Reflektim pas haxhi – Usama ibn Abdilah el Khajat – 31.8.2018

Hutbeja e Mekës 20 Dhul Hixheh 1439 31.8.2018

 

Usama ibn Abdilah el Khajat

 

Falënderimet qofshin për Allahun, i Cili e bëri Mekën vend të sigurt dhe të shpërblyeshëm, i Lartësuar qoftë Allahu i Cili i përgëzoi hanxhinjtë me falje prej Madhërish së tij.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka Zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, një i vetëm dhe i pashoq, sikurse dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, njeriu më i kompletuar dhe më fetar!

Paqja dhe bekimet Tua o Zot qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij që ishin mbrojtësit e fesë, si dhe mbi mbarë ata që e ndjekin fenë deri në ditën e fundit.

O ju besimtarë! Kijeni frikë Allahun dhe kujtojeni ditën, kur do të qëndroni para Allahut për të dhënë llogari: “Ditën kur do kujtohet njeriu se në çfarë e kaloi jetën” Naziat 35.

“Ditën kur njeriu do ia mbathë prej vëllait të tij, prej nënës dhe babait të tij, prej gruas dhe fëmijëve të tij, atë ditë gjithsecilit do i mjaftojë çështja e tij” Abese 36.

Të nderuar besimtarë! Kryerja e obligimeve fetare, përfshiu këtu dhe Haxhin e Umren, është një mirësi e madhe prej Zotit, ndaj dhe duhet ta falënderojmë pa masë.

Kjo është një detyrë e pamohueshme nëse duam që të kemi mirësi e nderim të vazhdueshëm.

Kjo për vetë faktin, se Zoti u ka dhënë premtim falënderuesve ku thotë: “Zoti yt ka premtuar se nëse do falënderoni, Ai do ua shtojë mirësitë, e nëse mohoni dijeni se dënimi im është i rreptë” Ibrahim 7.

Zoti ua ka mundësuar hanxhinjve dhe vizitorëve, përmendjen e Tij sa më shumë, si dhe të kërkuarit Atij të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër.

Thotë Allahu i Lartësuar: “E kur t’i kryeni ritet e Haxhit, kujtojeni Allahun ashtu sikurse i kujtoni baballarët tuaj, apo dhe më shumë. Ka prej tyre që thonë: “Zoti ynë! Jepna të mira në këtë botë, ndërsa në ahiret çdo ketë asgjë.” Ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë! Jepna të mira në këtë jetë dhe në botën tjetër, ata janë që kanë shpëtuar, Allahu është Gjykues i shpejtë!” Haxh 32-33.

Ky është argument i qartë, se personi që kryen një të mirë si dhe Haxhin në veçanti, duhet ta pasojë me vepra të mira, në shenja mirënjohje ndaj Zotit për mirësitë e Tij të panumërta, veçanërisht duke iu mundësuar ta kryejnë këtë rit në formën më të mirë të mundshme dhe me shëndet të plotë.

LEXO  Mirësitë e qetësisë dhe sigurisë

Ky ajet përmban një paralajmërim dhe një udhëzim, paralajmërimi është për ata që kryejnë Haxhin dhe luten për të mirat në këtë botë duke lënë mënjanë mirësinë e botës tjetër.

Ndërsa udhëzimi në këtë ajet është në lutjen për të pasur të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe të na ruajë prej dënimit të zjarrit, sepse kjo lutje përmban mirësinë e kësaj bote dhe botës tjetër.

Thotë imam Ibn Kethiri: “Kjo lutje ka përfshirë çdo të mirë të kësaj bote, si shtëpia komode, bashkëshortja e ndershme, risku i bollshëm, mjeti i rehatshëm dhe çdo mirësi tjetër.

Ndërsa e mira në botën tjetër, përfshin shikimin tek fytyra e Zotit, sigurimin prej ushtimës së kiametit, gjykimin e lehtë dhe futjen në Xhenetin e Tij.

Ndërsa shpëtimi prej zjarrit, nis që në këtë botë, duke ta mundësuar që t’i largohesh të ndaluarave dhe të dyshimtave dhe mos u habit që kjo ka qenë një ndër lutjet më të shumta që e bënte Profeti a.s.

Transmeton Abdul Azijz ibn Suhejli se Katadeh e ka pyetur Enesin, se cila ka qenë lutja që më së shumti e bënte Profeti a.s?

Ai tha: “Thoshte: O Zot na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe na mbro nga dënimi i zjarrit.” Kjo ishte dhe lutja që më së shumti e praktikonte Enesi kur lutej, Ahmedi me zinxhir të saktë.

Si duhet të jetë gjendja e haxhiut, pasi Allahu ia mundësoi kryerjen e Haxhit? A do bëjë vallë pas e të zhytet në idhujtari pasi që Zoti ia ndriçoi zemrën, ia bëri të qartë gjithçka, ia bëri të mundur për të bërë tavaf rreth Qabesë për t’i treguar se s’duhet të adhurojë tjetërkënd përveç Tij?

Vallë! A do t’i kthehet veshjes së rrobave të gjynaheve, të gabimeve duke sfiduar Sunduesin e vërtetë, pasi që Zoti ia mundësoi veshjen e rrobave më të bukura, rrobave të devotshmërisë dhe afrimitetit ndaj Tij?

A do i kthehet vallë rrugës së mohimit dhe mosmirënjohjes ndaj Zotit, pasi që ishte ambientuar gjuha e tij me madhërimin të Allahut, me lavdërim të Tij, me kërkim falje, me falënderim dhe një gjë e tillë reflektoi dhe në gjymtyrët e tij duke bërë kurban e të tjera rite të Haxhit, duke pasuar të dërguarin e Zotit.

LEXO  Mirësia e arritjes së Ramazanit

A do e harrojë, apo anashkalojë qëndrimin e tij në ditën e gjykimit, në ditën e tubimit përpara madhërisë së Tij, ashtu sikurse qëndroi në malin e Arafatit, duke i lutur Zotit xhenetin dhe duke kërkuar mbrojtjen e Tij prej zjarrit.

Të nderuar besimtarë! Haxhiu duhet të qëndrojë me veten e tij dhe t’i kërkojë llogari, në mënyrë që të nxjerrë mësime, të japë premtime të sigurta, të japë fjalën se do vazhdojë në rrugë të mbarë , do i qëndrojë larg idhujtarisë derisa të vdesë.

“Ti lartësoje Zotin duke e falënderuar e ji prej të nënshtruarve, adhuroje Zotin derisa të të vijë vdekja” Hixhr 98-99.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë dhe në synetin e Profetit a.s, i kërkoj falje Zotit për vete dhe ju, vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues i madh.

Falënderimet dhe lutjet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, mbrojtjen e Tij e kërkojmë prej të këqijave të punëve dhe vetes tonë.

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut i paortak, sikurse dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Premtimi për haxhiun që ka thënë Profeti a.s: “Umreja deri në Umre është shlyese e gjynaheve, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç xhenetit” Mutefekun Alejhi.

Kjo do të thotë se haxhiu duhet të bëjë të pamundurën që pas përfundimit të Haxhit, sjellja e tij të jetë më e mirë se sa para Haxhit, dhe kjo është shenjë e pranimit të Haxhit.

Thotë Allahu i Lartësuar: “E ata që luftojnë në rrugën tonë, do i udhëzojmë për në rrugët tona, Allahu është me bamirësit” Ankebuts 69.

Kini frikë Allahun, o u besimtarë, përpiquni në luftën kundër të keqes, kundër vetes dhe shejtanit, që të fitoni kënaqësinë e Allahut e të futeni në xhenetet e Tij të larta!

Dërgo salavatë mbi vulën e profecisë, dhuratën më të bukur, Profetin tuaj Muhamedin a.s, për këtë na urdhëron Zoti ku thotë: “Allahu bekon Profetin e Tij, edhe melaiket luten për të, o ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selam të pandarë!”

Zot bekoje, begatoje e jepi mirësi pafund, robit dhe Profetit Tënd të përzgjedhur Muhamedit a.s, familjes tij të ndershme, bashkëshortëve të tij që janë nëna për besimtarët, katër kalifëve të drejtë, Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut, si dhe mbi mbarë sahabët dhe ata që e ndoqën rrugën e tyre, përfshina dhe ne me ata me Mëshirën Tënde të gjerë!

LEXO  Këshilla që të përfitojmë nga kohët e mëshirës dhe faljes

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, mbroje fenë tënde, poshtëroji pabesimtarët dhe të padrejtët, shkatërroji armiqtë dhe agresorët, kudo qofshin dhe kudo gjenden!

Zot lartësoje fenë dhe librin Tënd, si dhe synetin e Profetit Tënd dhe ne e mbarë myslimanët.

Zot na dhuro siguri në trevat tona, udhëzoje udhëheqjen dhe përfaqësuesit tonë, bëj që të sundohemi nga njerëz që të kanë frikë Ty!

Zot udhëzoje prijësin tonë, zëvendësin e tij, bashkëpunëtorët e tyre, drejtoji në atë që është më e mirë për islamin dhe myslimanët, shpërbleji për organizimin dhe lehtësimin e kryerjes së Haxhit!

Udhëzoji mbarë prijësit e trevave islame për në gjykimin me librin Tënd dhe synetin e Profetit Tënd, bashkoji në ato vepra, që Ti je i kënaqur!

Zot na e mbro fenë për të cilën jetojmë, na e gatit dynjanë në të cilën jetojmë, na e përmirëso botën tjetër në të cilën do të kthehemi, jetën na e mbush përplot me të mira e vdekjen na e bëj qetësim prej çdo vuajtje!

Zot na e bjer mbarë e mirë kudo dhe kurdo, na ruaj nga nënçmimi në këtë botë e nga ndëshkimi në botën tjetër!

Mbrojtjen Tënde kërkojmë prej asgjësimit të begatisë Tënde, përkeqësimit të gjendjes sonë, të befasuarit me dënimin Tënd, si dhe prej çdo pakënaqësie nga ana Jote!

Zoti ynë! Na e mundëso të veprojmë të mira, të largohemi nga të këqijat, t’i duam nevojtarët, e nëse do zbresësh dënim mbi të pafetë na e merr shpirtin pa na provuar!

Zot na bëj të mjaftohemi me hallallin Tënd, mos na bëj nevojtarë vetëm se të Madhështinë Tënde, na i shto mirësitë dhe mos na i pakëso dhe as privo!

Nderona dhe mos na nënçmo, ndihmona dhe mos ndihmo kundër nesh!

Zot shëroji të sëmurët tanë, mëshiroji të vdekurit tanë, si dhe na e mundëso ta mbyllim me vepra të mira!

Zot mos na i lako zemrat tona pasi që na udhëzova, si dhe na dhuro mëshirë prej Teje!

Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes tona, nëse Ti nuk na fal e mëshiron, padyshim që do jemi prej të humburve!

Zot na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe mbrona nga dënimi i zjarrit!

Bekoje e begatoje profetin tonë Muhamedin dhe familjen e tij dhe Ty të falënderojmë edhe në përfundim!

Meka / by

Post Author: admin