Forca e besimtarit – Shejh Ali ibn Abdirrahman el Hudhejfi – Medine – 27.07.2018

Hytbja e Medines 14.Dhul Ka’deh.1439 27.7.2018

“Forca e besimtarit”

Shejh Ali ibn Abdirrahman el Hudhejfi

 

Falënderimet qofshin për Allahun Zotin e botëve, Të Lartësuarin e të Urtin, Mëshiruesit Mëshirëbërësit!

Atë e falënderoj për mirësitë dhe begatitë të cilat i dimë dhe nuk i dimë, Ai e meriton të përmendet dhe të mos harrohet, të falënderohet dhe të mos mohohet, Ai është Bujari që s’ka nevojë për kënd!

Dëshmoj se Allahu është Një, i Vetëm dhe i Pashoq, i Lartësuar dhe i Madhëruar!

Dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij të cilin e veçoi në mesin e mbarë robërve, e veçoi me çdo moral dhe virtyt të mirë.

Zot bekoje e begatoje Muhamedin, familjen e tij si dhe shokët e tij të cilët ftuan për në rrugën e drejtë.

Kijeni frikë Allahun dhe kjo gjë bëhet nëpërmjet veprave që të afrojnë për tek kënaqësia e Tij, duke braktisur veprat që shkaktojnë zemërimin e tij, fitimtarë do jenë të devotshmit, të humbur do jenë kundërshtarët dhe gjynahqarët!

O ju myslimanë! Dijeni se forca e besimtarit është te besimi, më pas vëllazëria në Islam.

Myslimani i mbështetet besimit të tij në vështirësi, por dhe në vepra të mira, kapet fort pas besimit në Zot në çaste dyshimi i tundimi, prej besimit të tij kërkon dritë në kohë errësire e turbullirash.

Për shkak të këtij besimi, Zoti e ruan në shëndetin e tij, në mbarëvajtjen e jetës së tij në kohë të këqija.

Nëpërmjet besimit, Zoti ia mundëson që në këtë jetë të ketë një jetë sa më të gjallë, të begatë e të lumtur, të dobishme dhe ia mundëson arritjen e gradëve më të larta në xhenet.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Me të vërtetë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë. Lutja e tyre do të jetë: ‘Qofsh i lavdëruar o Zot!’ Përshëndetja e tyre do të jetë selami, dhe lutja e tyre e fundit do të jetë: ‘Falënderuar qoftë Allahu Zoti i botëve’.” Junus 8-9.

Selman el Farisi përcjell se Profei a.s ka thënë: “Habi me besimtarin! Çdo gjendje e tija është e mirë, dhe kjo një e veçantë e besimtarit. Nëse i bien ndonjë e mirë, ai falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të, e nëse e godet e keqja ai duron dhe kjo është e mirë për të.” Besimtari është i fortë, i lumtur dhe e gjitha kjo si shkak e besimit të tij, sikurse është i fortë me vëllazërinë Islame, sepse vëllazëria Islame është më e fortë se vëllazëria e gjakut.

Besimi është ajo që i ndan njerëzit, ndaj Profeti a.s thotë: “Myslimani nuk trashëgon jobesimtarin, por dhe besimtari nuk e trashëgon besimtarin.” Muslimi.

Vëllazëria Islame është lidhja më e fortë, ndaj na drejtohet Zoti i Lartësuar: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat, falin namazin, japin zeqatën dhe i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe i urtë”. Teube 71.

Dhe thotë: “Vërtetë besimtarët janë vëllezër”.

Profeti a.s thotë: “Besimtari është vëlla i besimtarit, ai nuk i bën padrejtësi besimtarit dhe as nuk e lë në baltë atë.”

Vëllazëria islame realizohet nëpërmjet të ndihmuarit njëri-tjetrin në besim, dhe bashkimit në fe.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Ai të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët. Duke i bashkuar zemrat e tyre. Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në tokë, nuk do mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ata, Ai është i Plotfuqishëm e i Urtë” Enfal 62.

LEXO  Pastrimi i shpirtit - Shejh Abdullah ibn Abdurrahman el Buajxhan - 05.10.2018

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun, ashtu si i takon Atij dhe mos vdisni vetëm si myslimanë!  Kapuni fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, kur ju ishit në armiqësi dhe Ai i pajtoi zemrat tuaja, në sajë të dhuntisë së Tij dhe u bëtë vëllezër dhe ishit buzë greminës së zjarrit ndërsa Ai ju shpëtoi”. Ali Imran 102.

Vëllazëri islame do të thotë: “Të bashkëpunosh për realizimin e interesave fetare, çrrënjosjen e së ligës, të ruash shoqërinë nga devijimi e shthurja.”

Thotë Allahu: “Bashkëpunoni në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat, dhe jo në gjynahe e armiqësi” Maide 2.

Dhe thotë: “Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat, falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu! Vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe i urtë!”. Teube 71.

Vëllazëri do të thotë: “Të ketë mëshirë e afrimitet, të marrësh përgjegjësi e ndihmosh, si dhe të përpiqesh t’i gjesh zgjidhje të mira shoqërisë dhe të shpikësh për ta çfarë u nevojitet.”

Thotë Profeti a.s: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, në mëshirimin dhe ndjesinë që kanë ndaj njëri-tjetrit, është si shembulli i një trupi të vetëm, kur një pjesë e trupit është me ethe, tërë trupi vuan.”

Ajo çka e bën jetën më të bukur, është mbjellja dhe përhapja e dashurisë mes myslimanëve, thotë Profeti a.s: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni në xhenet pa besuar, dhe nuk do të besoni pa u dashur ndërmjet njëri-tjetrit, a t’ju tregoj për diçka që nëse e bëni do ju shtohet dashuria? Shpërndajeni selamin mes jush!”

Të nderuar besimtarë! Jeta nuk do mund të jetë e drejtë vetëm nëse do kryejmë detyrat që na takojnë karshi vëllazërisë.

Prej detyrave ka që kanë lidhje me Allahun e Lartësuar, si njehsimi dhe adhurimi i Zotit të vetëm, por ka dhe të tjera që kanë të bëjnë me krijesat.

Detyrat ndaj vëllazërisë janë tre grada, më e larta prej tyre është t’i japësh përparësi nevojës së vëllait tënd ndaj nevojës tënde, këtë gradë e arritën muhaxhirët dhe ensarët/medinasit.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Ndërsa ata që banojnë në Medine dhe që kanë pranuar besimin më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medine dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve, sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do jetë fitues” Hashr 9.

E gjitha kjo përsëritet në kohë dhe vende të ndryshme, dhe kështu kompletohet besimi e për këtë kemi shembuj të shumtë në historinë Islame.

Grada e mesme e këtyre detyrave është të duash për tjetrin atë që do edhe për vete.

Enes ibn Malik përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Nuk beson asnjëri prej jush, përderisa nuk dëshiron për vëllain e tij atë që dëshiron dhe për vete.”

Grada më e ulët e detyrave ndaj myslimanit, është të mos i bësh keq, të mos e cenosh gjakun, pasurinë dhe nderin e tij, të mos e cenosh me gjuhën tënde, me dorën tënde, të mos ia hash hakun por t’ia japësh të plotë atë.

Profeti a.s i tha Ebu Dherrit: “Të mos u bësh keq njerëzve kur ke mirësi, edhe kjo konsiderohet sadaka e mundësuar prej Zotit, për ty.”

LEXO  Mbrojtësit e Islamit - Medina 20.11.2020

Gjëja që më së shumti e cenon vëllazërinë Islame, janë risitë devijuesi, kjo sepse bidatçiu e urren atë që nuk pajtohet me rrugën e tij dhe e armiqëson.

Nuk mund t’i bashkojë zemrat e njerëzve vetëm se besimi i pastër Profeti, i shokëve të tij dhe atyre që i pasuan në të mira.

Ata duheshin për hir të Allahut, madje i pari i tyre e donte të fundin e tyre, thotë Allahu i Lartësuar: “Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: Zoti ynë! Falna neve dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh, dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë ndonjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë! Ti je i Butë dhe Mëshirëplotë” Hashr 10.

Ajo që e dëmton vëllazërinë Islame, është dhe dhënia përparësi ndaj dynjasë më shumë se ndaj botës tjetër, konkurimi në të dhe vërejmë se shumica e vëllazërisë është për interes, por dhe urrejtje është si pasojë e prishjes së këtyre interesave.

Ajo që e cenon sërish këtë vëllazëri është dhe padrejtësia, duke mos i dhënë të drejtën e merituar tjetrit apo duke i marr të drejtën e tij, kjo ndodh sepse njeriu e urren atë që i bën padrejtësi dhe hakmerret ndaj tij.

Një ndër faktorët që e shkatërron këtë vëllazëri është dhe smira, e cila të çon në padrejtësi e armiqësi.

Një tjetër faktor shkatërrues i kësaj vëllazërie është vetëpëlqimi duke e parë veten të kompletuar, ndërsa tjetrin e sheh me nënçmim.

Trupat tuaj i bashkojnë ceremoni të ndryshme si: haxhi, umreja, xhumaja, bajramet dhe detyra të tjera dhe mbetet që t’i bashkoni zemrat tuaja në besimin e të parëve tanë të drejtë, në Kuran dhe sunet dhe kujtoni se ju do ktheheni tek Allahu i Lartësuar dhe do lini pas gjithçka që ju privoi nga pasimi i së vërtetës.

Ju të gjithë do të qëndroni para Zotit tuaj, të zhveshur, të zbathur, nuk do të keni me vete vetëm se veprat tuaja.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Kush punon sa një grimcë prej të mirës, atë do e gjejë, e kush punon sa një grimcë prej të keqes për të do ndëshkohet” Zelzele 5-6.

Përmbajuni të mirave dhe largojuni të këqijave, thotë Allahu i lartësuar: “Shpejtoni për tek mëshira e Zotit tuaj, drejt xhenetit gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë në mirëqenie, por dhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” Ali Imran 133.

Zoti ma mundësoftë mua dhe ju që të marrim prej bereqetit të Kuranit Famëlartë, të përfitojmë nga ajo që gjendet në të, t’na e mundësojë të përfitojmë nga rruga profetike, faljen e Zotit e kërkoj për vete, për ju dhe për mbarë myslimanët, kërkojini falje Atij, vërtetë Ai është Falës e Mëshirues!

Allahun e falënderojmë për çdo gjendje në të cilën ndodhemi, e lusim të na mbrojë nga gjendja e atyre që vepruan keq e u ndëshkuan!

Allahun e falënderoj për mirësitë e Tij të shumta, Atë e dëshmoj si një të vetëm, të pashoq dhe të Lartësuar, sikurse dëshmoj se zotëria ynë Profeti Muhamed është rob dhe i dërguar i Tij. Zot bekoje e begatoje atë, familjen e tij, si dhe shokët e rrugës së tij! Kijeni frikë Allahun dhe kujdes zemërimin e ndëshkimin e Tij!

Të nderuar vëllezër! Ju ju ka ardhur argumenti i qartë, ndaj përvishuni punës dhe mos jini shpresues të mëdhenj!

Thotë Allahu i Lartësuar: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj dhe frikësojuni ditës kur prindi nuk do të mund ta ndihmojë fëmijën e tij, por as fëmija nuk do mund ta ndihmojë sadopak prindin e tij. Premtimi i Allahut është i sigurt, prandaj mos e lini jetën e kësaj bote t’ju mashtrojë dhe as djallin mos e lini t’ju mashtrojë për Allahun!” Lukman 33.

LEXO  Premtimet e Zotit - Shejh Ali Hudhejfi - Medinë 14.12.2018

Kujtojeni vdekjen dhe çfarë ndodh pas saj, frikë prej së cilës të shpëton puna e mirë, thotë Profeti a.s: “Kujtojeni shpesh atë që ua prish qetësinë! Vërtetë Allahu e bekon të dërguarin, dhe engjëjt e Tij luten për të! O ju që keni besuar, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam!” Ahzabë 56.

Profeti a.s thotë: “Kush bie në salavate mbi mua njëherë, Allahu bie në salavate mbi të dhjetë herë.”

Ndaj dërgoni salavate mbi zotërinë e njerëzimit, nga i pari e deri tek i fundit! Zot bekoje e begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e bekove dhe e begatove Ibrahimin dhe Familjen e Ibrahimit, Ti je i Lavdëruari, i Madhëruari!

Zot ji i Kënaqur me katër kalifët e drejtë, Ebu bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, me mbarë Sahabët dhe kushdo që e ndjek rrugën e tyre deri në ditën e fundit, bashkë me ta dhe ne, me mëshirën, bujarinë dhe madhështinë tënde!

Zot Lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroje mohimin dhe idhujtarët!

Zot lartësoje fenë Tënde, librin Tënd si dhe rrugën e Profetit Tënd!

Zot mere përsipër çështjen e çdo besimtari dhe besimtareje, myslimani dhe myslimaneje, kaploji ata me mëshirën Tënde!

Zot largoji mbarë sprovat dhe fatkeqësitë që u kanë rënë myslimanëve o Zoti i botëve!

Zot mere përsipër dobësinë e tyre, siguroje të pasigurtin prej tyre, shëroje të sëmurin e tyre!

Zoti ynë! Kërkojmë prej Teje të na ruash nga të këqijat e veteve dhe punëve tona dhe na ruaj prej çdo të ligu, o Zoti i botëve!

Zot na mbro ne dhe pasardhësit tanë prej shejtanit dhe ushtarëve të tij.

Zot, Ty t’i kemi lënë në dorë shejtanët dhe magjistarët, zbrit mbi ta ndëshkimin Tënd, shkatërroji kurthet e tyre dhe ruana nga e keqja e tyre!

Kërkojmë prej Madhërisë tënde të na i falësh gabimet tona! Kërkojmë prej Teje mirësinë, të shpejtën dhe të mëvonshmen atë që e dimë dhe atë që nuk e dimë, kërkojmë të na ruash nga e keqja e shpejtë dhe e mëvonshme, atë që e dimë dhe atë që nuk e dimë!

Zot forcoji zemrat tona në fenë tënde, na ndihmo ne dhe mbarë myslimanët në kuptimin e fesë Tënde!

Zot jepi sukses robit Tënd, shërbyesit të dy xhamijave të Shenjta, udhëzoje për në kënaqësinë tënd, bëj që vepra e tij ta kënaqë madhërinë tënde, ndihmoje në realizimin e çdo vepre të mirë, po ashtu dhe zëvendësin e tij!

Zot bëji ata të dy prej të udhëzuarve-udhëzues, bëji të dobishëm për Islamin dhe myslimanët!

Zot ruaje vendin tonë nga çdo e keqe, Zot largoji risitë devijuese prej të cilave kanë devijuar shumë myslimanë!

Zot largoje prej nesh shtrenjtësinë, kolerën, kamatën, imoralitetin, tërmetin dhe çdo sprovë tjetër!

Zot mbroji ushtarët tanë ashtu sikurse di Ti, kaploji me përkujdesjen Tënd dhe jepu siguri në gjërat që kanë frikë, të vdekurit e tyre pranoji si dëshmorë, ndërsa të plagosurit e tyre shëroji!

Besimtarë të nderuar! Allahu urdhëron për drejtësi e bamirësi, t’i jepni të afërmit, ju ndalon nga e keqja, e shëmtuara dhe e urryera, ju këshillon ju në mënyrë që të përkujtoheni!

Përkujtojeni Allahun e Madhërishëm t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë që ju ka dhënë t’jua shtojë! Përmendja e Allahut është vepra më e lartë dhe Allahu e di at që ju veproni!

Post Author: admin