Hutbeja e Medines – Këshilla pas Haxhit – Abdullah el Buajxhan – 24.08.2018

Hutbeja e Medines 13.Dhul Ka’deh.1439 24.8.2018

Këshilla pas Haxhit

Abdullah el Buajxhan

 

Falënderimet i takojnë Allahut, me vullnetin e të Cilit përsosen begatitë! Atë e falënderoj, ndihmën e Tij kërkoj në gjithçka ka kaluar, por dhe për atë që na pret në të ardhmen!

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, Ai që ua mundësoi haxhilerëve kryerjen e riteve të Haxhit, pasi qëndruan në kodrën e Arafatit.

Dëshmoj se Muamedi është rob dhe i dërguar i Tij! E dërgoi Zoti me fenë dhe argumentet e Tij të qarta, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të dhe familjen e tij, si dhe mbi sahabët e këdo që e ndjek rrugën e tij deri në ditën e fundit!

Ju porosis t’i frikësoheni Zotit e të shprehni devotshmëri! Devotshmëria është stolia më e së bukur, është përgatitja më e mirë si dhe rruga që të çon drejt kënaqësisë  Zotit.

“O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejtë, do t’ju lirojë nga gjynahet dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe”, Enfalë 29.

Të nderuar haxhilerë! Urime për këdo që iu përgjigj thirrjes dhe erdhi në këto anë, urime për ju o haxhilerë që ua mundësoi Zoti për ta kryer këtë detyrë, që shumë nuk ia kanë arritur.

Urimet më të mira për ju që ja dolët ta kryeni shtyllën e pestë të Islamit, duke u lartësuar kështu në gradë të larta e duke ju falur gjynahet, duke u mbuluar të metat tuaja me shpresën e Allahut të Gjithëdijshmit.

Urime për ju që shpenzuat pasurinë, harxhuat kohën, treguat vullnet e sakrifikuat, duke lënë pas familjen e dashamirët tuaj.

Urime për ju që ua mundësoi Zoti vizitën e këtyre trevave të bekuara, në ditët më të përzgjedhura, të zhveshur prej rrobave dhe stolive tuaja, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, duke shprehur nënshtrimin ndaj Zotit, duke shprehur përkushtimin ndaj Tij.

Dita kur Allahu liron më shumë njerëz prej Xhehenemit, është dita e Arafatit, dita kur Zoti u afrohet krijesave të Tij, u krenohet melaikeve të Tij e u thotë: “Këta janë robërit e Mi, kanë ardhur nga treva të largëta më paraqitje të lodhshme, duke iu përgjigjur thirrjes Time, nëse gjynahet e tyre do jenë sa kokrrizat e rërës, apo dhe sa shkuma e detit do t’i fal, ndaj le të kthehen të përgëzuar me faljen Time”, Ibn Hibani.

Urime për ju që ju është ofruar mundësia për të qëndruar mbi kodrën e Arafatit në ditën më të mirë, për të kërkuar falje dhe për t’ia arrirë asaj.

Të nderuar besimtarë! Në këto ditë, haxhijtë do i japin lamtumirën shtëpisë së shenjtë, dhe sikur u thonë: “Do kthehemi të penduar, të gëzuar, ndaj Zotit tonë falënderues.”

Kthehen të përmalluar dhe të gëzuar në viset e tyre, pasi që ia arritën kryerjes së kësaj detyre madhështore: “Thuaj: Me dhuntinë dhe mëshirën e Allahut, vetëm me këto le të gëzohen. Kjo është më e mirë nga ajo që grumbullojnë”, Junus 58.

LEXO  Rreziku që kanoset nga gjynahet - Shejh Abdullah el'Buajxhan - Medinë - 03.08.2018

Me shpresën se do të kthehen në viset e tyre si ditën që kanë lindur, kthehen me një plaçkë që e meriton falënderimin, të falur e të mëshiruar, e gjitha kjo me mirësinë e Allahut.

Të nderuar haxhilerë! Çdo fillim e ka një fund, çdo tubim e ka dhe shpërndarjen prej tij. Ne jemi dëshmitarë të asaj që pamë, pamë karvanë haxhilerësh që vinin nga treva të largëta për në vendet e shenjta, gjuhët e tyre janë të ndryshme, po ashtu kombësitë dhe ngjyrat e tyre, por ja që Islami i bashkon, të veshur me të njëjtën uniformë, me të njëjtin himn, në kërkim të mëshirës së Zotit.

“Allahu i bashkoi zemrat e tyre, nëse do shpenzoje gjithçka ndodhej në tokë, nuk do mundje t’i bashkoje, por Allahu ia bashkoi zemrat”.

Pas kryerjes së këtij riti, shikon se si turma haxhilerësh rendin për t’i dhënë lamtumirën Qabesë, një pamje emocionale dhe tepër rrëqethëse.

Kjo ndarje pas qëndrimit disa ditor në të, të kujton dhe largimin prej kësaj bote, breza që zëvendësohen nga breza të tjerë, breza që lindin dhe urohen, të tjerë që vdesin dhe për ta ngushëllohet: “Kushdo që gjendet mbi tokë do të shuhet, do mbetet Fytyra e Zotit tënd, të Plotfuqishmit dhe të Lartësuarit”, Rahman.

Të nderuar haxhilerë! Vërtetë që sezoni i Haxhit është këshillë për atë që merr këshillë, adhurimi gjatë tij lë një gjurmë në zemër.

Ashtu sikurse namazi të ndalon nga e keqja dhe e urryera, ashtu dhe Haxhi është sezon përgatitjeje dhe zhvillimi të devotshmërisë.

“E ju pajisuni për rrugë, se përgatitja më e mirë është devotshmëria”.

Nëse adhurimi nuk të privon nga e keqja dhe as nuk të afron për tek Zoti, duhet ditur që diçka është lënë mangët, apo vepruar në kundërshtim me fenë.

“Vërtetë Allahu e pranon veprën prej të devotshmëve”, Maide 27.

O ti haxhi! Obligimin që se ke kryer, duhet ta kryesh, atë që e ke armiqësuar duhet ta pajtosh, të drejtën që e ke uzurpuar duhet ta kthesh, kryeji obligimet e Zotit me përpikëri dhe përmbaju fort, kapu fort pas synetit të Profetit a.s. ripërtëritje premtimin me Allahun me sinqeritet e besnikëri.

O ti haxhi! Dije se Zoti është Dëshmitarë i çdo gjëje, “Për çdo gjë që ai flet ka mbikëqyrës të gatshëm për ta shënuar”, Kaf 17.

Ju keni brohoritur për ditë me radhë duke bërë që lugina e Mekës të jehojë nga zëri juaj, keni ngritur lart fjalën e Teuhidit: “Të përgjigjem Ty, o Allah, të përgjigjem! Të përgjigjem e Ti nuk ke shok (ortak)! Vërtet të gjitha falënderimet dhe lëvdatat janë për Ty! Mirësitë dhe sundimi janë të Tuat! Ti je i pashoq!”

Qëndroni larg e më larg idhujtarisë, pasi që Zoti nuk e pranon veprën që ka qoftë sa një grimcë shirku.

Thotë Zoti në një hadith Kudsi: “Unë s’kam nevojë për ortak, kush vepron një vepër duke më bërë mua shok, e lë atë dhe veprën e tij”, Muslimi.

LEXO  Larg Kaosit - Shejh Abdullah El Buajxhan - Medine - 22-3-2019

Adhurojeni Zotin duke mos i bërë shok, përmbajuni ligjit të tij, kujdesuni për unitetin tuaj.

Dijeni se Zoti juaj është një, Profeti juaj është një, feja juaj është një, nuk ka vlerë arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit, as i bardhi ndaj të ziut dhe anasjelltas vetëm se me devotshmëri.

Allahu e ka bërë të shenjtë gjakun tuaj, pasurinë tuaj dhe nderin tuaj, si shenjtëria e ditës së bajramit të këtij muaji, ndaj mos ju ktheni mohimit pas meje duke vrarë njëri/tjetrin.

O ju haxhilerë! Ky është ligji i Zotit, porosia e Profetit të Tij, dhe padyshim që kjo është më e mirë në rrugën për tek Zoti.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me çka gjendet në Kuranin Famëlartë, na e mundësoftë të përfitojmë nga mësimet e tij.

Kjo ishte ajo çfarë kisha për të thënë, faljen e Zotit e kërkoj për vete dhe për ju, si dhe për mbarë besimtarët e besimtaret, ndaj kërkojini falje Atij, se vërtetë Allahu është Mëshirues dhe Falës.

Falënderimet qofshin për Allahun që e përsosi për ne fenë tonë duke na e qartësuar me argumente të qarta, Ai që e mundësoi kryerjen e Haxhit, bekimet e Zotit qofshin mbi Profetët dhe të dërguarit e Tij.

Të nderuar haxhilerë! Argument i pranimit të një adhurimi, është vazhdimësia dhe qëndrueshmëria në punë të mira, si dhe kërkimi llogari i vetes për tejkalimet, apo për anashkalimet.

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje, Allahu bën ç’të dojë”, Ibrahim 27.

Qëndrueshmëria dhe vazhdimësia tregon për sinqeritetin e zotëruar në fe.

Sufjan ibn Abdilah Eth’thekafij r.a e pyeti Profetin a.s dhe i tha:

-O i dërguar i Allahut! Tregomë mua diçka në këtë fe, që të mos kem nevojë të pyes kënd veç teje?

Ai tha: -Thuaj, besova Allahun dhe përmbaju një rrugë të tillë, Muslimi.

Qëndrueshmëria është siguri nga çdo frikë, stres dhe tundim, ajo është një përgëzim i madh.

“Me të vërtetë atyre që thonë: Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do tu zbresin engjëjt e do t’u thonë: Mos u frikësoni e as mos u pikëlloni! Gëzojuni xhenetit që ju është premtuar!” Fusilet 30.

Qëndrueshmëria është shenjë e kompletimit, asaj nuk mund t’i përmbahet vetëm se i vendosuri, ndaj thotë Allahu i Lartësuar: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë/zënësin tuaj, vërtetë Allahu e di se çfarë bëni ju. Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije fije atë që e ka tjerrë fort”, Nahl 91.

Të nderuar haxhilerë! Detyrë për çdo mysliman është dhe falënderimi Zotin për sigurinë që i ka dhënë këtij vendi të bekuar dhe mundësitë që i ka dhuruar për pritjen e një numri kaq të madh haxhinjsh, duke u bërë të mundur shërbime nga më të mirat e mundshme.

LEXO  Mirësitë e kësaj bote - Shejh Dr. Abdullah el Buajxhan

E gjitha kjo nën kujdesin e shërbëtorit të dy xhamive të shenjta dhe zëvendësit të tij, Zoti i ruajttë, ndaj falënderojmë çdo zyrtar që punon dhe përpiqet për Islamin dhe myslimanët, sikurse e lusim zotin që t’ia shkruajë në librin e veprave tyre të mira.

Të nderuar haxhilerë! Përmbajuni rregullave që janë vendosur për lehtësimin e marrëdhënieve me dokumentacionin, sistemojnë jetën e shoqërisë, ndihmoni vetet tuaja duke qëndruar larg thyerjes së rregullave.

Zoti ua pranoftë Haxhin dhe sakrificën tuaj, ua faltë gjynahet dhe shkeljet, iu ktheftë në vendet tuaja shëndoshë e mirë, me shpërblime të shumta.

Sikurse lusim Allahun që t’ua ruajë besimin, besnikërinë, si dhe veprat tuaja përmbyllëse, si dhe ua plotësoftë dëshirat, vërtetë Ai është Dëgjues i lutjeve.

Dërgoni salavatë mbi më të mirën krijesë dhe njeriun më të kulluar, Muhamedin të birin e Abdullahut, të zotin e ndërmjetësimit dhe pellgut, një vepër e tillë ka ardhur urdhër prej Zotit i Cili e ka nisur me veten, më pas me Melaiket e tij dhe më pas na drejtohet neve ku thotë: “O ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selame të shumta!”

Zot bekoje, begatoje e shtoja mirësitë Muhamedit, të zotit të fytyrës së ndritur dhe punës së çmueshme, ji i kënaqur o Zot me katër kalifët e tij, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbarë sahabët e tij. Tabiinët dhe gjithë ata që i pasojnë në mirësi, si dhe ne neve me mëshirën e bujarinë Tënde, o Mëshiruesi i madh!

Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje fenë dhe librin Tënd, Sunetin e të dërguarit Tënd si dhe robërit e Tu besimtarë!

Zot largoja brengat të brengosurve, stresin e të stresuarve, laja borxhet borxhlinjve, shëroi të sëmurit tanë dhe të mbarë myslimanëve, ruaji haxhilerët dhe udhëtarët!

Zot sigurona në vendet tona, drejtoji prijësit dhe përgjegjësit e çështjeve tona, drejtimin tonë lërja në dorë atij që të frikësohet, Ty dhe punon për kënaqësinë Tënde!

Zot udhëzoje prijësin tonë për në atë që ti do dhe je razi, o i gjalli që nuk vdes kurrë, rrethoje nga njerëz të devotshëm!

Zot jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në gjithçka që Ty të pëlqen dhe pajtohesh me të, si dhe rrethoji nga këshilltarë të mirë!

Zot mbroji kufijtë tanë, ruaji ushtarët tanë, shëroji të sëmurët dhe të plagosurit e tyre, si dhe mëshiroji të vdekurit e tyre!

Zot na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe mbrona prej ndëshkimit me zjarr!

Zot pranoje prej nesh, vërtetë Ti je Dëgjues dhe i Gjithëditur, pranoje pendimin tonë, Ti je pranuesi i pendimeve!

I Lartësuar je ti o Zot ndaj çdo gjëje që të shoqërojnë, paqja qoftë mbi të dërguarit dhe fjala jonë e fundit është: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”

Post Author: admin