Besimtari në mes të mirënjohjes në kohë qetësie dhe durimit në kohë të vështira

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    30-05-1447 H     21-11-2025 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Besimtari në mes të mirënjohjes në kohë qetësie dhe durimit në kohë të vështira

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

Në vijim

O ju njerëz! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë, dhe binduni Atij hapur dhe në fshehtësi.

“ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

Adhurues të Zotit! Vërtetë ne në këtë jetë sporvohemi sepse kjo botë nuk është vend shpërblimi dhe shpagimi, por se një vend testimi dhe sprovash. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “…Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija’ 35) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, në kuptimin e ajetit, ka thënë: “ Ne ju sprovojmë me vështirësi dhe lehtësi, shëndet dhe sëmundje, pasuri dhe varfëri, gjëra të lejuara dhe të paligjshme, bindje dhe mosbindje, udhëzim dhe devijim.” Abdu Rahaman Ibn Zejdi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Do t’i vëmë në sprovë me atë që duan dhe atë që e urrejnë; do t’i sprovojmë me këtë, për të parë sa mirënjohës janë për atë që duan dhe sa është durimi i tyre në atë që urrejnë.”

Adhurues të Zotit! Sprovat janë caktim hyjnor, çështje të pashmangshme dhe të domosdoshme, përmes të cilave bëhet e qartë se kush është i sinqertë në pretendimin e tij për besim nga ai që është gënjeshtar.  Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën nga ata që gënjejnë.” (El ‘Ankebut 2-3) Sprova është në varësi të forcës ose dobësisë së besimit të njeriut. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është pyetur: “ Cilët njerëz sprovohen më shumë?”  Ai është përgjigjur: “Profetët, pastaj njerëzit e mirë, pastaj të ngjashmit me ta. Njeriu sprovohet sipas nivelit të besimit të tij. Kush e ka besimin e lartë, e ka sprovën më të madhe, kush e ka besimin e dobët, edhe sprovën e ka më të vogël.”

Ibn Kajjimi, Zoti e mëshuroftë, ka thënë: “ Zoti i Plotfuqishëm me Urtësinë e Tij ka caktuar se  Ai duhet t’i sprovojë dhe t’i vërë në provë shpirtrat, në mënyrë që nëpërmjet sprovave të zbulojë të mirën nga e keqja, kush është i denjë për favorin dhe nderin e Tij dhe kush jo, në mënyrë që Ai të pastrojë shpirtrat që janë të denjë për Të dhe t’i rafinojë ata përmes sprovave të forta.”

Adhurues të Zotit! Kjo është ligjshmëria e Zotit që të sprovojë robërit e Tij besimtarë  në kohë të mira dhe të këqija, në vështirësi dhe lehtësi, në kohë gëzimi dhe hidhërimi, në pasuri dhe varfëri, nganjëherë duke u dhënë armiqve pushtet mbi ta, duke i luftuar armiqtë me fjalë dhe vepra, e kështu me radhë. E gjithë kjo tregon qëndrueshmërinë e tyre në besim, dashurinë për të Gjithëmëshirshmin dhe nënshtrimin ndaj caktimit të Zotit të tyre, më të Madhit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit.” (El-Bekare 155) Zoti i Lartësuar e sprovon robin e Tij me vështirësi që të shikojë nëse ai do të jetë i duruar dhe i kënaqur me caktimin e Zotit, apo do të jetë i pakënaqur dhe i paduruar. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve.”(Al ‘Imran 186) Ajo është një lloj sprove e rëndë, por rezultati i durimit në të është i mirë, i lavdëruar, nga fitorja, udhëzimi dhe shpërblimi i mirë. Ngase ligjshmëria e Zotit është e tillë që kur vështirësia arrin kufirin Ai sjell lehtësim të madh pas saj.

LEXO  Reflektime rreth emrit të Zotit "El Halim"

O ju muslimanë! Kur kujtojmë shembuj të larmishëm të sprovave dhe citojmë shenja të formave të ndryshme që ato marrin, është qartësisht e dukshme në atë me të cilën u sprovuan elita e krijimit, profetët e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi ta.  Nëse kjo ishte për shkak të mohimit, mosbesimit të popullit të tyre,  siç ka ndodhur në historitë e Ibrahimit, Lutit dhe Nuhut, paqja e Zotit qoftë mbi ta.  Apo kjo ishte një sprovë në bekime, mirësi,  siç u ka ndodhi Daudit dhe Sulejmanit, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Apo ishte nëpërmjet tundimit dhe epshit, siç u ekspozua në diçka të tillë Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të. Apo ishte nëpërmjet dëmtimit si sëmundja që e goditi trupin e Ejubit, paqja e Zotit qoftë mbi të, apo nëpërmjet llojeve të ndryshme të dëmit siç i ka ndodhur Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të.  Sa i përket profetit tonë Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zoti qoftë mbi të, sa shumë u dëmtua ai për hir të Zotit dhe me sa shumë lloje sprovash dhe fatkeqësish që është përballur.  Duhet të dihet se profetët pavarësisht se janë më të mirët e krijesave dhe më të nderuarit nga Zoti, janë sprovuar më rëndë, për shkak të shumëfishimit të veprave të tyre të mira, ngritjes së gradave të tyre dhe lartësimit të përmendjes së tyre. Ata janë veçuar me përsosmërinë e durimit të tyre dhe me saktësinë e llogaritjes së tyre për shpërblim.

Pas tyre vijnë besimtarët e sinqertë nga radhët e të mirëve dhe të drejtëve, të cilët ndoqën gjurmët e tyre dhe u udhëzuan me shembullin e tyre. Kështu ata përballuan të gjitha dëmet dhe abuzimet që u ndodhën për të qëndruar të palëkundur në fe.

Shembuj të kësaj kategorije përfshijnë: Sprovën e besimtarëve të cilët u dogjën në zjarr nga njerëzit e këqij të hendekut. Prej tyre, tërheqja e banorëve të shpellës nga populli i tyre dhe braktisja që ata i bënë jetës së tyre të rehatshme për të adhuruar Allahun, Zotin e Vetëm, në një shpellë të shkretë. Prej tyre, kërcënimin e bërë nga Faraoni i mallkuar se do të vrasë dhe kryqëzojë magjistarët kur ata besuan në Zot dhe zgjodhën të vërtetën e qartë. Prej tyre, sulmet dhe akuzat e rreme të ngritura kundër Merjemes, bijës së Imranit, dhe akuzat e nënës së besimtarëve, Aishes, në lidhje me nderin dhe reputacionin e saj. Prej tyre, vrasja e Omerit, Othmanit, Aliut dhe Huseinit, dhe torturat e Bilalit dhe Amarit, dy njerëzve e shtypur. Prej tyre, sprovat e Ahmed Ibn Hanbel El Shajbanit, Ebu Abdullah El Buharit dhe Ibn Tejmije El Haranit.

Sa i madh ishte statusi i sahabëve fisnikë! Ata dhanë shembujt më madhështorë në mbështetje të kauzës së Islamit, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe rreziqeve të rënda me të cilat u përballën. Gjë që dëshmon për fortësinë e besimit të tyre dhe tregon për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Ata u rrethuan për tre vjet në luginën e Ebu Talibit, ku vuajtën nga uria dhe vështirësitë, por duruan dhe tek Zoti i tyre u mbështetën. Asnjë nga këto nuk e dobësoi vendosmërinë e tyre dhe nuk i dekurajoi nga parimet e tyre. Duke ndjekur shembullin e profetit të tyre, qëndrueshmëria e të cilit nuk u lëkund  dhe vendosmëria e të cilit nuk u dobësua kurrë, por përkundrazi vazhdoi në thirrjen e tij dhe në përcjelljen e mesazhit të tij.  Zoti u mjaftoi besimtarëve në atë që i shqetësonte ata,  largoi prej tyre dëmin e atyre që komplotuan kundër tyre, dhe armiqt e tyre i përballi me dështim dhe zhgënjim.

Po kështu, qëndrueshmëria e tyre në kohë vështirësish dhe mundimesh në ditën kur grupacionet  u mblodhën kundër tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Kur besimtarët (e vërtetë) panë ushtrinë e aleatëve, thanë: “Kjo është ajo që na kanë paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij; sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua!” Kjo ua forcoi atyre besimin dhe bindjen.”(El-Ahzab 22) Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Do të thotë; Kjo është ajo që na ka premtuar Zoti dhe i dërguari i Tij, sprova, teste dhe prova që do të pasohen nga një fitore e afërt.”

Adhurues të Zotit! Nga format e sprovës së besimit është sprova e besimtarit nga zakonet dhe traditat e njerëzve që bien ndesh me ligjin e lavdishëm të Zotit. Nëse ai i bindet shumicës që ndjekin dëshirat e tyre, ata do ta largojnë nga rruga e Zotit. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në Tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut.” (El-En’am 116)

LEXO  Xhamitë janë vetëm për muslimanët që adhurojnë Allahun

Fudejl Ibn Ajadi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Ndiq rrugën e udhëzimit dhe mos të preokupojë numri i pakët i atyre që e ndjekin atë rrugë.  Ki kujdes nga rrugët e devijimit dhe mos u mashtro nga numri i madh i atyre që  humbin.” Ibn Kajimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Mos e ke të vështirë të dalësh kundër njerëzve dhe të anosh, drejtohesh nga Zoti dhe i dërguari i Tij, dhe nëse je vetëm. Zoti është me ty, ti je nën syrin e Tij vëzhgues, mbrojtjen dhe kujdesin e Tij. Ai vetëm po e vë në sprovë bindjen dhe durimin tënd. Vetëm braktisja e zakoneve dhe traditave të njohura për dikë tjetër përveç Zotit e vështirë. Por kush i braktis ato sinqerisht dhe me zemër për Zotin nuk do ta ketë të vështirë përveçse në fillim, për tu sprovuar nëse është i sinqertë në braktisjen e tyre apo gënjen. Nëse për pak kohë e përballën me durim atë vështirësi, ajo do të shndërrohet në kënaqësi.”

O ju vëllezër në besimin në Zot! Një nga gjërat që zbulon natyrën e vërtetë të besimit të njeriut është mënyra si ai reagon ndaj asaj që sheriati, legjislacioni Islam, e konsideron të papranueshme dhe të ndaluar. Kur e përballën  keqbërjen dhe të keqen me refuzim besimi dhe qetësia e tij rritet. Por kur i përgjigjet asaj dhe e pranojnë atë, tundohet dhe besimi i tij zvogëlohet. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Al ‘Imran 110) Zoti në këtë ajet përmend besimin pas të urdhëruarit për të mirën dhe ndalimit nga e keqja. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush prej jush shikon një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij. E nëse as këtë nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, por ky është imani, besimi, më i dobët.” Besimtari nuk ka justifikim që të mos kundërshtojë, refuzojë, çdo të keqe në zemrën e tij, sepse refuzimi i tij me zemër konsiderohet niveli më i dobët i besimit, e kjo kërkon të tregojë urrejtjen e tij për të keqen. Prandaj, ai të mos ulet me ata që e kryejnë atë, por të largohet prej tyre qortim për ta dhe nga urrejtja për atë që po bëjnë.

Adhurues të Zotit! Besimi mund të sprovohet rëndë dhe në çështjet e besnikërisë. Nëse njeriu i jep përparësi vëllazërisë në fe dhe besim mbi vëllazërinë e prejardhjes dhe farefisit, ku dashuria, urrejtja, dhënia dhe privimi i tij janë për hir të Zotit, atëherë besimi i tij do të shtohet dhe do të bëhet i plotë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Tre gjëra nëse gjenden tek njeriu do t’i sjellin atij ëmbëlsinë e besimit.” Ai përmendi midis tyre: ““Që njeriu të dojë dikë vetëm për hir të Zotit.” Sikurse është transmetua prej tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:  “Kush do për hir të Zotit, urren për hir të Zotit, jep për hir të Zotit dhe ndalon, privon për hir të Zotit, e ka përsosur besimin e tij.”

Zotit i kërkoj falje për veten dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka bërë këtë botë vend sprovash dhe testimi, dhe bëri botën Tjetër, Ahiretin, vend shpërblimi dhe mirësie.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Nuk ka asnjë prej nesh që nuk sprovohet në këtë botë, sepse në hadith është transmetuar se Zoti i Plotfuqishëm i ka thënë profetit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë  mbi të: “Unë të dërgova vetëm për të sprovuar dhe për të sprovuar të tjerët përmes teje.” Që do të thotë; Për të sprovuar në durimin tënd në përcjelljen e mesazhit, në vendosmërinë tënde në thirrje dhe të përballësh dëmin nga populli yt. Dhe për të sprovuar ata tek të cilët je dërguar; disa prej tyre do të ndjekin udhëzimin tënd, do të tregojnë besimin e tyre dhe do të jenë të sinqertë në bindjen e tyre. Prej tyre nga ata që do largohen prej teje, nuk do të besojnë dhe do të veprojnë me hipokrizi.

Zoti sprovoi jobesimtarët Kurejshitë duke u dhënë atyre të mira dhe furnizime të bollshme, ku ata jetuan në siguri, paqe dhe begati. Por kur Ai përsosi mirësinë e Tij mbi ta duke dërguar profetin e mëshirës, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për të plotësuar përmirësimin e gjendjes së tyre dhe për t’i udhëzuar në rrugën e shpëtimit, ata e pritën me mohim, refuzim dhe agresion. Kështu ata u ndëshkuan me vështirësi, uri dhe privim. Zoti solli për ata një shembull me thënien e Tij: “ Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit…” (El-Kalem 17) Pronarët, të zotët e kopshtit u sprovuan me atë që Zoti u kishte dhënë nga begatitë e Tij, ata ishin koprracë dhe refuzuan të përmbushnin të drejtën e Tij, prandaj u ndëshkuan me një murtajë që ua dogji pemët dhe frutat, u privuan nga dobia e tyre dhe shpresat e tyre u shuan.

LEXO  Durim o populli Palestinez të lidhur me këtë tokë

Adhurues të Zotit! Vendosja e konceptit të besimit në caktim dhe vullnetin, si të mirë ashtu edhe të keq, pranimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj vendimeve të Zotit është themel dhe fortesë e fortë dhe shkallë që e ngre pronarin e saj në nivelet më të larta të besimit dhe sigurisë. Nëse njeriu sprovohet në besimin e tij, themeli i tij i besimit mbetet i fortë, nuk dobësohet dhe nuk lëkundet.  Por kur nuk është kështu sa shpejt që përmbyset dhe nuk mbetet në gjendjen e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (El-Haxhxh 11)

Gjithashtu, në çështjet e sprovave, ia vlen të përmendet se njeriu mund të përballet me një sprovë që mund të jetë ndëshkim i menjëhershëm për këmbënguljen në mosbindje, dhe dënohet për mos pendim tek Zoti i botëve, siç e përmendi Zoti në lidhje me shkelësit e ditës së shtunë, sabatit, jehudët. “Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta.” (El-A’raf 163) Për shkak të kësaj vuajtjeje, sprove, ai që bën gjynahe, mund të kthehet në vete dhe të pendohet tek Zoti i tij, kështu që gjurma e gjynahit të tij fshihet dhe hiqet ndryshku i zemrës së tij.

Vërtetë, nga sprovat më të rënda me të cilat mund të testohet besimi kur sprovat dhe fatkeqësitë i bien njeriut duke i shkaktuar atij shqetësim, vuajtje dhe pikëllim. Dëshpërimi i tij mund të rritet kur gjërat dalin në kundërshtim me atë që ai shpresonte dhe dëshironte. Ai shqetësohet dhe zemërohet për caktimin dhe vullnetin e Zotit,  gjë që tregon dobësinë e besimit të tij dhe mungesën e durimit të tij.

Adhurues të Zotit! Është detyra jonë ta falënderojmë Zotin për atë që na ka veçuar dhe na ka dhuruar, si dhe për atë që na ka ndaluar dhe na ka penguar. Duhet t’i lutemi Zotit të na japë shëndet dhe jo të na mundojë, të na përdorë për të mirë dhe të mos na zëvendësojë, që të jemi mirënjohës për mirësitë e Zotit, në mënyrë që të përmbushim të drejtën e Tij në atë që na ka dhënë dhe na ka besuar,  që Ai të na bëjë nga falënderuesit, mirënjohësit në kohë begatie dhe nga të duruarit në kohë fatkeqësie, që Ai të na japë drejtësi dhe qëndrueshmëri dhe të na mbrojë nga e keqja e sprovave dhe devijimeve.

Zoti ju mëshiroftë! Përkujtoni se jeni në ditën e xhuma që është nga ditët tuaja më të mira,  prandaj, shtoni lutjet dhe përshëndetjet mbi profetin tuaj, dhe kujtoni në vazhdimësi fjalët e Sunduesit të Gjithëdijshëm: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, vulën e të dërguarve, vëllezërit e tij nga të dërguarit,  familjen dhe të afërmit e tij, mbështetësit dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët.

O Zot, ndihmo ata që luftojnë në rrugën Tënde, ata që janë të lidhur fort, me vendet e shenjta, dhe  mbrojtësit e kufinjëve. Bëj vendin tonë të paqtë, të siguritë dhe të begatë dhe të gjitha vendet  muslimanëve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, të lutemi për ndihmë, fitore dhe fuqizim për robërit e Tu besimtarë. O Allah, Ti je Zoti i të dobëtve, të shtypurve, Ti je Zoti ynë, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, shpëto të sprovuarit  e tyre, shuaj urinë e tyre, mbroi ata nga frikërat e tyre, hakmerru ndaj atyre që u kanë bërë padrejtësi dhe i kanë shtypur, kthe rrethin e së keqes kundër tyre, trego në armiqtë e Tu mrekullitë e fuqisë Tënde,  madhështinë e forcës Tënde dhe ashpërsinë e hakmarrjen Tënde kundër tyre.

O Zot, bëj të dashur për ne besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.

O Zot, mëshiro të vdekurit tanë, shëro të sëmurët tanë dhe shpëto të sprovuarit tanë.

O Zot, bëj që të vdesim muslimanë, na mundëso të jetojmë si muslimanë dhe na bashko me të mirët, pa u turpëruar dhe pa u sprovuar.

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1414099150716761/1900713237547772

Post Author: endrit