Këshilla të arta rreth moralit – Shejh Salih ibn Abdilah ibn Humejd – MEKE – 12.10.2018

Hytbeja e Mekës 12.10.2018

Këshilla të arta rreth moralit

Shejh Salih ibn Abdilah ibn Humejd

Falënderimet i takojnë Allahut, falënderimet i takojnë Allahut që ka caktuar gjithçka, di gjithçka dhe për krijesat e Tij ka zbritur mbulesë!

Atë e falënderoj për mirësitë e Tij të panumërta, dëshmoj se Ai është Një i Vetëm dhe i Pashoq dhe këtë dëshmi e ruaj për në ditën e gjykimit!

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ai u dërgua tek njerëzit si mësues e paralajmërues. Ai ftoi për në rrugën e Zotit natën dhe ditën.

Paqja, bekimet dhe mirësitë e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij flamurtarë të mirësisë dhe mbi këdo që e ndjek udhën e tyre, deri në fund!

Ju këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Allahun, frika ndaj Zotit është porosia gjithëpërfshirësi dhe e dobishme, ndaj frikësojuni dhe dijeni se me Të do të takohemi, ndaj falënderojeni e kërkojini falje.

“Dhe kush i frikësohet Allahut i jep rrugëzgjidhje, e furnizon andej nga nuk e pret. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e Vet, Allahu çdo gjëje ia ka caktuar afatin” Talak 3.

Të nderuar besimtarë! Shfrytëzojeni jetën dhe kohën tuaj, ditët dhe frymëmarrjet i keni të caktuara, sa herë që rreh zemra dhe që merr frymë, të afrohet vdekja.

Kjo jetë e shkurtër është ura për në përjetësi, ku ti zgjedh mes shpërblimit dhe ndëshkimit të rreptë, Zot ruana!

Nëse do mendosh me vëmendje, do shikosh se çdo frymëmarrje e jotja në këtë botë, është e barabartë me vite të shumta dhe të përjetshme të mirësisë së përjetësisë, e lusim Zotin të mos na privojë prej saj.

I mençuri nuk e shpërdoron kohën dhe pikëllohet për kohën që i ka kaluar pa e shfrytëzuar, ndaj merrni këshillë nga ajo që keni parë e dëgjuar, zini mend nga ajo që na është shpallur nga Zotit!

Bëni kujdes nga stolitë dhe zbukurimet e përkohshme të kësaj bote, se sado që të grumbullosh prej tyre mbetesh i mangët!

Lakmitarët e kësaj bote i kanë sytë për nga postet, lakmojnë publikun, famën dhe lavdet, por vriten nga garimi, smira dhe ligësia.

Ata që synojnë botën tjetër, nuk ndiejnë zili për atë që u është dhënë të tjerëve, madje edhe nëse kanë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetes e thonë: “Edhe ata që kanë ardhur pas tyre thonë: Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që na paraprinë në besim dhe mos lejo në zemrat tona të ketë urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i Butë e Mëshirues” Hashr 3.

Vëllezërit e mi! Kush është ai që me gjymtyrët e tij nuk ka kryer gjynahe? Zbutini zemrat tuaja me përkujtimin e vdekjes, këshillojini me sprovën e varrit dhe ditën e gjykimit, ditë ku gjithçka ndërpritet dhe shkëputet.

“Ditën kur njeriu shikon se ç’kanë punuar duart e tij” Nebe 40.

Ditë kur nuk të bën dobi pasuria e fëmijët, përveç kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë” Shuaraë 88.

LEXO  Momentet e Vdekjes -Meke 22.2.2019

Dita kur askush nuk do t’i ndihmojë dot askujt, atë ditë e tërë çështja i takon vetëm Allahut” Infitar 19.

Ajo që ju është premtuar padyshim që do vijë, me ditën e gjykimit ju ndan vetëm vdekja.

Ndër shenjat e kënaqësisë së Zotit ndaj robit të tij është lehtësimi i adhurimeve dhe të qëlluarit të synetit, shoqërimi me të mirët, kontributi për të mirën, shfrytëzimi i kohës dhe interesimi për çështjen e myslimanëve.

Përpiqu të jesh sa më i drejtë dhe zemërbardhë, duaj për vëllain atë që dëshiron për veten, dije se lumturia e tij nuk ta merr lumturinë tënde, as pasurimi i tij nuk e pakëson furnizimin tënd, as shëndeti i tij nuk pakëson shëndetin tënd.

Kush është i butë, i mëshirshëm, i dobishëm dhe mbulon të metat e robërve të Zotit dhe u bën mirë atyre, i tillë do jetë dhe Zoti me të.

Medito rreth fjalës së Zotit ku të drejtohet ty: “Dhe ti bëj mirë ashtu sikurse Zoti të bëri mirë ty”, e ku ka më mirë se bamirësia jote t’i bashkëngjitet bamirësisë së Zotit.

Nëse kjo mirësi është pasuri, jep lëmoshë, në qoftë dituri mësoja të tjerëve e në qoftë lumturi, lumturoji të tjerët përreth teje.

Të mbyllësh sytë ndaj gabimeve të të tjerëve është diçka tepër e mirë pasi gjithë njerëzit janë gabimtarë, dhe ai që hulumton të metat e të tjerëve lodhet dhe lodh të tjerët, ndërsa i mençur është ai që distancohet nga e gjitha kjo, në mënyrë që të jetojë i qetë, pa strese dhe me besim të qetë.

Kush fjalët i konsideron pjesë të veprave, i pakëson fjalët përveçse në gjëra që i interesojnë.

Gjëja më e mirë që njeriu e depoziton është drejtësia në të folur, distancimi prej asaj që s’të intereson, zemërgjerësia, devotshmëria në vetmi, morali i lartë dhe ruajtja e amanetit dhe vëllazërisë.

Të dashur vëllezër! Ndër shkaqet që të bëjnë të shijosh ëmbëlsinë e besimit është prehje dhe zgjerimi i zemrës, dashuria dhe xhelozia për fenë, të duash të mirët dhe të kontribuosh në nderimin e myslimanëve.

Profetin a.s e kanë pyetur se cila është gjëja më e mirë që i është dhënë njeriut? Ai u përgjigj: “Morali i lartë”, Buhariu në Edeb.

Ndër shenjat që tregojnë moralin e lartë është distancimi nga debatet, mosgjurmimi i gabimeve, pranimi i justifikimeve, durimi ndaj të keqes, çiltërsia e fytyrës, butësia në të folur dhe angazhimi me të metat e vetes.

Lidhjet me të tjerët bëhen më jetëgjata duke lënë mënjanë gabimet, shtohen duke i kënaqur, ato dobësohen duke i kushtuar vëmendje gjithçkaje dhe vdesin pasi nisin hetimet.

Nuk është turp të gabosh, turp është të mos mësosh nga gabimet e bëra, kur nuk di pyet, kur zemërohesh bëj durim.

Bujari nuk ta përmend mirësinë, i sinqerti nuk bëhet pishman kurrë dhe kush mbjell mirësi, korr begati.

LEXO  Ramazani muaj frymëzimi dhe me ndikim të qëndrueshëm

Zgjidhini shokët dhe vendet ku rrini, kur të flisni zgjidhni më të mirën, kur t’ju flitet dëgjoni, kur të takoheni buzëqeshni, kur të kundërshtoheni merreni me të lehtat.

Mos bisedoni me inatçiun, mos u grindi me njeriun e rëndë, mos debatoni me të shthururin, dhe dijeni se të flasësh me burra të ngrohet zemra.

Bërja mirë të ruan prej të këqijave, ndaj kujdesuni të ushqeni të varfrin, të vishni të zhveshurin, të siguroni të tremburin, të largoni padrejtësinë, të garantoni jetimin, të ndihmoni të sëmurin e nevojtarin.

Vëllezër të nderuar! Kur t’i shihni fitnet të vërshojnë, mos u implikoni në gjëra që s’ju interesojnë, por heshtni, përmbajuni synetit, gjërat që i keni të dyshimta mos i veproni, pyesni të diturit për ato që nuk dini, i padituri flet para se të mësojë dhe përgjigjet para se të kuptojë.

Ibn Mes’udi ka thënë: “Njerëzit janë mirë, përderisa mësojnë prej të mëdhenjve, besnikëve dhe dijetarëve, e kur të mësojnë prej të vegjëlve dhe të ligëve, atëherë prit shkatërrimin e tyre.”

“A nuk e di ai se kur të nxirret ç’ka është në varreza? Dhe të tubohet ajo që ishte në gjokse. E atë ditë, pa dyshim Zoti i tyre është i njohur hollësisht për punën e tyre!” Adijatë 9-11.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë dhe në synetin e Profetit, kërkoi falje për vete, për ju dhe mbarë myslimanët për çdo gjynah, dhe ju kërkojini falje e lutuni Atij, vërtetë Ai është Falës e Mëshirues.

Falënderimet i takojnë Allahut Sunduesit të vetëm dhe të pashoq, nuk poshtërohet ai që është mik i Tij dhe nuk nderohet ai që armiqëson Atë.

Atë e falënderoj, sikurse e meriton, falje i kërkoj prej çdo gabimi, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një i Vetëm dhe i Pashoq, dëshmi me të cilën synoj të arrij kënaqësinë e Tij, dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij i përzgjedhur dhe i dashur, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij, dhe mbi këdo që fton për në rrugën e tij dhe pason traditën e tij deri në ditën e fundit.

Të nderuar besimtarë! Koha është e paqëndrueshme: “Ne këto ditë i ndërrojmë mes njerëzve”, herë ka sukses miku, herë ka sukses armiku, herë pasuri e herë varfëri, një ditë krenari e një ditë në nënçmim, kush ndjek tekat e vetes vjen dita që e poshtëron, ndërsa i lumturi i vërtetë, është ai që i përmbahet një baze të vetme vazhdimisht, që është devotshmëria me Zotin.

Devotshmëria e bën të matur kur është i pasur, i çel dyert kur është i varfër, kur sprovohet e shpëton, kur është i shëndetshëm ia përmison shëndetin, dhe nuk i bën përshtypje ndryshimi i ditëve, sepse devotshmëria është baza e sigurisë, është rojtari i cili nuk flenë.

Frikësojuni Allahut dhe shprehni devocion, devotshmëria është litari që nuk shkëputet kurrë, të jep përfundim të mirë dhe të ruan nga çdo e keqe.

LEXO  Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes: Vlerësimi dhe shfrytëzimi i tyre

Zoti na gëzoftë të gjithëve duke na bërë pasues të asaj që urdhëron, na largoftë të gjithëve prej çdo gjëje që e zemëron.

Dërgoni salavate mbi mëshirën e dhuruar, mirësinë e tokës, Profetin Muhamed a.s, dhe për një gjë të tillë ju urdhëron Zoti në Kuran ku thotë: “Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin, o ju që keni besuar, madhëroni atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.

Zot bekoje e begatoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, të dashurin dhe profetin e zgjedhur, mbi familjen e tij, bashkëshortet e tij, mbi katër kalifët e tij të drejtë: Ebu Bkrin, Umerin, Uthamnin dhe Aliun, si dhe mbi mbarë sahabët e tjerë dhe gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre, përfshina dhe ne me ta, o Mëshiruesi i Mëshiruesve!

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërroji arrogantët dhe të pafetë si dhe mbarë armiqtë e fesë!

Zot sigurona në trevat tona, drejtoji prijësit dhe përgjegjësit tanë, prirjen tonë vendose në duar të atij që të ka frikë e devocion Ty, dhe synon kënaqësinë Tënde!

Zot udhëzoje prijësin tonë, jepi sukses dhe bëje shkak të lartësimit të fjalës Tënde, bëje atë, zëvëndësin e tij dhe gjithë këshilltarët në njerëz që punojnë për të mirën e fesë Tënde.

Zot udhëzoji mbarë prijesat e muslimanëve, ndihmoju të punojnë me librin dhe synetin e Profetit Tënd, bëji mëshirë dhe të bashkuar në fjalën Tënde.

Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve kudo që janë, ruaje gjakun e tyre, bashkoji në Kuran e synet, bëj që në krye të tyre të jenë më të zgjedhurit, largoji prej tyre të padrejtët, derdh mbi to dhe vendet e tyre sigurinë e bollëkun, dhe ruaji nga të këqijat dhe sprovat të fshehtat dhe të qartat.

Zot ndihmoju ushtarëve tanë në kufi, jepu vizion të qartë dhe nishan të qëllueshëm, forcoji, bëji të qëndrueshëm, jepu siguri në zemrat e tyre, ndihmoju me ndihmën Tënde ndaj të padrejtëve, ruaji ata nga të gjitha drejtimet!

Zot mëshiroji dëshmorët e tyre, shëroji të plagosurit e tyre, ruaji familjet e tyre o Dëgjues i lutjeve!

Zot na i fal gjynahet, mbulona të metat, largona hallet dhe brengat, ndihmoje të sprovuarin, shëroje të sëmurin, mëshiroji të vdekurit tanë!

Zoti ynë, ne ishim të padrejtë me vetet tona, nëse Ti nuk na fal e mëshiron, padyshim që ne do jemi prej të humburve!

Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe ruana nga ndëshkimi me zjarr!

Robër të Allahut! Allahu urdhëron të mirën, bamirësinë, ti jepet të afërmit, ndalon nga e liga, e pështira dhe arrogance, ju këshillon në mënyrë që të merrni mësim!

Kujtojeni Allahun t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë e shumta, t’ua shtojë, vërtetë përmendja e Allahut është vepra më e madhe, Allahu di atë që ju veproni!

Meka / by

Post Author: admin