Nga arsyet e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë ne besim deri në vdekje

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    13-10-1446H   11-04-2025 D

Shejh Halid El Muhana

Tema  Nga arsyet e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë ne besim deri në vdekje

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

 “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Allahu i Madhërishëm njerëzit e këtij umeti i ka veçuar me mirësi të panumërta dhe u ka dhuruar begati që nuk llogariten dot. Përsosi për ta fenë e tyre, plotësoi dhuntinë e Tij ndaj tyre  dhe zgjodhi që Islami të jetë feja e tyre. Pas Islamit, askujt nuk i është dhuruar diçka më e mirë se qëndrueshmëria në fe dhe zbatimi i sunetit, traditës së profetit, në mënyrë që njeriu të takojë Zotitn e tij pa ndryshuar diçka dhe pa devijuar, dhe të përgëzohet me kënaqësinë dhe nderimin e Tij në momentet e vdekjes së tij. E kjo, me lejen e Zotit, është pozitë fisnike, e nderuar, me të cilën Allahu nderon ata që i kanë besuar Atij, dhe pozitë e lartë të cilën Ai u jep miqve të Tij që kërkojnë udhëzimin e Tij. Allahu,  i Lartësuar është Emri i Tij, ka thënë: “ Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër…” (Ibrahim 27) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari.” (El-Kehf 17) Allahu ka thënë për të dërguarit të Tij: “ Dhe sikur mos të  kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (El-Isra’ 74) Allahu i Madhërishëm në një hadith Kud’si ka thënë: “ O robërit e Mi, të gjithë jeni të humbur përveç atyre që i kam udhëzuar Unë, prandaj më kërkoni udhëzim që t’ju udhëzoj!”

 E për sa kohë që mësimi, përfitimi është me përfundim, mbyllje, robërit dhe miqtë e Zotit, njerëzit e drejtë, ishin njerëzit më të frikësuar nga përfundimi i keq dhe nga devijimi pas udhëzimit. Ata nuk i mashtronin adhurimet që kishin bërë e as pendesa që rinovonin, përsërisnin. Gjendja e tyre me Zotin e tyre ishte në mes frikës pa dëshpërim, dhe shpresë pa neglizhencë. Ata nuk nënçmonin asnjë gjynah që kishin bërë dhe as nuk i bënin njerëzit të dëshpërohen për një gjynah të madh që kishin bërë. Imam Ebu Abdullah El Buhariu në Sahihun e tij ka thënë: Kapitulli: Veprimet gjykohen nga përfundimet e tyre dhe nga ajo që frikësohet prej tyre. Pastaj ka sjellë hadith nga Sehl Ibn Sa’d, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: I dërguari, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka shikuar një njeri që luftonte politeistët, e  ai ishte një nga njerëzit më të pasur prej tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush dëshiron që të shikojë një nga banorët e Xhehenemit, le të shikojë këtë njeri.” Një burrë e ndoqi,  e ai vazhdoi ta bënte atë, luftën ndaj politeistëve, derisa u plagos dhe e përshpejtoi vdekjen, kështu që mori majën e shpatës dhe e vendosi në mes të gjoksit të tij dhe e shtyu atë fort derisa ajo i doli pas shpatullave. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “  Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të Xhenetit (sipas asaj çka e shohin njerëzit) mirëpo ata janë prej banorëve të Xhehenemit. Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të Xhehenemit, mirëpo ata janë prej banorëve të Xhenetit. Veprat shpërblehen sipas përfundimit të saj.”

LEXO  Shfrytëzimi i kohës në këtë botë - Shejh Ali Hudhejfi

Sa i madh është ky hadith dhe sa e madhe është domethënia e tij për atë që meditojnë dhe marrin parasysh kuptimet e tij. Këtu është i sinqerti dhe i besuari, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na informon se çështja nuk është vetëm në vepra të mira por se në qëndrueshmërinë, vazhdimësinë në to, derisa robi ta takojë Zotin e tij me të, sepse jeta është e vlerësuar me fundin e saj dhe veprat janë të vlerësuara me përfundimin e tyre. Sikurse është bërë e qartë kjo në hadithin e Xhabirit, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo njeri do të ringjallet në gjendjen në të cilën ai ka vdekur.” Hadithin e ka transmetuar Imam Muslimi në Sahihun e tij.

Sa e sa njerëz që punojnë në bindje ndaj Zotit kanë pasur një përfundim të keq, tek Zoti kërkojmë mbrojtje. Allahu është Gjykatësi i Drejtë që nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por njerëzit u bëjnë keq veteve të tyre. Një njeri kryen një adhurim dhe shqetësimi i tij kryesor është që njerëzit ta shikojnë dhe ta lavdërojnë. Një njeri tjetër është i padurueshëm për shpërblimin, të mirën, për adhurimin e tij, duke shpresuar prej saj në përfitimin e kësaj bote. Një i treti është i impresionuar nga puna e tij, e kështu me radhë.

Vërtet, një përfundim i mirë është për ata që bëjnë vepra të mira, sepse Allahu i Madhëruar është Bujari, më i Nderuari, Falësi i Madh i gjynaheve, Mirënjohësi. Ai nuk e lëshon, braktisën një rob që i shërben Atij sinqerisht, i cili në adhurimin e tij ndjekën gjurmët e dërguarit të Tij dhe duke qëndruar i palëkundur në fenë e tij deri në ditën kur ta takojë Zotin e tij, ditën e Gjykimit.

Vërtet, ka arsye për qëndrueshmëri ndaj së vërtetës deri në vdekje, në të cilat na ka udhëzuar i Drejti i Vërteti, Allahu i Madhërishëm, të cilat i dërguari, mëshira për botën mbarë, ia mësoi umetit të tij, me të cilat paraardhësit e këtij umeti, selefët, vepruan dhe u mbajtën fort pas tyre.

Më të vlefshmet dhe më të mëdhatë prej tyre, që janë të nevojshme për robin, t’i përmbahet lutjes për udhëzim në rrugën e drejtë dhe të qëndrojë i palëkundur në të.  Ajo është e vetmja rrugë që të shpie për  tek Zoti i Madhëruar, ndërsa pjesët e tjera janë rrugët e shejtanit. Allahu ka legjitimuar këtë lutje për robërit e Tij në fillimin, hapjen e librit të Tij, Kuranit Famëlartë, zemrës së Tij, Fatihasë, kur përfundon falënderimi, lavdërimi i Zotit dhe Lartësimi  Tij për ta orientuar robin në dëshirën e tij më të madhe, që është udhëzimi, e kjo në fjalën e Tij, Allahut të Lartësuar, kur thotë: “ Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 6) Nga lutjet e tij, të dërguarit të  Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka qenë: “ Më udhëzo tek e vërteta në lidhje me dallimet, me lejen Tënde. Vërtet, Ti udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë.” Nga lutjet e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është: “ O Zot, të lutem që të më japësh udhëzim dhe  devotshmëri.” Ka porositur Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të, që të thotë: “ O Zot, më udhëzo dhe më  bëj të qëndrueshëm.” Sikurse ka porositur në këtë lutje: “ O Zot, të lutem të më japësh qëndrueshmëri në këtë çështje, fe.” Nga lutjet e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ai ishte njeriu më i devotshmi ndaj Zotit të tij dhe më i dituri prej tyre me Të: “Kërkoj strehim në Madhështinë Tënde, se nuk ka Zot tjetër përveç Teje,  që të mos më humbësh.”

LEXO  Vetë-pëlqimi, mendjemadhësi, shfaqjet e tij dhe metodat e trajtimit

Ndër shkaqet themelore të qëndrueshmërisë janë ndjekja e të dërguarit të Zotit, respektimi i sunetit të tij dhe të qenit i kujdesshëm për të mos ndjekur dëshirat devijuese. Kush do që e pason të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ai do të marri përgjigje. Ndërsa kush do që largohet nga drita e sunetit, me të cilën ka dërguar Allahu profetin e Tij, është i zhytur në errësirën e bidateve, ka devijuar nga rruga e drejtë,  i padrejtë ndaj vetes së tij dhe meriton dënim dhe ndëshkim. Sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” (El-Kasas 50)

Imam Xhunejd Ibn Muhamedi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “  Të gjitha rrugët janë të mbyllura për njerëzit, përveç atyre që ndjekin gjurmët e të dërguarit – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.” Këtu mbaron fjala e tij.

Kush mendon se ka një rrugë tjetër që të shpie për tek Zoti i Madhëruar, përveç rrugës së të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe të ndjekurit e shembullit të tij, ka rrëshqitur në humnerën e shkatërrimit me gjurmët e devijimit, është larguar nga bregu i shpëtimit dhe ka rënë në robërinë e shkatërrimit.

Nga shkaqet e mëdha të qëndrueshmërisë është të shtuarit e përmendjes së Zotit të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.” (El-Ahzab 41) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Er-Ra’d 28) Që do të thotë: I nënshtrohet ligjit të Zotit, gjykimit dhe përzgjedhjes së Tij, dhe largon  dyshimet, mëdyshjte dhe vesveset, obsesionet.   Sa më shumë që robi e kujton Zotin e tij, aq më shumë shkëlqejnë dritat e udhëzimit, duke ja forcuar zemrën dhe duke e bërë  t’i përmbahet vet të vërtetës.

Nga arsyet e rëndësishme të qëndrueshmërisë në fe është t’i drejtohemi Librit të Zotit të Madhëruar, Kuranit, duke e lexuar dhe medituar atë. Lidhur me këtë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “Thuaju se atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut.” (En-Nahl 102)

Nga arsyet e mëdha për qëndrueshmëri janë plotësimi i adhurimeve, kryera e tyre në privatsi. E kjo është që robi të ketë një sekret të mirë që askush nuk e di përveç Zotit të Madhëruar. Kjo është origjina e qëndrueshmërisë, sepse është shenjë e sinqeritetit dhe dëshmi e së vërtetës së besimit.

Nga ato që e bëjnë robin të qëndrueshëm në bindjen ndaj Zotit të tij është përkujtimi i vazhdueshëm i Ahiretit, botës Tjetër, dhe çfarë e përkujton atë, siç është përkujtimi i vdekjes dhe vizita e varreve. Sepse ajo shkurton shpresën dhe nxitën për në vepra të mira. Vdekja përmendet vazhdimisht në Librin e Zotit të Madhëruar, për t’i bërë njerëzit  të qëndrueshëm në besimin e tyre në Zotin e tyre dhe që të punojnë për takimin me Zotit të tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Përkujtoni shpesh shkatërruesin e kënaqësive, vdekjen.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vizitoni varrezat sepse ato ju kujtojnë Ahiretin, Botën Tjetër.” Ndërsa në një transmetim ka ardhur: “ Sepse vërtetë ato ju kujtojnë vdekjen.”

LEXO  Muaji Rexhep: Përfitime dhe rregulla

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Kush kërkon udhëzim prej Tij, Ai do ta udhëzojë atë, kush i mbështetet Atij, Ai do t’i mjaftojë atij, e kush kërkon strehim tek Ai, Ai do t’i japë atij strehim. Lutjet dhe përshëndetjet janë për robin, të dërguarin dhe të përzgjedhurin e Tij.

Në vijim

Nga mënyrat më të qarta për të qëndruar të palëkundur në të vërtetën është të qëndrojmë nën shoqërinë e njerëzve të mirë dhe të devotshëm. Ata përkujtojnë Zotin dhe udhëzojnë me urdhrin e Tij, urdhërojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe durimin në të. Ata vëllazërinë e tyre e konsiderojnë dashuri për Allahun, Zotin e tyre, e prej saj përfitojnë në këtë botë dhe në Ditën e Gjykimit, ditën kur njeriu do të ikë nga njerëzit e tij më të afërt. “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që e kanë pasur frikë Allahun.” (Ez-Zuhruf 67)

Pastaj do plotësojnë përfitimin e tyre me shoqërinë e tyre kur t’i takojnë në Xhennetet e begata, ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane, dhe në foltore, vende prej drite.

Nga arsyet e mëdha të qëndrueshmërisë dhe zbatimit të është të kujtuarit e përfundimit të kësaj bote dhe zhdukja e kënaqësive të saj, ndryshimi i kushteve të saj dhe kthimi i mendjes tek kuptimet e ndërprerjes së kënaqësive dhe ndalimit të saj. Nga urtësia e kësaj kujtese është vendosja në  zemrat e njerëzve dëshirën për kënaqësitë e përhershme, të cilat, pas mëshirës së Zotit, nuk mund të arrihen përveçse me qëndrueshmëri në të vërtetën dhe këmbënguljes në të. Dhe prej tyre është të marrit në konsideratë se sa shpejt kalon koha për të gjithë njerëzit. Sa i përket keqbërësit, veprat e tij do të priten me keqardhje, siç i përshkruan Allahu i Lartësuar me fjalët e Tij: “ Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në Tokë, veçse një çast të shkurtër dite, aq sa për të njohur njëri – tjetrin. Vërtet, janë të humbur ata që nuk e besojnë takimin me Allahun e nuk janë në rrugë të drejtë.” (Junus 45)  Sa i përket bamirësit, vepërmirit, që është i qëndrueshëm në të vërtetën, do t’i jepet shkëlqim dhe gëzim, për durimin e tij, Zoti do t’a shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.

Adhurues të Zotit! Shfrytëzoni vlerën e këtyre orëve të kësaj dite të bekuara duke shtuar lutjet dhe salavatet,  përshëndetje për vulën e të dërguarve dhe udhëheqësin e profetëve, për zotërinë e të gjithë bijve të Ademit, njerëzimit mbarë, sepse kush dërgon për të një salavatë, përshëndejte, Allahu dërgon me të dhjetë salavate për të.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë dhe familjarët e tij të nderuar dhe të pastër. Zoti qoftë i kënaqur me shokët e tij të pastër dhe të mirë, Muhaxhirinë prej tyre dhe Ensarët.

“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El-Hashr 10)

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro  idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e Tu dhe armiqtë e fesë.

O Zot, o Ndihmues i atyre që kërkojnë ndihmë, o Ti që i përgjigjësh thirrjes së nevojtarëve, o Më i miri ndihmues, bëhu për vëllezërit tanë të shtypur në Palestinë, mbështetës dhe përkrahës, kujdestarë dhe ndihmues i tyre. O Zot, të lutemi të jesh kundër jehudëve të padrejtë. O Zot, Zbritësi i librit, lëvizës i reve dhe mbundësi i grupacioneve mundi dhe tronditi ata. O Zot, merr hak ndaj tyre për robërit e Tu dhe qetëso zemrat e të dashurve Tu.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tonë.

O Zot, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, jepi sukse udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur, dhe drejtoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë. O Zot, mbështete atë dhe zëvendësin e tij në atë që është lavdia e Islamit dhe muslimanëve, dhe përmirësimi i çështjeve të kësaj bote dhe fesë.

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)

O Zot, na bëj të qëndrueshëm në fjalën e vërtetë në jetën e kësaj bote dhe në botën Tjetër, Ahiret, O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi ynë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdesim si musliman dhe na shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/687648700322838

Post Author: endrit