Falënderim për mirësitë e Zotit dhe ruajtja e emanetit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     10-02-1448 H    24-07-2026 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema    Falënderim për mirësitë e Zotit dhe ruajtja e emanetit

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Zoti  ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na dhuroi bekimin e Islamit dhe na dërgoi më të mirën e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Lavdërimet janë për Zotin, i Cilina dhuroi mirsinë e xhamisë së bekuar të Aksasë. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na dhuroi mirësinë e banimit në Shtëpinë e Shenjtë, Kud’s, dhe në tokën e Israsë dhe Miraxhit, udhëtimit të natës dhe të ngjitjes në Qiell. Lavdërimet janë për Zotin me dashuri dhe mirënjohje. O  Zot, për Ty janë falënderimet derisa të jesh i kënaqur,  për Ty janë falënderimet dhe kur të jesh i kënaqur, dhe për Ty janë falënderimet dhe pasi të jesh i kënaqur: “Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të qiejve dhe Zotit të Tokës – Zotit të gjithësisë.”(El-Xhathije 36) “Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë.”(Er-Rum 18)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdërimi, Ai është i fuqishëm për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, modeli i njerëzve të ditur punëtorë dhe shembulli i thirrësve të sinqertë deri në ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, Ahiret, fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Ti ke gradë dhe vlerë fisnike që ripërtërihet vazhdimisht, çdo shkëlqim të përket ty, o Ahmed.

Ty  Zoti të lavdëroi në Kuranin e Tij,  përmes tej Ai udhëzoi botën, e cila ishte duke mohuar Atë. Bekimet e Zotit qofshin mbi ty derisa shqetësimet dhe vuajtjet tona të zhduken.”

 “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti i Plotëfuqishëm në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me begatitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.”(Lukman 20)

Adhurues të Zotit! Muslimani jeton në këtë botë i rrethuar nga bekimet e Zotit të Plotfuqishëm, bekime të dukshme dhe të fshehura. Këto bekime janë të panumërta dhe të përtëritshme vazhdimisht. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (En-Nahl 18)

Muslimanit i kërkohet që t’i kujtojë dhe t’i ketë parasysh këto begati, në mënyrë që të përmbushë të drejtën e tyre. Begatia e parë që çdo musliman duhet ta kujtojë është begatia e Islamit, kjo fe madhështore e cila ka ardhur për mbarë njerëzimit në një sistem hyjnor të plotë, përmes parimeve dhe vlerave me të cilat zbriti Kurani Famëlartë dhe me të cilat ka ardhur suneti profetik i pastër. Parime të cilat u mishëruan në personalitetin e të dashurit të njerëzimit, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Aandaj dërgimi i tij ishte begati mbi çdo begati tjetër.

LEXO  Mësime nga Hixhreti dhe Ashura

Muslimani e ndien këtë begati për sa kohë është i palëkundur në bindjen ndaj urdhrave të Allahut. Shpirti i tij gjen lumturi dhe qetësi përmes kësaj begatie. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)

O ju muslimanë! Ndjenja dhe vetëdija për begatitë e Allahut ndaj robit është nga shenjat e besimit, sepse njeriu e pranon mirësinë e Allahut mbi të kur kujton begatitë e Tij mbi të nga të gjitha format, nga ushqimi, pija, veshja, shëndeti dhe mirëqenia,  madje edhe rrahjet e zemrës, frymëmarrja, hapja dhe mbyllja e syve, furnizimi, stabiliteti dhe siguria shoqërore.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush zgjohet i sigurt në vendin e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqimin e ditës së tij, është sikur i është dhënë e gjithë bota.”

Adhurues të Zotit! Bashkë me ekzistencën e begative të dukshme ka edhe begati të fshehta,  të cilat njeriu mund të mos i kuptojë veçse pas një kohe. Disa prej këtyre begative do të bëhen të qarta Ditën e Gjykimit. Nga këto begati: Begatia e pranimit të veprave nga Allahu i Madhëruar, mbulimi i gjynaheve të robit, njohja e vërtetë e dëshmisë “La ilahe il-la Allah”, Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dashuria e Allahut për robin e Tij dhe lutja e fëmijës së mirë për prindërit e tij pas vdekjes së tyre.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ngre robin në gradë, në Ditën e Gjykimit. Ai thotë: ‘O Zoti im, prej nga më erdhi kjo gradë?’ Allahu thotë: ‘Nga lutja e fëmijës tënd për ty.”

O ju muslimanë! Ajo që kërkohet në këmbim të shumë bekimeve që Zoti i ka dhuruar muslimanit është që ai ta lavdërojë Allahun e Madhërishëm për to, ta falënderojë Atë dhe ta pranojë se çdo mirësi vjen prej Tij. Falënderimi ndaj Allahut fillon së pari në zemër, duke pranuar mirësinë e Zotit ndaj robit dhe se Ai është burimi i çdo të mire. Nuk lejohet që merita t’i atribuohet dikujt tjetër pa ia atribuar atë më parë Allahut të Madhëruar.

Muslimani duhet të ruhet nga vetëpëlqimi, veçanërisht kur posedon pasuri, pozitë ose pushtet, dhe të jetë shembulli i tij shembulli  i Karunit, i cili tha: “Ai tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. Vallë, a nuk e dinte ai, se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni, që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.” (El-Kasas 78)

Adhurues të Zotit! Nga falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar është që muslimani ta shprehë me gjuhën e tij lavdërimin dhe falënderimin ndaj Tij, ta shtojë sa më shumë këtë përmendje dhe që përmendja me gjuhë të shoqërohet me bindjen e zemrës.

Nga lutjet (dhikri) që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka  nxitur janë: “Subhan Allah” , I Lartësuar është Allahu, dhe  “Elhamdu Lilah”, Falënderimi i takon Allahut.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dy fjalë janë të lehta në gjuhë, të rënda në peshore dhe të dashura për të Gjithëmëshirshmin: ‘ Subhan Allahi el Adhim’,  i Lartësuar është Zoti i Madh, Subhan Allahi ve bihamdihi, i Lartësuar është Allahu, Atij i takon falënderimi.”

Po ashtu, nga falënderimi për begatitë është që njeriu të flasë për begatitë e Allahut të Lartësuar, duke pranuar mirësitë e Zotit ndaj robit të Tij. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe shpalli mirësitë e Zotit tënd!” (Ed-Duha 11)

Nuk është prej falënderimit të mirësive që njeriu të mburret me pamjet e kësaj bote kalimtare, si shtëpitë, makinat, ushqimet dhe pijet, e pastaj t’i publikojë ato në rrjetet sociale duke mos marrë parasysh ndjenjat e të varfërve dhe të privuarve.

O ju besimtarë! Nga shfaqjet e falënderimit të mirësive është falënderimi me vepra, nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar: “O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” (Sebe’ 13)

LEXO  Sinqeriteti në adhurime dhe vepra - 11.12.2020

Falënderimi praktik realizohet duke respektuar të drejtat e Allahut mbi mirësitë që Ai u ka dhënë robërve të Tij. Ai që ka pasuri duhet ta përdorë atë në bindje ndaj Allahut, të japë zekatin, të shpenzojë për ata që e ka detyrim t’i mbajë dhe të ndihmojë në rrugën e së mirës. Atë që Allahu e ka begatuar me dije, duhet t’ua përcjellë atë njerëzve. Atij që Zoti i ka dhënë forcë fizike, duhet ta përdorë në adhurim dhe në ndihmë të njerëzve. Ndërsa atij që Zoti i ka dhuruar pozitë ose ndikim, duhet ta përdorë për të mbrojtur të shtypurin  dhe për të larguar padrejtësinë prej tij.

Adhurues të Zotit! Muslimani do të pyetet Ditën e Gjykimit për mirësitë që Allahu i ka dhënë, a i ruajti ato apo i shpërdoroi? “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!” (Et-Tekathur 8)

Nga Abdullah Ibn Mes’udi transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e birit të Ademit Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për pesë gjëra: Për jetën e tij si e kaloi. Për rininë e tij si e shfrytëzoi. Për pasurinë e tij prej nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe se çfarë veproi me dijen që kishte marrë.”

Falënderimi ndaj Allahut, pas ndihmës dhe mëshirës së Tij, është shkak për shpëtimin nga llogaria e rëndë për këto mirësi në Ditën e Gjykimit.

O ju besimtarë! Falënderimi ndaj Allahut për mirësitë, në format e tij të ndryshme, është shkak për ruajtjen, vazhdimësinë dhe shtimin e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” ( Ibrahim 7)

Zoti i Madhëruar nuk ka nevojë për falënderimin tonë. Ne jemi ata që kemi nevojë për të, në mënyrë që mirësitë të mbeten dhe të vazhdojnë. Me falënderim, mirësitë zgjasin. “Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.”( En-Neml 40)

Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e harrojmë falënderimin ndaj Allahut për mirësitë e Tij, për shkak të pakujdesisë ose harresës së mirësive. Ai që zhytet në kënaqësitë dhe luksin e kësaj bote dhe angazhohet në konkurrencë për zbukurimet e saj kalimtare harron Burimin e këtyre mirësive. Për këtë arsye, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, paralajmëroi nga të garuarit pas dynjasë dhe neglizhenca ndaj Ahiretit, Botës Tjetër, duke thënë: “Pasha Allahun! Nuk kam frikë për ju nga varfëria, por kam frikë se mos ju hapet kjo botë, ashtu siç iu hap atyre para jush, e pastaj të garoni për të sikurse garuan ata para jush dhe t’ju humbi  ashtu siç i humbi dhe ata para jush.”

Adhurues të Zotit! Nga çështjet më të rrezikshme, prej të cilave duhet të ruhemi, është mohimi i mirësive të Allahut, qoftë me fjalë apo me vepra që bien ndesh me falënderimin për mirësitë. Prej tyre është ankimi i vazhdueshëm për mungesën e mirësive, ndërkohë që ato ekzistojnë në të vërtetë. Po ashtu, është gabim t’ua atribuosh mirësitë njerëzve, si të thuhet nga dikush: “Furnizimi ynë është në dorën e filanit” ose “në dorën e një institucioni të caktuar”. Gjithashtu, prej mohimit të mirësive është zemërimi dhe pakënaqësia kur humbet një mirësi, pa shikuar, marrë para sysh, mirësitë e tjera që njeriu i gëzon.

Një tjetër shfaqje e mohimit të mirësive është përdorimi i tyre në gjynah ndaj Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar.  Shpenzimi i pasurisë në gjynahe, në festa ku ka përzierje të palejuar mes burrave dhe grave, ose këngë të pahijshme në dasma dhe tubime publike, konsiderohet mosmirënjohje, mohimi i mirësive të Allahut.

Po ashtu, prej mohimit të mirësive është përdorimi i forcës fizike, pozitës, autoritetit ose ndikimit familjar për të sulmuar njerëzit, për t’u marrë atyre të drejtat dhe pasuritë pa të drejtë.

Mohimi bëhet edhe më i rëndë kur në shoqëri përhapet dhuna, cenohet paqja shoqërore, mbizotëron kaosi, njerëzit humbin sigurinë dhe qetësinë.

LEXO  Përkushtohuni në vepra të mira - Aksa 18.12.2020

Këto dukuri janë të mjaftueshme për t’i privuar njerëzit nga mirësitë. Prandaj, ai që u bën padrejtësi njerëzve duhet të ketë frikë nga zemërimi i Allahut, nga humbja e mirësive në këtë botë dhe nga dënimi i rëndë në botën Tjetër, Ahiret. Zoti i Lartësuar thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” ( En-Nahl 112)

Zoti na bëftë dobi me Kuranin Famëlartë, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Tij, të besuarin, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

O adhurues të Zotit! Prej përmbushjes së falënderimit ndaj Allahut për begatitë është që, pas falënderimit të Allahut të Madhëruar, të falënderojmë edhe njerëzit që na kanë bërë mirë, veçanërisht prindërit, dijetarët, mësuesit dhe bamirësit që kanë lënë gjurmë të mira në jetën tonë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbajtur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Lukman 14)

Ndërsa Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk e falënderon Allahun kush nuk i falënderon njerëzit.”

O ju muslimanë! Nga mirësitë e Zotit të Lartësuar ndaj nesh në qytetin e Kudsit është se na ka begatuar me xhaminë e bekuar të Aksasë. Ajo është një begati e madhe, me të cilën gëzohemi në këtë botë, gëzohemi me të duke u falur në të dhe duke bërë sexhde mbi tokën e saj. Prandaj e falënderojmë Allahun për këtë mirësi. Për ta shprehur falënderimin ndaj saj, është e domosdoshme të theksojmë nevojën për ta vizituar atë në çdo kohë. Nuk lejohet që Aksa të braktiset, duhet ta ruajmë shenjtërinë e saj dhe t’i madhërojmë simbolet e fesë në të.

Nga mirësitë e veçanta që na dallon, me të cilën jemi dalluar nga të tjerët, është mirësia e banimit në Bejtul Makdis, Kuds, dhe në tokën e Israsë dhe Miraxhit. Kjo është begati që lidhet me shpërblimin e ribatit, lidhjes dhe qëndrimit të palëkundur në të, shpërblim që nuk ndërpritet. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo të vdekurit i ndërpriten veprat e tij, përveç atij që ka qenë në ribat, në lidhje dhe qëndrim të palëkundur në mbrojtje të fesë dhe vendit, atij vazhdojnë t’i shtohen veprat deri në Ditën e Kiametit dhe ai do të jetë i sigurt nga sprova e varrit.”

Falënderimi për këtë mirësi, për ne që jetojmë në këtë tokë dhe që të meritojmë shpërblimin e ribatit, lidhjes me të, është ta ruajmë atë, të zbatojmë ligjin e Allahut në të dhe të luftojmë shfaqjet e shthurjes, shkatërrimit, tiranisë dhe padrejtësisë ndaj njerëzve.

Kudsi është begati, mirësi dhe amanet. Ai na është përcjellë nga sahabët çlirimtarë dhe përgjegjësinë për të e kanë mbajtur brezat njëri pas tjetrit. Çfarëdo sfidash që mund ta godasin herë pas here, ato nuk do ta ndryshojnë të vërtetën dhe identitetin e tij Islam.

O Zot! Na dhuro mundësinë të falënderojmë siç duhet begatinë Tënde dhe plotëso mbi ne begatinë e ribatit, lidhjes, në tokën e Israsë dhe Miraxhit. O Zot! Na bëj prej atyre që të lavdërojnë dhe të falënderojnë vazhdimisht.

O Zot! Na jep gjuhë që të përmendim Ty dhe zemër mirënjohëse ndaj Teje. O Zot, Ty të takon falënderimi në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

O Zot! Tek Ti kërkojmë mbrojtje  nga mohimi dhe mosmirënjohja ndaj begative të Tua.

O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman. O Zot, shkruaj për ne shpërblimin e atyre që janë të lidhur me të deri në ditën e Kijametit.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit në çdo vend dhe largo fatkeqësitë prej tyre, o Zoti i botëve.

O Zot, shëro plagët tona, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë. O i Gjallë, o i Përhershëm në Mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë.

O Zot, përmirëso të gjitha çështjet tona dhe mos na lër në dorë të veteve tona as sa hap e mbyll sytë.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti e ke të mundur ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1629912189135455/1992531584722466

Post Author: endrit