuar Zotin e tij është i rrethuar nga Melaiket, atë e përfshinë mëshira, zbret mbi të qetësia dhe Zoti e përmend atë tek ata që janë me Të.
Kush e ka lidhur zemrën e tij me xhaminë sa herë që largohet prej saj, derisa të kthehet në të, ai do të jetë midis shtatë personave që Zoti do t’i vërë nën hijen e Tij, në Ditën kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij, siç na informon i mbrojturi nga gabimet, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Ai që shkon në xhami është në mes të një shkalle që e ngre lart, një gjynahi që i hiqet dhe Melaikeve që luten për të dhe kërkojnë falje për të. Ai që qëndron në xhami duke pritur namazin ka të njëjtin shpërblim si ai që qëndron duke u falur, siç tregon në lidhje me këto vlera të mëdha fjala e të vërtetit dhe besnikut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Namazi me xhemat është njëzet e pesë shkallë më me vlerë se namazi në shtëpinë e njeriut apo në treg. I shtohen namazit të tij në shtëpinë e tij apo në treg njëzet e pesë herë. Kjo ndodh, nëse merr abdes në mënyrën më të mirë, pastaj shkon për në xhami, duke mos i interesuar asgjë tjetër përveçse falja e namazit me xhemat, për çdo hap që hedh, i shtohet një gradë dhe i shlyhet një gjynah, derisa të hyjë në xhami. E kur të hyjë në xhami duke falur namaz, Melaiket luten për të derisa nuk është larguar nga vendi i namazit, xhamia, duke thënë: “O Zot, fale! O Zot, mëshiroje!” E kështu ndodhën për çdo njërin prej jush që qëndron në namaz për sa kohë e pret namazin tjetër!”
O besimtarë! Për shkak të pozitës së xhamive në Islam, dashurisë së Zotit për to dhe nderimit të tyre nga Ai, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka mbikëqyrur personalisht ndërtimin e xhamisë së tij fisnike, dhe shokët e tij e ndihmuan me të. Ai më parë kishte ndërtuar xhaminë Kuba dhe inkurajoi ndërtimin e tyre për shkak të shpërblimit të mirë dhe të madh që Zoti premtoi për këtë. Kjo është diçka që është transmetuar nga ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Nga prijësi i besimtarëve, Othman Ibn Afan, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të thoshte: “Kush ndërton një xhami duke kërkuar me anë të saj kënaqësinë e Zotit, Ai do t’i ndërtojë atij një të tillë në Xhenet.”
O adhurues të Zotit! Kjo nuk është çudi sepse xhamitë janë vendi i pushimit të të drejtëve dhe vendi i takimit të besimtarëve. Ebu Idris El Haulani, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Xhamitë janë vendet e mbledhjes së fisnikëve.”
O adhurues të Zotit! Në xhami arrihet një qëllim i madh i qëllimeve të Islamit, siç është realizimi i vëllazërisë së besimit. Muslimani e takon vëllain e tij në xhami me gëzim dhe e përshëndet atë me paqe, në mënyrë që të mbizotërojnë dhembshuria, mëshira dhe harmoni. Disa nga ata kontrollojnë kushtet e njëri-tjetrit, bashkëpunojnë në drejtësi dhe devotshmëri, dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe durimin në të. Ky është një nga qëllimet më të mëdha dhe arsyet më të rëndësishme për ndërtimin e saj.
O ju muslimanë! Xhamitë janë shtëpitë e Zotit, të ndërtuara vetëm për të vendosur përkujtimin e Tij, etiketa dhe sjellja në to është obligim, sepse ajo është pjesë e etiketës, sjelljes me Zotin. Kush qëndron në to duhet të thotë vetëm gjëra të mira dhe të bëjë vepra të mira. Asgjë nuk synohet në to përveç punës për Ahiretin, dhe të gjitha çështjet e kësaj bote, siç është blerja dhe shitja, duhet të shmangen në to, sikurse ndalimi është saktësuar nga zotëria i të dërguarve. Në to duhet të shmanget të folurit për mënyrat e fitimit dhe të jetesës, e lëre më të përfshihesh në thashetheme për njerëzit, të përgojosh ata, të ngresh zërin, të qeshësh, të bësh zhurmë, të debatosh, të pyesësh shumë për situatat dhe biseda të tjera të tilla të publikut të gjerë.
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij besnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime me të cilat Ai e lavdëroi Veten dhe me të cilat e lavdëruan ata që Ai zgjodhi nga robërit e Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi robin dhe të dërguarin e Tij, profetin tonë Muhamed, më të mirin e krijimit të Tij dhe të zgjedhurin nga krijesat e Tij.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Vërtetë, nga etika më e rëndësishme e xhamive, por se më thelbësorja për këdo që hyn në to duke kërkuar favorin dhe kënaqësinë e Zotit, është që të mos i lutet askujt tjetër përveç Zotit, pavarësisht se sa i lartësuar mund të jetë, përveç Zotit të Lartësuar, dhe të mos shpresojë për ndonjë të mirë ose përfitim nga askush tjetër përveç Tij. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!”(El-Xhinn 18) Askush nuk duhet të kërkojë ndihmë në të përveçse nga Zoti, nuk duhet të dëshirojë asgjë përveç kënaqësisë së Zotit dhe nuk duhet të kërkojë në të përmbushjen e nevojave përveçse nga Zoti.
O besimtarë! Pjesë e ndërtimit të xhamive është mirëmbajtja e tyre, pastrimi i tyre nga ndyrësirat dhe parfumosja e tyre. Kush shikon papastërti ose mbeturina në to dhe i largon ato, ka ndjekur shembullin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në këtë drejtim.
Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregon: “Ndërsa profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, po falej, ai pa gëlbazë në drejtim të namazit në xhami, e fshiu atë me dorë dhe u zemërua. Pastaj tha: “Kur ndonjëri prej jush falet, Zoti është përpara tij, kështu që të mos pështyjë përpara tij gjatë namazit.”
Imam Ibn Rexhebi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Fshirja e xhamive dhe heqja e papastërtisë prej tyre është një akt fisnik dhe askush që e njeh etiketën e Sheriatit nuk do të turpërohej prej kësaj pune, veçanërisht xhamitë.”
O ju muslimanë! Xhamitë janë shtëpitë e Zotit dhe vendi ku zbresin Melaiket e Tij, kështu që ato duhet ti mbrojmë nga aromat e pakëndshme të ushqimeve si hudhra, qepët, cigarja dhe gjëra të tjera nga të cilat shtëpitë e Zotit mbahen larg, nderohen e respektohen.
Ai që frekuenton xhaminë duhet të jetë i vetëdijshëm për ardhjen e tij tek Zoti i tij dhe bisedën me të, kështu që ai duhet të përgatitet për këtë duke veshur rrobat më të mira, duke ruajtur pastërtinë e trupit të tij dhe të parfumoset me çfarëdo që ai ka në dispozicion. Sa njerëz frekuentojnë xhamitë dhe nuk kujdesen për pastërtinë e rrobave të tyre dhe pastërtinë e gojës së tyre, duke shqetësuar kështu njerëzit dhe duke i penguar ata të gjejnë paqe në namazin e tyre! Po kështu, Melaiket shqetësohen nga ajo që shqetësohen bijtë e Ademit, njerëzit, sikurse i zgjedhuri i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë.
Vëllezër në Islam! Ky muaj, në të cilin kemi hyrë, është një muaj i nderuar, një nga muajt e shenjtë. Profeti ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka quajtur atë muajin e Zotit, e atributi i tij Zotit të Plotfuqishëm tregon nderin dhe vlerën e tij. Agjërimi në të është agjërimi më i mirë pas agjërimit në Ramazan. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është muaji i Zotit që ju e quani Muharrem.” Agjërimi në ditën e dhjetë të tij, që është dita e Ashures, është një sunet i konfirmuar. Nga Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se një burrë e pyeti të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në lidhje me agjërimin në ditën e Ashures, dhe ai tha: “Shpresoj që Zoti do t’i shlyejë gjynahet e vitit të kaluar.”
O adhurues të Zotit! Mirësia dhe vlera e plotë qëndron në agjërimin e një ditë para ose një ditë pas tij, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vendosi drejt fundit të jetës së tij të mos e agjëronte vetëm atë, por t’i shtonte edhe një ditë, në mënyrë që të ndryshonte nga Ithtarët e Librit në agjërimin e tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Nëse do arrij të jetoj vitin tjetër, me lejen e Zotit, do ta agjëroj dhe ditën e nëntë.” Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërroi jetë para se të vinte viti pasardhës.”
Adhurues të Zotit! Shfrytëzoni orët e mbetura të kësaj dite të bekuar duke u lutur shpesh, me shpresën të arrini orën e pranimit të lutjes, duke dërguar sa më shumë lutje dhe përshëndetje mbi vulën e profetëve, imamin e të dërguarve dhe zotëria i të gjithë bijve të Ademit, njerëzve, sepse kush lutet, dërgon për të salavate, një herë, Zoti dërgon për atë dhjetë herë.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë dhe familjen e tij fisnike dhe të pastër. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me shokët e tij të mirë dhe të pastër, Muhaxhirinët dhe Ensarët prej tyre.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e Tu, armiqtë e fesë.
O Zot, Ndihmësi më i Mirë, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh përballë armikut Tënd dhe armikut të tyre ndihmësi, mbështetësi, përkrahësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, na jep siguri në vendin tonë dhe poshtëro armiqtë tanë. O Zot, ndihmo ushtarë tanë dhe mbro kufijtë tanë. O Zot, kush synon të keqen kundër vendit tonë, angazhoi ata me veten e tyre, kthe komplotin e tyre kundër tyre dhe bëj planin e tyre shkatërrim për ta, o i Plotëfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që Ti do dhe je i kënaqur, orientoje atë drejt drejtësisë dhe devotshmërisë. O Zot, ndihmo atë dhe princin e tij të kurorës në atë që është e mira për njerëzit dhe vendin, o Zot i Botëve. O Zot, jepu sukses të gjithë sundimtarëve muslimanë në atë që është kënaqësia Jote.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj