Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 19-12-1447 H 05-06-2026 D
Shejh Dr. Jusuf Ebu Sunejneh
Tema Thirrje për pendim dhe aspirata të larta
Lavdërimet janë për Zotin, Atë që përcakton exhelet, afatet, Ai që cakton veprat, dëgjon fjalët dhe i di të gjitha situata. Ai që lartëson të drejtët dhe poshtëron të ligjtë, lavdëron të devotshmit dhe ndëshkon shkelësit. I Madhërishëm është Ai, i Urti, Zoti i Gjithëdijshëm, bëri zemrat e dijetarëve fenerë drite, u dha atyre sukses dhe udhëzim, sa që vaji i tyre shkëlqen dhe pa u prekur nga zjarri. Ai e zbukuroi pamjen e tyre të jashtme me qetësi dhe dinjitet, dhe veten e tyre të brendshme me njohurinë e sekreteve.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, i Cili u përgjigjet atyre që e thërrasin dhe është afër atyre që i drejtohen Atij. Allahu dërgoi profetin tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me drita rrezatuese, e udhëzoi dhe e mbështeti me shenja të qarta, e nderoi me shokë që mbrojtën nderin e tij, dhe e ndihmuan atë kundër atyre që e kundërshtuan.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, profeti i Mëshirës, ndërmjetësuesi i umetit dhe folësi i urtësisë, nuk flet nga vetja e tij: “Por ajo (që thotë) është vetëm Shpallje hyjnore, që i vjen atij.”(En-Nexhm 4)
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me familjen e tij fisnike, deti i bujarisë, luanë përballë armikut, të cilët i ke pastruar nga çdo papastërti dhe u ke dhënë atyre një favor të madh:
“Nëse do të numëroheshin njerëzit e devotshëm, ata do të ishin udhëheqësit e tyre, ose u tha: Kush janë njerëzit më të mirë në tokë? U tha: Ata janë.”
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me shokët e tij që e mbështetën, e nderuan dhe e respektuan, dhe ruajtën shenjtërinë e tij. Ji i kënaqur me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O ju muslimanë! O ju që keni ardhur në këto vende të shenjta! Ju këshilloj të keni frikë Zotin, të veproni sipas asaj që Ai ju ka mësuar, të jeni të vetëdijshëm aty ku askush përveç Zotit nuk ju shikon, të përgatiteni për atë që askush nuk mund ta shmangë dhe për të cilën keqardhja nuk do të jetë e dobishme kur t’ju ndodhë. Hiqeni velin e pakujdesisë nga koka juaj, zgjohuni nga gjumi i të vdekurve dhe përpiquni për garën nesër, sepse kjo botë është arena e atyre që garojnë. Mos u mashtroni nga ata që shfaqin devotshmëri nga jashtë, merren me përshkrime dhe lënë pas dore punën sipas asaj që përshkruhet. Dijeni se të gjithë duhet të qëndrojmë para Zotit të Madhërishëm dhe Lartësuar, i Cili do të na pyesë për të voglën e fshehur dhe për të madhen e mbuluar. Dijeni se fjalët e thjeshta janë të pamjaftueshme për veprim, përgatitja është e pamjaftueshme për dhurim dhe fajësimi është i pamjaftueshëm për të shmangur dëmin. Kemi arritur në një kohë kur të tilla janë karakteristikat e njerëzve të saj. E kush është kështu e ka ekspozuar veten ndaj zemërimit hyjnor dhe është larguar nga rruga e drejtë. O Zot, Udhëzues i të humburve, Mëshirues ndaj gjynahqarëve dhe Falës i rrëshqitjeve të atyre që rrëshqasin! Na mëshiro me mëshirën Tënde, sepse jemi në rrezik të madh, dhe na bëj nga të gjallët e furnizuar. Adhurues të Zotit! Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm na është drejtuar me fjalën e Tij duke thënë: “Vërtet, ata njerëz janë një shembull i mirë për ju…”(El-Mumtehane 6) Sikurse ka thënë: “ Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm…” (El-Ehzab 21)
Prandaj, duhet të ndjekim shembullin e të dërguarit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sikurse Zoti i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë…” (En-Nur 54) Sikurse ka thënë: “… andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (El-En’am 90)
Babai ynë, Ademi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte njeri i diturisë dhe i urtësisë. Nuhu ishte njeri i durimit përballë dëmit dhe talljes së popullit të tij. Ibrahimi ishte njeri i forcës, bujarisë, zemërgjerësisë, dhurimit dhe fisnikrisë. Ismaili ishte njeri i sakrificës dhe i vërtetësisë. Isaku dhe Jakubi ishin ndër ata që duruan me durim sprovat, fatkeqësitë dhe vështirësitë. Ndërsa Davudi dhe Sulejmani ishin njerëz të diturisë, të të kuptuarit dhe të mirënjohjes për mirësitë. “O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” (Sebe’ 13)
Sa i përket Jakubit, ju e njihni atë si njeri të durueshëm përballë sprovave dhe vështirësive: “Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!”( Sad 44)
Jusufi ishte njeri serioz, aktiv, bamirës dhe i devotshëm. “Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.”(Jusuf 90) Ndërsa Musai zotëronte legjislacion të qartë, fuqi të madhe dhe mrekulli të dukshme. Zekeria, Jahja, Isai dhe Iliasai ishin të njohur për asketizmin dhe shkëputjen e tyre nga dëshirat e kësaj bote. Junusi ishte njeri i lutjes dhe i përulësisë para Zotit të Madhërishëm dhe i Lartësuar, i cili thërriste në errësirë. “S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”(El-Enbija’ 87) Zoti ynë ka thënë për të: “Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.”( Es-Saffat 143-144) Sa i përket të zgjedhurit të dashur dhe profetit të zgjedhur, Zoti i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar ka bashkuar tek ai të gjitha cilësitë e lavdërueshme dhe i është drejtuar me fjalën e Tij, duke i thënë: “ Se ti je me virtyte madhore.”(El-Kalem 4)
O adhurues të Zotit! Pse pra të mos e ndjekim dhe pasojmë të dërguarin tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të dërguarit e vendosur, dhe të distancohemi nga njerëzit e imoralitetit dhe krimit? Shikoni gjendjen tonë: Shumë gjynahe, pak vepra të mira, shpirtra të dobët dhe para kemi një udhëtim të gjatë. Sot jemi mbytur në dëshira dhe kënaqësi, kemi kundërshtuar urdhrat e Zotit të qiejve dhe të tokës, kemi ndjekur gjurmët e shejtanit, e na ka goditur poshtërimi dhe turpi. Vështirë se ka ndonjë midis nesh këto ditë, përveç ata të cilët i ka mëshiruar Zoti juaj, që nuk ka rënë në kurthin e kënaqësive dhe dëshirave. Midis nesh ka nga ata që i ndërpresin lidhjet familjare, nga ata që luajnë bixhoz, nga ata që konsumojnë kamatë dhe nga ata që kryejnë imoralitet, tradhëti bashkëshortore. Disa prej nesh hanë trashëgimitë dhe pronat, duke i privuar pronarët e tyre të ligjshëm nga e drejta që u takon, ndërsa të tjerët u shkaktojnë padrejtësi të mëdha atyre përreth tyre. Nga këto kanë lindur mosmarrëveshjet familjare, janë shtuar divorcet, të afërmit dhe miqtë janë shpërndarë, është përhapur armiqësia në shoqëri, janë shtuar sulmet dhe vrasjet. E gjithë kjo ndodh për çfarë? Për hir të kësaj bote kalimtare. “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Er-Rahman 26-27) Nëse duam drejtësi, sukses, arritje dhe begati, atëherë duhet të kthehemi në fenë tonë, të përmbushim të drejtat dhe amanetet ndaj pronarëve të tyre të ligjshëm dhe pastaj të pendohemi tek Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar, sepse Ai është që pranon pendimin nga robërit e Tij, fal gjynahet dhe e di se çfarë ju bëni.
E djeshmja ka ikur, e sotmja po përfundon dhe e nesërmja është një fillim i ri. Prandaj, nxitoni të bëni vepra të mira për deri sa jeni ende në kohë dhe kërkoni nga Zoti pak furnizim. Bllokoni rrugën e mendjemadhësisë me vetëdije dhe kultivoni zemër të butë duke u shoqëruar me njerëz të përkujtimit, të dijes, të drejtësisë dhe të suksesit. Bëni kujdes nga fjala: “ do ta bëj më vonë.”
Zoti e mëshiroftë robin që punon për orën e vdekjes dhe robin që punon për atë që vjen pas orës së vdekjes. Zoti e mëshiroftë robin që e shikon gjendjen e tij para se të zbresë vdekja. Le të sigurojë muslimani për veten e tij nga vetja e tij, nga jeta e tij e kësaj bote për botën Tjetër, Ahiretin, nga rinia e tij para pleqërisë dhe nga shëndeti i tij para sëmundjes, sepse jeni krijuar për botën Tjetër dhe kjo botë është krijuar për ju. Puna për në Xhenet është e lehtë, por ku janë punëtorët? Çmimi i saj është i vogël, por ku janë ata që shpenzojnë për të? Kush kryen veprimet e obliguara dhe i afrohet Zotit përmes veprimeve vullnetare, përpiqet gjatë kohëve më të vlefshme, preferon kënaqësinë e Zotit mbi dëshirat e tij, ka arritur gëzim të madh në praninë e Madhështisë së Tij, në lumturinë e përjetshme, në Xhenet. “Në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.”(El-Kamer 55) Dunjaja, jeta në këtë botë është e mirë vetëm përkujtimit të Zotit, bota e përtejme, bota Tjetër, Ahireti është e mirë vetëm për mes faljes së Tij, dhe Xheneti është i mirë vetëm se me shikimin e Tij.
Imami i devotshëm dhe asket, Bishr Ibn El Harith, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte një nga ata, prania e të cilit u kujtonte njerëzve Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar. Një ditë, ai udhëhoqi një namaz, që e mbajti gjatë dhe bukur, një burrë po falej pas tij. Bishri e vuri re këtë dhe tha: “O njeri, mos u impresiono nga ajo që ke parë tek unë, sepse shejtani e adhuroi Zotin bashkë me Melaiket për një kohë të gjatë, pastaj përfundoi ashtu siç përfundoi.” Sot ne duam famën, shpenzime të tepruara dhe shpërdorim, shpirt që qorton veten dhe shpirt që nxit të keqen. Bishri thoshte: “Nuk do ta gjesh ëmbëlsinë e adhurimit derisa të vendosësh pengesë midis vetes dhe dëshirave të tua.” Sikurse thoshte: “ Ai që e do famën nuk i frikësohet Zotit.” Sikurse thoshte: “ Mos bëj asgjë që të mbahesh mend, fshihi, mbuloi, veprat e tua të mira ashtu siç i fsheh veprat e tua të këqija.”
O ju të dashurit e mi! Shikoni zellin e këtij imami në adhurim. Ai është shejhu i Kufes, dijetari dhe transmetuesi i saj në hadithe, Ebu Is’hak Es Sabi’i, Zoti e mëshiroftë. Ai e lexonte Kuranin çdo tre ditë dhe thoshte: “O të rinj, shfrytëzoni forcën dhe rininë tuaj. Rrallë ka kaluar një natë pa lexuar një mijë ajete. Unë e lexoj suren Bekare në një rekat. Unë agjëroj muajtë e shenjtë, të hënave dhe të enjteve.” Nxënësi i tij, Ala’ Ibn Salim El Abdij ka thënë: “ Ebu Is’haku u dobësua para vdekjes dhe nuk mund të ngrihej në këmbë nëse nuk e ndihmonin të ngrihej. Kur qëndronte plotësisht në këmbë, ai lexonte më shumë se një mijë ajete në këmbë.” Ai ishte një figurë fetare e madhe dhe shumë e vlerësuar. Kështu duhet të përpiqemi, përndryshe do të humbasim veten dhe do të bëhemi barrë për të tjerët.
Ku jemi sot në krahasim me ata adhurues dhe asket të devotshëm që niseshin mbi kuajt e tyre drejt banesave dhe veprave shembullore të njohura? Koha erdhi mbi dhe i lodhi, i goditën fatkeqësitë dhe i shkatërruan. Mjerë për sprovat e kohës! Mjerë për hutimin dhe ankthin e udhërrëfyesve!
Adhurues të Zotit! Në këtë kohë jemi dobësuar në adhurim dhe jemi lodhur nga leximi, të gjitha për shkak të gjynaheve, mosngrënies së ushqimit të lejuar, hallall, mungesës së ndershmërisë dhe sinqeritetit.
O adhurues të Zotit! A e dini se si një musliman arrin status dhe rang të lartë tek Zoti? Njeriu arrin status të lartë tek Zoti duke marrë pjesë në tubime të përkujtimit të Zotit, duke thënë të vërtetën, duke pajtuar njerëzit, duke qenë i sinqertë, duke qëndruar për periudha të gjata në namaz, duke qenë i durueshëm në vështirësi, duke përballuar dëmin e njerëzve dhe duke u sjellë me ata me mirësi, duke ruajtur lidhjet farefisnore dhe duke folur me mirësi. Nga Islami i mirë i njeriut është braktisja nga ai e asaj që nuk i intereson.
Adhurues të Zotit! Vishuni me përkujtimin e Zotit dhe mbështilleni veten me një batanije frike, që të fitoni me lavdërimin e Zotit. Lumturia e vërtetë qëndron vetëm në gjetjen e ngushëllimit tek Zoti dhe në përputhje me planin e Tij. Ju jeni të njohur dhe të nderuar prej Tij. Kur jeni vetëm me Të, merrni parasysh se si duhet të jeni me Të. “ Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!”(Al ‘Imran 79) Jini njerëz të të vërtetës, besnikërisë dhe bujarisë, dhe beni kujdes nga armiqësitë.
I lutemi Zotit të na ndihmojë me këtë, të trasojë me ne rrugët më të mira, të na çlirojë nga Zjarri i Xhehenemit, të na dhurojë kënaqësinë e të parit të fytyrës së Tij fisnike në vendbanimin e përjetësisë, në Xhenet, të përjetësojë mbi ne bekimin e Islamit, të na ringjalli në shoqërinë e profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të na angazhojë me atë që e kënaq Atë dhe të na bëjë nga njerëzit e fjalës, dëshmisë: “ S’ka Zot tjetër përveç Allahut.” Transmetohet nga zonja fisnike dhe e ditur, Umu Der’da, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ajo ka thënë: “ Zotëria im, d.m.th. bashkëshorti i saj, Ebu Der’da, Zoti qoftë i kënaqur me të, më ka thënë se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Kush lutet për vëllain e tij në mungesë të tij, Melaiket që kujdeset për të thotë: Amin, dhe ti do të marrësh të njëjtën gjë.”
Adhurues të Zotit! Zemra e të penduarit është si qelqi, çdo gjë që e prek atë ndikon në të. Këshilla arrin shpejt në zemrat e atyre që janë më të prirur ndaj butësisë. Ata i shkrijnë gjynahet e tyre përmes pendimit dhe ndoshta pendimi i njeriut të penduar do t’i çojë ata në Xhenet, madje deri në pragun e tij. Uluni me ata që pendohen dhe drejtohuni tek Zoti, sepse mëshira e Zotit është afër atyre që bëjnë mirë. Lutuni Zotit me bindjen se do t’ju përgjigjen. Fitorja është me ata që kërkojnë falje! Kërkoni falje tek Zoti.
Hutbea e dytë
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, të Parit, të Cilin asnjë përshkrues nuk mund ta përfshijë, të Fundit, të Cilin asnjë njohës nuk mund ta kuptojë. Zoti ynë është shumë lart që të krahasohet me krijesat e Tij, i gjithë krijimi i Tij është i paaftë të përmbushë të drejtat e Tij. Atë e lavdërojmë për mirësitë dhe favoret e Tij, i kërkojmë Atij më shumë nga mirësia dhe bujaria e Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok në sundimin e Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari me provat dhe dëshmitë e Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, vëllezërit dhe mbështetësit e tij. Mëshira e Zotit Bujar dhe Dhurues i shoqëroftë ndjekësit e tyre me mirësinë e Tij. O Zot, na fal të gjithëve. Për Zotin, thuaj, o dëgjues, Amin.
Zoti dhe Sunduesi ynë! Mëshiro largësinë tonë në këtë botë, vetminë tonë në varr dhe qëndrimin tonë të gjatë nesër para Teje.
Në vijim
O ju muslimanë! Zoti ju bëftë ta përçmoni këtë botë dhe ju çlirojë nga shqetësimet dhe hidhërimet e saj. Kërkoni jetën e zemrave tuaja duke u shoqëruar me njerëz me intelekt dhe nxirreni dritën e zemrave tuaja përmes meditimit të vazhdueshëm. Bëni kujdes të mos thoni: “Do të punoj nesër”. Mos e doni këtë botë, varfëria tek Zoti konsiderohet pasuri, vështirësia është bekim dhe privimi është dhuratë, vetmia është shoqëri, poshtërimi është nder, bindja është profesion dhe mbështetja tek Zoti është një mjet jetese. Forca e asketit është çfarëdo që gjen, vendbanimi i tij është kudo që mund ta gjejë dhe veshja e tij është çfarëdo që mbulon. Vetmia është vendi i tij i mbledhjes, Kurani biseda e tij, heshtja është mburoja e tij, përmallimi është kali i tij, të drejtët janë vëllezërit e tij, arsyeja është udhërrëfyesi i tij, uria është furnizimi i tij, Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm është furnizuesi i tij, Zoti i mjafton si mbrojtës.
Adhurues të Zotit! Shqetësimet janë ndëshkimi për gjynahet, kur ndodh fatkeqësia, zbulohet natyra e vërtetë e durimit, dhe kur zbulohet caktimi shfaqet natyra e vërtetë e kënaqësisë. Sa nga të gëzuarit gëzimi i tyre është sprova dhe sa nga të trishtuarit pikëllimi i tyre është shpëtimi. Jeta dhe kjo botë janë vend pikëllimi, shqetësimi, mundimi dhe tundimi, e keqja na rrethon kudo, përveç atyre që kanë një besëlidhje me Zotin e tyre. Ruani aktet tuaja të adhurimit, namazet tuaja, recitimet dhe leximin tuaj të Kuranit, keni mendim të mirë për Zotin, sepse Ai është i aftë për shpëtimin dhe çlirimin tuaj. Nuk ka shpëtim nga fati, caktimi.
Adhurues të Zotit! Nga ky vend, u themi Haxhinjëve tanë të nderuar! Zotin e lavdërojmë që jeni kthyer shëndoshë e mirë dhe fitimtarë. Ishit në ato toka të pastra dhe të bekuara në të cilën kanë qenë profetët. Bën tavaf në Shtëpinë e Shenjtë dhe e patë Qaben në gjithë madhështinë e saj. Puthët dhe prekët Gurin e Zi, që është e djathta e Zotit në tokë. Patë vendqëndrimin e Ismailit, u lutët pranë vendqëndrimit të Ibrahimit dhe u lutët në Multezem, vendi në mes portës së Qabes dhe gurit të zi, nuk ka rob që lutet atje përveçse Zoti i përgjigjet atij. Pitë nga uji më i mirë në faqen e dheut, uji i Zemzemit, i cili është për çfarëdo qëllimi për të cilin pihet. Ajo është shtypja e Xhibrilit, uji që i është dhënë Ismailit. Kryet Sa’jin midis Safasë dhe Mervasë, dhe qëndruat në malin Arafat. Në vendin e Shenjtë, ju iu lutët dhe e kujtuat Zotin, e goditët me gurë shejtanin e mallkuar me guralecë. Zotin e lavdërojmë që ju mundësoi të kryeni këto rituale dhe ju ka kthyer tek ne shëndoshë e mirë dhe fitimtarë. Urime për ju! Jeni kthyer të pastër si dita kur ju kanë lindur nënat tuaja. Ne ju themi: Haxh të pranuar, gjynahe të falura, përpjekje të vlerësuara dhe tregti që nuk humbet kurrë. I drejtohemi Zotit Bujar me sinqeritet dhe nënshtrim, i lutemi Atij të na mëshirojë me mëshirën e Tij të gjerë dhe të na pranojë në fortesën e Tij të pathyeshme.
O ju muslimanë! Dje, ndërroi jetë Shejh i nderuar Walid Sijam. Ai drejtonte lutjet në xhaminë e bekuar Aksa, Zoti qoftë i kënaqur me të, e mëshiroftë dhe vendi i tij i pushimit qoftë i mbushur me mirësinë e Tij. Ai vazhdoi të ngjitej në përsosmëri shpirtërore derisa vdekja, shkatërruesi i kënaqësive, erdhi tek ai dhe udhëtoi drejt varrezave. Arriti tek Ai që di lëvizjen e syve dhe çfarë fshehin zemrat, Sunduesi i Madhërishëm dhe i Lartësuar, Zoti më Falës. Zoti e mëshiroftë, ishte njeri me aspirata të larta dhe me rrugë të lavdërueshme. Ai i kënaqte studentët e tij në predikimet e tij, ishte elokuent dhe i artikuluar. As blerja dhe as shitja nuk e penguan nga përkujtimi i Zotit. Qëndroi në këtë gjendje derisa u afrua, zbriti në varrin e tij dhe u largua nga bota. Atë e përqafoi toka e tij dhe u ndanë prej tij të dashurit dhe bashkëmoshatarët e tij. Ai ndoqi rrugën nga e cila askush midis njerëzimit nuk devijon, duke udhëtuar drejt Krijuesit të tij në rrugën e drejtë dhe duke pushuar në varrin e tij deri në Ditën e Ringjalljes. Ai la pas një kujtim të qëndrueshëm, të lavdëruar dhe një trashëgimi të këndshme, një trashëgimi që askush përveç kokëfortëve dhe të privuarve nuk do ta mohonte, dhe nuk do ta injoronte askush përveç shpifësve dhe qortuesve. Ai kishte karakter të shkëlqyer dhe gjithmonë i gëzuar. Ai ishte i njohur për aftësitë e tij në zgjidhjen e problemeve, aftësinë e tij për të sqaruar çështje komplekse, njihej si lexues i shumtë i Kuranit dhe i lutjeve, dhe për përkushtimin e tij të thellë gjatë orëve para agimit. Devotshmëria e tij ishte e madhe dhe besueshmëria e tij ishte e padiskutueshme. Zoti e mëshiroftë me mëshirën e Tij të gjërë, i dhëntë një vend në Xhenetin e Tij dhe na bëftë të gjithëve të përfitojmë përmes dashurisë së Tij. Ai është Dhurues dhe Bujar.
O Zot, drejtohemi tek Ti, o Allah, o Bujar, o Zotërues i mirësisë së pafundme! O Ti që ia ktheve Jusufin Jakubit! O Ti që e çlirove Jakubin nga vuajtjet dhe vështirësitë e tij! O Ti që e shpëtove Ibrahimin nga zjarri dhe Ismailin nga sakrifikimi! O Ti që iu përgjigj Zekerias dhe i dhe atij Jahjan! O Ti që e nxore Junusin nga barku i balenës! O Ti që e ndave detin për Musain! O Ti që e ngrite Isain pranë Vetes dhe mbrojte të dërguarin tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga armiqtë e tij! Mbroji muslimanët në këtë tokë të bekuar.
O Allah, lehtëso punët e tyre dhe vulos veprat e tyre me punë të mira. O Strehues i të frikësuarve dhe kërkuesve të mbrojtjes! O Çlirimtar i robërve të prangosur! O Furnizues i foshnjës së vogël! O Shërues i kockave të thyera! O Mëshirues i të moshuarve! O Ndihmës i atyre që thërrasin për ndihmë, na ndihmo. O Zot, shpejto lehtësimin tonë, ki mëshirë për lotët tanë dhe na ndihmo në grahmat e vdekjes. Ti je streha në kohë fatkeqësie, asgjë nuk mund të na largohet përveç asaj që Ti largon, dhe asgjë nuk mund të na zbulohet përveç asaj që Ti zbulon.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj