Mendimi i mirë për tjetrin dhe zemra e pastër

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    07-04-1448 H     18-09-2026 D

Shejh  Bander Ibn  Abdul Aziz Balejla     

Tema   Mendimi i mirë për tjetrin dhe zemra e pastër

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka urdhëruar për pastrimin dhe dëlirjen e mendimeve të brendshme, ka ndaluar robërit e Tij nga të menduarit keq për njerëzit dhe ti dëmtojnë ata. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai që di të fshehtat, i Gjithëditur për të kaluarën, të tashmen dhe të panjohurën.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguar me moralet më të larta dhe cilësitë më të mira. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi pasuesit e tyre me mirësi, për sa kohë që retë vijnë njëra pas tjetrës dhe fjalët vazhdojnë të thuren.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time me devotshmëri ndaj Zotit. Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin, kini mendim të mirë për vëllezërit tuaj muslimanë, kështu jeta juaj do të bëhet më e mirë dhe do të shpëtoni nga të këqijat dhe gjynahet.

Adhurues të Zotit! Vërtetë pasojat e të menduarit keq për tjetrin janë të mëdha, dëmet e tij janë të rënda dhe përfundimet e tij janë të këqija. Ai që mësohet me të, përfundon duke notuar në det gjynahesh dhe duke u endur në errësirat e padrejtësisë dhe sëmundjeve të zemrës. Sepse të menduarit keq për tjetrin e shtyn njeriun drejt përgjimit, përgojimit dhe armiqësisë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ O ju që keni besuar! Largoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Vallë, a dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë, pra, Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (El-Huxhurat 12)

Për shkak të rrezikut të madh të tij, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e paralajmëroi umetin e tij me këmbëngulje të madhe dhe tregoi për të këqijat e mëdha që mund të shkaktojë ai,  përçarja dhe shkatërrimi. Tek dy Sahihët, nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ruajuni nga dyshimet, sepse dyshimi është fjala më e rreme. Mos spiunoni njëri-tjetrin, mos kërkoni të metat e njëri-tjetrit, mos konkurroni me njëri-tjetrin, mos e keni zili njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni adhurues të Zotit vëllezër.”

O muslimanë! Mendimi i keq për njerëzit është një prej mënyrave me të cilat shejtani mashtron njerëzit me besim të dobët, nga ata që i dorëzohen atij. Ai fut në zemrat e tyre shqetësimin, brengën, ankthin dhe trishtimin, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…për t’i dëshpëruar besimtarët..” (El-Muxhadile 10)

Adhurues të Zotit! Në mendimin e mirë ka pastërti në gjokse, qetësi në zemra, gëzim në shpirt, mirëqenie në trup, lumturi dhe shpëtim në takimin me Zotin, të Vetmin, Gjykuesin e Drejtë, dhe që është më e përshtatshme për cilësitë e robërve të Mëshiruesit.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret (mes jush) nuk menduan mirë për njëri-tjetrin…?”(En-Nur 12)

Besimtari duhet të mos e vendosë veten në situata që ngjallin dyshime, duke i dhënë kështu shejtanit mundësi që t’i bëjë vëllezërit e tij të mendojnë keq për të. Nëse ndien se ata kanë krijuar një dyshim të tillë, duhet të nxitojë të shpjegojë dhe të sqarojë çështjen, në mënyrë që të largojë paqartësinë. E ky është udhëzimi i profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më fisniku nga të gjitha krijesat, më i miri i tyre në shoqëri, më i pastërti i tyre në zemër dhe më buti prej tyre në sjellje. Në dy Sahihët transmetohet nga nëna e besimtarëve, Safija Bint Hujej, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ajo tha: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte në i’tikaf e unë shkova ta vizitoja natën. Bisedova me të dhe pastaj u ngrita për t’u larguar. Ai u ngrit me mua për të më përcjellë.” Banesa e saj ishte në shtëpinë e Usame Ibn Zejdit. “Kaluan pranë nesh dy burra nga Ensarët. Kur panë të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ata shpejtuan hapin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: ‘Mos u nxitoni, vërtetë, ajo është Safija Bint Hujej.’ Ata thanë: ‘I lartësuar qoftë Allahu, o i dërguari i Allahut!’ Atëherë ai tha: ‘Shejtani qarkullon tek njeriu ashtu siç qarkullon gjaku dhe unë pata frikë se mos hidhte në zemrat tuaja ndonjë të keqe’”, ose tha: “ndonjë mendim të keq”.

LEXO  Umeti ynë në mes të poshtërimit të përçarjes dhe lavdisë së unitetit

O ju muslimanë! Mendimi i mirë nuk është prej adhurimeve vullnetare e as prej gjërave të tepërta në marrëdhëniet me të tjerët, përkundrazi, ai është prej obligimeve, detyrimeve të rëndësishme. Njeriu duhet të ketë mendim të mirë për familjen e tij, për të afërmit, fqinjët, njerëzit e dashur, për kolegët e punës, shokët, shoqërinë e tij, shtetin dhe për udhëheqjen e tij. Kjo sepse mendimi i mirë është prej shkaqeve më të mëdha të bashkimit, harmonisë, forcës dhe unitetit. Armiqtë e Islamit dhe mbjellësit e trazirave në shoqëri e në vende janë përpjekur gjithmonë të mbjellin dyshime dhe iluzione, të përhapin mendim të keq përmes akuzave të fabrikuara, shpifjeve dhe gënjeshtrave, nëpërmjet mjeteve të ndryshme, veçanërisht në kohët tona, për shkak të përçarjeve dhe konflikteve që rezultojnë në dobësimin e strukturës së shoqërisë, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.” (El-Enfal 46)

Adhurues të Allahut! Frikësojuni Zotit dhe kini mendim të mirë për vëllezërit tuaj besimtarë. Mendimi i mirë është prej veprave më të çmuara të zemrës, prej veprave që rëndojnë më shumë në peshore dhe prej veprave më të dashura tek i Gjithëmëshirshmi. Nga Abdullah Ibn Amri, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E kanë pyetur të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Cilët njerëz janë më të mirë?” Ai tha: “Çdo njeri me zemër të pastër dhe me gjuhë të sinqertë.” Ata thanë: “Atë që ka gjuhë të sinqertë e dimë, por kush është ai që ka zemër të pastër?” Ai tha: “Ai është i devotshmi dhe i pastërti, nuk ka në të gjynah, padrejtësi, urrejtje të fshehtë dhe as zili.” Hadithin e transmeton Ibn Maxheh me zinxhir të saktë transmetimi.

Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Bujari dhe Mëshirëploti, Ai zbriti për ne Kuranin dhe na veçoi me fenë më të përsosur, caktoi, legjitimoi për ne moralin më të mirë dhe na nxiti të anashkalojmë dhe të falim. Lutjet dhe përshëndetjet janë për zotërinë e bijve të Ademit, për profetin tonë, Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, njerëzit e drejtësisë dhe bamirësisë.

Në vijim

O ju muslimanë! Dijeni se me mendimin e mirë që besimtari ka për vëllezërit e tij besimtarë, ai ruan besimin e tij, mbron mendjen e tij, zemra e tij gjen qetësi,   çdo dyshim apo shqetësim që i vjen ia lë Mbretit, Gjykatësit të drejtë, dhe mbështetet tek i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Nëse mendimi i tij i mirë ka qenë i drejtë, feja e tij është sigurt, ndërgjegjja e tij është në paqe, dhe vetja e tij e brendshme është e kënaqur për shkak të sjelljes së tij të mirë.

LEXO  Paqja qoftë mbi popullin e Gazës dhe mbi popullin besnik

E nëse ka gabuar në mendimin e mirë që ka pasur për njerëzit dhe prej tyre shfaqet mashtrimi, mosmirënjohja, intrigat dhe agresioni, le ta dijë se zemrat e robërve janë midis dy gishtave të të Gjithëmëshirshmit, Ai i kthen ato si të dëshirojë. Ata nuk do ta dëmtojnë aspak, përveçse me atë që ka dashur Zoti i Madhëruar dhe që është shkruar më parë në Caktimin e Tij.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “E megjithatë, ai nuk mund t’u shkaktojë kurrfarë të keqeje, përveç nëse Allahu e lejon atë. Pra, besimtarët le të mbështeten tek Allahu!” (El-Muxhadele 10) Le ta dijë gjithashtu se dëmi i tyre do t’u kthehet patjetër atyre vetë, Zoti i Plotëfuqishëm  ka paralajmëruar për këtë dhe ka thënë: “…dhe me dredhi të shëmtuara, të cilat godasin vetëm atë që i bën.” (El-Fatir 43)

Prandaj, o adhurues i Zotit, mos u pendo për mendimin e mirë që ke dhënë dhe për zemërmirësinë që ke treguar, pastërtia e zemrës është cilësi e njerëzve fisnikë, të mëdhenj, ndërsa mendimi i keq është tipar i të këqijve, të cilët mendojnë se janë dinakë, ndërkohë që në të vërtetë janë vetëm të mashtruar.

Mos lejo që tradhtia e tradhtarëve të të zhveshë nga fisnikëria e karakterit tënd të fortë. Pastërtia jote i dhemb atyre më shumë se kundërpërgjigjja ndaj agresionit. Zoti i mjafton robit të Tij dhe sikur të gjithë njerëzit dhe xhinët të bashkoheshin kundër tij.

Dorëzo çështjen tënde të Gjithëfuqishmit, Falësit të madh, Atij që i përket sundimi i qiejve, i tokës dhe i gjithçkaje ndërmjet tyre, të Madhërishmit dhe Fuqiplotit. Ai do të të mjaftojë për gjithçka që të shqetëson dhe të rëndon, në çështjet e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiret.

Dije se mendimi i mirë për të tjerët nuk është naivitet dhe as budallallëk, përkundrazi, është pastërti, bukuri, tolerancë dhe përsosmëri.

O ju muslimanë! Dijeni se synimi i grupit terrorist Huthi ndaj vendeve të shenjta Islame dhe qyteteve të sigurta, veçanërisht Mekes së Shenjtë dhe Medines së Ndritshme, si dhe sulmet e hapura ndaj xhamive, shkollave dhe pronave, nuk janë veçse një mishërim i qartë i një qasjeje kriminale, e cila është zhveshur nga vlerat më themelore të fesë dhe njerëzimit.

Këto veprime kriminale, të cilat synojnë të terrorizojnë muslimanët dhe të cenojnë vendet që janë më të dashura për zemrat e tyre, shkelin me arrogancë shenjtërinë e këtyre vendeve të bekuara dhe cenojnë shenjtërinë e gjakut të muslimanëve, të cilin Zoti e ka bërë më të shenjtë se vetë Qaben e Shenjtë, për të cilën Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…dhe, ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” (El-Haxh 25)

Ai që guxon të sulmojë Shtëpinë e Zotit, Qabe, xhaminë e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, si dhe institucionet arsimore dhe fetare, u ka treguar mbarë botës se nuk ka lidhje me mësimet e Islamit dhe se këto grupe të devijuara i përdorin sloganet fetare si mbulesë për korrupsionin dhe shkatërrimin e tyre në tokë. Nga këto veprime është edhe terrorizimi i njerëzve të sigurt, adhuruesve dhe atyre që falen.

Në Sunenin e Ebu Davudit, me zinxhir transmetimi të saktë ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk i lejohet muslimanit që të frikësojë një musliman tjetër.”

LEXO  Kujdesi për pasurinë publike - Meka 10.12.2021

Këto sulme vetëm se do të ja shtojnë vendit të dy xhamive të shenjta qëndrueshmërinë dhe unitetin ndërmjet udhëheqjes dhe popullit të saj. Mbretëria e Arabisë Saudite, kibla e muslimanëve, do të mbetet e pathyeshme përballë urrejtjes së atyre që urrejnë dhe intrigave të atyre që kurdisin intriga,  e rrethuar nga kujdesi i Zotit të Madhëruar, si dhe nga ndërgjegjësimi dhe uniteti i popullit.

Cenimi i sigurisë së vendeve të shenjta dhe i gjakut të të pafajshmëve është një vijë e kuqe. Qasja e këtyre grupeve do të mbetet dëshmi e devijimit dhe e ideologjisë së tyre të humbur, të cilën e refuzon feja, e kundërshton arsyeja dhe e neveritën natyra e shëndoshë njerëzore.

Zoti e ruajt Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe i dhëntë në vazhdimësi begatinë e sigurisë, besimit dhe stabilitetit! Zoti ua ktheftë kurthin sulmuesve dhe  ruajt vendin tonë dhe vendet e muslimanëve nga të këqijat dhe sprovat, nga të dukshmet dhe të fshehtat prej tyre.

Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për krijesën më të mirë të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahit, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.      

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman Ibn Abdul Aziz. O Zot, jepi atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me mirësi dhe begati të shtuar.                                                                                                                         O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, princit Muhamed Ibn Selman, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, në krenari dhe lavdi të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve. O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në front dhe në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o Zoti i botëve.

O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë të shtypur në çdo vend. O Zot, ji mbështetësi, mbrojtësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, zëvendëso dobësinë e tyre në forcë, frikën e tyre në siguri dhe mjerimin e tyre në mirëqenie e begati. O Zot, ndihmoji ata në Palestinë, o i Fuqishëm, o i Plotfuqishëm.

O Zot, na ruaj nga sprovat, qofshin ato të dukshme apo të fshehta, veçanërisht në vendin tonë dhe në të gjitha vendet e muslimanëve.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe.

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!”(Al ‘Imran 8)

O Zot, pastro zemrat tona nga hipokrizia, veprat tona nga mburrja, gjuhët tona nga gënjeshtra, sytë tanë nga tradhtia, largo të keqen nga zemrat tona, mos lejo që të ketë urrejtje në to për asnjë nga besimtarët, o Zot i botëve.

O Zot, ruaj Mbretërinë e Arabisë Saudite, të nderuar me lavdinë e Islamit, që të zotërojë çdo të mirë dhe e sigurt nga çdo e keqe dhe e urryer.

“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El-Hashr 10)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1681119354014738/1633796695044708

Post Author: endrit