Dr.Husejn Al shejh – Hutbeja e xhumasë nga xhamia e Profetit a.s 7.Dhul Ka’deh.1439 – 20.7.2018

Hutbeja e xhumasë nga xhamia e Profetit a.s 7.dhul Ka’deh.1439 /20.7.2018

Dr.Husejn Al shejh

 

Falënderimet qofshin për Zotin të Cilit në i frikësohesh të ruan, e kush i mbështetet Atij, Ai i mjafton, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një i Vetëm dhe i pashoq, dhe dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut!

Zot bekoje dhe begatoje atë, familjen dhe shokët e tij! O ju njerëz frikësojuni Zotit të Madhëruar!

O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahu me sinqeritet dhe mos vdisni vetëm se duke qenë muslimanë!”, Ali Imran 102.

Të nderuar besimtarë, ne jemi në një kohë ku sfidat dhe rreziqet sa vijnë e zmadhohen. Rrezik për vetet dhe frikë për pasardhësit, vështirësi në fitimin e rizkut, e të tjera vështirësi të panumërta që të gjithë ne i dimë.

Këtu lind nevoja të dimë se cilat janë ato gjëra që e nxit njeriun për ambicie madhore dhe synime të qarta për të mbërritur kështu interes e shpresuara dhe të dobishme.

Nëse njeriu është me vizion të qartë dhe i mbështetur në Zotin e gjithësisë, nuk ka gjë që mund ta frikësojë.

Nëse ai i bën shkaqet dhe i mbështetet Zotit të këtyre shkaqeve, me padyshim që do ja dalë dhe do i arrijë synimet e tij.

Kur njeriu e lidh zemrën me krijuesin dhe e shkëput prej krijesave, i bën shkaqet që kërkohen, shkaqet fizike dhe ato material, ai shndërrohet në një njeri me energji të palodhshme, e trajno veten për vështirësitë dhe i duken të lehta, kjo sepse ai është i bindur dhe i sigurt në premtimin e Zotit ku thotë: “E kush i frikësohet Zotit, Ai i jep zgjidhje nga nuk e pret dhe e furnizon andej nga nuk e pret, e kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij”.

Një ndër selefët ka thënë: “Nëse dikush do i mbështetej Zotit me sinqeritet, prijësit do kishin nevojë për të e kështu me radhë.”

Ai që jetën e tij e ka lënë në dorë të Zotit, e konsideron gjithçka pronë të Zotit të Lartësuar, njerëzit robër të krijuesit, ndërsa rizkun e sheh në dorë të Zotit, ndërsa caktimin e zotit e sheh se do realizohet në mbarë krijesat e tij.

Për këtë arsye Zoti i gjithësisë i ka urdhëruar njerëzit që t’i mbështeten Atij ku thotë: “Mbështetju të Gjallit që nuk vdes kurrë, mbështetuni Allahut në qofshi besimtarë!”.

Kush nuk i kushton rëndësi këtyre urdhëresave kuranore, ai do bjerë në sprova dhe do e kalojë frika.

Teuekuli është një term madhështor, një synim i lartë. Ai që i mbështetet Allahut të Lartësuar, e ka konsideruar si përgjegjës për çdo gjë të tijën, garant i interesave të tij, mjaftuesi i tij pa ndonjë lodhje dhe angazhim të madh.

LEXO  Urime Haxhinjëve të Qabes dhe mësime nga kalimi i viteve

Ai që i mbështetet Allahut, është i bindur se gjithçka është caktuar për të, me patjetër që do e arrijë, kjo sepse gjykimi i Zotit nuk ndryshohet.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. Betohem për Zotin e qiellit dhe të tokës, se kjo është e vërtetë ashtu siç është të folurit tuaj!” Edh-dharijat 22-23.

Ndër shpjegimet e këtij ajeti është, se Zoti nuk është mjaftuar vetëm me përmendjen e garantimit të rizkut, por dhe është betuar për realizimin e diçkaje të tillë.

Haseni ka thënë: “I mallkoftë Allahu ata njerëz të cilëve iu betua Allahu dhe ata s’e besuan.”

Transmetohet se Melaiket, kur ka zbritur ky ajet kanë thënë: “Këtu është fundi i bijve të Ademit, e kanë mërzitur Zotin aq shumë sa është detyruar t’u betohet atyre.”

Thotë Profeti a.s: “Nëse do i mbështeteshit Allahut, sikurse duhet, do ju furnizonte ashtu sikurse i furnizon dhe shpendët të cilët dalin të uritur në mëngjes dhe kthehen të ngopur në darkë”, Ahmedi

Ai që i mbështetet Allahut, është i sinqertë dhe i drejtë në mbarëvajtjen edhe lehtësimin e punëve të tija, si dhe në përfitimin e më të mirës dhe ruajtjes nga e keqja.

Ai është i bindur në premtimin e Zotit, i sigurt se nëpërmjet të mbështeturit në Zotin i gjithësisë i mundëson realizimin e synimit të tij dhe i largohet ajo prej të cilës frikësohej.

Ai që i mbështetet Allahut, i mbështetet si pasojë e bindjes që ka në madhështinë e Zotit, si dhe si pasojë e mendimit të mirë në Zotin.

Krijesa e tillë, i shkëput shpresat tek krijesat, nuk i frikësohet pasojave pasi që i ka bërë shkaqet sipas të lejuarës, duke ia atribuuar forcën dhe pushtetin vetëm Allahut të Madhëruar.

Sepse vetëm Zoti është Ai që ka mundësinë e realizmit, në dorën e tij është dobia dhe dëmi, dhënia dhe privimi, dhe se ajo që Ai dëshiron bëhet dhe ajo që Ai nuk do, nuk bëhet.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Çfarëdo që ju të dëshironi, dijeni se do bëhet ajo që dëshiron Allahu!”.

Mbështetja në Allahun, do të thotë t’i dorëzohesh Allahut në çdo gjë, ndërsa shkaqet s’janë tjetër vetëm se ndërmjetës që nuk mund t’u mbështetemi atyre.

Njeriu duhet të përkujdeset për shkaqet e dukshme, por kjo s’do të thotë se duhet t’i mbështetet atyre me zemër, por duhet t’i mbështetet Krijuesit dhe Sajuesit, bashkë me dorëzimin ndaj caktimit të tij.

“Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu”, Ali imran 159.

Vëllezër të nderuar! Kush e kompleton devotshmërinë, dhe është i sinqertë në të mbështeturit Allahut, le ta dijë se ka zotëruar kërkesat më të duhura dhe synimet më të larta.

LEXO  Bëni veprat të mira - Medine 04.09.2020

Kush ia dorëzon çështjet e tij Zotit, i mbështetet Krijuesit të tij, njehsues i Tij, i penduar për tek Ai, i përgjëruar dhe i bindur, le ta dijë se për çdo preokupim do i japë lehtësim, në çdo ngushticë do i japë zgjidhje, do e furnizojë andej nga nuk e pret, do e furnizojë me mirësi të shumta, do e ruajë nga çdo e keqe dhe e ligë, dhe do dalë i fituar e triumfues.

Thotë Allahu i Lartësuar duke përshkruar robin e mirë: “Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtetë robërit e Vet. Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e faraonit i kaploi dënimi i ashpër”, Gafir 44-45.

Dhe thotë për Profetin a.s dhe ata që ndodheshin me të: “Të cilëve njerëzit u thanë: Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni! E kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i Mrekullueshëm. Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asnjë gjë  e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut, Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha”, Ali imran 173-174.

Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Na mjafton neve Allahu, sa Mbrojtës i mirë që është Ai”, këtë e tha Ibrahimi a.s kur u flak në zjarr, e tha dhe Muhamedi a.s kur i thanë ajetin e lartpërmendur.

Thotë Profeti a.s: “Kush thotë kur del prej shtëpisë së tij, me Emrin e Allahut, Atij i mbështetem, dhe askush nuk ka forcë dhe mundësi veç Allahut, i thuhet atij: “U udhëzove, u mjaftove, sigurove mbrojtjen, dhe shejtani largohet prej teje!”

Zoti na dhëntë bereqet në sa dëgjuam, kërkoj falje për vete, për ju dhe për mbarë myslimanët për çdo gjynah, kërkojini falje se me të vërtetë Ai është Falës i Madh!

Falënderimet e madhërimet e panumërta qofshin për të lartësuarin Allah, siç i takon madhërisë dhe pozitës së Tij, sikurse dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një i vetëm dhe i pashoq dhe dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i cili ftoi për në kënaqësinë e Tij!

Zot bekoje e begatoje atë, familjen dhe shokët e tij!

O ti mysliman! Çështjen tënde lërja në dorë Zotit, ji i sinqertë në të mbështeturit Atij, bëji dhe shkaqet që kërkohen prej teje dhe ji i bindur se ai që i gatit punët e qiellit dhe të tokës, Ai që di të dukshmet dhe të fshehtat, Ai që i di gjërat nga të gjitha aspektet, dhe ai që ka mundësinë e plotë, të kaplon ty me butësinë e diturisë së tij, ashtu siç di vetëm Ai dhe s’mundet askush sado i zgjuar të të gatisë e të  të  sajojë.

LEXO  Mirësia në Islam - Shejh Dr Husejn Ali Esh Shejh

Merru me veten tënde, angazhohu me adhurimin e Zotit tënd dhe dije se ai që i mbështetet Atij ka siguruar dhe ka shpëtuar prej rreziqeve, mendjen e ka të qetë, zemrën të sigurt, i pajtuar me rezultatin që do arrijë pas punës së bërë.

Robi nuk e di se ç’është më e mirë për të, por ai i mbështetet Atij që është më i Mëshrishëm se prindërit e tij.

Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të biem salavatë mbi Profeti: “O Zot derdhe bekimin, begatinë dhe mirësinë Tënde, mbi Profetin dhe të dashurin tonë Muhamedin, Zot ji i kënaqur me kalifët e drejtë, mbi mbarë familjen e Profetit, shokët e tij mbarë dhe mbi mbarë ata që i ndjekin me korrektësi deri në ditën e fundit.”

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, kushdo që planifikon ndonjë të keqe për myslimanët, bëje të angazhohet me veten e tij dhe kurthet ktheja tek vetja e tij.

Zoti ynë, kushdo që na syno ne, fenë tonë apo këdo mysliman me ndonjë të keqe, angazhoje me veten e tij, dhe shkatërroji kurthet e tyre o Zot i Gjithësisë!

Zot vendos mbi kokat e tyre ushtarët e Tu, hakmerru ndaj kujtdo që u ka bërë keq myslimanëve, Zot hakmerru ndaj kujtdo që ka thurur kurthe për shkatërrimin e islamit dhe myslimanëve o Zot i gjithësisë!

Zot lehtësona hallet tona ne dhe mbarë myslimanëve, Zot zgjidhi problemet e mbarë myslimanëve, Zot ruaja sigurinë e qetësinë e tyre!

Zot për çdo vështirësi jepu zgjidhje dhe zbriti zgjidhjet mbi ta, lehtësua hallet e tyre, furnizoji andej nga nuk e presin!

Zot jepi sukses prijësit tonë, shërbyesit të dy xhamive të shenjta për gjithçka që Ti do dhe pajtohesh me të!

Bëj që vepra e tyre të jetë nën hijen e kënaqësisë Tënde, po ashtu dhe mbarë drejtuesit e myslimanëve, në atë që është e dobishme për popullatën, fenë dhe botën tjetër o i gjalli që nuk vdes kurrë!

Zot fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit e tyre!

Zot na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër!

Zot kushdo që thur kurthe në dëm të myslimanëve, kthejua kurthet e tyre në qafat e tyre dhe prishua o Zot i gjithësisë!

Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve, në të tashmen e tyre dhe në të ardhmen e tyre!

Zot ruaje rininë islame prej sprovave të qarta dhe të paqarta, mbrona ne dhe ata prej sprovave të qarta dhe të paqarta!

Vëllezër besimtarë! Përmendeni Allahun si mos më mirë, lartësojeni dhe madhërojeni Atë në mëngjes e mbrëmje, e lutja jonë e fundit është, falënderimi të përket Ty o Zot i botëve!

Post Author: admin