Besimi… rruga drejt suksesit në të dy botët

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    26-05-1448 H     06-11-2026 D

Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh 

Tema    Besimi… rruga drejt suksesit në të dy botët

Lavdërimet janë për Zotin, Mbrojtësin e të devotshmëve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zoti i të gjitha botëve. Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i dërguar mëshirë për të gjithë njerëzimin. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin që të shpëtoni, binduni Atij që të mëshiroheni dhe largohuni nga mosbindja ndaj Tij që të fitoni. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

Të gjithë njerëzit përpiqen të arrijnë suksesin dhe shpëtimin. Ai është arritja e çdo gjëje të dëshiruar, realizimi i çdo synimi, shpëtimi nga çdo gjë e frikshme dhe largimi nga të gjitha llojet e frikës dhe vështirësive.

Islami ka caktuar rrugën përmes së cilës njerëzit arrijnë suksesin dhe shpëtimin në të dy botët. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët.” (El-Mu’minun 1) D.m.th, Ata kanë arritur lumturinë, kanë fituar atë që kanë kërkuar dhe kanë shpëtuar nga e keqja prej së cilës janë larguar. Këtë e kanë arritur për shkak të besimit të tyre në Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar, Njëshmërisë së Tij në adhurim, sinqeritetit ndaj Tij në bindje, zbatimit të urdhrave fetarë dhe largimit nga ndalesat e Tij. “ Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne, dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” (El-Bekare 1–5)

Ky është besimi i cili shfaqen gjurmët e tij  madhështore dhe frytet e tij të begata në shpirtin e njeriut, në jetën e tij, në marrëdhëniet me të tjerët, në sjelljet, veprimet, vështrimet dhe botëkuptimin e tij. Ai është besimi që e bën muslimanin t’ia kushtojë tërë jetën Zotit të Lartësuar dhe rrugës së Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El-En’am 162–163)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është dorëzuar (në Islam), është furnizuar me aq sa i mjafton dhe Zoti e ka bërë të kënaqur me atë që i ka dhënë.” Transmeton Muslimi.

Në këtë mënyrë nga frytet e shpëtimit të tyre është arritja e sigurisë në të gjitha format dhe aspektet e saj. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am 82)

LEXO  Ruajtja e Zotit rruga drejt shpëtimit

Ai është besimi që kërkon nga robërit forcimin e lidhjes me Zotin e Lartësuar, kapjen fort pas ligjit të Tij dhe sunetit të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, si dhe zbatimin e të gjithë Sheriatit të Tij në çdo çështje. “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El-A’raf 157) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” (En-Nur 51)

Ai është besimi që kërkon përkushtim ndaj Teuhidit të Zotit, Njësimit të Tij, ashtu siç e kanë pasur brezat e parë të këtij umeti, nga sahabët dhe pasuesit e tyre. Kjo arrihet duke ia kushtuar adhurimin vetëm Zotit dhe duke u larguar nga çdo formë që bie ndesh me Teuhidin e pastër, të cilin e ka shpjeguar Libri i Zotit dhe e ka bërë të qartë suneti i të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…dhe, vërtet që Pala e Allahut do të jetë fituese.” (El-Muxhadele 22) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e poshtëron atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Esh-Shems 9–10) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!” (El-Haxhxh 77)

Në këtë mënyrë arrihet shpëtimi në kuptimin e tij më të gjerë. Nga frytet e tij është mbrojtja e Zotit të Lartësuar ndaj njerëzve me besim të sinqertë dhe Teuhid të pastër. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” (El-Haxhxh 38) Ai është besimi që e mbron njeriun nga koprracia dhe lakmia e shpirtit të tij, cilësi që kur shfaqet tek një popull, i çon ata drejt humbjes dhe shkatërrimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (El-Hashr 9)

Ata janë njerëz që shqetësimin e tyre kryesor kanë bërë jetën e kësaj bote, dynjanë, dhe përfitimet materiale synimin e tyre, pa iu përmbajtur ligjit të Zotit të Madhëruar dhe udhëzimeve të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Gjendja e tyre është pikërisht siç ka lajmëruar i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Ruajuni padrejtësisë, sepse padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit. Ruajuni koprracisë, sepse koprracia ka shkatërruar ata që ishin para jush. Ajo i shtyu të derdhin e gjakun e njëri-tjetrit dhe t’i konsideronin të lejuara gjërat e ndaluara.”   Hadithin e transmeton Muslimi. Ibn Xheriri dhe Ibn Mundhiri transmetojnë nga Abdurrahman ibn Aufi, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ai e kishte zakon të bënte tavaf rreth Qabes duke përsëritur: “O Zot, më mbro nga koprracia e shpirtit tim!” Ai nuk shtonte asgjë tjetër përveç kësaj lutjeje. Kur e pyetën për këtë, ai u përgjigj: “Nëse mbrohem nga koprracia e shpirtit tim, nuk vjedh, nuk bëj imoralitet dhe nuk kryej asnjë vepër të ndaluar.”

LEXO  Xhamija dhe Muslimani - Shejh Abdul Bari Eth – Thubejti

Ai është besimi që mban muslimanin larg imoraliteteve dhe gjynaheve shkatërruese. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (El-Ma’ide 90)

Nga frytet e këtij shpëtimi është dhe forca e muslimanit dhe qëndrueshmëria e tij e palëkundur përballë sprovave, vështirësive, fatkeqësive dhe ngjarjeve të rënda. “Me të vërtetë, njeriu është krijuar i paqëndrueshëm, kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falen.” (El-Me’arixh 19–22)

Ndërsa ai që është i zhytur në imoralitet dhe gjynahe është i dobët përballë sprovave, i lëkundur, i frikësuar dhe i shqetësuar kur përballet me vështirësi. “Vërtet, gjynahqarët nuk kanë shpëtim.” (Junus 17) Gjithashtu thotë: “…e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” (Ta-Ha 69) “Në të vërtetë, është shejtani ai që ju frikëson me ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!” (Al’ Imran 175)

Ai është besimi që e mban njeriun të lidhur me pendimin e sinqertë tek Zoti i Lartësuar dhe kthimin të vërtetë tek Zoti i Madhërishëm.  “Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar.” (El-Kasas 67) “Çdo bir i Ademit është gabimtar, e gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.” Sikurse ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.  Ai është pendimi që kërkohet natën dhe ditën, në fshehtësi dhe haptazi. “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur 31)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thoshte, ndonëse Zoti ia kishte falur gjynahet e para dhe të fundit: “Pasha Allahun! Unë i kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek Ai më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë.” Hadithin e transmeton Buhariu. Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “O ju njerëz! Pendohuni tek Zoti, sepse unë pendohem tek Ai njëqind herë në ditë.”

O muslimanë! Nga cilësitë e njerëzve të shpëtuar është angazhimi i vazhdueshëm me përmendjen e Zotit të Lartësuar, në çdo kohë dhe në çdo moment. Përmendja e Zotit, në të gjitha format e përcjella në Kuran dhe sunet, është nga shkaqet e forcës dhe qëndrueshmërisë përballë sprovave dhe vështirësive. “O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni!” (El-Enfal 45) “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Ra’d 28) Abdurrezaku transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Mos dëshironi, uroni, të përballeni me armikun, por kërkoni Zotit mirëqenie dhe shpëtim. E nëse përballeni me ta, qëndroni të palëkundur dhe përmendeni Zotin sa më shumë.” Baza e hadithit gjendet në dy koleksionet e sakta të haditheve, Buhari dhe Muslim.

LEXO  Vetëm Zoti është i denjë për adhurim

Adhurues të Zotit! Këshilloni njëri-tjetrin për të vërtetën dhe bashkëpunoni në gjithçka që sjell përmirësimin e fesë dhe të jetës suaj, në mënyrë që të jeni prej njerëzve të shpëtimit dhe fitores, dhe të shpëtoni nga vështirësitë dhe frikët. “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Al’ Imran 104)

O Zot, na bëj prej robërve të Tu të shpëtuar dhe prej të dashurve të Tu të devotshëm. Përmirëso gjendjet tona të gjithëve, o Zot i botëve!

Hutbeja e dytë

Lavdërimi i takon vetëm Zotit. Lutjet dhe përshëndetjet janë për atë pas të cilit nuk ka më profet.

Në vijim

Mbretëria e Arabisë Saudite, vendi i dy xhamive të shenjta, është ngritur mbi lartësimin e fjalës së Teuhidit, Njësimit të Zotit, zbatimin e Sheriatit të Zotit dhe sunetit të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, si dhe mbi përkrahjen e çështjeve të muslimanëve dhe qëndrimin në krah të tyre. Sado që armiqtë e saj të përpiqen të kurdisin intriga dhe komplote kundër saj, ligji i Zotit është i pandryshueshëm në shkatërrimin e planeve të tyre dhe në kthimin e kurtheve të tyre kundër vetë atyre. Të gjithë muslimanët duhet të jenë të bindur për këtë dhe të qëndrojnë të bashkuar si një rresht i vetëm përballë armiqve, me qëllim që të pengojnë planet e tyre. Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar, i Forti dhe Ngadhënjimtari, ka marrë përsipër ruajtjen dhe fitoren e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al’ Imran 200)

Adhurues të Zotit! Nga veprat më madhështore dhe fjalët më të pastra është shtimi i lutjeve dhe përshëndetjeve ndaj profetit të zgjedhur. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë,  të dërguarin  tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre!

O Zot, largo brengat tona, lehtëso vështirësitë tona dhe na ndihmo kundër atyre që na bëjnë padrejtësi!

O Zot, ruaj muslimanët kudo që ndodhen, në çdo vend! O Zot, bashko fjalën e tyre dhe unifiko radhët e tyre vetëm mbi mirësi dhe devotshmëri!

O Zot, ruaj kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e kurorës! O Zot, jepu sukses atyre të dyve  në atë që sjell dobi dhe përmirësim për muslimanët!

O Zot, kush dëshiron të keqen për vendet e muslimanëve, bëje që të merret me veten e tij dhe bëj shkatërrimin e tij të vijë nga vetë planet e tij, o Zot i Madhështisë dhe i Nderimit!

O Zot, ruaj vendin tonë dhe bëje të vazhdueshme sigurinë dhe begatinë e tij! O Zot, ruaje atë nga e keqja e njerëzve të këqij dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën.

O Zot, o  Poseduesi i Madhështisë dhe i Nderimit! O Zot, të lutemi të jesh kundër grupit zullumqar dhe agresor, Huthi! O Zot, mposht ushtritë e tyre, shpërbëj radhët e tyre!  O Zot, na mbro nga e keqja, dëmi dhe agresioni i tyre, o Zot i botëve!

O Zot, ndihmo ushtarët tanë! O Zot, ruaj ata me mbrojtjen Tënde dhe kujdesu për ta me mëshirën dhe përkujdesjen Tënde! O Zot, forco zemrat e tyre dhe jepu fitore në të gjitha hapat e tyre, o Zot i Madhështisë dhe i Nderimit!

O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë! O Zot, ndëshko ata që i kanë sulmuar dhe u kanë bërë padrejtësi! O Zot i botëve, vepro kundër atyre që i kanë shtypur dhe u kanë bërë padrejtësi! O Allah, o Zoti ynë, vepro kundër tyre! O Zot, shkatërroji ata, o Zot i botëve!

O Zot, o Zbritës i shiut zbrit mbi ne shi! O Zot, na jep shi dhe furnizo me shi  të gjitha vendet e muslimanëve me mirësi dhe shi të dobishëm, o Zot i Madhështisë dhe i Nderimit!

O Zot, mëshiro dobësinë tonë dhe shëro plagët e zemrave tona!

Lavdërimet janë për Zotin në fillim dhe në fund, hapur dhe në fshehtësi.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1734325052027501/29504282572509516

Post Author: endrit