Bamirësia – Meka 07.02.2020

Hytbe e Qabes         13- 6 -1441 H   07-02-2020

Shejh Bander Abdulaziz Balejleh         Tema: Bamirësia

Falenderimi i takon Allahut. Bamirësinë e ka vendosur në pozitat më të larta e bamirësve u ka dhuruar gradat më të mira. I lartësuar është Allahu, Atë falenderoj e i jam mirënjohës për tërë mirësitë e shumta e të dallueshme.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Allahut, i vetëm e i pashoq, kujdestari i mirësive.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, profeti i mrekullive, salavatet e Allahut qofshin për të, familjen dhe shokët e tij të cilët ishin njerëz me duar bujare, shpëtim dhe paqe pastë për ta derisa të jenë qiejt e toka.

Kijeni frikë Allahun o musliman se Ai e meriton devotshmërinë. Kijeni frikë atë në fshehtësi e në publik. Ecni drejt Tij me bamirësi se Ai jua shpërblen me mirësi, mëshirë e sihariqe.

Allahut i qofshim falë për disa njerëz që zemrat i kanë mbushur me përmendjen e të dashurit të tyre, që momentet më të bukura për ta janë momentet e lutjeve. Në lutjet e tyre përveç Allahut nuk ka pjesë askush. Ata kur flasin përmendin Allahun, nëse lëvizin me urdhër të tij e bëjnë, kur gëzohen, gëzohen me afrimitetin që kanë me Të, e kur mërziten, mërziten prej qortimit të Tij. Ata nuk kanë mund të ndahen prej tij qoftë edhe një çast e nuk flasin jashtë kënaqësisë së Tij qoftë edhe një shprehje të vetme.

O muslimanë, Pozita të kënaqshme të cilat i arrijnë disa njerëz janë pozita të nderit e të krenarisë të cilat i mundësojnë atyre të jenë model për njerëzit e tjerë e ti orientojnë ata në rrugë të sigurtë drejt kënaqësisë dhe dashurisë së Allahut të lartësuar.

Një prej më të lartave të këtyre pozitave është bamirësia me të cilën njeriu arrin të bëjë atë çka është më e mirë dhe më e bukur në mënyrë të përsosur. Ajo është një pozitë e mbuluar prej përsosmërisë dhe bukurisë.

Islami është burim i tërë fisnikërisë, kështu që kjo pozitë në të është në formën më të plotë e më fisnike. Ajo në islam është një prej adhurimeve më të larta.

Allahu thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit.” (Nahl; 90).

Prijësi i bamirësve (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu e ka bërë detyrë bamirësinë në çdo gjë. Transmeton Muslimi.

Bamirësia starton me veten. Njeriu së pari duhet ti bëjë mirë vetes duke e drejtuar atë për tek krijuesi dhe Zoti i saj. Të përmbushë teuhidin (monoteizmin) ndaj Tij. Ta adhurojë Atë me tërë prezencën dhe ndjenjën e mbikqyrjes, me sinqeritet të plotë e përpjekje maksimale me qëllim që të përmbushë fjalën e profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem) “Të adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë e ndonëse ti nuk e sheh Atë ai të sheh ty.” Transmetojnë Dy Dijetarët (Buhariu, Muslimi).

Ky është synimi i fesë, niveli më i lartë i saj, pozita e fundit që synohet e pas saj besimtari nuk ka objektiv tjetër. Besimtari me këtë pozitë ndjehet sikur ta kishte parë Zotin e tij me sytë e tij andaj mos pyet për gjendjen që e kaplon në këtë rast si; frika ndaj Allahut, droja, përkushtimi, nënshtrimi dhe përgjërimi ndaj Tij. Njeriu që është i vetëdijshëm se Allahu e shikon kudo që gjendet, që di sekretet e tij e që nuk tregohet i pavëmendshëm ndaj tij për asnjë çast, patjetër do të nxitet të kryejë adhurimin në mënyrë të përkryer, të plotë, pa mangësi, pa gabime, pa besdisje e pa ndjerë lodhje.

Besimtari është bamirës në namazin e tij që është takim me të dashurin e tij, lutje drejtuar Zotit kështu që ai duhet ta kryejë atë në formën më të përkryer duke qëndruar me qetësi në ruku e në sexhde e jo duke e kryer atë me nxitim si vjedhës, e jo duke e çukitur, nuk e humb vëmendjen gjatë tij e ta çojë atë diku tjetër. Ai e kryen namazit me qetësinë e një zogu, i përulur e me vëmendje të përqendruar e me zemër të zbrazur.

Besimtari është gjithashtu bamirës në zekatin e tij i cili është pastrim i pasurisë së tij, rritje e fitimit të tij dhe ndihmesë për vëllezërit e tij të varfër. Ai e nxjerr zekatin në kohën e duhur, pa mangësi, i kënaqur në vete që po e nxjerr atë, pasi e jep nuk e paraqet si nder e të bezdisë nevojtarë që e kërkojnë. Nuk tregohet i shtrënguar në lidhje me dhënien diçka më tepër se zekati në mënyrë vullnetare. Ai këtë e bën me synim për të bukurën dhe në arritje të bamirësisë.

Besimtari është bamirës në agjërim që është lënie e dëshirave për hirë të Allahut të lartësuar. Me të ai kryen një adhurim të veçantë dhe me të arrin gradat më të larta të bamirësisë. Besimtari lë gjërat më të dashura jo se do ta vështrojnë njerëzit më të afërt por për Aë që i di tërë fshehtësitë se është i bindur që Ai e mbikqyr. Ky është dhe thelbi i bamirësisë, realiteti dhe pamja e tij e vërtetë. Agjërimi është një burim prej burimeve të realizimit të bamirësisë. Burim i madh e i bukur.

Ai është bamirës në haxh që është përgjigje e një të dashuri ndaj ftesës së të dashurit të tij duke u drejtuar për vizitë në Shtëpinë e Tij. Ai i kryen të gjitha ritualet për Allahun e lartësuar larg së kotës, i distancua prej imorales, i shmangur prej debatit. Ai i drejtohet Allahut me tërë qënien e tij. Ndjen në veten e tij madhështinë e të vizituarit. Ai kujdeset të mos e shohë Zoti në Shtëpinë e Tij të Shenjtë mbi shtrojën e bujarisë së Tij si të mangët në edukatë, lënës i obligimeve apo i mangët në vepra. Haxhi i tij është manifestim prej manifestimeve të mëdha të bamirësisë dhe prej pozitave të tij të larta.

Bamirësia e besimtarit përçohet dhe përfshinë edhe të tjerë veç tij. Besimtari i cili përvetëson kategori të ndryshme të bamirësisë në veten e tij, pas kësaj e shtyn atë të jetë stabile në bamirësinë ndaj krijesave të tjera në dyer të ndryshme të mirësisë që nuk mbarojnë si; bujaria, fytyrë e çelur, të bësh mirë, ndihmesa e nevojtarit, lehtësimi ndaj fatkeqit, çlirimi i të stresuarit, mbyllja e plagëve të varfërisë, plotësimi i nevojave sociale, të ushqesh të uriturit, të kujdesesh për jetimët, të kujdesesh për gratë e veja, të bëhesh shkak për martesën e grave të pamartuara, të vizitosh të sëmurët, të mësosh të paditurin, të orientosh të humburin e të tjera vepra që nuk numërohen.

O musliman prej manifestimeve të bamirësisë që shërben si përkujtim për njerëzit adhurues dhe fanar për udhëtarët dhe udhëzues për të mirët është dhe lajmi për shtatë personat që i strehon Allahu nën hijen e Tij ditën kur nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij, ku prej tyre është përmendur një person të cilin e fton një grua e bukur e me pozitë por ai i thotë: Unë kam frikë Allahun. Një person tjetër që jep lëmoshë në fshehtësi aq sa nuk e di e majta se çka jep e djathta. Një person që përmend Allahun i vetëm e nga sytë i rrjedhin lotë. Këtë hadith e transmetojnë Dy Dijetarët.

Këto tre manifestime janë disa prej manifestimeve më të arrira të bamirësisë, të cilat nxitojnë ti realizojnë vetëm njerëzit e përkryer e të zgjedhur.

Manifestimi i parë lidhet me një person që bie pre e kurthit të një gruaje të hijshme e të bukur, e fisme e me pozitë nderi e cila e fton tek vetja e saj. Ajo ia ka rrëmbyer

zemrën e për pak sa si ka marrë frerët e çështjes së tij mirëpo prushi i mbikqyrjes së Allahut të madhërishëm është ndezur në zemrën e tij dhe triumfon ndaj thirrjes së epshit. Për Allahun, sa e ëmbël është fjala e tij ndërkohë që ka triumfuar ndaj dëshirës së tij pasi ka sjellë ndërmend pozitën e Zotit të tij: Unë kam frikë Allahun. Kjo është një fjalë që nuk del vetëm pasi ka lëshuar rrënjët në zemër e është ngulur thellë në të. Këtë arritje ky person e ka në sajë të përmbushjes së bamirësisë e mbikqyerjes në masën e duhur.

Manifestimi i dytë lidhet me personin që ndihmon të varfërin me pasurinë e tij duke u munduar ta fshehë këtë vepër sa më shumë në shenjë sinqeriteti ndaj Allahut. Bamirësia e tij është shumë e bukur. Së pari ai tregohet bamirës në bujarinë me pasurinë e tij, pastaj bamirësinë e pason me një tjetër bamirësi e cila është më e përkryer se e para ku sadekanë e tij e jep fshehurazi pa e parë njeri. Kjo është edhe thelbi i bamirësisë, që robi gjatë adhurimit të tij të mos ketë në vëmendje vështrimin e dikujt tjetri veç Allahut të lartësuar por në veprën e tij ti japë tërë përparësinë vështrimit të Allahut dhe mbikqyrjes së Tij.

Manifestimi i tretë është ai i një personi në vetmi, i veçuar prej njerëzve përmend Zotin e tij dhe dy sytë i rrjedhin lotë prej frikërespektit, dashurisë, shpresës dhe përmallimit. Ky fenë e ka me sinqeritet për Allahun, ka vepruar bukur që ka zgjedhur të vetmohet larg krijesave e të presë vetëm shikimin e Krijuesit të madhërishëm duke sjellë ndërmend mbikqyrjet e Zotit të tij. Ai e ka realizuar bamirësinë me vetminë, përmendjen e Allahut, lutjen dhe të qarët e tij e me këto ai është i rrethuar me shumë lloje të bamirësisë.

Allahu, meqë ata e veçuan me mbikqyerjen, i veçon ditën e gjykimit me shpërblim të mirë sikurse ata bënë mirë duke i mundësuar që ata të jenë nën hijen e Tij atë ditë kur nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij.

E Allahu të vërtetën thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Er Rrahman; 60).

Allahu na mundësoftë të përfitojmë prej ajeteve të qarta dhe udhëzimeve që ka zbritur e na dhëntë begati prej traditës së më të mirit të njerëzve. Allahut të madhërishëm i kërkoj falje për vete e për ju ndaj çdo gjynahu. Kërkojini falje Atij se Ai është Falës i madh!

Hutbeja e dytë

Falenderimi i takon Allahut për mirësitë e tij, Atij i jam mirënjohës për çdo favor e shpërblim.

Dëshmoj se ska të adhuruar me meritë veç Allahut. Pozita e Tij është madhështore.

Dëshmoj se zotëria ynë, profeti Muhamed është rob dhe i dërguar i Tij. Allahu e bekoftë atë, familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekjen rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Bamirësia ndaj vetes dhe ndaj njerëzve sjell përfundime të këndëshme, fryte të ëmbla dhe gjurmë të vyera.

Së pari, bamirësi fiton gradën e dashurisë dhe kujdesin e veçantë. Allahu në shumë vende thotë: “Allahu i do vepërmirët” dhe “Allahu është me vepërmirët”.

Së dyti, mëshira e Allahut është më afër me vepërmirët. Allahu i madhërishëm thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (El A`raf: 56).

Së treti, bamirësit i premtohet mirësi edhe më shumë. Allahu i lartësuar thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Er Rrahman; 60).

“Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin.” (El Bekare; 58).

Së katri, bamirësi është i përgëzuar. Allahu thotë: “Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!” (Haxh; 37).

“Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët.” (Zumer; 34).

Së pesti, shpërblimi i bamirësit ruhet nga Allahu edhe nëse nuk e dallojnë apo e mohojnë njerëzit. Allahu i madhërishëm thotë: “Allahu, me të vërtetë, nuk e humb shpërblimin për punëmirët.” (Hud; 115).

Së gjashti, bamirësia lë një kënaqësi të pashembullt në zemër. Për këtë, disa dijetarë kanë thënë: Kënaqësia më e madhe në këtë botë është kënaqësia e bamirësisë. E kjo kënaqësi ndoshta është e përfshirë në përgëzimin që Allahu i jep mirëbërësve.

Në këto që u përmendën ndoshta ka motivim për personin të ecë në rrugën e bamirësve ku në çdo fjalë të ketë mirësi, në çdo veprim mirësi, gjendja e tij të vërtitet e gjitha rreth mirësisë. Allahu na mundësoftë të ecim në rrugën e punëmirëve. O Allah, Amin.

Dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave të Allahut, i përzgjedhuri për shpalljen hyjnore, emri i të cilit është ngritur lart bashkë me emrin e Allahut në këtë botë, atij që do ti jepet leje të ndërmjetësojë në botën tjetër, ashtu siç ju urdhëron Zoti juaj i madhërishëm.

“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah ngreje lart, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjarët dhe shokët e profetit Tënd edhe ndaj nesh bashkë me ta me faljen tënde, mirësinë dhe mëshirën tënde o më mëshirëshmi i mëshiruesve.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

Zhduke idhujtarinë, poshtëroi idhujtarët dhe shkatërroi armiqtë e fesë.

Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve.

O Allah na jep siguri në vatanet tona e në shtëpitë tona. Përmirësoi prijësit dhe udhëheqësit tanë.

Përkrahe me të vërtetën, me sukses dhe me saktësi prijësin dhe udhëheqësin tonë.

O Allah jep sukses në arritjen e kënaqësisë Tënde, mundësoji vepra me të cilat Ti kënaqesh, o Allah jepi sukses në udhëzimin Tën dhe mundësoji vepra me të cilat Ti kënaqesh!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin! Ti që posedon këtë dynja dhe botën tjetër e tek Ty është kthimi.

O Allah çdo të mirë që ta kemi kërkuar na e jep, e atë që nuk ta kemi kërkuar na e dhuro ti vetë e atë që nuk e arrijmë dot me synimit e me veprat tona prej të mirave të kësaj jete e të jetës tjetër na i mundëso ti arrijmë.

O Allah të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri!

O Allah bëji zemrat tona të lidhen me shpresën tek Ti! E na bëj të shkëpusim shpresat tek të gjithë përveç Teje o Zot i gjithë botërave!

O Allah jepu fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë tanë. O Allah ji Ndihmëtar dhe Përkrahës i tyre o Zot i Botëve!

Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit.

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi vetvetes, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve!

O rob të Allahut:

Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Përkujtojeni Allahun e madhërishët që Tju kujtojë Ai juve. Falenderojeni për mirësitë e shumta që ju ka dhënë që t`ua shtojë ato. Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.

 

Post Author: endrit