Falënderimit i takojnë Allahut, të Parit pa fillim, të Fundmit pa mbarim, të Lartësuarit që nuk gjendet gjë mbi Të, të Gjithëdijshmit që si fshihet asgjë!
Atë e falënderoj dhe madhëroj, prej Tij kërkoj falje nga çdo gabim dhe pendohem, s’ka gjë që mund ta ndalojë atë që Ai jep, dhe askush nuk mund të të japë atë prej së cilës të privon, dhe asgjë veç Tij nuk mund të të bëjë dobi!
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një, i Vetëm dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, mik i Allahut dhe i përzgjedhuri i Tij në mesin e krijesave.
Ai e përcolli mesazhin, e kreu amanetin, ishte i drejtë me ndjekësit e tij, na la në një rrugë të qartë, prej së cilës nuk devijon vetëm se i humburi.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij të ndershme, bashkëshortet e tij që ishin nëna për besimtaret, mbi shokët e tij që ishin besnikë, si dhe mbi mbarë ata që e ndjekin udhën e tij.
Të nderuar besimtarë! Këshilloj veten dhe ju që ta kemi frikë Allahun në çdo gjendje tonën:
“Kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, i ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë të fituarit” Nur 52.
Të nderuar besimtarë! Zoti e ka begatuar njeriun me mirësi e begati të shumta, i ka dhënë prioritet ndaj shumë prej krijesave të Tij, dhe si për ta veçuar dhe më tepër i dha gjuhën që e veçon nga krijesat e tjera, sqaron synimet dhe realizon qëllimet.
“Mëshiruesi. Ai ia mësoi Kuranin, e krijoi njeriun. Ia mësoi atij të shprehurit” Rahman 1-4.
E shprehura nuk do të ishte e mundur nëse Zoti nuk do kishte instaluar gjuhën nëpërmjet të cilës shqipton dhe buzët nëpërmjet të cilave shqipton saktë shkronjat.
“A nuk i dhamë Ne atij dy sy, edhe gjuhë e dy buzë?” Beled 8-9.
Gjuha, është një copëz mishi midis dy nofullave të njeriut, por nëpërmjet saj i shpreh të tjerëve atë që mendon në thellësi, duke i treguar mençurinë e mendjes nëpërmjet të shprehurit.
Gjuha është ambasadori dhe korrieri i zemrës, nëpërmjet tij njeriu zgjedh rrugën e tij për në shkatërrim, ose për në shpëtim.
E si të mos jetë kështu, kur Profeti a.s ka thënë: “E çfarë i flak njerëzit e tjetër në zjarr, përveç asaj që korr gjuha e tyre” Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Gjuha është thikë me dy presa, kush e përdor drejtë shijon futet e saj, e kush e keqpërdor shijon ndëshkimin e saj.
Një pjesë e mirë e luftërave dhe konflikteve nuk shuheshin vetëm për shkak të gjuhës, nëse zjarri ndizet me degë të holla, lufta nis me fjalë.
Nuk ka konflikt, urrejtje dhe mërzi ndërnjerëzore, vetëm se gjuha e ka një hise në të, qoftë në mosorientimin për te më e mira, apo nxitjes për keq.
“Thuaju robërve të Mi: Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli nxit mes tyre, e është e ditur se shejtani është armik i hapur i njeriut” Isra 53.
Nuk është për t’u habitur se shejtani gjen shteg për të nxitur njeriun, dhe kjo veçanërisht kur njeriu është i mërzitur dhe i jep përparësi të kotës ndaj të vërtetës.
Zemra nuk mundet të gëzojë devotshmëri, vetëm se kur arrin të komandojë gjuhën dhe prej saj dalin vetëm fjalë të drejta.
“O ju që keni besuar, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai, Allahu iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja” Ahzabë 70-71.
Besimi dhe logjika e obligojnë njeriun të ndërgjegjësohet me vlerën dhe peshën e gjuhës, si dhe çfarë ajo shkakton.
Shkarja e gjuhës është më e rrezikshme se shkarja e këmbës, rrezikshmëria e tij shfaqet më shumë kur ti e nënvleftëson rrezikun e saj në krahasim me gjymtyrët e tjera.
Sa jetë janë mbyllur si pasojë e saj, sa të ndershëm janë akuzuar nëpërmjet saj, sa të vërteta janë prezantuar si të kota dhe anasjelltas dhe e gjitha kjo për shkak të përdorimit të gjuhës në gjëra të palejuara, apo moslejimi i shqiptimit të vërtetës.
Dëmi dhe rreziku i gjuhës së tij përhapet më shumë se sa dobia, kjo për vetë faktin se shumë njerëz abuzojnë me atë që dëgjojnë, duke mos e marrë në konsideratë mendimin e mirë për tjetrin.
Kur fjala del prej goje s’është më pronë e jotja, ajo bëhet sikurse topi me të cilin luajnë lojtarët, ku gjithsecili e përdor ashtu siç intereson.
Realiteti ka treguar se njerëzit ndahen në tre kategori në lidhje me gjuhën: i urti, i nxituari dhe injoranti.
Gjuha e të mençurit prihet nga logjika e shëndoshë dhe besimi i ngulitur në zemër, ai e di se kur gjuha nderon dhe kur nënçmon, e di mirë se cilat janë fjalët që e pikëllojnë dhe cilat fjalë janë shkak lumturi, di se kur duhet të flasë dhe kur të heshtë.
I tilli e di mirë se kur e flet sundohet nga fjala, dhe kur e mban gjuhën është sunduesi i saj, mund të bëhet i urtë nëpërmjet të folurit, apo dhe heshtjes së herë pas hershme.
Duke e ditur se njerëzit mund të thonë, ah sikur të kishte folur në vend se të heshte.
I nxituari prihet nga revoltimet e çastit, mendjelehtësia, dhe moskontrollimi i vetes. I tilli nuk njeh kufij dhe as fjalë që nuk duhen përdorur, i lëshon fjalët si dëshiron pa u penguar nga asgjë dhe duke mos menduar për pasojat e saj.
I tilli i ka të njëllojta sharjet dhe lavdërimet, fjalët miqësuese apo armiqësuese, kjo për shkak të mungesës së peshores së arsyes, drejtimit nga acarimi, nxitimi dhe mllefit që ka.
Nuk kujtohet për fjalët e tij vetëm pasi që karvani ka marrë dhen, mirëpo atëherë nuk bën më dobi pendimi.
Të tillëve u shkon për shtat hadithi hasen që thotë: “Dhe mos flit fjalë për të cilat do pendohesh nesër.” Ahmedi ibn Maxheh.
Ndërsa injoranti Zoti ju ruajt, është ai që trurin e udhëheq gjuha, duke u bërë armik i vetes para se të armiqësohet me njerëzit, sikurse është thënë: “Armiqtë nuk do arrijnë ta dëmtojnë injorantin më shumë se do dëmtojë ai veten.”
Injoranca është baza e çdo sprove, ai që nuk e di rëndësinë e gjuhës, është i paditur dhe për atë që do shqiptojë, duke mos ditur kështu të mirën dhe të keqen e saj.
Të nderuar besimtarë, injoranca është një sëmundje që ta mvesh mendjen e lëre më gjuhën, i tilli nuk di se kur duhet të flasë dhe kur duhet të heshtë.
Kjo për vetë faktin se ai që nuk zotëron diçka, nuk mund të ta japë atë, ndaj e lusim Zotin të na ruajë prej një sëmundje të tillë!
E si të mos jetë i tillë, ndërkohë që Zoti thotë: “Ndaj mos më kërko Mua atë që nuk di, Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga injorantët” Hudë 46.
Fjalët e tepërta nuk tregojnë për dituri, heshtja mund të tregojë për dituri, sikurse dhe e folura në rastet e volitshme.
Heshtja sundonte të folurën tek dijetarët e hershëm, sepse ndonjëherë heshtja përcjell një zë domethënës më ndikues se zëri i vërtetë.
Heshtja nuk është kusht të tregojë padituri, ajo shpeshherë tregon se nuk ia vlen të flasësh për temën në fjalë.
Nuk ka dyshim se ai që di të heshtë, di dhe të flasë, kështu heshtja e tij përkthehet në urtësi e mençuri, e si pasojë mund të mësosh nga heshtja e tij, ashtu sikurse mëson nga fjalët e tij.
Të tillët janë sikurse xhevahirët në mesin e një shoqërie të mbushur me llafe e bërtitje.
Kjo tregon për dy gjëra: të flasësh për gjithçka është një përgjegjësi e urryer dhe e padëshiruar, ndër më të urryerat që mund të shqiptojë gjuha është të lavdërosh veten e të vetëpëlqehesh dhe të përdorësh terma të egër.
Njerëzit me gjuhë të tillë janë njerëzit më të urryer për Profetin a.s i cili thotë: “Më të urryerit dhe më të largëtit me mua në ditën e kiametit do jenë llafazanët, gojëndyrët dhe ata që hiqen në të folur” Tirmidhiu.
Llafazani është ai që flet shumë, gojëndyri është ai që e tepron me njerëzit në të folur, duke lavdëruar veten, e ai që hiqet në të folur është ai që flet me mendjemadhësi e vetëpëlqim.
Çështja e dytë që tërheq vërejtjen, është fakti se implikimi i dikujt në një fushë jo të tijën, është zbulim i të metave të tija dhe dhënia mundësi njerëzve që ta kritikojnë.
Gjëja që të ruan nga fjalët e të tjerëve është mosimplikimi në fushat e të tjerëve, njeriu nuk duhet të kullosë në çdo lëndinë, por duhet të flasë për atë që perfeksionon.
Ata që flasin për atë që s’u takon, do bien në atë që nuk dëshirojnë.
Gjuha e juristit nuk është si gjuha e mjekut, as gjuha e politikanit nuk është si gjuha e këshilluesit, sa bukur thotë dijetari i madh Ibn Haxheri: “Kush flet në lëmin e tjetrit, flet gjëra të çuditshme.”
Dijeni ju ruajt Allahu, se rreziku i fjalës nuk është në mënyrën e formulimit të saj por në atë që ajo përmban.
Imagjinoni se sa rrezik bart fjala “uf”, kur u thuhet prindërve, është një fjalë shumë e shkurtër, vetëm me dy shkronja: “Por ti mos u thuaj atyre as of, mos i qorto por fliti fjalë të buta” Isra 23.
Zoti më begatoftë mua dhe ju me Kuranin Famëlartë dhe atë që gjendet në të, çdo gjë që e thashë të drejtë është prej Zotit, çdo gjë e gabuar është prej meje dhe shejtanit të mallkuar, Zotit i kërkoj falje për vete dhe mbarë myslimanët, dhe ju kërkojini falje Atij, se vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues i Madh.
Falënderimet e pandalura qofshin për Allahun, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të përzgjedhurin Muhamedin, mbi familjen, shokët e tij dhe këdo që njehson dhe adhuron Zotin!
Të nderuar besimtarë, kini frikë Allahun, kur flisni dhe kur heshtni, gjuha e ndershme e prin njeriun për në xhenet, e gjuha e shthurur të prin për në zjarr.
Gjuha e drejtë është dritë e ngazëllim, gjuha e prishur është errësirë dhe pikëllim, për këtë na mjafton lutja e Profetit a.s: “Zot vendos dritë në zemrën time, dritë në gjuhën time, dritë në shikimin dhe dëgjimin tim.” Mutefekun alejhi.
Dijeni ju ruajt Allahu, se sprovat janë të lidhura ngushtë me atë që flasim, ndaj njeriu le të kontrollojë gjuhën, pasi që optimizmi dhe shtresimi për mirë është traditë e Profetit a.s!
Një ditë prej ditësh, Profeti a.s vizitoi një beduin të sëmurë dhe tha: “-Qoftë kjo pastrim për ty.
Ai i tha: -Ç’pastrim thua?! Kjo është sëmundje e ligë dhe e ndezur për një plak si unë që e pret varri.
Profeti a.s i tha: -Ashtu qoftë atëherë!” Buhariu.
Në transmetime të tjera përcillet se njeriu vdiq të nesërmen.
Për të tillët që janë të zhytur në pesimizëm, në ndjelljen e të keqes e të urryerës ka thënë Profeti a.s: “Kush thotë që njerëzit janë në shkatërrim dije se ai është më i shkatërruari i tyre.” Muslimi.
Myslimani duhet të jetë si një pasqyrë për shoqërinë, prej tij duhet të dëgjojnë këshilla të vlefshme, lajme të sakta, apo përkujtimi të dobishme, larg ndjekjes së të metave apo shthurjeve e armiqësive.
Ai duhet të përdorë një matëse për fjalët e tij, të mos heshtë kur duhet të flasë për të mirën dhe të drejtën, dhe të mos e lëshojë gjuhën aty ku kërkohet ruajtja e privatësisë apo heshtja, për të qenë morali i tij në të folur real dhe jo imagjinar, i logjikshëm dhe jo i supozuar, i moralshëm dhe jo në kundërshtim me moralin, i dobishëm dhe jo i dëmshëm për interesin e përgjithshëm.
Nëse gjuhët e njerëzve lëshohen kundër njëri-tjetrit, po ashtu dhe paragjykimet, dije se s’ka gjë më të mirë se mosimplikimi.
Nëse rehatia në këtë rast do kishte 10 pjesë, dije se nëntë prej tyre do ishin në të heshtur.
Ukbe ibn Amir ka thënë: “-O i dërguar i Allahut, ku gjendet shpëtimi?
Ai më tha: -Kontrolloje gjuhën, le të të mjaftojë shtëpia jote, dhe qaj për gjynahet e tua.” Tirmidhiu.
Dërgoni salavatë mbi Muhamedin të birin e Abdullahut, më të mirin dhe të përzgjedhurin e njerëzve, pronarit të Haudit dhe ndërmjetësuesit në ditën e gjykimit, pasi që për diçka të tillë ju ka urdhëruar Allahu ku thotë:
“Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzabë 56.
Zot mëshiroje, bekoje e shtoja begatitë robit dhe të dërguarit Tënd Muhamedit, fytyrë ndriturit e ballë çiltrit, ji i kënaqur Zot dhe prej katër kalifëve të tij të drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbi mbarë sahabët e Profetit, mbi pasuesit e tyre, mbi të gjithë ata që i ndjekin ata deri në ditën e fundit, përfshina dhe ne bashkë me ta, o Mëshiruesi i Mëshiruesve!
Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët!
Lartësoje Zot fenë, librin dhe sunetin e Profetit Tënd, si dhe robërit e Tu besimtarë!
Zot lehtësoja brengat myslimanëve, zgjidhja hallet, shlyeja borxhet borxhlinjve, shëroji të sëmurët tanë dhe mbarë myslimanëve!
Zoti ynë, sigurona në trevat tona, drejtoi udhëheqësit dhe përgjegjësit tanë, bëj të drejtohemi nga ata që të frikësohen Ty, dhe synojnë kënaqësinë Tënde o Zot i botëve!
Zot drejtoje prijësin tonë në fjalët dhe veprat që të gëzojnë Ty, o i gjallë dhe i gjithëpushtetshëm!
Zot rrethojë nga këshilltarë të devotshëm, drejtoje atë dhe zëvendësin e tij, në atë që është më e dobishme për popullin dhe vatanin!
Zoti ynë, Ti je Zoti dhe s’ka zot tjetër veç Teje, ti je i pasuri ndërsa ne jemi nevojtarë, njomna me shi dhe mos na dëno, zbrite mbi ne shiun dhe mos na privo nga të mirat e Tua, si pasojë e të këqijave tona!
Zot zbrite mbi ne shiun dhe mos na kaplo me thatësira, dhe atë që zbret bëje të mjaftueshëm për ne vazhdimisht, o Begatues dhe Bujar!
Zot na pajis me devotshmëri, pastroi shpirtrat tanë, Ti je Përgjegjësi që i ke në dorë ato!
Zoti ynë, jepna të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe mbrona nga ndëshkimi i zjarrit!
Të nderuar besimtarë, kujtojeni Allahun t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë e shumta t’ua shtojë, dijeni se përmendja e Allahut është vepra më e lavdishme, Zoti di atë që ju veproni!