Feja është këshillë – Shejh Ali ibn Abdirahman el Hudhejfij – Medinë 23.11.2018

Falënderimet i takojnë Allahut, të Lartësuarit, Bujarit, Filluesit të gjithçkaje, në dorën e të Cilit është çdo mirësi!

Atë e falënderoj për çdo mirësi të ditur dhe të paditur, dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dëshmoj se profeti dhe zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, të cilit i dha fjalët e përmbledhura, Zot lartësoje e bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij që ndoqën rrugën e tij të drejtë!

Frikësojuni Allahut nëpërmjet veprimit të veprave të drejta, duke iu larguar të ndaluarave, të fituarit janë të devotshmit e të dështuarit  janë pasuesit e egos dhe të epshit!

Kërkojini llogari vetes para se t’ju kërkohet, zgjojini zemrat nga hutimi të cilin ndodhen, ndalini vetet nga të ndaluarat, pendohuni para se t’ju vijë vdekja, të ndërpriten shpresat e të ndalet puna, ju të gjithë e shihni se si kalojnë ditët e vitet, e pas jetës s’ka tjetër veç vdekjes, e pas vdekjes ka shpërblim, ose ndëshkim të dhimbshëm.

Kjo jetë është e përkohshme e jeta tjetër është e përhershmja:

“Po ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, e dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme” Ala 16-17.

Drejtojuni librit të Zotit, sepse në të gjendet lumturia dhe krenaria juaj, aty gjendet përmirësimi i gjendjes suaj, aty do gjeni fitoren pas vdekjes, të kapurit për të ju mbron nga sprovat e përçarjet të cilat sa vijnë e shtohen me afrimin e kiametit, janë aq të ndërlikuara sa nuk shpëton prej tyre vetëm se ai që kapet pas Kuranit dhe sunetit.

Meditoni në librin e Zotit dhe me të punoni, mësoni prej synetit atë që ua mban fenë në këmbë e besimin e drejtë, e saktëson adhurimin e veçanërisht hadithet përmbledhëse të çështjeve kryesore të islamit, përfshirëset e virtyteve të larta, kuptojini dhe veproni me to.

Kjo është metoda e selefevë tanë të mirë: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve dhe vendasve, dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhenete në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë të pasosur përjetë, e ky është fitim i madh” Teube 100.

Në lidhje me këtë dëshiroj të përmend një hadith të përmbledhur që obligon çdo mysliman e myslimane të veprojë me të, i obligon meshkujt dhe femrat që të kapen pas këtij  hadithi për sa kohë që janë gjallë, thotë Profeti a.s: “-Feja është këshillë, transparencë dhe të qenit i kulluar.

I thamë: -Me kë o i dërguar i Allahut?

Ai tha: -Me Allahun, librin e Tij, të dërguarin e Tij, me prijësit e myslimanëve dhe masat e tyre.” E përcjell Muslimi nga Temim Dariu.

Këtë hadith e kanë transmetuar shumë muhadithinë dhe s’ka dyshim se ai është një hadith madhështor.

Imam Ebu Daudi ka thënë: “Feja ndërtohet mbi pesë hadithe: ‘Hallali është i qartë po dhe harami është i qartë’ hadithi: ‘Nuk lejohet shkaktimi i dëmit, por as dëmtimi i vetes’, hadithi: ‘Veprat shpërblehen sipas qëllimit’, hadithi: ‘Feja është këshillë’, dhe hadithi: ‘Çdo gjë që ua kam ndaluar largohuni prej saj, e çdo gjë që ju kam urdhëruar duhet ta zbatoni sa të mundeni’.”

Hafidh Ebu Nuajmi  ka thënë: “S’ka dyshim se ky hadith ka një pozitë të lartë, Muslim ibn Eslem et-Tusi ka thënë: ‘Hadithi ‘feja është këshillë’, është një e katërta e fesë.”

Ndër argumentet që tregojnë se ky hadith është detyrë për çdo mysliman e myslimane është dhe fakti se Zoti ka toleruar në moskryerjen e disa adhurimeve për shkaqe dhe arsye të ndryshme, mirëpo nuk e ka lejuar moskëshillimin dhe transparencën për asnjë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është ndonjë mëkat për të dobëtit as për të sëmurët e as për ata që nuk kanë me çka të përgatiten, kur janë të sinqertë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, pra për të mirët nuk ka rrugë qortimi. Allahu është Falës dhe Mëshirues i madh” Teube 91.

LEXO  Të drejtat e prindërve - Shejh Ali el Hudhejfi - 31.08.2018

Në këtë ajet Allahu na e bën të qartë se s’ka justifikim për myslimanin që braktis këshillimin.

Sahabët nuk pyetën për domethënien e Nesihas pasi që kjo pjesë përmban domethënie të shumta të kësaj feje, sepse përfshin gradat e islamit, imanit dhe ihsanit, por ata pyetën: -Për kë, kush janë ata që e meritojnë këtë këshillë?

Origjina e fjalës  “Nus’h” do të thotë pastrimi i diçkaje nga papastërtitë apo gjërat që s’janë prej saj, ndaj thotë: “E kulloi mjaltin, kur e pastron nga hojet.”

Të jesh i kulluar me Allahun do të thotë: ta duash, t’i nënshtrohesh, t’i bindesh, t’i dorëzohesh dhe t’i përmbahesh ligjit të Tij në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe nga frika e zemërimit dhe dënimit të Tij, Allahu i Madhëruar thotë: “Argumentet tona i besojnë në të vërtetë ata që kur këshillohen me to, bëjnë sexhde, që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi. I heqin trupat e tyre prej shtretërve duke lutur Zotin e tyre nga frika dhe shpresa, dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë atyre, ata japin” Sexhde 15-16.

Po ashtu thotë: “ Por dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë” Bekare 165.

Profeti a.s thotë: “ Duajeni Allahun me gjithë zemër për mirësitë e shumta që ju jep!”

Transparenca më e madhe me Allahun është adhurimi i Tij pa i bërë shok, me sinqeritet konform synetit të Profetit Muhamed a.s, si dhe duke e veçuar Zotin me lutje, kërkim ndihme e mbrojtje, si dhe në të mbështeturit tek Ai: “Thuaj: Unë i lutem Zotit tim dhe nuk i bëj Atij shok.” Xhin 20.

Zoti i Madhëruar duhet të lutet për cilësitë komplote që Ai ka, për të qenit i pa të meta, për begatitë e shumta ndaj krijesave, për nevojën e njerëzve për mëshirën e Tij, adhurimi është shkak i këtyre mirësive dhe shkak për largimin e të këqijave në jetën e njeriut dhe pas vdekjes së tij.

Transparencë me Allahun do të thotë të pohosh gjithçka që Ai ka pohuar për Veten e Tij në Kuran apo Profeti në hadithet e tij, prej emrave dhe cilësive të Tij, sikurse i pohonin dhe selefët.

Ebu Umameh përcjell nga Profeti a.s i cili ka thënë: ‘Thotë Allahu i Madhëruar: ‘Adhurimi më i dashur  prej robit tim është transparenca me Mua’,” Ahmedi, Taberani.

Të jesh i sinqertë me Profetin a.s do të thotë: ta duash, ta respektosh, ta lartësosh synetin e tij, të zbatosh urdhrat e tij, t’i largohesh ndalesave të tij, ta adhurosh Zotin sipas ligjit të tij, të ndjekësh udhën e tij, të besosh gjithçka ai ka thënë, të përhapësh fjalët e tij, të ftosh për në fenë e tij, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: respektojeni Allahun, respektojeni të dërguarin! Nëse ata refuzojnë atëherë atij i takon përgjegjësia me çka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me çka jeni të ngarkuar, nëse i bindeni Atij, atëherë keni gjetur të vërtetën” Nur 54.

Të jesh i kulluar me librin e Zotit do të thotë ta nderosh dhe duash Kuranin, të bësh maksimumin për mësimin e tij dhe të mësuarit të tjerëve, t’i kuptosh ligjet e tij, ta këndosh në mënyrën më të saktë, t’i zbatosh urdhëresat e tij dhe t’i braktisësh ndalesat e tij, të mësosh shkrimin dhe kufijtë e tij,të mësosh komentin e tij dhe çfarë ai synon, ta shndërrosh në moral tëndin, t’i hedhësh poshtë kuptimet dhe iluzionet e të devijuarve dhe të kesh kujdes prej tyre: “Vërtetë që ky Kurani udhëzon për në rrugën më të drejtë” Isra 9.

Të jesh i sinqertë me prijësit e myslimanëve do të thotë t’ua duash të mirën dhe t’u shpresosh drejtësi, të gëzohesh për suksesin e tyre, të mos i mashtrosh dhe as tradhtosh, të mos rebelohesh dhe protestosh kundra tyre, por të bashkëpunosh dhe t’i ndihmosh në të mira, t’u bindesh kur nuk është në kundërshtim me Zotin, të bësh lutje për ta që t’ia qëllojnë të vërtetës.

LEXO  Puna e caktuar, profesioni, është adhurim, amanet dhe përgjegjësi

Ebu Hurejre përcjell nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Zoti pëlqen tek ju tri gjëra: ta adhuroni dhe të mos i vini shok Atij, të kapeni fort pas litarit të Allahut dhe të jeni të sinqertë me prijësit” Muslimi.

Ibn Mes’udi ka thënë: “Ajo që urreni tek kolektivi është më e mirë se ajo çka dëshironi të vetmuar.”

Këshillë do të thotë ta kesh zemrën e qetë.

Xhubejr ibn Mut’imi përcjell se Profeti a.s ka thënë në hutben e tij në Khajf: “Për tre gjëra nuk gjen urrejtje zemra e myslimanit: të punosh vetëm për Allahun, të jesh i sinqertë me prijësit, t’i përmbahesh xhematit të myslimanëve” Ahmedi.

Ndërsa Ma’kil ibn Jesar përcjell nga Profeti a.s se ka thënë: “Çdokujt që Allahu i ka lënë në ngarkim  njerëz dhe ai nuk tregohet i sinqertë me ta, nuk hy në xhenet.” Mutefekun Alejhi.

Të jesh i kulluar me mbarë myslimanët do të thotë t’i udhëzosh për në atë që është e mirë për ta, t’ua mësosh bazat e fesë, t’ua mbulosh të metat, t’ua kryesh nevojat, të mos i mashtrosh dhe as tradhtosh, të mos i kesh zili dhe as t’i urresh.

Transparenca është cilësi e profetëve, Allahu i Madhëruar thotë: “Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues  i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët” Teube 128.

Ndërsa për Nuhun a.s thotë: “Unë ju kumtoj juve shpalljet e Zotit tim dhe ju këshilloj”Araf 62.

Për Hudin a.s ka thënë: “Jam dërguar që t’ju komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues besnik për ju” Araf 68.

Për Salih a.s ka thënë: “Unë ua komunikova dërgesën e Zotit tim dhe ju këshillova sa munda” Araf 79.

Këshilla është prej cilësive të besimtarëve, Allahu i Madhëruar thotë për besimtarin: “Jasin. O polli im, ndiqini të dërguarit” Jasin 20. Më pas ka thënë: “Atij i është thënë: -Hyr në xhenet! E ai tha: -Ah sikur ta dinte populli im, për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve” Jasin 26-27.

Ibn Abasi ka thënë: “Ai e këshilloi popullin e tij sa ishte gjallë, por dhe me vdekjen e tij.”

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtetë që besimtarët janë vëllezër” Huxhuratë 10. Dhe thotë po ashtu: “ Kapuni pas litarit të Allahut fort e mos u përçani!” Ali Imran 103.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me Kuranin Famëlartë, na e mundësoftë të përfitojmë prej argumenteve dhe ajeteve të tij, na mundësoftë të përfitojmë prej synetit të Profetit a.s dhe fjalëve të tij, Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe mbarë myslimanët, ndaj kërkojini falje se Ai është Fals dhe Mëshirues!

Falënderimet i takojnë Allahut që di të fshehtat, ndryshuesit e zemrave, larguesit të halleve dhe sprovave, Zotin e falënderoj për çdo mirësi e hershme apo e ardhshme!

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, i vetëm dhe i pa ortak, falësit të gjynaheve, dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob dhe i dërguari i përzgjedhur i Allahut, Zot bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij të devotshëm e të ndershëm!

Frikësojuni Allahut në publik e fshehtësi, me devotshmëri arrihen gradët më të larta, fitohen të mirat në jetë por dhe pas vdekjes!

Meditoni rreth fjalës së Allahut: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit, urdhërojnë për të mira, ndalojnë nga e keqja, e falin namazin, e japin zekatin, i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, ata janë të mëshiruarit prej Allahut, Allahu është Ngadhënjyes,i Urtë” Teube 71.

Ky ajet përmban bashkëpunimin, ndihmesën, këshillimin, vëllazërinë, mëshirën dhe dashurinë.

Xherir ibn Abdilah ka thënë: “I kam dhënë besën Profetit a.s se do e fal namazin, do e jap zekatin, dhe se do jem i kulluar dhe këshillues i çdo myslimani.” Mutefekun Alejhi.

Ebu Bekr el Muzenij ka thënë: “Ajo me të cilën Ebu Bekri ia kaloi sahabëve nuk ishte namazi dhe agjërimi, por me besimin që e nguliti në zemër.”

LEXO  Dimri dhe lehtësirat në fe - Medina 06.12.2019

Ibn Uleje ka thënë: “Në zemrën e tij ndodhej dashuria për Allahun dhe transparenca në sjellje.”

Hakim ibn ebi Zejdi përcjell nga i biri e ky nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush i kërkon vëllait të tij transparencën e këshillën, ky të mos e kursejë” Ahmedi.

Vëllezër të nderuar: “Allahu dhe Melaiket e Tij dërgojnë salavatë mbi Profetin, o ju që keni besuar, dërgoni mbi të salavatë e selame të shumta!” Ahzabë 56, ndërsa Profeti a.s ka thënë: “Kush dërgon për mua një salavatë, Allahu do dërgojë për të dhjetë të tilla.”

Dërgoni pra salavatë mbi më të mirin e njerëzimit Muhamedin!

Zot nderoje e bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e nderove më parë Ibrahimin dhe familjen e tij,Ti je i Lartësuari, i Madhërishmi.

Ji i kënaqur Zot me mbarë sahabët, me kalifët e drejtë, prijësit që gjykuan me të drejtën: Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, mbarë sahabët , tabiinët, pasuesit e tyre, si dhe ne bashkë me ta!

Zoti ynë lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje shirkun dhe idhujtarët, mosbesimin dhe jobesimtarët, shkatërroji armiqtë e fesë Tënde!

Zoti ynë na e bëj të kuptueshme fenë tonë, na e mëso atë neve dhe mbarë myslimanëve.

Zoti ynë na fal e mëshiro çfarë kemi bërë, çfarë kemi fshehur e publikuar, atë që Ti e di më mirë nga ne, Ti di gjithçka, nuk ka zot tjetër veç Teje!

Zoti ynë, prej Teje kërkojmë xhenetin dhe çdo vepër e fjalë që të afron për tek ai, kërkoj mbrojtje prej zjarrit dhe çdo fjale e vepre që të çon drejt tij!

Zoti ynë, mbrona prej dënimit të zjarrit dhe dënimit të varrit.

Zoti ynë, na jep fund të lumtur në gjithçka, mbrona nga nënçmimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën tjetër!

Zoti ynë, mbrona nga padrejtësia apo të qenit të padrejtë!

Zoti ynë, kujdesu për çdo mysliman e myslimane, besimtarë dhe besimtareje!

Zoti ynë, bashkoji zemrat e myslimanëve, përmirësoje gjendjen e tyre, drejtoi për në rrugën e drejtë, nxirri nga errësira në dritë, ndihmoju kundër armikut tënd dhe armikut të tyre.

Zoti ynë, priji dhe bashkoi zemrat e tyre për në të vërtetën.

Zoti ynë na e bëj të kuptueshme fenë tonë, na e mëso atë neve dhe mbarë myslimanëve.

Zoti ynë, kërkojmë kënaqësinë Tënde dhe xhenetin, mbrona nga zemërimi Yt dhe zjarri.

Zoti ynë, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e mbarë myslimanëve.

Zoti ynë, largoje nga ne shtrenjtësinë, epidemitë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, sprovat e dukshme dhe të padukshme.

Zoti ynë, mbrona ne dhe mbarë myslimanët prej çdo ndyrësie.

Zoti ynë, mbrona ne dhe pasardhësit tanë prej iblisit, pasardhësve dhe bashkëpunëtorëve të tij, Ti je i Gjithëditur dhe ke mundësi për gjithçka!

Zoti ynë ndihmoji çdo borxhliu në shlyerjen e borxheve të tij, shëroi të sëmurët e mbarë myslimanëve!

Zoti ynë mos na ndaj prej shëndetit e mirësisë në këtë jetë e në botën tjetër!

Zoti ynë ruaje vendin tonë prej çdo të keqe.

Mbroji Zot ushtarët tanë, ruaje pasurinë e tyre, gjakun dhe familjen e tyre!

Zoti ynë udhëzoje shërbëtorin e dy xhamive në çdo gjë që Ty të pëlqen, përdore për të mira, jepi vizionin e qartë dhe punën e drejtë!

Udhëzoje Zot dhe princin e kurorës në gjithçka që Ty të kënaq, prije në të mira e vepra të pëlqyeshme, lartësoje me ata të dy islamin dhe myslimanët!

Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe ruana nga zjarri .

“Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, tu jepet të afërmve, ndalon nga e keqja, e ndyra dhe e pështira, ju këshillon në mënyrë që të përkujtoheni”  Nahl 90.

Kujtojeni Allahun t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë e Tij tua shtojë, s’ka dyshim se përmendja e Allahut është vepra më madhështore, Allahu di atë që ju veproni!

Post Author: admin