Këndvështrim mbi jetën e kësaj bote – Meka 19.06.2020

Hytbe e Qabes 27 SHEUAL 1441, 19-06-2020

Shejh Saud Shurejm

Tema: Këndvështrim mbi jetën e kësaj bote.

Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se ska hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa:1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)

Ligjërimi më i bukur është Fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat më të këqija janë risitë në fe, çdo risi është bidat e çdo bidat është humbje.

Përmbajuni bashkësisë së muslimanëve sepse dora e Allahut është me bashkësinë, e ai i cili ndahet prej tyre shkon drejt zjarrit.

Rob të Allahut, njeriu në jetën e tij vërtitet herë nga e mira e herë nga e keqja, bollëk e fukarallëk, çelje dhe mbyllje, vështirësi e lehtësim, gjerësi e ngushti. Kështu është kjo jetë. Ditë që rrutullohen të cilat ndryshojnë e nuk mbeten të njëjta. Dikush mund të gëzohet për një rast por në shumë raste të tjera mund të ndihet keq. Era e mbarë nuk fryn gjithmonë. Njeriu po të hedhë vështrimin tek e djeshmja do të kuptojë se ka kaluar e nuk mund ta rikthejë më. Nuk e ndjen kënaqësinë e kaluar në të. Harron dhimbjen dhe hidhërimin e kaluar. E po të hedhë vështrimin tek e nesërmja e tij do ta shohë të panjohur. Ai nuk ka siguri për të sepse nuk e di se çfarë ka vendosur Allahu në të. Kështu që ai nuk sheh para tij vetëm ditën në të cilën ai merr frymë, ku që dëgjon e sheh. Kështu që në mënyrë të përmbledhur ai ka të djeshmen moshë, të sotmen vepër dhe të ardhmen shpresë. Njeriu në këtë gjendje ka shumë nevojë të sjellë ndërmend porosinë e Profetit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) drejtuar Ibn Umerit kur i tha: Jeto në këtë botë si i huaj ose si kalimtar. Gjithashtu sjell ndërmend porosinë e Ibn Umerit pasi që ai e kish zbatuar porosine e Profetit (salallahu alejhi ue selem) që si njeri me dije e me praktikë ka thënë: Kur të ngrysesh mos e prit mëngjesin e kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzo shëndetin për sëmundjen dhe jetën tënde për vdekjen. Transmeton Buhariu.

Kjo është dynjaja o rob të Allahut, vendbanim kalimtar e jo vendbanim i përhershëm. Njerëzit në të janë dy llojësh; ai i cili e shet veten e tij dhe e shkatërron dhe ai i cili e blenë vetveten dhe e shpëton:“atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (Inshikak; 6).

Dynjaja është një vendbanim që fillim e ka me vuajtje dhe fundin me shpërbërje. E lejuara në të ka llogari dhe e ndaluara ndërshkim. I pasuri sprovohet e i varfëri mërzitet. Të zotët e mendjes kur e vënë në provë këtë jetë u zbulohet realiteti i saj pas mashtrimit dhe se endja pas saj është lodhje e kotë. E sa të mashtruar ka prej kërkuesve të saj. Ajo ka paraqitur armiq me rrobe të miqve.

Ky është realiteti i kësaj jete o rob të Allahut; koklavitje, ndryshime, fatkeqësi dhe largim. Në të nuk ka vazhdimësi e përjetësi. Allahu nuk i ka dhënë përjetësi asnjë njeriu në të. Një jetë me këto gjendje nuk e meriton që robi të angazhohet me të duke lënë pas dore atë që është më e vazhdueshme dhe e përjetëshme. Ai nuk duhet ti lëshojë frerët e dy syve për të mos i zgjatur tek ata që u është dhënë pasuri e që posedojnë një farë shkëlqimi të kësaj jete si sprovë për ta.

Kjo botë nuk meriton që njeriu për të të miqësojë apo të armiqësojë dikënd, të hyjë në hasmëri e as të pajtohesh, apo të pikëllohet deri në shkatërrim të vetvetes sepse ajo pasha Allahun, pasha Allahun, pasha Allahun sado të ketë arritur dikush prej saj ajo është e mangët, sado e gjerë të jetë ajo të bëhet e ngushtë, këdo që e gëzon më pas e hidhëron, këdo që e bën të qeshë më vonë e bën të qajë. Kjo jetë sado që të jetë madhështore ajo mbetet e vogël, sado të sgjasë ajo mbetet e shkurtër. Ajo nuk mund të jetë ndryshe veçse ashtu si ka thënë për të Allahu i madhërishëm:

“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë.” (El Hadid; 20).

O rob të Allahu çfarë duhet të mendosh për diçka që fundin e ka zverdhje dhe tharje edhe pse më parë ka qenë e bukur apo për mburrje e për rivalitete në shtimin prej saj. Ajo është ashtu siç e ka përshkruar Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) i cili thotë: “Kjo botë po të kishte vlerë tek Allahu qoftë sa një flatër e mushkonjës nuk do të lejonte një jobesimtarë të pinte ujë prej saj as edhe një herë të vetme.” Transmeton Tirmidhiu.

O rob të Allahut dynjaja është kullotë dhe livadh i jetës. Allahu e ka bërë atë të nënshtruar për njerëzit që ata të ecin nëpër anë të ndryshme të saj, të hanë prej furnizimit të Tij e të mos e teprojnë në të, të mos e bëjnë atë preokupimin kryesor, njohurinë e vetme duke garuar për të apo duke luftuar me njëri-tjetrin mbi të. Të mos njollosen në të me atë që kishte frikë Profeti i mëshirës e i udhëzimit. Pasi erdhi në Medineh Ebu Ubejde me pasurinë e Xhizjes (taksën e ithtarëve të librit) Ensarët e morën vesh kur po falnin namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem). Ai po largohej dhe ata i dolën përpara. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) buzëqeshi kur i pa dhe tha: Mendoj se keni dëgjuar për ardhjen e Ebu Ubejdes dhe që ai ka sjellë diçka. Ata thanë: Po o i Dërguar i Allahut. Ai tha: Përgëzohuni, dhe dijeni se do të merrni atë që ju gëzon. Pasha Allahun, unë nuk kam frikë për ju fukarallëkun mirëpo kam frikë për ju nëse ju parashtrohet kjo botë sikurse i është parashtruar atyre që ishin ara jush e të garoni për të ashtu siç garuan edhe ata e pastaj t`ju angazhojë ashtu siç i angazhoi edhe ata. Buhariu dhe Muslimi.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) këtu ka për qëllim garimin e padobishëm i cili të largon e nuk të afron, të angazhon e nuk të ndihmon, të ashpërson e nuk të zbut.

“Prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.” (Fatir; 5).

Këto fjalë i ka thënë Ai i cili e ka krijuar këtë botë e Ai e njeh atë më mirë se ne. Prandaj keni kujdes prej asaj që të angazhon në këtë botë. Angazhimet në të janë të shumta. Njeriu sapo hap një derë angazhimi në të mundet që ajo më pas ti hapë atij dhjetë dyer të tjera e pastaj njeriu del prej saj duarbosh.

Të parët tanë të mirë pas perceptimit të realitetit të kësaj bote kanë vënë re se ajo është, ushqim, pije, veshje, mjet për të hipur dhe nuhatje. Ushqimi më i mirë është mjalti i cili është prodhim i një mize të vogël blete. Pija më e mirë është uji e në të janë të njëjtë i miri me të keqin. Veshja më e mirë është mëndafshi e cila është endje e një krimbi të vockël. Mjeti më i mirë është kali e mbi të vriten burrat më të mëdhenj. Parfumi më i mirë që mund të nuhatësh është misku i cili është gjak i marrë nga kërthiza e sorkadhes.

Ebu Derda r.a ka thënë: Pavlershmëria e kësaj bote duket në faktin se Allahu nuk mund të kundërshtohet tjetër veçse në të dhe nuk fitohet ajo që gjendet tek Ai vetëm duke e lënë mënjanë atë.

Kjo botë dhe bota tjetër o rob të Allahut janë si dy gratë shemra për aq sa do të kënaqësh njërën do të zemërosh tjetrën. Dynjaja sa herë që përmendet përpara ahiretit përmendet e përçmuar. Kushdo që i jep përparësi asaj para ahiretit përfundimin e ka të keq.

Allahu thotë: “Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër.” (Enfal; 67).

Jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim, kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut. Pra, a nuk po mendoni? (El Enam; 32).

“A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël.” (Teubeh; 38).

“Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!” (El Kasas; 60).

Allahu na bekoftë me Kuranin madhështor e paçim dobi prej ajeteve dhe urtësive të përmendura në të. Këto që thashë nëse janë të sakta kjo është prej Allahut e nëse ka gabime ato janë prej meje e prej shejtanit.

I kërkoj falje Allahut për vete e për ju e për të gjithë muslimanët e muslimanet prej çdo gjynahu e gabimi, kërkojini falje e pendohuni tek Ai, Zoti im është Falës e Mëshirues.

Hutbeja e dytë

LEXO  Pasimi i të mirës me të mirë - Meka 07.06.2019

Falenderimi i takon Allahut për mirësitë e Tij, mirënjohja i takon Atij për suksesin dhe bamirësinë e Tij. Nderimi dhe shpëtimi qoftë mbi të Zgjedhurin i cili i thirri njerëzit të fitonin kënaqësinë e Tij.

O robër të Allahut kijeni frikë Allahun dhe dijeni se islami është fe e mesatares; mes egzagjerimit dhe mosinteresimit, mes ekstremizmit dhe mangësisë. Po kështu është këndvështrimi i islamit mbi këtë jetë. Islami nuk flet keq për të e nuk thërret për braktisjen e saj vetëm në rast kur ajo largon prej Allahut dhe botës tjetër sepse një gjë e tillë konsiderohet dalje prej rrethit të mesatares. Shpërfillja e saj totalisht bëhet venqëndrim shumë i ngushtë në e zhytja në të totalisht vetmashtrim me të ndaj rreziqeve të saj. Garimi për të është i rrethuar me rreziqe të cilat nuk i heton shumica që garojnë në të.

Islami e ka kritikuar garimin në të sepse ajo sjell mendjemadhësi, refuzim të së vërtetës dhe nënçmim ndaj njerëzve. Ky është garim që të angazhon e nuk të ndihmon, të bën të harrosh e jo të kujtohesh, të lë pas e nuk të çon përpara.

Ky garim e ka angazhuar njeriun e pastaj ai ka lënë shumë detyrime pa kryer e ka lënë pasdore veprat e mira që i shërbejnë në botën tjetër. Sa njerëz i ka ndarë, sa armiqësi ka sjellë e sa prej sjelljeve të mira ndaj tjetrit i ka zhdukur dhe ka prishur harmoninë. Sa dëm ka sjellë ndaj shëndetit, autoritetit, drejtësisë dhe afrimitetit. Besimtari i fortë në të është më i mirë se besimtari i dobët. Ai i cili e shfrytëzon këtë botë për të kënaqur Krijuesin e tij arrin të fitojë dy të mira njëherësh. Kritika ndaj garimit në të nuk do të thotë që personi të privojë veten e tij nga të mirat që Allahu i ka dhënë prej saj. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) një ditë Amër ibn El As i tha: O Amër, unë dëshiroj të dërgoj në krye të një ushtrie e Allahu do të mundësojë plaçkë lufte e do të të jap ty prej saj një pjesë të mirë të mallit. Amri tha: Unë nuk jam bërë musliman nga dëshira për pasuri por unë jam bërë musliman nga dëshira për islamin e të jem me të dërguarin e Allahut. Ai tha: O Amër sa e dobishme është pasuria e mirë për njeriun e mirë. Transmeton Ahmedi.

Allahu u kujdestë për ju, sa e sa prej sahabëve kanë qenë të pasur dhe pronarë të mëdhenj. Prona dhe pasuria që shfrytëzohen në bindje ndaj Allahut nuk janë bërë pengesë për disa sahabij të jenë prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet. Ebu Bekri r.a është një prej tyre e ai ka qenë i pasur. Mustafaja (salallahu alejhi ue selem) për të ka thënë: Asnjë pasuri nuk më ka bërë dobi aq shumë si pasuria e Ebu Bekrit. Transmeton Ahmedi.

Uthman ibn Afani r.a është një prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet e ai ka qenë i pasur.

Sad ibn Ebi Uakas r.a gjithashtu është një prej tyre e ka qenë i pasur.

Zubejr ibnul Auam r.a është njëri prej tyre e ai ka qenë i pasur.

Abdurrahman ibnul Auf r.a është njëri prej tyre e ai ka qenë i pasur.

Talha ibn Ubejdilah r.a është njëri prej tyre e ai ka qenë i pasur. Pasuria e tij në atë kohë arrinte treqind miljonë dirhem (monedha argjendi).

Mirëpo që të gjithë ata këtë botë e kishin në duart e tyre e botën tjetër e kishin në zemrat e tyre. Ata kërkonin të fitonin botën tjetër me atë që i kishte dhënë Allahu duke mos e harruar pjesën që u takonte prej kësaj botë. Ata ishin bamirës ashtu sikurse Allahu u kishte dhënë të mira.

Kjo botë është vendbanim i vërtetë për atë që tregohet i sinqertë në të, vendbanim i shpëtimit për atë që e kupton atë, vendbanim i pasurisë për atë grumbullon prej saj. Ajo është vendi ku ka zbritur shpallja e Allahut, vendfalje për melaiket e Allahut, xhami për pejgamberët e Tij, vend tregëtie për miqtë e Tij të cilët fitojnë në të mëshirën dhe xhenetin. Lukmani, birit të të tij i tha: O djali im shite dynjanë tënde për ahiretin tënd që ti fitosh që të dyja e mos e shit ahiretin për dynjanë sepse do ti humbësh që të dyja.

Hudhejfe ibnul Jemani ka thënë: Më të mirët ndër ju nuk janë ata që kanë lënë dynjanë për ahiretin e as ata që kanë lënë ahiretin për dynjanë mirëpo më të mirët ndër ju janë ata që marrin prej kësaj e prej asaj.

Urime për atë që e njeh Allahun dhe i bindet, që e njeh shejtanin dhe e kundërshton, që e njeh të vërtetën dhe e ndjek, që e njeh të kotën dhe ruhet prej saj, që e njeh dynjanë dhe nuk harrohet me të dhe që e njeh ahiretin e nuk e lë pa e fituar.

“Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (El Kasas; 83).

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit. Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56).

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin, fytyrëndrituri plot hijeshi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i mëshirshm i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë.

O Allah largoi brengat prej muslimanëve të përvuajtur, mundësoi borxhlinjve të shlyejnë borxhet e tyre, shëroi të sëmurët tanë e të sëmurët e muslimanëve, Me mëshirën tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allahu rregulloje gjendjen e muslimanëve në çdo vend! O Allah ndihmoji muslimanët që mundohen për shkak të fesë së tyre ne çdo vend!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm.

O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm o i Lartmadhërishëm o Fisnik!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme prej vendit tonë në veçanti e prej të gjithë vendeve të muslimanëve o i Larmadhërishëm e Bujar!

O rob të Allahut, përmendeni Allahun e madhërishëm që t`iu përmendë Ai, falenderojeni për mirësitë që t`ua shtojë, Pëmendja e Allahut është më e madhja dhe Allahu e di çka veproni.

 

Post Author: endrit