Varfëria dhe pasuria mes urtësisë së Zotit dhe sprovës për njerëzit

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    07-04-1448 H     18-09-2026 D

Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim

Tema   Varfëria dhe pasuria mes urtësisë së Zotit dhe sprovës për njerëzit

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.

O ju muslimanë! Zoti i krijoi krijesat dhe e përsosi krijimin e tyre. Në çdo gjë që Ai krijon ka urtësi të cilën e do dhe është i kënaqur me të. Nuk ka as një grimcë në qiej dhe në tokë që të mos dëshmojë për përsosmërinë e dijes së Zotit, mëshirës, fuqisë  dhe urtësisë së Tij. Mendja e shëndoshë dhe natyra e pastër njerëzore dëshmojnë, siç dëshmojnë Kurani dhe suneti, se veprat e Zotit të Madhëruar burojnë nga një urtësi e përsosur.

Çështja e kaderit, caktimit hyjnor, urtësisë dhe qëllimeve të Tij janë nga gjërat që muslimani duhet t’i njohë. Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Gjëja më e rëndësishme që duhet të njohë i obliguari është ajo që ka ardhur lidhur me kaderin dhe caktimin, urtësinë dhe qëllimin, e këto janë ndër synimet më madhështore. Besimi në to është boshti rreth të cilit sillet teuhidi dhe sistemi i tij, fillimi dhe përfundimi i fesë së qartë. Ajo është  prej shtyllave të imanit dhe baza e ihsanit, tek e cila kthehet dhe rreth së cilës sillet në të gjitha gjendjet e tij.”

Prej urtësisë së Zotit të Lartësuar është se Ai ka bërë robërit e Tij të ndryshëm në krijim, moral, mendje, kuptim, furnizim dhe mënyrë jetese, në mënyrë që Zoti i Lartësuar disa prej tyre t’i vërë në shërbim të të tjerëve në punë për shkak të nevojës së tyre të ndërsjellë. “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve.” (Ez-Zuhruf 32)

Ndryshimi mes njerëzve është prej urtësisë së Tij, Zotit të Plotëfuqishëm. Sikur të gjithë krijesat të ishin të barabarta në çdo gjë, nuk do të njihej vlera e mirësisë, begative dhe mëshirës së Tij, gjithashtu do të zhdukeshin adhurime të tilla si sadakaja dhe bamirësia ndaj të varfërve, të cilat janë ndër adhurimet më të dashura tek Zoti. Nëse të gjithë njerëzit do të ishin të pasur vlera e pasurisë që meriton mirënjohje nuk do të njihej.

Zoti i Lartësuar është Furnizuesi, ngushton dhe zgjeron furnizimin, vepron me krijesat e Tij siç dëshiron. Sikur t’u jepte atyre më shumë furnizim sesa u nevojitet, kjo do t’i shtynte në padrejtësi dhe tejkalim në tokë. “Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti.” (Esh-Shura 27)

Por Ai u zbret furnizim në masën që dëshiron dhe zgjedh për ta, sepse Ai e di më së miri se çfarë është e dobishme për ta. “Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.” (Esh-Shura 27)

Zoti i Madhëruar i sprovon njerëzit dhe me begatitë e Tij, i begaton përmes sprovave të Tij,  kjo për ngritjen e tyre në gradave dhe faljen e gjynaheve të tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Atij që Allahu ia dëshiron të mirën, i sjell, jep sprova.” Domethënë, e sprovon me fatkeqësi, që ta shpërblejë për durimin ndaj tyre. Hadithin e transmeton Buhariu.

Varfëria dhe pasuria janë dy mjete me të cilat sprovohen robërit dhe askush nuk mund t’u shmanget. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë…” (El-Enbija’ 35) Domethënë, ju sprovojmë herë me fatkeqësi dhe herë me begati.

Caktimi i Zotit për robin besimtar është dhuratë dhe nëse shfaqet në formën e privimit, mirësi dhe nëse është në formën e një vështirësisë, dhe sprova e Tij është mirëqenie dhe nëse është në formën e fatkeqësi. Por, për shkak të padijes së robit, ai e konsideron dhuratë, begati dhe mirësi vetëm atë që i sjell kënaqësi të menjëhershme dhe që përputhet me dëshirat e natyrës së tij.

LEXO  Sipas veprave do të shpërbleheni - Medina 10.01.2020

Gjerësia e furnizimit nuk është domosdoshmërish nderim nga Zoti për robin dhe dashuri ndaj tij, sikurse as varfëria nuk është domosdoshmërish poshtërim apo zemërim i Zotit ndaj tij. Zoti mund t’i japë begati të kësaj bote dikujt që nuk e do, për ta lënë gradualisht të zhytet në të, dhe mund t’ia ndalojë ato dikujt që e do, që të mos i ulen gradat tek Ai. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar”. Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. Nuk është kështu!” (El-Fexhr 15–17)

Nga profetët dhe të dërguarit ka pasur dhe të pasur, si Ibrahimi, Ejubi, Daudi dhe Sulejmani, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Nga të parët dhe nga dhjetë sahabet e përgëzuar me Xhenet kishte nga ata që ishin të pasur, si Othman Ibn Afani, Abdurrahman Ibn Aufi, Talha dhe Zubejri, Zoti qoftë i kënaqur me ta.

Nga profetët ka pasur dhe të varfër, si Isai, i biri i Merjemes, dhe Jahja, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Nga sahabet e mëdhenj kishte të varfër, si Ebu Dherri, Mus’ab Ibn Umejri dhe Selmani El Farisi, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Ka pasur prej tyre tek të cilët janë bashkuar të dyja gjendjet, pasuria në një periudhë dhe varfëria në një tjetër, siç ishte i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Ebu Bekri dhe Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ta.

Zoti i Madhëruar nuk ka vendosur epërsi mes njerëzve për shkak të varfërisë apo pasurisë,por Ai i ka dalluar ata me devotshmëri. Cilido prej tyre që kishte imanin dhe devotshmërinë më të madhe, ishte më i mirë, e nëse ishin të barabartë në këtë, ishin të barabartë edhe në vlerë. “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat 13)

Durimi dhe falënderimi janë dy gjendje që duhet ta shoqërojnë robin në lidhje me urdhrat dhe ndalesat e Zotit të tij, si dhe me kaderin dhe caktimin e Tij. Ai nuk mund të bëjë pa to për asnjë çast.

Njerëzit e përsosur shprehin siç duhet falënderimin, mirënjohjen dhe durimin, siç ishte i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai ishte zotëria  i të pasurve falënderues dhe zotëria i të varfërve durimtarë. Ai ishte durimtarë ndaj varfërisë që nuk e ishte askush tjetër dhe falënderues për pasurinë që nuk e ishte asnjë i pasur tjetër si ai.  Ai ishte krijesa më durimtare në sprovat e durimit dhe krijesa më falënderuese në rastet për mirënjohje. Zoti ia plotësoi atij të gjitha shkallët e përsosmërisë, duke e ngritur në gradat më të larta të falënderuesve dhe në pozitat më të larta të durimtarëve. Zoti i Plotëfuqshëm ka thënë: “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?” (Ed-Duha 8) Domethënë: të varfër dhe pastaj të pasuroi. Ibn Rexhebi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Ai i jepte përparësi të tjerëve ndaj vetes, familjes dhe fëmijëve të tij, duke dhuruar aq shumë saqë për to ishin të pa aftë dhe mbretërit si Kisra dhe Cezari, ndërsa vetë jetonte një jetë të të varfërve.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk kishte frikë se varfëria do ta godiste umetin e tij. Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pasha Zotin, nuk kam frikë për ju nga varfëria.” Muttefikun alejhi.

Prandaj, varfëria nuk është turp dhe as mangësi. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe sahabet e tij të devotshëm u sprovuan me të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga uria, lidhte një gur mbi barkun e tij. Transmeton Buhariu.

Një ditë, Ebu Bekri dhe Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, dolën nga shtëpitë e tyre për shkak të urisë së madhe. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha atyre të dyve: “Çfarë ju ka nxjerrë nga shtëpitë tuaja në këtë orë?” Ata thanë: “Uria, o i dërguar i Allahut.” Ai tha: “Edhe mua, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, më ka nxjerrë e njëjta gjë që ju ka nxjerrë ju.” Transmeton Muslimi.

LEXO  Qëndrueshmëri dhe këmbëngulje pavarësisht vështirësive dhe fatkeqësive

Transmetuesi i madh i haditheve, Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kam parë veten time se rrëzohesha pa ndjenja në hapësirën ndërmjet minberit të të dërguarit të Allahut paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  dhe dhomës së Aishes. Sa që vinte dikush dhe vendoste këmbën mbi qafën time, duke menduar se isha i çmendur, por unë nuk isha i çmendur, ajo që kisha ishte vetëm uria.” Hadithin e transmeton Buhariu.

Mëshira e Zotit ndaj krijesave të Tij është më e mirë për ta sesa ato që kanë në duart e tyre,  nga pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj bote. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.” (Ez-Zuhruf 32)

Njeriu i devotshëm do të marri nga Zoti përfitime nga ajo që Ai ja lehtëson furnizimin e kësaj bote dhe botës Tjetër, Ahiretit, nga rrugë që ai nuk i pret. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak 2–3)

Sprova e pasurisë është më e madhe se sprova e varfërisë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Por kam frikë për ju se mos bota ju hapet, ashtu siç iu hap atyre që ishin para jush, e të garoni për të, ashtu siç ata garuan për të, dhe t’ju shkatërrojë ashtu siç i shkatërroi ata.” Muttefekun alejhi.

Në Ditën e Gjykimit, të varfrit prej besimtarëve do të hyjnë në Xhenet para të pasurve të tyre, për shkak se llogaria e tyre është më e lehtë. Ata nuk kanë pasuri të shumta për të cilat do të japin llogari se si e fituan dhe si e shpenzuan. Ata janë më të merituar për shpërblimin për shkak të asaj që u mungoi në këtë botë nga kënaqësitë e saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Të varfrit do të hyjnë në Xhenet para të pasurve me pesëqind vjet.” Hadithin e transmeton Tirmidhiu.

I pasuri do të japë llogari. Nëse ai ka qenë bamirës në pasurinë e tij dhe nuk ka qenë keqbërës, dhe ka pasur më shumë vepra të mira se i varfri, atëherë pas hyrjes në Xhenet grada e tij do të ngrihet mbi atë të të varfrit. Nëse janë të barabartë, do të jenë të barabartë edhe në gradë, e nëse i pasuri ka më pak vepra të mira, do të jetë më poshtë se ai.

Në vijim

O ju muslimanë! Zoti ynë ka përfshirë me dijen dhe caktimin e Tij çdo gjë. Ai është i Urti, nuk vendos asgjë veçse në vendin që i përshtatet. Atij i takon falënderimi i plotë për gjithçka që ka krijuar, caktuar dhe vendosur. Dhënia dhe ndalimi, privimi i Tij janë sprovë dhe provim. Besimtari është i kënaqur me atë që i është dhënë dhe nuk kundërshton caktimin e Zotit. Kush është i tillë, është njeriu më i pasur. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shikoni atë që është më poshtë se ju dhe mos shikoni atë që është mbi ju, kjo është më e përshtatshme që të mos e përçmoni begatinë e Zotit mbi ju.” Hadithin e transmeton Muslimi.

Lumturia e vërtetë nuk qëndron në hapjen e dyerve të kësaj bote për robin, por në fitimin e begatisë më të madhe në këtë botë, begatisë së udhëzimit. Kjo nga se Zoti ia dhuron atë vetëm atij që Ai e do. “…përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim…” (El-Huxhurat 17) Ndërsa humbja më e madhe është që robi ta takojë Zotin e tij duke qenë i privuar nga kjo begati. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh-Shu’ara’ 88–89) Varfëria mund të jetë shkak për të arritur begatinë e përhershme në Xhenet. I begatuari i vërtetë është ai që vdes me iman, besim.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Shiko, si Ne i parapëlqejmë disa ndaj të tjerëve. Kurse bota tjetër, në të vërtetë, do të ketë shkallëzime më të mëdha dhe parapëlqime më të theksuara.” (El-Isra’ 21)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë e tij të mëdha.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

LEXO  Pastrimi i shpirtrave... rruga drejt suksesit

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.

Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.

O ju muslimanë! Zoti ka ndarë në mes të robërve të Tij varfërinë dhe pasurinë. Varfëria mund të jetë më e dobishme për disa njerëz, ndërsa pasuria më e dobishme për të tjerë. Zoti e di kurse ju nuk e dini.

Begatia nuk është domosdoshmërish shenjë e kënaqësisë së Zotit me robin e Tij, ajo mund të jetë një kurth për të, mashtrim gradual drejt ndëshkimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “A mos mendojnë ata që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem, po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë).” (El-Mu’minun 55–56)

Gjendja e besimtarit me Zotin gjatë jetës së tij duhet që të jetë mirënjohës dhe ta falënderojë Zotin në begati, si dhe të jetë i durueshëm dhe ta falënderojë Atë në vështirësi. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt e mirë për të dhe kjo nuk është e tillë për askënd tjetër përveç besimtarit. Nëse besimtarin e godet një e mirë, ai falënderon Zotin, e kjo është në dobi të tij, e nëse e godet e keqja, ai bën durim, sabër, e kjo është në dobi të tij.”  Hadithin e transmeton Muslimi.

Islami ka nxitur për fitimin e rizkut dhe kërkimin e furnizimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se ai që e ka fituar me punën e duarve të veta.” Hadithin e transmeton Buhariu. Besimtari i pasur dhe i devotshëm mund ta paraprijë besimtarin e varfër dhe të devotshëm përmes shpenzimit të tij në rrugë të Zotit dhe lëmoshës së tij.

O ju muslimanë! Meka e Shenjtë është vendi më i dashur tek Zoti. Në të ndodhet xhamia e parë e vendosur për njerëzit, Qabja e Zotit, kibla e muslimanëve. Në të ndodhen vendet e riteve të Haxhit, si Safa dhe Merveja dhe Arafati. Për shkak të madhështinë e saj Zoti është betuar në të.

Medina e Ndritur është vendi ku emigroi i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Aty ndodhet xhamia e tij dhe aty jetoi deri në vdekjen e tij. Medina është një qytet i bekuar dhe vendi ku strehohet dhe forcohet imani. Të dyja janë dy vende të shenjta, madhështore dhe të sigurta. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka dashur këto dy qytete dhe nuk ka banuar në ndonjë vend tjetër përveç tyre.

Sulmi ndaj dy vendeve të shenjta, terrorizimi i banorëve dhe njerëzve të sigurt në to, apo sulmet ndaj xhamive, institucioneve arsimore dhe pronave, janë krime të mëdha tek Zoti. Veprimet agresive që kryen grupi terrorist Huthi, duke i kërcënuar dhe sulmuar ato, tregojnë qasjen e tij terroriste dhe lejimin e derdhjes së gjakut të muslimanëve dhe frikësimin e njerëzve të sigurt.

Në ngjarjen e ushtrisë së Elefantit në Mekë ka  mësim. Ndërsa për Medinën, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush i frikëson banorët e Medines Zoti do ta frikësojë atë. Mbi të do të jetë mallkimi i Zotit, i Melaikeve dhe i të gjithë njerëzve. Prej tij nuk do të pranohet asgjë, qoftë detyrim apo vullnetare.” Hadithin e transmeton Nesaiu.

Dijeni se  Zoti ju ka urdhëruar të bini në Salavate dhe ta përshëndesni  të dërguarin e Tij, ku  në Librin e Tij,  në Kuranin Famëlartë, ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin tonë,  Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë,  të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, me Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, me  Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj vendin tonë, ndihmo ushtarët tanë.

O Zot, kush synon të keqen kundër vendit tonë, angazhoje me veten e tij, ktheje komplotin e tij kundër tij, lësho tmerrin në zemrën e tij dhe tunde tokën poshtë këmbëve të tij, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm!

O Zot, jepi sukses kujdestarit të  dy xhamive të shenjta dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata të dy në drejtësi dhe devotshmëri. O Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1680393047420702/2149776275950976

Post Author: endrit