Gjakderdhja – Dr. Ikrime Sabri – 28.09.2018

Hytbeja e xhumasë xhamia Aksa 28.9.2018

Gjakderdhja

Dr.ikrime Sabri

 

Falënderimet i takojnë Allahut Zotit të botëve. Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili nuk ma mori shpirtin pa u veshur me rrobat e islamit. Falënderimet i takojnë Allahut që ka thënë: “Thuaj: Ai Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet për çdo nevojë. As s’ka lindur kënd, as nuk është i lindur prej kujt, dhe Atij askush nuk i është i barabartë” Ihlas.

Zoti ynë, për hatër të sures Ihlas, mos lejo që t’i mbështetemi kujt  tjetër veç Teje për asnjë çast dhe as t’ia kemi nevojën kujt! Ti je Ai që gjithkush të kthehet për nevojat e tyre, je i Lartësuar mbi çdokënd, je i Vetëm dhe i Pashoq, Sundues i Plotfuqishëm dhe s’ke fëmijë.

Dëshmojmë se nuk ka zot të adhuruar me të drejtë përveç Teje, Ti që ke thënë: “Ata të cilët i kumtojnë shpalljet e Allahut, i frikësohen vetëm Allahut e askujt përveç Tij, e Allahu është i mjaftueshëm të jetë llogaritës” Ahzabë 39.

Zot na i ndriço zemrat tona, ndriçona dëgjimin dhe shikimin tonë, ndriçona në të gjitha anët tona!

Zot na i lehtëso hallet tona, njehsoi taborët tanë, Ty t’i kemi lënë në dorë gjithë ata, që na bënë padrejtësi neve.

Dëshmojmë se i dashuri ynë, profeti ynë, shembulli ynë, prijësi ynë Muhamedi, është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, ai që ka thënë: “Kush ngrenë armë kundër nesh nuk është prej nesh, kush na mashtron neve nuk është prej nesh”.

Bekimet e Zotit qofshin mbi ty o zotëria jonë, o i dërguar i Zotit, mbi familjen tënde të ndershme, mbi shokët e tu besnikë, të sinqertë dhe të ndritur, si dhe mbi këdo që ju pason dhe lufton e përpiqet, sikurse ju deri në ditën e fundit!

Allahu i Lartësuar thotë: “Kush e vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh” Nisa 93.

Të nderuar besimtarë të nderuar të pranishëm! Është pyetur sahabiu i nderuar Abdullah ibn Abasi, nëse do ketë pendim dhe falje për vrasësin e qëllimshëm dhe ai ka lexuar ajetin që sapo përmendëm dhe tha: “Ky ajet s’është anuluar e as ndryshuar, nga të ketë falje e pendim për vrasësin e qëllimshëm?!”

Kjo ka qenë fetvaja e ibn Abasit, ose komentuesit të Kuranit.

Të nderuar besimtarë, një pyetje që lind fill pas kësaj: -Kur mund të pranohet pendimi i vrasësit të qëllimshëm?

Pendimi i vrasësit të qëllimshëm pranohet në dy raste:

Rasti i parë kur ndaj tij zbatohet dënimi, Allahu i madhëruar thotë: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit me vdekje, është jetë për ju ashtu që të ruheni” Bekare 179.

Kjo, sepse dënimet në islam konsiderohen shpaguese, por kjo me kusht që personi që ka kryer krimin ta deklarojë pendimin, para se të zbatohet dënimi ndaj tij.

Rasti i dytë është kur dy palët pajtohen me njëri-tjetrin dhe bëhen hallall, ndërsa vepruesi shpall pendimin e tij për një vepër të tillë.

Por nëse njëri ndër këto dy kushte nuk plotësohet, pendimi i këtij personi nuk pranohet.

Të nderuar besimtarë! Islami e konsideron vrasjen si një gabim, i cili përçan shoqërinë dhe e shkatërron atë, sikurse thotë Allahu: “Trazira është më e rëndë se vrasje” Bekare 191.

Dhe thotë: “Trazira është më e madhe se vrasja” Bekare 216.

LEXO  Këshilla për qëndrueshmëri dhe urime për të liruarit

Të nderuar besimtarë! Profeti ynë Muhamedi a.s, na e përshkruan gjendjen e vrasësit dhe të vrarit në ditën e kiametit ku thotë: “Vjen i vrari në ditën e kiametit duke e kapur vrasësin për qafe dhe prej tij rrjedh gjak, derisa i thotë Allahut: -Zoti im, pyete këtë se përse më vrau?

Allahu i thotë vrasësit: -Mjer për ty. Më pas çohet për në zjarr.”

Në një tjetër hadith thotë: “Sharja e myslimanit është vepër e madhe, ndërsa vrasja e tij është kufër.”

Dhe thotë po ashtu: “Shkatërrimi i botës është më e lehtë tek Zoti, se të vrasësh një njeri besimtar.”

Të nderuar besimtarë, të nderuar njerëz të palëkundur që banoni në tokën e dashur dhe të begatë të Palestinës. Këto kohë Palestina jonë përjeton vrasje masive ndërmjet njëri-tjetrit dhe ç’ka është më e dhimbshme është fakti se shkaqet e këtyre vrasjeve janë naive.

Ajo që po ndodh, është se disa rini Palestineze po keqpërdorin armët që kanë në duart e tyre duke shfrytëzuar mungesën  e sigurisë, duke shpëtuar nga llogaria e ndëshkimi.

Këta persona janë të njohur për forcat pushtuese, sikurse njihen dhe nga njerëzit vetë, por popullata nuk reagon ndaj tyre, nga frika e përballjes me ta.

Çdo qeveri në botë e ka për detyrë të sigurojë jetën e qytetarëve të saj dhe pronat e tyre, sikurse është e detyruar që të zbatojë dënimin, ndaj vrasësit të qëllimshëm dhe kështu nuk le asnjë mundësi hakmarrje.

Ajo që vërejmë është bashkëpunimi ndërmjet këtyre kriminelëve, duke hapur alternativat e hakmarrjes.

Të nderuar besimtarë banorë të tokës së Shenjtë e të begatë të Palestinës! Sikurse e dini, feja jonë islame ndalon dhe hakmarrjen, sepse hakmarrja hap një derë trazirash e cila nuk mbyllet më.

Profeti ynë Muhamedi a.s e ka ndaluar hakmarrjen në hytben e lamtumirës ku thotë: “Gjaku i derdhur në periudhën e para islamit  janë të shuar, dhe gjaku i parë që falet është gjaku i fisit tonë, i Rebia ibn Harith ibn Abdil Mutalib.”

Kurani Famëlartë, gjithashtu ndalon hakmarrjen ku thotë: “Dhe mos e vrisni njeriun që Allahu e ka ndaluar vrasjen e tij përveç me drejtësi. E kush vritet pa të drejtë, kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë të kërkojë drejtësi, e ai të mos e kalojë kufirin në vrasje përderisa ai është i ndihmuar prej Zotit” Isra 33.

Kjo do të thotë se nuk lejohet një veprim i cili rrezikon njerëzinë përveç për tre arsye që i sqaron Profeti a.s: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të atij që dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguar i Tij, përpos në tre raste: kur ka vrarë, i martuari që bën imoralitet, ai që e braktis fenë dhe xhematin e myslimanëve”.

Të nderuar besimtarë dhe vëllezër të imanit, kudo qofshi! Duhet theksuar se familjarit që i është vrarë dikush nuk bën të kërkojë tjetër veç vrasësit, Zoti thotë: “Dhe asnjë mëkatar nuk do ta bartë mëkatin e tjetrit” Fatir 18.

Po ashtu nuk lejohet që dikush ta gjymtojë, apo prishë kufomën e tjetrit, pasi që njeriu gëzon dinjitet i gjallë, apo i vdekur.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Ne vërtetë i nderuam pasardhësit e Ademit” Israë 70.

Të nderuar besimtarë! Duhet theksuar se islami ndalon dhe atë që quhet ndryshe, se e ka marrë vala e gjakut, duke shkatërruar pronën e vrasësit, duke djegur e shembur, siç ndodh që familja e të vrarit sundon pronat e vrasësit dhe shkatërron me të padrejtë përgjatë tre ditëve.

LEXO  Allahu të bekoftë Aksa - 22.2.2019

Kjo nuk i jep të drejtën familjes së të vrarit, që të kryejnë vepra të tilla dhe as nuk mund të justifikohen me fjalën: plaga është e freskët.

Të nderuar besimtarë, duhet të sqarojmë dhe gjykimin fetar në lidhje me atë që e thërrasin si plagë e freskët.

Kushdo që shkatërron pronën e tjetrit për çfarëdolloj shkaku, obligohet ta kompensojë të dëmtuarin, sikurse shkaktohet destabilitet dhe pasiguri në shoqëri në emër të gjakut.

Krerët e këtyre njerëzve duhet të punojnë për siguri, për zbatimin e rregullave të islamit dhe të shkulin njëherë e përgjithmonë atë që është në kundërshtim me islamin.

Të nderuar vëllezër myslimanë, kudo që ndodheni! Feja jonë islame fton për falje, tolerancave e pajtim ndërmjet nesh, të jemi një dorë e vetme që na bashkon mesazhi i qartë islam.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo fe është juaja dhe është e vetmja fe e shpallur, kurse Unë jam Zoti juaj ndaj më adhuroni vetëm Mua” Enbija 92.

Dhe thotë: “Kjo feja juaj është e vetmja fe e Unë jam Zoti juaj, ndaj ruajuni dënimit Tim” Enbija 52.

Profeti ynë Muhamedi a.s ka thënë: “Besimtari për besimtarin është sikurse ndërtesa që forcon njëra-tjetrën.”

Zot na bëj prej atyre që e dëgjojnë këshillën dhe punojnë me të, lutuni Zotit të bindur, se do ju përgjigjet.

Falënderimet qofshin për Allahun Zotin e botëve, salavatet dhe bekimet e Tij qofshin mbi të dashurin dhe Profetin  tonë analfabet, si dhe mbi familjen e shokët e tij.

Zot bekoje zotërinë tonë Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e bekove zotërinë tonë Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit.

Begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e begatove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i lavdëruari në gjithë jetët.

Të nderuar besimtarë, në këtë hytbe të dytë dëshiroj të kumtoj tre mesazhe.

Mesazhi i parë ka lidhje me rrjetet sociale si fb etj, rrjete të cilat janë vendosur për të forcuar sa më shumë lidhjet shoqërore.

Por realiteti është që këto rrjete po keqpërdoren, në përhapjen e shpifjeve, duke  lëshuar lum akuzash për këdo që mendon ndryshe nga ti, apo përçarjen ndërmjet çifteve.

Keqpërdorimi i këtyre rrjeteve ka ndikuar dhe në edukim e arsim, ku nxënësit dhe studentët kanë hequr dorë nga mësimet dhe leximi i librave të dobishëm.

Si dhe plot anë negative të tjera që kanë ndikuar negativisht në shoqërinë tonë palestineze, sikurse e dini dhe ju.

Ndaj u del si detyrë prindërve dhe mësuesve, që t’i udhëzojnë të rinjtë në përdorimin e duhur të këtyre rrjeteve, të caktohet një kohë për përdorimin e tyre dhe në ambientet mësimore mos të jenë të disponueshëm.

Të nderuar besimtarë, mesazhi i dytë ka lidhje me ndërprerjen e ndihmave të kombeve të bashkuara për ne që synon shuarjen e çështjes tonë, në atë që njihet ndryshe si marrëveshja e shekullit.

U del si detyrë e mbarë qeverive të vendeve arabe dhe islame që të mbështesin organizatat e ndihmave humanitare, sikurse është turp i madh që ne të kthejmë sytë për nga ndihmat e Amerikës dhe shteteve perëndimore për çdo nevojë.

A qenka e pamundur që ndonjë Miliarder mysliman të marrë përsipër investimet humanitare në vend që t’i lypim të tjerëve?

Organizatat e kombeve janë të imponuara që t’u vijnë në ndihmë azilantëve, por ne nuk duhet t’ua shtrijmë dorën.

LEXO  Qëndroni largë të ndaluarave - Aksa 02.10.2020

Të nderuar besimtarë dhe banorë të tokës së Shenjtë të Palestinës! Ajo që vihet re është fakti se Amerika jep deklarata, sikurse ato të pushtuesve në lidhje me azilantët.

Pushtuesi deklaron se azilant është ai që ka emigruar nga Palestina më 1948, duke mos i dhënë asnjë të drejtë fëmijëve, apo nipërve të tyre të drejtën e trashëgimisë.

Kjo përpjekje e këtyre të poshtërve synon spastrimin dhe shuarjen e çështjes palestineze me vdekjen e brezit, dhe kjo s’është tjetër vetëm se një racizëm dhe spastrim etnik.

Kjo është ajo që synojnë dhe për të punojnë, dhe gjithë ky devijim nga realiteti dhe dredhi nuk është tjetër, vetëm se një pjesë e marrëveshjes së ndyrë të shekullit.

E vërteta është se ne kemi rreth 6 milion azilantë palestinezë në mbarë botën, duke i privuar kështu nga e drejta legjitime, trashëgimi i fëmijëve të drejtat e baballarëve, apo të gjyshërve të tyre.

Mos hiqni dorë dhe shpresë nga kthimi i mbarë azilantëve kudo qofshin, sado gjatë që të shkojë kjo punë, sepse e drejta e tyre nuk humb me padrejtësi!

Të nderuar besimtarë! Mesazhi i tretë ka lidhje me xhaminë Aksa, ashtu sikurse jemi mësuar ta përmendim vazhdimisht.

Dita e sotme përkon  me revoltën e xhamisë Aksa,  kur u sulmua me forcë nga ai që thirret Sharon, sulme këto që organizohen edhe sot e kësaj ditë, ku nuk janë mjaftuar me thyerjen e saj por në oborrin e xhamisë, kanë future dhe shishe alkooli, për të treguar se Aksa nuk është e shenjtë për ta.

Pushtuesi me këto veprime kërkon të bindë veten, se ka gjithë të drejtën ndaj Aksasë, por këto s’janë tjetër vetëm se iluzione dhe ëndrra.

Aksa ka qenë, është dhe do të jetë e myslimanëve, është një e drejtë që na e ka dhënë Allahu mbi shtatë palë qiej, ndaj dhe nuk tërhiqemi.

Përsërisim sot dhe vazhdimisht se sulme dhe prapësi të tilla nuk i japin hebrenjve asnjë të drejtë ndaj xhamisë Aksa, ndërsa myslimanët dhe namazfalës u del si detyrë, që t’i mbushin sheshet e xhamisë Aksa që janë pjesë e saja, përfshirë këtu dhe derën e mëshirës. Zoti im unë e përcolla mesazhin dhe Ti je Dëshmitarë për këtë.

Nuk na mbetet tjetër vetëm se të themi: “Allahu të ruajt o Aksa!”

Të nderuar vëllezër këto janë çaste kur pranohet lutja, ndaj thoni amin pas meje.

Zot sigurona në vatanin tonë, largoji sprovat që na kanë rënë, mbroje Zot xhaminë Aksa nga çdo e keqe, ruaje gjakun e myslimanëve, dërgo prijës që i bashkojnë myslimanët dhe ndjekin udhën e Salahudinit!

Zoti ynë. O shpresa e nevojtarëve dhe të dobëtëve, të lutemi e të përgjërohemi të bindur në madhërinë Tënde, kërkojmë lartësimin e fjalës dhe fesë Tënde!

Zot mëshiroji dëshmorët tanë, shëroji të plagosurit tanë dhe liroji të burgosurit tanë!

Zot ne kërkojmë të na mundësosh pendim të sinqertë para se të vdesim, vdekje të rehatshme dhe mëshirim pas vdekjes!

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, çoje lart fjalën e drejtë dhe fenë, fali besimtarët dhe besimtaret të gjallët dhe të vdekurit!

Thirr për në namaz! Vërtetë namazi ndalon nga e keqja dhe e ndyra, përmendja e Allahut është gjëja më e madhe, Allahu e di atë që ju veproni!

Aksa / by

Post Author: admin