Historia e të dërguarit… metodë dhe sistem jete

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     11-04-1447H   03-10-2025 D

Shejh Urvetu Sabri

Tema   Historia e të dërguarit… metodë dhe sistem jete

Lavdërimet janë për Zotin e botëve, me mirësitë e të Cilit plotësohen veprat e mira. Lutjet dhe përshëndertjet janë për të dërguarin e besueshëm të Zotit, për të gjithë familjen dhe shokët e tij. Zotin e lavdërojmë për mirësinë e Islamit, fenë e mëshirës, ​​drejtësisë, të vërtetës dhe ndershmërisë. Lavdërimet janë për Zotin dhe përsëri lavdërimet janë për Zotin, dërgoi për ne më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mëshirë për botën mbarë.

“Ajo çfarë ma rriti nderin dhe krenarinë, sa nuk shkela mbi univers me shputat, këmbët e mia,

Të bërit pjesë nën fjalën Tënde, o robërit e Mi, dhe përzgjodhe Ahmedin, Muhamedin,  profet për mua.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdia, Ai jep jetë dhe merr jet, vdekje,  Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull për predikuesit e ndershëm deri në Ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, sa numri i krijesave Tua, sa të kënaqesh Ti Vetë, sa pesha e Arshit Tënd dhe sa bojë e fjalëve Tua. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë Muhamedin në këtë botë,  fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër,  fale dhe mëshiroje atë në tubimin e lartë deri në Ditën e Gjykimit, fale dhe mëshiroje atë sa herë që e kujtojnë  përkujtuesit dhe e harrojnë neglizhuesit ta kujtojnë atë.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti i Madhërishëm dhe Fuqiplotë në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El-Ahzab 21)

Adhurues të Zotit! Nga mirësitë e Zotit të Plotfuqishëm me të cilën ka bekuar njerëzimin është dërgimi i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zoti e dërgoi atë me mesazh të përjetshëm, i vlefshëm për të gjitha kohërat dhe vendet, i dalluar për gjithëpërfshirjen e të gjitha aspekteve të jetës. Ky mesazh, me parimet dhe vlerat e tij, hodhi themelin mbi të cilin u ngrit qytetërimi Islam, i cili dominoi botën për shumë shekuj. Qytetërim i ngritur mbi drejtësi, mbi të vërtetën dhe ndershmërinë,  që i ruajti njeriut të drejtat dhe dinjitetin e tij. Ky qytetërim nuk u ngrit mbi fshirjen, çrrënjosjen dhe përjashtimin e të tjerëve. “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë…” (El-Ma’ide 8) Të qenit të drejtë me ata që nuk pajtohen me ne është pjesë e frikës ndaj Zotit të Plotfuqishmit, që do të thotë se drejtësia është vlerë morale e ndërtuar mbi bindje të sinqertë dhe të përzemërta. Ajo nuk bazohet në lajka, as mbi standarde të dyfishta dhe nuk ngrihet mbi sloganeve vezulluese. Vërtetësia e saj zbulohet në situata të vështira dhe serioze.

O ju muslimanë! Thirrja e Islamit erdhi në një kohë kur njerëzimi jetonte në një epokë të errët injorance, në të cilën peshoret ishin përmbysur dhe të fortit kishin dominim mbi të dobëtit. Kjo thirrje erdhi për të rivendosur rendin dhe për të përhapur vlerat dhe parimet e tij në të gjithë botën, përmes një realiteti të ri, në të cilin këto vlera u mishëruan në realitetin praktik dhe të jetuar. Profeti ynë i dashur ishte një model praktik, duke mishëruar parimet e Islamit dhe vlerat e tij në jetën e  përditshme. Zonja jonë, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, e përshkroi duke thënë: “ Morali i tij ishte Kurani.”

Kush lexon historinë e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, do zbulojë se cilësitë e mira janë të kombinuara në moralin dhe sjelljen e tij. I dashuri ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte modest. Ai e barti thirrjen me shokët e tij dhe e ndau përgjegjësinë me ta në të gjitha pozicionet dhe arenat. Ai nuk dallohej prej tyre, përkundrazi ai ishte i barabartë me ata. Në Betejën e Bedrit, i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, deshi të drejtonte radhët si  komandanti që drejton radhët e ushtrisë së tij. Ai kaloi pranë Sevad ibn Gazijes, i cili kishte devijuar nga rreshti, kështu që e goditi në barkun e tij me shtizë, dhe i tha: “Drejtohu, Sevad.” Ai ju përgjigj duke thënë: “O i dërguar i Zotit, më ke lënduar, më ke lënduar. Zoti të ka dërguar me të vërtetën dhe drejtësi, prandaj, më lejo të hakmerrem ndaj teje.”  Pastaj i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, zbuloi barkun e tij fisnik dhe tha: “Merre!” Ka thënë: “Pastaj, Sevadi e përqafoi dhe ia puthi barkun.” Ai tha: “Çfarë të shtyu ta bëje këtë?” Ai tha: “O i dërguar i Zotit, ajo që shikon ka ndodhur dhe doja që takimi im i fundit me ty të ishte që lëkura ime të prekte lëkurën tënde.”

LEXO  Muslimani duhet të jetë i angazhuar vetëm me atë që i sjellën dobi

Një qëndrim që tregon përulësi të pakrahasueshme në historinë e marrëdhënieve midis sundimtarit dhe nënshtetasve të tij. Sikurse gjithashtu tregon dashurinë e sinqertë që bashkoi të dërguarin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe sahabet, shokët e tij, fisnik. Dashuria për të është pjesë e besimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa tek ai të jem më i dashur sesa prindi i tij, se fëmija i tij, dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi.”

O ju muslimanë! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte sundimtar i drejtë. Ngriti shtetin Islam mbi drejtësi dhe udhëheqje  të mirë dhe u dha të gjithëve atë që u takonte, meritonin. Ai refuzoi favorizimin dhe ndërmjetësimin në zbatimin e ndëshkimit dhe dënimit të përcaktuar ndaj keqbërësit. Ai, duke kundërshtuar dikë që donte të ndërmjetësonte për një grua kurejshite që kishte vjedhur, ka thënë: “A po ndërmjetëson në një nga kufijtë e vendosur nga Zoti?” Pastaj ka thënë: “O njerëz, vërtetë popuj që ishin para jush u shkatërruan sepse nëse një person fisnik midis tyre vidhte, e lironin, e nëse një person i dobët midis tyre vidhte, mbi të zbatonin dënimin. Pasha Zotin, nëse Fatimja, vajza e Muhamedit, do të vidhte,  do t’ia prisja dorën e saj.”

O ju muslimanë! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i mësoi umetit, popullit të tij pas tij se si të ishin të duruar përballë sprovave dhe fatkeqësive, si të qëndronin të palëkundur në besnikërinë ndaj fesë së vërtetë. Ai iu nënshtrua formave të ndryshme të dëmtimeve fizike dhe psikologjike, në përpjekje për ta larguar nga thirrja e tij, por duroi dhe qëndroi  i palëkundur. Dhurata hyjnore ishte që Zoti i Plotfuqishëm vendosi fundin e kësaj vuajtjeje, vazhdimin e thirrjes në Islam dhe forcimin e themelit të saj. Dhurata gjatë periudhës Mekase ishte një udhëtim i shenjtë: Israja dhe Miraxhi. Udhëtimi i Israsë për në Bejtul Makdis,  Kuds, namazi në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe udhëheqja e profetëve në të. Kjo ishte një fitore shpirtërore për të. Ndërsa udhëtimi i Miraxhit, ngjitja në qiell, që ishte  nder hyjnor.

Sprovat dhe fatkeqësitë me të cilat u përball i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij ishin furnizimi shpirtëror që ushqente shpirtrat e tyre besimtarë, duke ngritur moralin e tyre dhe duke nxitur shpresën në zemrat e tyre. Kjo u bë e qartë kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij u kthyen në Mekë pas disa vitesh çlirimtarë. Ata u kthyen në Mekë duke mbartur vlerat e mëdha të Islamit, ku slogani i tyre ishte: Sot është Dita e Mëshirës. Kjo është dita në të cilën Allahu e madhëron dhe e lartëson Qaben. Skena përfundoi pas fuqizimit në ditën e çlirimit me një amnisti të përgjithshme. Kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha atyre që ishin mbledhur në Xhaminë e Shenjtë, në Qabe, domethënë, popullit të tij: “Çfarë mendoni se do t’ju bëj?” Ata thanë: “Ti je një vëlla zemërmadh e kushëri fisnik.” Ai u tha: “Atëherë shkoni, jeni të lirë.”

Adhurues të Zotit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte një model për adhuruesit, i ekuilibruar në adhurimin e tij. Ai e kombinoi adhurimin me punën, ndërtimit, kultivimit në tokë, përpjekjes në të dhe thirrjen drejt rrugës së Zotit të Plotfuqishëm. Ai na udhëzoi në adhurim në konceptin e tij gjithëpërfshirës. Një ditë, një grup njerëzish pyetën për adhurimin e dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kur u informuan, menduan se ishte shumë pak dhe thanë:  “Ku jemi ne në krahasim me të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur gjynahet e tij të kaluara dhe të ardhme i janë falur?!” Njëri prej tyre tha: “Sa për mua, unë do të falem gjithë natën përgjithmonë.” Një tjetër tha: “ Unë do të agjëroj gjithë jetën time dhe nuk do ta prish kurrë agjërimin.”  Ndërsa tjetri tha: “ Unë do të qëndroj largë  nga gratë dhe nuk do të martohem kurrë.” Pastaj i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i thirri ata dhe u tha: “A ju jeni ata që thatë këtë e atë? Pasha Zotin, unë jam ai që i frikësohet më shumë Zotit dhe jam më i devotshmi ndaj Tij, megjithatë, unë agjëroj dhe e ndërpres iftarin, falem dhe fle, dhe martohem me gra. Kush largohet nga suneti im nuk është prej meje, prej umetit tim.”

LEXO  Në mes të gëzimit të mirënjohjes dhe gëzimit të arrogancës

Pavarësisht këtij kuptimi gjithëpërfshirës të adhurimit, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte i zellshëm në lutjet, në agjërimin, në duatë dhe në qëndrimin e tij në namaz nate. Ai kalonte aq gjatë në këmbë në namaz saqë këmbët i çaheshin. Kur e pyetën për këtë, ai ka thënë: “A nuk duhet të jem rob mirënjohës, falënderues ndaj Zotit?”

Ai ishte i zellshëm në dhënien e lëmoshës, bujar dhe fisnik. Nga Ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  dhe ishte shumë më bujar se asnjë herë në Ramazan kur e takonte Xhebraili. Ai e takonte çdo natë në Ramazan dhe e përsëriste Kuranin me të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më bujar me të mira sesa era që frynë.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na udhëzoi drejt thelbit dhe frymës së adhurimit, nga se ky adhurim është  rrugë për pastrimin dhe ngritjen e shpirtit,  se robi, njeriu besimtar duhet t’ia paraqesë shpirtin  Zotit të tij të pastër dhe të dëlirë nga hipokrizia, reputacioni dhe formaliteti. Por se, duhet të jetë i frytshëm që ta parandalojë vepruesin e tij nga imoralja dhe e keqja.

Nga gjërat thelbësore kur kryhet një akt adhurimi ose kur ofrohet diçka për hir të fesë së Zotit të Plotfuqishëm është që adhuruesi të ketë frikë nga pranimi i veprës së tij. Ai nuk duhet të mashtrohet nga adhurimi i tij dhe nga ajo që ofron për fenë e Tij. Adhuruesi duhet të ketë kujdes që të mos mashtrohet nga adhurimi dhe veprat e tij.

Merrni parasysh, shikoni qëndrimin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, pas kthimit të tij nga Taifi. Ai u përball me dëme fizike dhe morale nga njerëzit e tij, pasi dy këmbët e tij fisnike u përgjakën, kur fëmijët dhe budallenjtë e qytetit e ndoqën, duke hedhur gurë mbi të dhe duke e fyer. Cila ishte situata pas kësaj? I dashuri ynë kërkoi falje tek i Dashuri i tij, Zoti, për mos përgjigjjen e tyre ndaj thirrjes së tij dhe tha, duke iu lutur Zotit të tij: “ O Zot, tek Ty ankohem për dobësinë time, për mungesën time të burimeve dhe parëndësinë time midis njerëzve. O më i Madhi Mëshirues, Ti je Zoti i të dobëtve dhe Ti je Zoti im, në dorën e kujt më ke lënë? Në dorën e një të largti që do të më trajtojë ashpër, apo në dorë të një armiku që i ke dhënë kontroll mbi punët e mia? Nëse nuk je i zemëruar me mua, atëherë nuk më intereson.” E çfarë duhet të themi ne që jemi të mangët, në vepra?! O Zot, nëse nuk je i zemëruar me ne, atëherë nuk na intereson. “Por falja Jote është më e gjerë për mua. Kërkoj strehim në dritën e Madhështisë Tënde, me të cilën ndriçohet errësira dhe me të cilën rregullohen çështjet e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit,  që të mos e sjellësh zemërimin Tënd mbi mua, ose që zemërimi Yt të zbresë mbi mua. Tek Ti pendohem derisa të jesh i kënaqur.  Nuk ka fuqi ose forcë tjetër përveç Teje.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u përul para Zotit të tij, duke kërkuar falje dhe i lutet Atij që të mos zbres zemërimin e Tij mbi të, edhe pse ishte në kulmin e dhënies dhe sakrificave të tij. Nuk ka vend për arrogancë në punën tonë, por le të jetë qëllimi ynë kënaqësia e Zotit të Plotfuqishëm dhe të jemi të sinqertë në qëllimet tona ndaj Tij. Nëse pranohemi, na pranohen veprat, kjo është fitore e madhe.

Adhurues të Zotit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  u njoh  si i ndershmi dhe i besuari.  Ai mbante amanete dhe i përmbushi ato në mënyrën më  të përsosur. Sikurse ai na besoi shumë amanete dhe na urdhëroi që t’i ruajmë, të kujdesemi për to. Nga më të rëndësishmet e këtyre amaneteve është kjo fe e madhe,  e cila duhet të jetojë në shpirtrat dhe zemrat tona dhe të pasqyrohet në sjelljen tonë në realitet. Këtë fe që e bartën sahabët e drejtë, pastaj pasuesit, tabiinët dhe dijetarët që i ndoqën ata, brez pas brezi. Kjo është trashëgimia e profetit, të cilën e bartin së pari dijetarët dhe pastaj pjesa tjetër e umetit me ta.

Nga amanetet për të cilat jemi urdhëruar ti ruajmë janë vendet tona të shenjta dhe xhamitë tona,  dhe prej tyre xhamia e bekuar e Aksasë. Ajo është amaneti i të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ne na kërkohet që ta ruajmë, ta mirëmbajmë dhe të udhëtojmë drejt saj në çdo kohë,  për lutje, për adhurim, për të ringjallur mësimet e dijes dhe që të nderojmë, madhërojmë ritualet që mbahen aty.

Adhurues të Zotit! Ky është i dërguari ynë, i dashuri i zemrave tona, ndiqni shembullin e tij, krenohuni me të, mësoni historinë e tij, dijeni se shpëtimi qëndron në ndjekjen e udhëzimit të tij, dhe humbja qëndron në braktisjen e sunetit të tij.

LEXO  Kthehuni tek Zoti juaj me pendesë - Aksa 11.04.2020

Zoti na bëftë dobi të gjithëve  me Kuranin Fisnik, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdriemet janë për Zotin e botëve. Lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin e besuar të Zotit, për familjen dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me shokët e tij, me tabi’inë dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.

Në vijim

Ajo që është mbresëlënëse në jetën personale të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është se, pavarësisht preokupimit të tij me çështjet e umetit të tij, ai e udhëzoi popullin, umetin e tij të punonte dhe të kujdesej për familjen. Ai ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e tij, e unë jam më i miri prej jush, sepse jam më i miri për familjen time.” Zonja jonë, Aishja, Zoti  qoftë i kënaqur me të, është pyetur: “ Çfarë bënte i dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në shtëpinë e tij?” Ajo ka thënë: “Ai kujdesej për nevojat e familjes së tij dhe kur vinte koha e namazit, dilte për t’u falur.” Ajo ka thënë gjithashtu: “I dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, riparonte sandalet e tij, qepte rrobat e tij dhe punonte në shtëpinë e tij ashtu siç punon çdo njëri prej jush në shtëpinë e tij.”

Në të vërtetë, mirësia e tij ndaj gruas së tij vazhdoi edhe pas vdekjes së saj, pasi ai ishte besnik ndaj nënës tonë Hatixhe, Zoti qoftë i kënaqur me të. Një ditë, ai u pyet: “A e përmend ende atë kur Allahu ta ka zëvendësuar atë me dikë më të mirë?”Ai ka thënë: “Zoti i Plotfuqishëm nuk ma ka zëvendësuar atë me askënd më të mirë se ajo. Ajo besoi tek unë kur njerëzit më mohuan, refuzuan, besoi tek unë  kur njerëzit më përgënjeshtruan, më mbështeti me pasurinë e saj kur njerëzit më privuan dhe Zoti i Plotfuqishëm më bekoi me fëmijët e saj kur më privoi nga fëmijët e grave të tjera.”

I dashuri ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kujdes për nipat e tij dhe i linte ata të luanin në xhami. Një ditë, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, po falte namaz, dhe kur bënte sexhde, Hasani dhe Husejni hidheshin mbi shpinën e tij. Kur dikush deshi t’i ndalojë ata, ai u bëri shenjë të largoheshin prej tyre, që ti linin të lirë. Kur mbaronte së faluri i vendoste ata të dy në prehrin e tij. Ai sillej mirë me fëmijët, i trajtonte me humanizëm të lartë, kontrollonte gjendjen e tyre, merrte në konsideratë fëmijërinë e tyre dhe dëshirën e tyre për të luajtur.

Një ditë pyeti një  fëmijë për një zog të vogël, me emrin nugejr, me të cilin luante. Enes ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte nga njerëzit me moralin më të mirë. Unë kisha një vëlla të quajtur Ebu Umair. Sa herë që i dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vinte dhe e shikonte atë, ai thoshte: “O Ebu Umair, çfarë po bën nugejri?” Mirësia e tij ndaj atyre që i shërbenin në shtëpinë e tij ishte e dukshme. Enes ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I shërbeva të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për dhjetë vjet, dhe për Allahun, ai kurrë nuk më tha ‘uh’, as nuk më ka thënë ndonjëherë për ndonjë gjë: “Pse e bëre këtë e atë? Pse nuk e bëre këtë e atë?”

O ju muslimanë! Në këtë kohë në të cilën jetojmë, ne kemi nevojë që  t’i udhëzojmë bijtë dhe bijat tona që të ndjekin shembullin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kjo fillon me dije, duke mësuar rreth jetës së tij, rrethanave të tij dhe moralit të tij. Pasohet nga ndjekja e tij me vetëdije e shoqëruar me qëllimin e adhurimit dhe kërkimit të shpërblimit. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ndjekim mendjelehtët, budallenjtë dhe ata që pretendojnë të jenë fetarë dhe t’i marrim si modele, veçanërisht pasi ka nga ata që njihen si ndikues në mediat sociale, të cilët kanë një prani në këto faqe, që përhapin vetëm gjëra të parëndësishme, mosmarrëveshje dhe argumente të pafrytshme që nuk i shërbejnë as fesë dhe as umetit, popullit tonë.

O Zot, udhëzo bijtë dhe bijat tona që të ndjekin shembullin e të dërguarit Tënd dhe na udhëzo ne me ta, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, na jep mundësinë të ndjekim shembullin e të dërguarit Tënd, përmirëso moralin tonë dhe ndero vendqëndrimin tonë të fundit.

O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona,  bëj të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen. O Zot, prano veprat tona, na dhuro sinqeritet në fjalë dhe në vepra, o i Gjalli, o i Përjetshmi, me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë, na ndihmo.

O Zot, shëro zemrat tona të thyera, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që janë, dhe largo prej tyre vuajtjet, o Zot i botëve.

O Zot, mbro xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.

O Zot, na mëshiro kur të jemi të varrosur në dhe, kur familjartë dhe të dashurit tanë na kanë lënë, dhe përballemi me pyetje dhe përgjigje. Na mëshiro kur të arrijmë atë që ata kanë arritur. O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti je i Mundshëm ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/reel/843129704855679

Post Author: endrit