Hytbeja e Mekës 21.Dhul ka’deh.1439 3.8.2018
“Madhërimi i Allahut”
Shejh Mahir el’Muajkili
Falënderimet i qofshin Allahut, të Madhërishmit, të Lartësuarit, Atij që i përulen çfarë gjendet në qiell e në tokë, me hir e pahir, në mëngjes e mbrëmje!
Dëshmoj se Allahu është Një dhe i Vetëm, Ai nuk ka shok e ortak, sikurse dëshmoj se Profeti ynë Muhamedi, është rob dhe i dërguar i Tij, njeriu që kishte moralin dhe sjelljen më të lartë, njeriu më i afërt me Krijuesin.
Paqja dhe begatitë e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët dhe mbarë ata që e ndjekin rrugën e tij!
O ju myslimanë! Frikësojuni Zotit ashtu siç duhet, Atë falënderojeni për të mirat e Tij të cilat nuk mund të numërohen!
Përkujtojeni vazhdimisht fjalën e të Lartësuarit: “O ju të cilët keni besuar! Frikësojuni Allahut ashtu si i takon dhe mos vdisni vetëm se si besimtar”, Ali Imran 102.
O umeti Islam! Dijeni se madhërimi i Allahut është baza kryesore e realizimit të adhurimit, madje besimi nuk është i saktë dhe feja nuk është e drejtë, nëse zemra nuk është e mbushur me madhërimin dhe lartësimin e Allahut.
Sa më shumë që shtohet dituria te njeriu, aq më shumë i shtohet dhe besimi e lartësimi i Krijuesit, sikurse na njofton Profeti a.s për Melekun Xhibril: Natën e Israsë dhe Miraxhit, ecëm bashkë më Xhibrilin, i cili qëndronte si një copë e lagur nga frika dhe devotshmëria që kishte ndaj Zotit, po ashtu dhe Melaiket, kur fliste Zoti i gjithësisë, dridheshin dhe gati sa nuk u binte të fikët nga frika dhe autoriteti i Tij.
“Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, ata do të thonë: ‘Çfarë tha Zoti juaj?’ Dhe do të përgjigjen: ‘Të vërtetën! Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm’.” Sebe 23.
Profeti a.s na njofton, se në shtatë palë qiej, nuk ka katër gishta vend dhe në të gjendet një melek që i bie në sexhde Zotit të Lartësuar.
Po ashtu dhe të dërguarit e Tij, kur e njohën Zotin siç duhet, e madhëruan ashtu siç e meriton, ftuan dhe popujt e tyre që t’i frikësohen e binden Atij, dhe t’i ruhen dënimit dhe ndëshkimit të Tij.
Nuhu iu drejtua popullit të tij me këto fjalë: “Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet, ndërkohë që Ai ju ka krijuar në disa faza? A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin? Dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener.” Nuh 13-16.
Përcjell Imam Muslimi se Profeti a.s ka thënë: “Ditën e kiametit, Zoti do i palosë shtatë palë qiejt dhe do i marrë në dorën e Tij të djathtë e do thotë: ‘Unë jam sunduesi, ku janë tiranët? Ku janë arrogantët?” Më pas e palos dhe tokën me të majtën e Tij dhe thotë: “Unë jam Sunduesi, ku janë Tiranët dhe mendjemëdhenjtë?”
“Atë ditë, Ne do ta palosim qiellin ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë do ta përsërisim atë, ky është premtimi Ynë, Ne do ta bëjmë me të vërtetë” El’enbija 104.
Në hadithin Mutefek përcillet se një dijetar erdhi tek Profeti a.s dhe i tha: -O Muhamed! Në ditën e kiametit Zoti i bartë qiejt në një gisht, tokën në një gisht, malet dhe pemët në një gisht, ujin dhe dheun e lagur në një gisht dhe pjesën tjetër të krijesave në një gisht, më pas i shkund dhe thotë: “Unë jam Sunduesi, Unë jam Sunduesi!”
Profeti a.s qeshi nga fjalët e dijetarit, buzëqeshje miratimi dhe më pas këndoi: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në ditën e kiametit, e tërë toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen në të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij!”, Zumer 67.
Ky është Allahu, të Cilit i lutet çdo gjë që ka në qiej e në tokë dhe çdo ditë gjendet në një situatë ndryshe. Ai fal gjynahet, zgjidh halle, pasuron të varfrin, udhëzon të humburin, shëron të sëmurin, shëron të sprovuarin, pranon të penduarin, ndihmon të shtypurin dhe ia kthen hakun, mbulon të metat, siguron të frikësuarin, vendos drejtësinë, ngrihet për tek Ai puna e natës para asaj të ditës dhe vepra e ditës para të natës. Perdja e Tij është prej drite, nëse do e hiqte do digjej çdokush prej krijesave që do e shihte, e djathta e Tij është e plotë dhe nuk e pakëson e dhëna, jep natën dhe ditën, që ditën që krijoi njerëzimin.
Përcillet në një hadith Kudsi, ku Zoti i Lartësuar thotë: “O ju robërit e Mi! Nëse i pari dhe i fundit i juaji, prej njerëzve dhe xhindeve, mblidhen në një fushë të vetme dhe gjithsecili më kërkon atë që dëshiron dhe Unë ia jap, kjo pakëson në sundimin tim, aq sa pakëson gjilpëra kur e nxjerr prej detit!” Transmeton Muslimi.
Ai është Allahu i Lartësuari dhe i Nderuari, i Cili ndodhet mbi fronin e Tij, u flet Melaikeve të Tij, organizon mbarëvajtjen e tyre, dëgjon zërat e tyre, vrojton lëvizjet e tyre, sheh të brendshmen e tyre sikurse sheh të jashtmen, lartëson kë të dojë, poshtëron kë të dojë, në dorën e Tij është e Mira, nuk ka gjë të pamundur për Të.
Atë e madhërojnë qiejt dhe toka. Çdo gjë e madhëron Atë, por ju s’e kuptoni madhërimin e tyre, vërtetë Ai është i butë dhe falës.
Allahu është i Madhëruar në qenësinë e Tij Zot, në qenësinë e Tij Krijues, i Madhëruar edhe në Emrat e cilësitë e Tij, madhështor në pushtetin dhe krijesat e Tij, Madhështor në urtësinë dhe mëshirën e Tij.
Ai është Madhështorë edhe për nga mënyra se si e organizon mbarëvajtjen e krijesave të Tij, madje çdo madhështi në këtë botë, është argument e madhështisë së Tij.
Thotë Ebul Kasim el Asbehani: “Madhështia është prej cilësive të Zotit, askush prej krijesave të Zotit nuk mund ta arrijë atë, por Zoti ka krijuar mes madhështisë së Tij dhe krijesave, një tjetër madhështi që e përftojnë njerëzit, ndaj ka njerëz që nderohen si pasojë e pasurisë, të tjerë që lavdërohen për vlera, të tjerë që lavdërohen për dituri, prej tyre kush nderohet si pasojë e pushtetit që ka dhe çdo lavdërim i krijesave bëhet në lidhje me diçka konkrete, ndërsa Zoti i Lartësuar madhërohet për çdo gjë.”
Kushdo që ka arritur ta kuptojë madhështinë e Zotit, duhet që të mos flas fjalë që i urren Allahu, apo gjynah me të cilin nuk pajtohet Zoti, Ai është mbi çokënd”.
Vëllezër besimtarë! Sado që të përpiqen njerëzit për ta madhëruar Allahun, ata mbeten të mangët në këtë drejtim.
Zoti meriton më shumë. Vlerat e Tij janë gjithmonë më të mëdha, por besimtari përpiqet me sa ka mundësi e i Madhërishmi nuk e zhgënjen përpjekjen e tij, nuk ia humb mundin, por e shpërblen për përpjekjen e tij të vogël me shpërblim të madh.
Gjëja që më shumti të ndihmon për të realizuar madhërimin e Zotit, është dhe të medituarit rreth mrekullive dhe krijesave të Tij , të cilat tregojnë për madhështinë dhe përsosmërinë e Krijuesit.
“Në të vërtetë Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt e tokën për gjashtë ditë, e pastaj u ngrit mbi fronin e Tij, Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë: Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë i bekuar Allahu Zoti i botëve!”, El’Araf 54.
Zoti më begatoftë mua dhe ju me urtësitë që gjenden në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin e Profetit, kërkoj falje për vete dhe për ju, Kërkojini falje Allahut, se me të vërtetë Ai është Falës i madh.
Falënderimi dhe lavdia i qofshin Zotit në mënyrë të panumërt, ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij. Dëshmoj se Ai është i vetëm dhe pa ortak, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij!
Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të dhe familjen e tij, dhe mbi këdo që ndjek rrugën dhe metodën e tij!
Të nderuar besimtarë! Dijeni se ai që e madhëron Allahun, ndalet dhe tek kufijtë e Tij, nuk guxon ta kundërshtojë.
Madhështia e Zotit do të thotë: Largim prej gjërave të ndaluara, dorëzim dhe bindje ndaj urdhrave, ndalesave dhe ligjit të Tij.
“Po kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij”, Haxh 32.
Shenjë është çdo urdhëresë e Zotit që ka lidhje me fenë e tij, e ndër më kryesoret e këtyre shenjave është çdo urdhër që Ai vetë e ka cituar në librin e Tij, apo Profeti i Tij në fjalët e tij.
Si nderimi i muajit të shenjtë, vendit të shenjtë, e gjithçka lidhet me to dhe ka lidhje me ritet e Haxhit apo të Umres, si tavafi dhe ecja e lehtë, qëndrimi në Arafat, fjetja dhe hedhja e guralecëve.
Dhe këtë të gjithën e përfaqëson himni i monoteizmit ku thuhet: “T’u përgjigjëm Ty o Zot t’u përgjigjëm, t’u përgjigjem Ty që nuk ke shok, falënderimi, mirësia, dhe pushteti janë të tuat e Ti nuk ke shok.”
O umeti Islam! Zoti e ka veçuar Mekën në mesin e mbarë vendeve të tjera, duke e bërë të Shenjtë që ditën që krijoi qiejt dhe tokën, e nderoi atë dhe paralajmëroi me një dënim të madh të gjithë ata që kryejnë padrejtësi e shkatërrim në të.
“Ata që synojnë ta përdhosin xhaminë me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm”, Haxh 25.
Po ai që e tepron në krimet e tij dhe fshihet me to, në mesin e këtij vendi të bekuar, patjetër që atë e pret një dënim i madh.
Thotë Profeti a.s: “Njerëzit më të urryer janë tre”, dhe përmendi në mesin e tyre, atë që është i padrejtë në Harem.
Pra ai që është i padrejtë dhe lëshon rrugën e drejtë duke kryer gjynahe në këtë vend të Shenjtë.
O Umeti i Muhamedit! Dijeni se ky Umet do jetë në rrugë të mbarë, për sa kohë do e nderojnë këtë vend dhe do i përmbahen edukatës së kërkuar në të dhe do e madhërojnë Qaben.
Thotë Profeti a.s: “Ky Umet do të jetë në rrugë të mbarë përderisa e nderojnë vlerën e këtij vendi siç e meriton, e nëse e lënë dhe e braktisin këtë shenjtërim, ata shkatërrohen”, Musnedi Ahmedit.
Ndër nderimin e këtij vendi është dhe ndjesia e autoritetit të riteve të haxhit në shenjë njehsimi dhe bindje ndaj Zotit, të qenit i urtë, i butë dhe i qetë, t’u përmbahesh rregullave.
Të qëndrosh larg gjynaheve, debateve, armiqësive dhe urrejtjeve.
Nuk ka vend në këto rite për parulla ndasore, apo politike, këto rite janë bërë për ta përmendur Allahun më shumë, për t’iu lutur dhe për t’i kërkuar dhe më shumë falje.
“E kur të ktheheni nga Arafati, përmendeni Allahun në vendet e Shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, pasi që më parë ishit të humbur. Mandej kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhit, përmendni Allahun ashtu sikurse përmendni prindërit tuaj, madje edhe më tepër”, el Bekare 198-200.
O ju haxhilerë! Ndër mirësitë e Zotit për robërit e Tij besimtarë, është se ndër ta ka zgjedhur të tillë që i shërbejnë Qabesë dhe përkujdesen për të!
Zoti i ka nderuar këto vende, pra vendin tonë i cili e kryen një detyrë të tillë si mos më mirë, duke u përpjekur me të gjitha mënyrat për një organizim sa më të rehatshëm dhe të sigurt!
Ndaj Zoti e shpërbleftë shërbëtorin e dy xhamive të shenjta dhe zëvendësin e tij, për përkujdesjen dhe interesin e treguar për Qaben dhe vizitorët e saj!
Zoti e bëftë këtë vend gjithmonë të sigurt, të lartësuar e të rehatshëm!
Dijeni të nderuar besimtarë se Zoti iu ka urdhëruar me një vepër të lavdishme, të cilën e nis me veten e Tij ku thotë: “Vërtetë Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të! O ju që keni besuar, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam!”, Ahzabë 56.
Zot bekoje e begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e bekove dhe e begatove Ibrahimin dhe Familjen e Ibrahimit, Ti je i Lavdëruari, i Madhëruari!
Zot ji i Kënaqur me katër kalifët e drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, me mbarë Sahabët dhe kushdo që e ndjek rrugën e tyre deri në ditën e fundit, bashkë me ta dhe ne, me mëshirën, bujarinë dhe madhështinë tënde!
Zot lartësoje Islamin dhe myslimanet, poshtëroje shirkun dhe idhujtarët, ruaje fenë tonë, bëje vendin tonë të sigurt, të rehatshëm dhe të begatë si dhe mbarë vendet Islame.
O i Gjalli i Cili nuk vdes kurrë, mëshirën Tënde kërkojmë! Përmirësoje gjendjen tonë në të gjitha drejtimet, mos lejo që t’i mbështetemi veteve tona!
Zot largoji brengat dhe hallet e të brengosurve, zgjidhi problemet e të prekurve prej tyre, laji borxhet e borxhlinjve, shëroji të sëmurët e myslimanëve!
Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve anembanë, me Mëshirën dhe Bujarinë Tënde, o më i madhi Bujar!
Zot jepi sukses prijësit tonë, ndihmoje me ndihmë prej Teje, rrethoje nga njerëz të mirë e begatë, të cilët e udhëzojnë për nga e mira dhe e ndihmojnë për në të!
Zot udhëzoji mbarë prijësit e vendeve Islame për praktikimin e ligjit tënd, pasues të synetit të Profetit Tënd, bëji mëshirë për njerëzit!
Zot shtoja shpërblimin kujtdo që i shërben haxhilerëve, shtoja begatitë dhe mirësitë, ji i Kënaqur me to o Mëshiruesi më i Madh!
Zot na i fal gjynahet tona, mbuloji të metat tona, na e lehtëso jetën tonë dhe na prij në ato vepre që Ty të kënaqin!
Zot jepi sukses haxhilerëve të shtëpisë Tënde dhe pranoje prej tyre o Zoti i Gjithësisë.
Zot ktheji tek familjet e tyre shëndoshë e mirë dhe fitimtarë!
Zot ndihmoji dhe ushtarët tanë që qëndrojnë në kufij, ndihmoji ndaj armikut Tënd dhe armikut të tyre, o më i Lartësuari dhe i Nderuari!
I Lartësuar qofsh Ti Zot, ndaj asaj që të përshkruajnë Ty, paqja qoftë mbi të dërguarit dhe falënderimet qofshin për Ty!