Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 26-06-1446 H 27-12-2024 D
Shejh Muhamed Sarandah
Tema Nga morali i muslimanëve ndihma ndaj të shtypurve
Lavdërimet janë për Allahun. “Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Ta Ha 112)
Lavdërimet janë për Allahun. “Kështu, ai e mashtroi popullin e vet. Ata iu nënshtruan atij, sepse ishin vërtet një popull i keq.” (Ez-Zuhruf 54)
Lavdërimet janë për Allahun. “ Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në Tokë, duke menduar se nuk do të ktheheshin te Ne. Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (El-Kasas 39-40)
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush mbështetën, ndihmon një zullumqar që me të pavërtetën e tij të hedhë poshtë të vërtetën, atëherë ai është çliruar, atëherë ai i ka dhënë fund besëlidhjes ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij.”
Zoti ynë, nëse na prekën padrejtësia ose shtohen ndaj nesh mundimet, nuk do të zhgënjehemi kurrë sepse tek Zoti ynë është shpresa.
Nëse fatkeqësia ka zbritur në tokën e Gazas, ne kemi Një Zot që e transformon dhe e largon atë.
Zoti është pranë të shtypurve tanë në çdo vështirësi, mjafton që tek Ai të ngremë ankesat tona dhe t’i lutemi Atij.
E si mund të shpresojë tek dikush tjetër përveç Teje populli i Palestinës, kur Ti je shpresa për ata që u janë mbyllur rrugën?
Nëse na godet vështirësia, presim lehtësim, sepse vështirësia me lehtësinë janë të afërta dhe të lidhura.
O Zoti ynë, të lutemi për butësinë Tënde, sepse të burgosurit dhe robërit tanë po vuajnë, ndërsa të liruarve po u shtrëngohet mëlçia. O Zot, mbroje Palestinën nga fitnet me të cilat janë ndërprerë lidhjet farefisnore dhe rrugët.
O Zoti ynë, na jep shi mëshirë për ne dhe mos e jep atë dënim. Shiu, të cilin po e prisnim me mall dhe me gëzim, sot po na bën qajmë. Zoti ynë të lutemi për butësinë Tënde mbi popullin e Gazas në çadrat e tyre, vuajtjet dhe durimin e tyre bëji dritë që ndriçon rrugën e tyre drejt Xhenetit, o Zot.
O Zot, vërtetë i ftohti është krijesë nga krijesat e Tua, zbaton urdhrin Tënd, prandaj zbrit ngrohjen dhe mëshirën Tënde mbi të varfrit, mbi të dobëtit, mbi të shpërngulurit me forcë dhe mbi fëmijët, o Zoti i botëve.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ndihmuesi i të shtypurve, Shpëtuesi i atyre që u bëhet padrejtësi, shkatërruesi i tiranëve arrogantë, zullumqarëve. Gjykues është emri i Tij, ndërsa i Drejtë është përshkrimi i Tij, në qiell është ekuilibri i Tij dhe në tokë drejtësia e Tij. “ Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (En-Enbija’ 47)
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. O Zot, bekoje zotërinë tonë Muhamed, bekime me të cilat përmirëson moralin, lehtëson me të jetën, largon me të vështirësitë dhe mbush me të horizontet, bekime të përhershme nga dita që ke krijuar botën deri në ditën e takimit, Gjykimit, dhe na mbulo në mes Duarve të Tua, o i Plotfuqishëm, o Krijues. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.
Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “ Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!” Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): “Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” (Ibrahim 13) E kush është më i besuar se Allahu në fjalë?! “Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” Dënimi i Zotit do të bjerë mbi zullumqarët detyrimisht, me patjetër, dhe nëse padrejtësia dhe tirania zgjatën, nëse shtypen njerëzit dhe copëtohen mëlçitë e tyre, me patjetër që agimi po vjen.
Ditët janë që lëvizin, e nëse padrejtësia arrin lartësi të mëdha momenti i rrugëzgjidhje, lehtësimit është afruar, dhe ka ardhur koha që nata të marri fund, të përfundojë, Dhe nëse mali sulmon malin tjetër shtypësi i tyre do të mundet, drejtësi prej Zotit.
“Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” (Ibrahim 13) Sa shumë i padrejti ka shtypur njerëz dhe ka detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, ka përzënë dhe internuar, ka izoluar dhe ka burgosur, ka shtypur dhe është treguar arrogant, dhe ka menduar se atij nuk ja del askush. “Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” (Ibrahim 13)
Faraoni përhapi shkatërrim në tokë, sikurse faraonët e kohës së sotme kanë përhapur dhunë dhe tirani në vend, nënçmuan dhe përçmuan ligjshmërinë e Allahut, të larguar nga feja e Zotit, dhe nënvlerësuan hakmarrjen e Zotit. Prej tyre ka nga ata që Allahu ua hoqi pushtetin, ndërsa të tjerët në tiraninë e tyre janë verbuar. “Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” (El-Fexhr 14) Padrejtësia nuk zgjatën përgjithmonë, rroba e turpit dhe tradhtisë do të griset dhe drita e të vërtetës do të shkëlqejë.
Kur vështirësitë u shtuan tek i dërguari i fisnik, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe tek shokët e tij të nderuar në Meke, vuajti nga ashpërsitë, tjetërsimi, rrethimi, izolimi, abuzimi dhe komploti nga të afërmit e tij, Zoti i shpalli në zemër e tij suren Jusuf, paqja e Zotit qoftë mbi të, ku Allahu i Madhërishëm i kujton se çfarë bëjnë të afërmit, se çfarë mund të përjetojnë besimtarët nga mundimet dhe komplotet, deri në fundit e një pusi të tharë, pastaj në burg, e pastaj lirimin dhe nderimin, frymëzim nga Allahu për të dërguarin e Tij për afrimin e lehtësimit, rrugëzgjidhjes nga ajo në të cilën ata janë. E ajo nuk ishte vetëm se një periudhë e shkurtë nga koha dhe u çlirua Meka, e Allahu me duart e tyre çliroi vende dhe rajone.
Zoti ynë, pas një periudhe të gjatë errësire rrezet e diellit filluan të shkëlqejnë në Sham, prandaj ne të drejtohemi Ty duke përgëzuar me lajme të mira dhe duke shpresuar për afrimin e lehtësimit për tokën e Israsë dhe Miraxhit, Kudsit. Toka e Shamit është çliruar në periudhën e Omerit dhe Bejtul Makdis, Kudsi ka marrë lajmin e gëzuar. Lajmi i gëzuar i të dërguarit të Zotit, Jusufit, paqja e Zotit qoftë mbi të, dëgjohet në veshët e tyre në mesin e plagëve. Jusufi mori nën kontroll frerët e Egjiptit për të treguar se politika e të dërguarve të Zotit është zbatim i metodologjisë së Zotit dhe vendimeve të Tij, jo një politikë e zhveshur nga feja, besimi, nga e cila njerëzimi modern nuk ka korrur gjë tjetër përveç padrejtësisë dhe tiranisë. “A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” (El-Maide’ 50)
Perëndimi ka ikur nga Zoti dhe kanë mohuar ligjin e Tij. Kanë ndarë fenë nga jeta, dhe janë larguar nga legjislacioni i Zotit dhe vendimet e Tij, kanë qeverisur njerëzit me metoda njerëzore që bazohen në interesat personale dhe në kolonializmin e vendeve dhe popujve. U pozicionuan padrejtësish në tokë dhe vendosën mëkëmbësit e tyre, njerëz të ëndrrave të çmendura në këtë politikë. Tiranët u shfaqën në vendet muslimane, të cilët adhurohen përveç Zotit. Por deshi Zoti që ti tregojë të gjithë botës mbarë se si thyhet tirani, zullumqari; “Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” (Ibrahim 13)
Këtyre tiranëve për tiraninë e tyre ju deshën bishta dhe bori për t’i lavdëruar, për të brohoritur, për të mobilizuar turmat dhe për t’u paguar atyre para, kështu që ata kishin të njëjtin përfundim. “ Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në Tokë, duke menduar se nuk do të ktheheshin te Ne. Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (El-Kasas 39-40)
Vërtetë, armiqtë më të këqij të umetit janë ata që ulen me zullumqarët dhe rrethin e tyre të korruptuar të brendshëm, ata të cilët plotësojnë dëshirat e tiranit, të keqen ia bëjnë të mirë dhe të mirën ja bëjnë të keqe, u afrojnë budallenjtë dhe përzënë prej tyre të mençurit dhe racionalët, të urtët. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti nuk ka dërguar ndonjë profet dhe nuk ka caktuar ndo një mëkëmbës përveçse ai i ka pasur dy këshilltarë mbështetje: Këshilltar që e urdhëron atë në të mirë dhe e shtynë drejtë saj, dhe këshilltar që e urdhëron atë në keqe dhe e shtynë atë drejtë saj. E i mbrojtur është ai të cilin e ka mbrojtur Allahu.” “As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.” (Ibrahim 47) “ Ne do t’i zhdukim keqbërësit.” (Ibrahim 13)
O ju mohues, thirrës në të kotë! O ju të nënshtruar dhe të përulur! Nuk ju bën dobi justifikimi dhe shfajësimi juaj tek Zoti. “Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.”(El ‘Ankebut 25) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush ndihmon, përkrahën një të padrejtë, ai, i padrejti, do të fitoj pushtet mbi të.” Said Ibn Musejib ka thënë: “ Mos lejoni që sytë tuaj të mbushen me ndihmën e agjentëve të padrejtësisë, përveç se me mohim, kundërshti nga zemrat tuaja, në mënyrë që veprat tuaja të mos bëhen të pavlera.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Urime për ju o banorët e Shamit!” I kemi thënë: “ E përse kështu, o i dërguari i Allahut?” Ka thënë: “ Sepse Melaiket e Mëshiruesit hapin krahët e tyre mbi të, mbi Sham.” I lutemi Allahut të Madhërishëm që ta ruaj Shamin nga forcat e këqija dhe kurthet e tyre. “Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë.” (Ibrahim 46)
Vërtetë politika të cilën ndjek perëndimi dhe aleatët e tij nga ateistët, laikët, është politikë e qelbur dhe e kalbur e refuzuar me të gjitha standardet. Ndërsa politika e Islamit është politikë legjitime e cila udhëheq, qeverisën, njerëzit me metodën e Zotit. Është politika që përmbushën, realizon drejtësinë dhe sigurinë, krenarinë dhe dinjitetin për umetin dhe njerëzimin mbarë, ashtu siç kanë vendosur profetët dhe kalifët, pasuesit e tyre. Është politika që Zoti deshi për robërit e Tij dhe vendosi për të rregulla nga Ai Vetë, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në ndërtimin e shoqërive dhe në politikën e tyre, ka thënë: “ Vërtetë ju ndihmoheni me të dobëtit tuaj.” Atij të cilit Allahut i ka dhënë pushtet, e ka vendosur në tokë dhe i ka dhënë në dorë përgjegjësi, ai është i obliguar ta përkrahë të dobëtin, ta ushqejë nëse është i uritur, ta veshë nëse është i zhveshur, ta strehojë nëse është i pastrehë, ti sigurojë atij punë nëse është i papunë, ta kurojë nëse është i sëmurë. Personi që është përgjegjës duhet t’i sigurojë të dobëtit mjetet e diturisë nëse është i paditur, ta ndihmojë atë nëse është i shtypur, ti japi atij mjetet e dinjitetit të tij nëse është i persekutuar. Nëse përgjegjësi bën detyrën e tij kundrejt të dobëtit Zoti do e shpërblejë për punën e tij, dhe e ndihmon atë përball armiqve të tij dhe forcave të këqija që e rrethojnë.
Duke ndihmuar të dobëtit bashkohet umeti, forcat e jashtme nuk mund të depërtojnë në shoqërinë e bashkuar, në kohezion. Nëse përgjegjësi i jep të dobëtit nevojat që ai ka dhe dinjitetin e tij, ai do të marrë mbështetjen prej tij dhe unifikimin e rrallëve, dhe nga ana e të dobëtit nuk do të mund të depërtohet. Zotëria ynë, halifeja Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, njërit nga mëkëmbësve të tij i ka thënë: “ Dhe mos e mbyll derën tënde pa ata, sepse të fortët e tyre do të gllabërojë të dobëtin e tyre.” Një njeri ka hyrë në kopshtin e një Ensariut dhe ka ngrënë nga një pemë pa lejen e tij. Ensariu e dërgoi atë tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe u ankua. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i ka thënë Ensariut: “ A e mësove atë kur ishte injorant, i paditur? A e ushqeve atë kur ishte i uritur?” Ky është shërimi i problemeve në shoqëri. Shpresa jonë, për ata që Zoti ua ka besuar udhëheqjen e vëllezërve të tyre, është që të jetë urtësia rruga për dalje nga krizat. Ne jemi popull që Allahu na ka lartësuar me Islam. Unifikimi i rrallëve dhe uniteti i fjalës është ajo që kërkohet nga ne. Ndërsa siguria, stabiliteti dhe dinjiteti janë të drejtat e çdo individi në shoqëri. Gjaku ynë i pastër është i pandashëm, fuqia e shtypësit nuk na ndan dot, dhe ka ardhur koha që arsyeja të marrë hapësirën e saj. “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (El-Huxhurat 10) Ndërsa gjaku i muslimanëve është i barabartë.
Ato regjime që ranë dje nuk e morën parasysh politikën e Omer Ibn El Hattabit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Kur Omeri donte të nxirrte një dekret, mblidhte familjen dhe njerëzit e tij, këshilltarët dhe të afërmit e tij dhe ju thoshte: “ Kam nxjerrë një dekret që njerëzit t’i përmbahen atij, e njerëzit janë si zogjtë, nëse ju shikojnë ju se bieni dhe ata bien. Për Zotin nëse dikush prej jush bën atë që ua kam ndaluar njerëzve, do të ja dyfishoj atij dënimin për shkak të statusit të tij që ka tek unë.” Lidhja farefisnore dhe afrimiteti me Omarin u kthye një fatkeqësi kontrolli dhe vëzhgimi, jo afrimitet për nepotizëm dhe arrogancë. Të gjithë i përkasin kësaj toke të shenjtë, secili në pozicionin e tij. Shkalla e prioriteteve në tokën e Israsë dhe Miraxhit është uniteti, jo grindjeve, jo rivalitetit dhe jo mosmarrëveshjeve. Xhamia e Aksasë është simbol i vendosmërisë tonë, e të gjitha këto fitne nuk i shërbejnë xhamisë tonë dhe tokës tonë të bekuar. Por se këto fitne janë për të tërhequr vëmendjen tonë nga të vuajturit tanë, nga të dobëtit dhe të shtypurit tanë në Gaza. Pa dyshim se këto fitne lëndojnë njerëzit tanë në Gaza. Në një hadith ka ardhur: “ O Zot, atij që i është besuar ndonjë punë nga umeti im dhe është i ashpër ndaj tyre, bëhu dhe Ti i ashpër mbi të. Ndërsa atij që i është besuar ndonjë punë nga umeti im dhe është i sjellshëm, i butë ndaj tyre, bëhu dhe Ti i butë, i mirë me të.”
Luteni Allahu duke qenë të bindur në përgjigje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin i Cili ka zbukuruar zemrat e të zgjedhur të Tij me dritat e dashurisë dhe harmonisë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Zot, kush krenohet me Atë nuk do të dëmtohet, shtypet, e kush tregohet arrogant ndaj urdhrave të Tij do të poshtërohet dhe do të përballet me gjynahet.
Dëshmoj se i zotëria, i dashuri dhe ndërmjetësuesi ynë, Muhamedi është i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ai që ka thënë: “ Nuk ka musliman që zhgënjen, tregohet neglizhent ndaj një muslimanit në një situatë kur i shkelet shenjtëria dhe i poshtërohet nderi i tij, përveç se Zoti do ta poshtërojë atë në situata ku ai do të donte të kishte ndihmën e Tij. Nuk ka musliman që e ndihmon muslimanin në një situatë kur i preket nderi dhe i cenohet shenjtëria e tij, përveçse Zoti e ndihmon atë.”
O Zot, poshtëro ata që kanë braktisur të dobëtit, të shtypurit në Gaza, o Zoti i botëve.
O Zot, mos na sprovo me sëmundje, mos na bëj nga neglizhentët, të shkujdesurit, mos na befaso me të rënda dhe mos shkruaj për ne poshtërim dhe as mposhtje.
Zoti ynë, na ke nderuar dhe për Ty është lavdërimi, na mbulove të metat tona për Ty është lavdërimi, na ke furnizuar ne për Ty është lavdërimi, për Ty është lavdërimi nga dashuria dhe mirënjohja, falënderimi, dhe për Ty është lavdërimi deri sa të jesh i kënaqur me ne. Kemi pranuar Allahun për Zot, Islamin fe, dhe zotërinë tonë, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, të dërguar.
O Zot, të kemi besuar Ty Gazan dhe njerëzit e saj, fëmijët, gratë dhe të dobëtit e saj. O Zot, përmirëso marrëdhënien në mesin tonë, bashko zemrat tona, dhe mos vendosn në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë. O Zot, ndalo gjakderdhjen e muslimanëve. O Zot, jep siguri, shëndet dhe mirëqenie për popullin tonë në Gaza, në Palestinë dhe në të gjitha vendet e tjera muslimane. O Zot, lehtëso shqetësimin e të burgosurve dhe robërve, o Bujar.
O Zot, jepi shpërblimet më të mira zotërisë tonë, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. O Zot, jepu shpërblimet më të mira dijetarëve dhe prindërve tanë.
O Zot, shëro të plagosurit tanë, shëro të sëmurët tanë dhe liro të burgosurit dhe robërit tanë.
O Zot, Ti që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet, të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)
Dhe fto për namaz.
Afrim Smakaj