Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 03-02-1448 H 17-07-2026 D
Shejh Mahir El Muajkili
Tema I Gjalli, i Përjetëshmi: Njohuri që frymëzon mbështetje dhe lutje
Lavdërimet janë për Allahun, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe Atë e falënderoj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Dëshmi me të cilën shpresojmë shpëtimin nga zjarri i Xhehenemit.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, të cilin Allahu e zgjodhi dhe i dha atë që dëshironte. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi bashkëshortet e tij, mbi tabi’inë dhe ata që i pasojnë me mirësi, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O ju besimtarë! Kini frikë Allahun, jeni të sinqertë në qëllimet tuaja ndaj Tij që të shpëtoni. Kapuni pas sunetit të profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të udhëzoheni. Përpiquni në veprat e mira që të fitoni shpërblimin dhe largohuni nga gjynahet që të jeni të sigurt. “ Dhe ruajuni Ditës kur do të ktheheni te Allahu. Atëherë secili do të shpërblehet plotësisht për atë që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare 281)
O umeti Islam! Dituria me emrat, cilësitë dhe veprat e Allahut të Lartësuar është nga dituritë më të larta dhe më të dobishme, më të rëndësishme dhe më të mëdha. Vërtetë, nderi i dijes varet nga vlera e asaj që dihet, e nuk ka dije më të madhe dhe më sublime sesa dituria me Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar. Sa më shumë që robi e njeh Allahun përmes emrave dhe cilësive të Tij, aq më shumë ai e do Atë, i frikësohet Atij, e kërkon Atë dhe i afrohet Atij, shpreson më shumë në kënaqësinë e Tij, Zotit të Lartësuar dhe ka frikë nga zemërimi i Tij.
Nga emrat madhështorë të Allahut, që janë përmendur në Kuranin Famëlartë, El-Haj, i Gjalli dhe El-Kajum, Përjetëshmi. Këta dy emra përmbledhin kuptimet e emrave të tjerë të bukur të Allahut, dhe tek ata të dy bazohen emrat dhe atributet më të larta të Tij. I Gjalli përfshin atributet e përsosmërisë, i Përjetëshmi përfshin atributet e veprimeve.
Një numër dijetarë kanë thënë se këta përfshijnë Emrin më të Madh të Allahut, me të cilin, kur Allahu thirret, Ai përgjigjet dhe kur kërkohet prej Tij, Ai jep.
Në Musnedin e Imam Ahmedit, nga Enes Ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: Isha me të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ulur në rreth dhe një burrë po qëndronte duke u falur. Kur ai u përkul, bëri sexhde dhe lexoi teshehudin, pastaj tha në lutjen e tij: “O Zot, të lutem Ty për shkak të faktit se i gjithë lavdërimi të takon Ty, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Mëshiruesit, o Krijuesi i qiejve dhe i tokës, o Zotëruesi i Madhështisë dhe Nderit, o i Gjalli, o i Përhershmi, të lutem Ty.” Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “A e dini se me çfarë iu lut ai Zotit?” Ata thanë: Zoti dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ai e ka lutur Zotin me Emrin e Tij më të Madh, me të cilin nëse thirret Ai përgjigjet dhe nëse i kërkohet me të Ai jep.”
Në Sunenin Ibn Maxhe, i dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Emri më i Madh i Zotit është në tre sure të Kuranit: El-Bekare, Al ‘Imran dhe Ta Ha.” Ebu Hafsa, një nga transmetuesit e hadithit, ka thënë: I shikova këto tre sure dhe pashë në to gjëra që nuk gjenden në Kuran: Ajeti Kursi: “ Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El-Bekare 255) Në suren Al ‘Imran: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje.” (Al ‘Imran 2) Dhe në suren Ta Ha: “Fytyrat do t’i përulen të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të çdo gjëje…” (Ta Ha 111)
Vëllezër në besim! Emri i Allahut “El-Haj” i Gjalli, tregon jetën e Tij të plotë, të përhershme dhe të amshuar. Jeta e Tij, Allahut të Lartësuar, nuk është e paraprirë nga mosqenia, nuk do të përfundojë kurrë me zhdukje apo shuarje dhe nuk e prek lodhja apo rraskapitja. Jetë që përfshin domosdoshmërisht përsosmërinë e të gjitha cilësive të Tij, nga dituria, fuqia, dëgjimi, shikimi, falja, mëshira e Tij dhe çdo cilësi tjetër e përsosmërisë dhe madhështisë së Tij.
Ai që është i tillë është i Vetmi që meriton të adhurohet, para Tij të përkulemi dhe të bëjmë sexhde. Prandaj Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë: “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes…” (El-Furkan 58)
Sa i përket çdo të gjalli që vdes, ai nuk meriton të adhurohet. Kjo është gjendja e çdo krijese. “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim..” (Er-Rahman 26–27)
Me këtë argument u mbështet edhe Ebu Bekër Es Siddik, Zoti qoftë i kënaqur me të. Kur ndërroi jetë Profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, është ngritur duke thënë: “Pasha Allahun, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk ka vdekur.” Atëherë erdhi Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, zbuloi fytyrën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e puthi dhe tha: “Me babanë dhe nënën time tu bëfsha kurban, u flijofsha për ty! Ishe i mirë në jetë ashtu dhe i vdekur.” Pastaj doli para njerëzve dhe tha: “O ti që je betuar, qetësohu!” Kur Ebu Bekri filloi të fliste, Omeri u ul. Ebu Bekri falënderoi Allahun e lavdëroi Atë dhe pastaj tha: “ Kushdo që adhuronte Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. Por kushdo që adhuron Allahun, le ta dijë se Allahu është i Gjalli dhe nuk vdes kurrë.” Pastaj ai, Zoti qoftë i kënaqur me të, lexoi fjalën e Allahut: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al ‘Imran144) Hadithin e ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij.
O umeti Islam! Sa i përket emrit të Allahut të Lartësuar El Kajum, i Përjetshmi, Mbajtësi dhe Rregulluesi i gjithçkaje, kuptimi i tij është: Ai ekziston vetvetiu, nuk ka nevojë për askënd, dhe Ai kujdeset, mban dhe rregullon çështjet e të gjitha krijesave të Tij, dhe të gjitha krijesat kanë nevojën e Tij. Prandaj, profet, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ngrihej natën për faljen e tehexhudit, thoshte: “O Allah, Ty të takon falënderimi. Ti je Mbajtësi dhe Rregulluesi i qiejve, i tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to.”
Mbajtësi i qiejve dhe i gjithçkaje që gjendet në to: Nga Melaiket, sferat dhe trupat qiellorë. Mbajtësi i tokës dhe i gjithçkaje që ndodhet në të: Nga Xhindët, njerëzit, shpendët kafshët e egra dhe çdo krijesë që e dimë apo që nuk e dimë. Në Kuranin Famëlartë Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij. Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës (i gjynaheve).” ( El- Fatir 41) “Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij…” (Er-Rum 25)
Në kujdesin e Tij për krijesat, Allahun nuk e pengon një krijesë nga një tjetër, as puna e njërit nuk e largon nga puna e tjetrit. “…e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e plotë.” ( Er-Rahman 29)
Ai jep jetë dhe merr jetë, jep dhe ndalon, ngushton dhe zgjeron furnizimin, nderon kë të dojë dhe poshtëron kë të dojë.
Çdo ditë Ai është në një çështje, udhëzon të humbur, hap zemrën dikujt, largon fatkeqësi, i përgjigjet lutësit, shëron të sëmurë, kthen të munguar, ndihmon të dëshpëruar, ushqen të uritur, largon brenga, mbulon gjynahet gjynahqarit, shpërblen të bindur, pranon pendimin e atij që pendohet, i jep siguri të frikësuarit, ngushëllon zemërthyer, ndihmon të shtypur dhe shkatërron zullumqar. Çdo ditë Ai është në një çështje. Ai mbikëqyr çdo shpirt për atë që ka fituar. Ai i di gjendjet e tyre, fjalët dhe veprat e tyre. I regjistron të gjitha e më pas në Ditën e Gjykimit do t’i marrë në llogari dhe do t’i shpërblejë sipas veprave të tyre.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (El-Bekare 255)
Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë dhe sunet, na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tyre të qarta.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Ai kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, të Gjallin, të Përhershmin, El-Hajj, El-Kajjum, Ai i Cili ka krijimin dhe urdhrin, Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do të kthehemi.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O ju besimtarë! Kur besimtari e di se Allahu i Madhëruar është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë, se Ai është El-Kajjum, Mbajtësi dhe Mbikëqyrësi i qiejve dhe i tokës, Ai që kujdeset për krijimin dhe e drejton atë, i Vetmi që vendos me vullnetin dhe caktimin e Tij, atëherë kjo e shtyn që të mbështetet vetëm tek Ai, të ketë besim vetëm tek Ai, të jetë i kënaqur me çdo gjë që vjen prej Tij dhe i duruar me sprovat që Ai ka caktuar për të. Ai nuk shpreson tek askush tjetër përveç Allahut, nuk kërkon ndihmë veçse prej Tij dhe në dhënien apo privimin nuk shikon tjetër veç urtësisë së Tij, në ngushtimin dhe zgjerimin e furnizimit nuk shikon tjetër veç kujdesit dhe mbikëqyrjes së Tij. Prandaj e shton lutjen dhe përmendjen e Allahut, veçanërisht kur e godet shqetësim, brengë ose vështirësi.
Në Sunenin e Tirmidhiut, transmetohet nga Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur e rëndonte një çështje, thoshte: “ Ja Hajj, o i Gjallë, Ja Kajjum, o i Përhershëm, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.”
Ali Ibn Ebi Talibi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ditën e Bedrit luftova për një kohë, pastaj erdha me shpejtësi për të parë çfarë bënte i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. E gjeta të përulur në sexhde duke thënë: ‘Ja Hajj, o i Gjallë, Ja Kajjum, o i Përhershëm’, pa shtuar asgjë tjetër. U ktheva përsëri në betejë, pastaj erdha sërish dhe ai ishte ende në sexhde duke e përsëritur këtë lutje. Kështu ka qëndruar du u lutur derisa Allahu i dha fitoren.” Hadithin e ka transmetuar Bejhekiu në Delail En-Nubuve.
O umeti Islam!
Nga lutjet më gjithëpërfshirëse të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të cilat përmbledhin kërkimin e çdo të mire dhe mbrojtjen nga çdo e keqe, është ajo që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e përsëriste vazhdimisht në lutjet e tij, në mëngjes dhe në mbrëmje. Madje ai ia porositi edhe vajzës së tij Fatimes, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur i ka thënë: “Çfarë të pengon të thuash atë që po të porosis? Thuaje kur të zgjohesh në mëngjes dhe kur të bjerë mbrëmja: ‘Ja Hajj, o i Gjallë, Ja Kajjum, o i Përhershëm, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë. Rregullo të gjithë gjendjen time dhe mos më lër të mbështetem tek vetja ime as sa hapim e mbyllim sytë asnjë herë.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu në Es Sunen El Kubra.
Në Mustedrekun e Hakimit ka ardhur se i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush thotë tri herë: ‘Kërkoj falje tek Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, Ai është i Gjallë, i Përhershëm, dhe tek Ai pendohem’, atij do t’i falen gjynahet, atij do t’i falen gjynahet, dhe nëse është duke ikur nga fusha e betejës.”
Prandaj, kërkimi i ndihmës duke iu drejtuar Allahut me këta dy emra madhështorë, El-Hajj, i Gjalli, dhe El-Kajum, i Përhershmi, Mbajtësi i çdo gjëje, është shkak për largimin e brengave, për plotësimin e nevojave dhe për faljen e gjynaheve dhe gabimeve.
Ja Hajj, o i Gjallë, Ja Kajjum, o i Përhershëm! Me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë. Rregullo të gjithë gjendjen tonë dhe mos na lër të mbështetemi tek vetja jonë as sa hapim e mbyllim sytë.
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të sigurt, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendit tonë, jepu sukses udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin tonë. O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.
O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që ata japin në shërbim të dy xhamive të shenjta dhe për ata që synojnë vizitat e tyre. O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që japin për Islamin dhe muslimanët.
O Zot, jepu sukses të gjithë udhëheqësit muslimanë në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë, sigurinë tonë dhe vendet tona. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar, o Zotërues i Madhërisë dhe Nderit.
O Zot, lehtëso vuajtjet e vëllezërve tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës. O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga sulmet e shtypësve dhe agresioni i pushtuesve, bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj