Me zemër të pastër – Meka 20.11.2020

Hytbe e Qabes                        05-04-1442 H      20-11-2020 

Shejh Bander Balejleh           Tema: Me zemër të pastër

Falenderimi i takon Allahut i Cili zemrat e të dashurve të Tij i bëri enë të ajeteve të Tij të qarta. Këto zemra i ruajti prej sulmeve të dilemave, epsheve e prej të gjitha errësirave. Atë e falenderoj, i dëlirë prej të metave është Ai, i lartë e madhështor. Mirësitë e Tij ndaj nesh janë të njëpasnjëshme e të shumta.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq. Krijimi është i gjithi i Tij, çdo gjë është me urdhërin e Tij dhe çdo gjë ndodh me përcaktimin e Tij.

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, miku i Tij i zgjedhur prej së larti mbi shtatë qiejt.

Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij me salavate të pandërprera dhe selame të shumta me mirësi të përherëshme e plot bekime.

Jini të devotshëm ndaj Allahut o njerëz, ju që kujdeseni për sjelljet tuaja. Tregohuni të turpshëm para Allahut ashtu siç e meriton Ai sepse turpi përmban gjithë të mirat.

Tregohuni falenderues kur ju vijnë mirësi ngushëlluese. Lutuni dhe pajisuni me durim kur iu trokasin fatkeqësitë lënduese. Kapuni për litarin e shpresës kur ju mbysin hallet e pazgjidhëshme.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut). Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (Hashr; 18-20).

O musliman në këtë botë ka një xhenet e ai i cili nuk hyn në të nuk do të arrijë të hyjë në xhenetin e botës tjetër. Por edhe nëse hyn në të me besimin e tij ka për të qenë në gradat më të ulëta dhe me më pak shkëlqim e mirësi.

Ky xhenet i përshpejtuar është xheneti i veprave të zemrës si njohja e Allahut, kënaqësia me besimin e Tij, gëzimi me Të, shijimi i kërkimit prej Tij, rehatia në afërsinë me Të, qetësia në nënshtrimin ndaj Tij, përulësia ndaj Tij me frikë e më përgjërim, ecja për tek Ai me shpresë e optimizëm, zbrazja e zemrës prej çdo dashuria që barazohet apo që rivalizon dashurinë për Të, madhërimin e dashurisë për Të mbi çdo dashuri tjetër dhe dhënia përparësi e asaj që pëlqen Ai mbi çdo gjë tjetër.

Kështu shijohet ëmbëlsia e besimit. Kështu shpërthejnë në zemër rrezet e besimit të fortë dhe shpirti drejtohet në lartësitë e udhëzimit e të suksesit.

Nëse dëshiron që këto të gjenden në zemrën tënde e të zënë vend në brendinë tënde duhet të pregatisësh për to kraharor bamirës dhe zemër të pastër. Sjelljet që burojnë prej një zemre të lartë e me vlera nuk zënë vend vetëm se në një zemër të tillë; një zemër të shëndetshme, pa sëmundje e pa distancime, e kulluar e pa probleme, e pastër prej mendjemadhësisë, vetëpëlqimit dhe zullumit, e lartë, pa urrejtej, pa zili, pa mllef e pa armiqësi. Kjo është zemra e pastër dhe e shëndetëshme për të cilën kanë garuar ta posedojnë ata njerëz që dëshirojnë të fitojnë botën tjetër.

Ata kanë kaluar ditë e netë me shpresë që të shijojnë një zemër të tillë. E nga ana tjetër njerëzit që enden pas kësaj bote janë të hutuar e të pavëmendshëm ndaj diçkaje të tillë.

Në këtë botë nuk ka kënaqësi që shijon më shumë se bamirësia e zemrës, pastërtisë së kraharorit, njohjes së Allahut, dashurisë për Të dhe veprimi në bindje ndaj Tij.

E në realitet a mund të ketë jetë të vlefshme përveç jetës me zemër të pastër.

Allahu e ka lavdëruar mikun e tij për zemrën e tij të pastër, ku thotë:

“Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi. Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër” (Safat; 83,84)

Gjithashtu tregon për të dhe thotë:

“në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara; 88,89).

Zemra e pastër o rob të Allahut është ajo zemër që pastrohet prej shirkut (idhujtarisë), urrejtjes, mllefit, zilisë, koprracisë, mendjemadhësisë, dashurisë për këtë botë e për pushtet. Zemër që ka shpëtuar prej çdo sëmundjeje që e largon prej Allahut, që ka shpëtuar prej dilemave që bien ndesh me shpalljen e Allahut dhe prej epsheve që kndërshtojnë urdhëresat e Tij, që ka shpëtuar prej çdo dëshire që bie ndesh me dëshirën e Tij dhe që ka shpëtuar prej çdo penguesi që të shkëput prej Allahut. Kjo është zemra e pastër. Ajo jeton një xhenet të përshpejtuar në këtë botë, një xhenet në jetën e varrit e në xhenetin e ditës së kthimit në botën tjetër.

Për zemër të tillë o rob të Allahut janë ngritur lart shumë njerëz e kanë dalë të parët e janë ulur poshtë shumë të tjerë e kanë rrëshqitur.

Sufjan ibn Dinar Allahu e mëshiroftë thotë: Ibn Beshirit i cili ishte prej shokëve të Aliut r.a i thashë: Na fol për veprat e atyre që jetuan para nesh?

Ai tha: Ata punonin pak e shpërbleheshin shumë.

Unë i thashë: E përse kështu?

Ai tha: Për shkak së kraharorët e tyre ishin të pastër.

Për Allahun sa gjë madhështore është të kesh kraharor të pastër, bamirësi në zemër, pastërti dhe madhështi në të. Ajo është grumbulluesja e mirësisë, themeli i vlerave, sekreti i pranimit, nxitësja e lartësimit dhe vendi i suksesit. Mjafton që diçka e tillë është një parrullë e banorëve të xhenetit:

“Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (Hixhr; 47)

Ebu Hurejrah r.a përcjell se i dërguari i Allahut a.s ka thënë: Turma e parë që do të hyjë në xhenet do të jenë me pamjen e hënës së plotë, ata që vijnë pas tyre do të jenë si ylli më i bukur e më i ndritshëm në qiell. Zemrat e tyre do të jenë si një zemër e vetme. Mes tyre nuk do të ketë urrejtje e as zili. Buhariu dhe Muslimi.

Gjëja më e dëmshme për njeriun është përkujdesja vetëm për pamjen e jashtme e zemrën e ka të rrënuar. Kjo i ngjan vezullimit të mirazhit në shkretëtirën e madhe.

Ai bën dobi personit të folurit e ëmbël, puna e stolisur dhe zbukuruar me zemër të prishur e të sëmurë!?

A mund ti sjellë njeriut lartësim e pranim një paraqitje e rreme dhe brendi e shëmtuar!?

Hasen Elbasriu r.a ka thënë: Dija është dy llojëshe; dije në zemër e ajo është dija e dobishme, dije në gjuhë e ajo është dëshmitarja e Allahut ndaj bijve të Ademit. Këtë e ka shënuar Ed Darimi në parathënien e sunenit të tij me zinxhir të saktë.

O besimtarë po a ka zemër më të pastër se zemra e mikut të Allahut Ibrahimit a.s i cili u distancua prej shirkut idhujtarisë. Ai, babait dhe popullit të tij u tha:

“ A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar, si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë? Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve” (Shuara; 75-77).

Po a ka zemër më të pastër se zemra e Muhamedit, vulës dhe shembullorit a.s.

Zemra e tij e gjerë me të cilën kurrë nuk u hakmorr për veten e tij vetëm kur shkeleshin kufijtë e Allahut e atëherë merrte hak për Allahun. Buhariu dhe Muslimi.

Po a ka zemër më të pastër se zemra e dy shokëve Ebu Bekrit dhe Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Një grindje ndodhi mes tyre e pas saj secili prej tyre qortonte vetveten dhe kërkonte ndjesë tek (vëllai i vet) tjetri.

Ebu Derda r.a tregon dhe thotë: Unë isha ulur me profetin a.s. Po vinte Ebu Bekri që kish kapur një cep të rrobes së tij dhe e kish ngritur aq sa i dukej gjuri. Profeti a.s tha: Ky shoku juaj paska rënë në rrezik. Erdhi përshëndeti me selam dhe tha: Unë pata diçka me ibnul Khatabin, nxitova kundër tij por pastaj u pendova. I kërkova të ma falte por ai refuzoi. Kështu që erdha tek ty. Ai a.s tha: Allahu të faltë ty o Ebu Bekër, tre herë. Më pas edhe Umeri u pendua. Ai shkoi tek shtëpia e Ebu Bekrit dhe pyeti se a ishte Ebu Bekri aty? I thanë: Jo. Kështu që erdhi tek i dërguari i Allahut a.s përshëndeti me selam dhe ai i ktheu selamin. Profeti a.s iu mrrol fytyra dhe Ebu Bekri i frikësuar iu afrua ulur në gjunjë dhe tha: O i dërguar i Allahut unë qeshë më i padrejtë. E tha dy herë. Profeti a.s tha: Allahu më dërgoi tek ju e thatë gënjen ndërsa Ebu Bekri tha; të vëretën po flet pastaj më përkrahu me veten e tij e me pasurinë e tij. A po ma lini rehat shokun tim. Dy herë. E pas kësaj, (Ebu Bekrin) nuk e mundoi më askush. Buhariu dhe Muslimi.

Allahu është më i madhi. 

Këto janë zemra që ngrihen lart prej kësaj bote.

Dhe pastërtinë e tyre nuk e njollosin thashethemet

Po a ka zemër më të pastër se zemra e Sad ibnu Rrabi El Ensarij r.a

I Dërguari i Allahut e vëllazëroi atë me Abdurrahman ibn Auf, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai ndau përgjysëm familjen dhe pasurinë e tij.

Enesi r.a ka thënë: Abdurrahman ibn Auf erdhi në Medineh. I dërguari i Allahut s.a vëllazëroi mes tij dhe Sad ibnu Rrabi i cili kishte shumë pasuri. Sadi tha: Ensarët e dinë që unë jam nga më të pasurit ndër ta. Pasurinë time do ta ndaj përgjysëm me ty. Gjithashtu kam dy gra shih se cila të pëlqen më shumë që ta ndaj e kur të jetë koha e duhur ti të martohesh me të. Abdurrahmani tha: Allahu të bekoftë ty në familjen tënde e në pasurinë tënde më dërgo te tregu! Buhariu.

Për Allahun çështë kjo vëllazëri kaq e fortë dhe këto shpirtra të palëkundur.

Zemra që islami i bëri akoma më të mira dhe kultivoi në anët e saj besën.

Po a ka zemër më të pastër se zemra e Zejneb bintu Xhahshin bashkëshortes së profetit a.s. Sinqeriteti mbulonte ligjërimin e saj. Ajo i doli në mbrojtje nderit të Sinqertës bijës së të Sinqertit në ngjarjen e shpifjes me një fjalë të vendosur e të prerë pa hezitim e pa dredhi. Ato qenë dy gra shemra të larta, Allahu qoftë i kënaqur me të dyja. Aishe ka thënë: I Dërguari i Allahut kishte pyetur Zejneb bintu Xhahshin për çështjen time. Ai i kishte thënë Zejneb: çfarë di ti e çfarë ke parë. Ajo tha: O i Dërguar i Allahut unë mbroj dëgjimin tim dhe shikimin tim, pasha Allahun nuk di për të vetëm se mirësi. Aishe thotë: Ajo ka qenë një prej grave të profetit a.s që barazohej me mua e Allahu e mbrojti atë me devotshmërinë e saj. Mutefekun alejhi (Buhariu dhe Muslimi).

Po a ka zemër më të pastër se Zemra e atij Ensariut për të cilin i dërguari i Allahut tha: Tek ju tani do të shfaqet një person prej banorëve të xhenetit. U shfaq një burrë prej Ensarëve mjekra e tij kullonte ujë prej abdesit. Ai a.s këtë e tha tre ditë rradhazi e u shfaq po i njëjti burrë në të tri herët.

Atë e ndoqi Abdullah ibnul Amr ibnul As r.a dhe i tha: Unë u grinda me babain tim dhe u betova se nuk do të hyj në shtëpinë e tij tre ditë. Po deshe më lejo të qëndroj në shtëpinë tënde për këto tre ditë? Ai tha: Po.

Enesi r.a ka thënë: Abdullah na ka treguar se ai qëndroi më të tre netë por nuk e pa të ngrihej natën për namaz veçse ai kur zbulohej dhe rrotullohej prej shtratit të tij përkujtonte Allahun dhe bënte tekbir derisa të ngrihej për namazin e agimit. Abdullah ka thënë: Unë prej tij dëgjova të thotë veç fjalë të mira. Kur kaluan tre ditë dhe për pak e nënçmova punën e tij i thashë: O rob i Allahut unë nuk jam zemëruar e nuk kam bërë fjalë me babain tim mirëpo unë kam dëgjuar të dërguarin e Allahut a.s të thotë tre herë rresht: Tek ju tani do të shfaqet një burrë prej banorëve të xhenetit. U shfaqe ti tri herët. Unë doja të qëndroj tek ti që të shoh çka vepron e të ndjek shembullin tënd. Unë nuk pashë të bësh shumë vepra. Çfarë vepre është ajo me të cilën ke arritur atë që ka thënë i dërguari i Allahut a.s? Ai tha: Nuk ka gjë tjetër vetëm atë që ke parë dhe ti. Kur po largohesha ai më thirri dhe tha: Nuk kam gjë tjetër ndaj asaj që ke parë edhe ti veçse unë nuk mbaj asgjë të keqe ndaj muslimanëve dhe nuk kam zili ndaj askujt për të mirat që i ka dhënë Allahu. Abdullah i tha: Kjo është ajo me të cilën ke arritur (xhenetin) e që ne nuk mund ta realizojmë. Ahmedi me zinxhir të saktë sipas kushteve të Buhariut e të Muslimit.

Këto janë tregime për burra dhe gra të cilët fenë e tyre e kishin me pastërti ndaj Allahut që zemrat i pastruan prej sëmundjeve të urrejtjes, hiles, mllefit, zilisë, zemërimit dhe koprracisë. Ata u ngritën drejt xhenetit duke qenë akoma gjallë, i parapriu mirësia e banorëve të tij dhe jetuan jetë të lumtur.

Nuk ka habi sepse njerëzit me zemra të pastra janë njerëzit që bëjnë jetën më të mirë, më të qetë, më të rehatëshme me më pak ankth, stress e mërzi sepse ato nuk mërziten për atë që nuk e arrijnë prej të mirave të kësaj bote. Atyre nuk ua prish rehatinë fjala e keqe, sjellja e shëmtuar sepse angazhohen me pjesën që i ka dhënë Allahu i lartësuar. Allahu është i gjithë preokupimi i tyre, objektivi i qëllimit të tyre dhe fundi i shpresës së tyre. Nëse prej tij e marrin pjesën e caktuar kënaqen me të totalisht.

Ata pasha Alalhun janë ajka e botës dhe më të kulluarit e bijve të Ademit.

E nuk ka jetë më të mirë se jeta e tyre e nuk ka kënaqësi më të madhe se kënaqësia e tyre.

O Allah na bashko ne dhe muslimanët e tjerë me ta, na mundëso të ndjekim rrugën e tyre, na mundëso të jemi në grupimin e tyre që të jemi prej atyre për të cilët Ti ke thënë dhe fjala Jote është e vërtetë:

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashr; 10).

Allahu na mundësoftë të kemi dobi me udhëzimin e Librit dhe me traditën e të përzgjedhurit mbi bijtë e dheut.

Me këto fjalë i kërkoj falje pranuesit të pendimit kërkojini falje Atij sepse Allahu ndaj njerëzve është i Butë e i Mëshirshëm.

Hutbeja e Dyte

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i cili u ka mundësuar të dashurve të Tij të mjekojnë shpitrat e tyre përpara se të mbarojë afati. E falënderoj Atë që na ka tërhequr vërejtjen ndaj kotjeve të neglizhencës.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq. Vetëm të Atij janë mirësitë dhe feja.

Dëshmoj se profeti ynë Muhamed është rob dhe i dërguar i Tij. Ai është dërguar me shpalljen më të lartë e me fenë më të mirë.

O muslimanë mjekimi i sëmundjeve të zemrës është i vështirë dhe ato janë shumë. Dëshirat veprojnë dhe i zbukurojnë ato tek vetja duke i paraqitur ato në pamje të shkëlqyera mashtruese. Shejtani me to e bën akoma më të fortë kurthin ndaj njeriut

për t`ia bërë të pëlqyera humnerat e shkatërrimit e për ta futur atë në vathën e asgjësimit.

Rruga e shpëtimit o robër të Allahut është detyrimi i vetvetes të qëndrojë kundër tekave të saj për të mos anuar në anën e tyre sepse ky është helmi vrastar. Sa njerëz i ka hedhur poshtë e ata më nuk lëvizin e nuk kanë gjallëri.

Robi le ta mundë kurthin e shejtanit Iblis duke u hedhur në përpjekje të shumta sepse përpjekjet e shumta ndezin zjarrin e vendosmërisë e të ambicjeve.

Nëse personi heton se posedon diçka prej këtyre papastërtive mbi pastërtinë e zemrës le ti mjekojë ato si mjek ku të njihet me shkaqet e tyre. Le ti vështrojë ato me urtësi duke menduar pasojat dhe përfundimet e saj.

Nëse gjen tek vetja mendjemadhësi, e cila është sëmundja më e madhe që rrëmben shëndetin e zemrës. Le ta dëbojë atë prej vetvetes duke sjellë ndërmend se është krijesë e dobët dhe e pavlerë që nuk posedon për veten e tij as dobi e as dëm. Le ta dijë se çdo shkak që e hedh atë në rrjetën e mendjemadhësisë do të zhduket e është i kotë. Të dijë se ai mashtron veten me mirësi të dhuruara prej Allahut. Ta dijë, ta dijë se ato janë prej Allahut e jo prej tij e Ai i rrëmben ato kur të dojë. Njeriu nuk ka në dorë vazhdimësinë e këtyre mirësive ashtu sikurse nuk pati në dorë fillimin e tyre. Kur i hiqet perdja atëherë njeriut i zbulohet vetvetja e qartë. Aty shikon dobësinë, mangësinë, injorancën dhe padrejtësinë. Sheh se si të gjitha këto e kanë rrethuar e nuk gjen me çka ta shpëtojë vetveten.

Zemra e tij është rrënuar, vetvetja zullumqare, mjetet e shpëtimit i kanë mbaruar, rruga është e gjatë dhe llogaria është e fortë.

Dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave të Allahut, i përzgjedhuri për shpalljen hyjnore, emri i të cilit është ngritur lart bashkë me emrin e Allahut në këtë botë, atij që do ti jepet leje të ndërmjetësojë në botën tjetër, ashtu siç ju urdhëron Zoti juaj i madhërishëm.

“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah ngreje lart, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjarët dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e Kthimit edhe ndaj nesh bashkë me ta me mëshirën Tënde o Bujar, Fuqiplotë e Dhurues i madh.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe jepi fitore muslimanëve.

Zhduke idhujtarinë, poshtëroi idhujtarët dhe shkatërroi armiqtë e fesë.

Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë, të pasur e me bollëk po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve.

O Allah çdo të mirë që ta kemi kërkuar na e jep, e atë që nuk ta kemi kërkuar na e dhuro ti vetë e atë që nuk e arrijmë dot me synimet e me veprat tona prej të mirave të kësaj jete e të jetës tjetër na i mundëso ti arrijmë!

O Allah të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri!

Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve.

O Allah na jep siguri në vatanet tona. Përmirësoi prijësit dhe udhëheqësit tanë.

Përkrahe me të vërtetën, me sukses dhe me saktësi prijësin dhe udhëheqësin tonë.

O Allah drejtoje atë kah bamirësia dhe devotshmëria! Mundësoi atij shpurë të dobishme e të sinqertë që e orienton dhe e ndihmon atë në mirësi o Zot i botëve!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për vendin dhe njerëzit o Zot i botëve!

O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ndodhen! O Allah ktheji ata për tek Ti me një kthim të bukur!

O Allah o i Gjallë e i Përjetshëm jepu fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë tanë. O Allah ji Ndihmëtar dhe Përkrahës i tyre!

O Allah Ti je i Adhuruari i vërtetë nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Teje, Ti je i Pasuri e ne nevojtarë, zbrit mbi ne shi e mos na lër të pashpresë.

O Allah zbrit mbi ne shi ndihmues, të këndshëm, lulëzues, të furishëm e të bollshëm, të dobishëm e të padëmshëm të gjallëroshë me të vendin, të suash me të etjen e njerëzve, Ti zotëron këtë botë dhe tjetrën dhe tek Ai është kthimi!

O Allah pastroi zemrat tona prej çdo sjelljeje që Ty nuk të pëlqen! O Allah pastroi zemrat tona prej të keqes, urrejtjes, smirës dhe mendjemadhësisë!

O Allah pastroi zemrat tona prej çdo të keqeje! Pastroji ato prej çdo gjëje që sjell mundim e prej çdo sëmundjeje o Zot i botëve!

O Allah ti që i rrotullon zemrat bëji të qëndrueshme zemrat tona në fenë Tënde! O Allah Ti që i drejton zemrat drejtoji zemrat tona në bindje ndaj Teje!

O Allah pranoje pendimin tonë, laji fajet tona, pranoje lutjen tonë, qëndroji arsyetimet tona, saktësoji gjuhët tona, udhëzoji zemrat tona, pastroi mbeturinat e kraharorëve tanë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit.

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi vetvetes, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve!

O rob të Allahut: Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Përkujtojeni Allahun e madhërishëm që Tju kujtojë Ai juve. Falenderojeni për mirësitë e shumta që ju ka dhënë që t`ua shtojë ato. Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.

 

Post Author: endrit