Vetëm Zoti është i denjë për adhurim

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    01-08-1446H   31-01-2025 D

Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim

Tema  Vetëm Zoti është i denjë për adhurim

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.

O ju muslimanë! Allahu i Madhërishëm  ka krijuar njerëzimin që ta adhurojnë vetëm Atë, ka urdhëruar për Njësimin e Tij dhe ka ndaluar të bërit shok, ortak Atij. Ai e ka  vendosur këtë çështje dhe e vërtetoi atë, ka sjellur për të shembuj për t’i bërë më të qarta kuptimet e njerëzve, E kuptimi i përgjithshëm i Kuranit shprehën këtë parim madhështor, i cili është themeli  i parimeve, fillimi dhe fundi i fesë, shfaqja e brendshme dhe e jashtme, e fesë. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar në librin e Tij, Kuran, e ka bërë të qartë përsosmërinë e cilësive të Tij, që adhurimi t’i drejtohet vetëm Atij, nga se adhurimin e meriton vetëm Ai që zotëron atributet e përsosmërisë. Shejhul Islam, Zoti e mëshiroftë ka thënë: “ Cilësitë e përsosmërisë i atribuohen tre veçorive, parimeve: Diturisë, Fuqisë dhe Pasurisë, mos paturit nevoj për diçka apo për dikë.”

I pari nga të gjithë të dërguarit ishte Nuhu, paqja e Zotit qoftë mbi të, që mohoi këto tre veçori për veten e tij duke thënë: “Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll…” (Hud 31)  Allahu ka urdhëruar të dërguarin tonë, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që të lirohet nga pretendimi i këtyre të tre veçorive duke thënë: “ Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të Fshehtën dhe as nuk them se jam engjëll.” ( El-En’am 50) Allahu i Madhërishëm  dituria e të Cilit përfshinë çdo gjë, vetëm Ai është në dijeni të çelsave të të fshehtës dhe Ai e di atë që ka në zemra. Ndërsa krijesa nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, as nuk e di atë që i fshihet, që është largë nga sytë e tij, as nuk e di numrin e qimeve në kokën e tij.

Sa i përket fuqisë së Tij, Allahut të Madhërishëm,  Ai krijoi gjithçka i Vetëm, pa asnjë zot apo hyjni tjetër të adhuruar, e krijesat, njerëzit  pajtohet, bien dakort me këtë.  “Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri që do të të thonë: “Allahu!” (Lukman 25)  Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Kurani, suneti, natyrshmëria njerëzore dhe dëshmitë racionale tregojnë se Ai, Allahu i Madhërishëm,  është Krijuesi i çdo gjëje.”

Nëse Ai, Allahu i Madhërishëm, dëshiron diçka, Ai i thotë gjësë “Bëhu” dhe ajo bëhet sipas asaj që Ai dëshiron sa hap e mbyll sytë. “Ne urdhërojmë vetëm një herë dhe vullneti Ynë përmbushet sa çel e mbyll sytë.” (El-Kamer 50)

Dhe prej fuqisë së Tij të përsosur është menaxhimi i çështjeve. Në dorën e Tij, Allahut të Madhërishëm,  është dëmi dhe dobia, Ai është që udhëzon kë të dojë nga robërit e Vet, i ushqen dhe u  jep të pinë, i shëron, i bën të vdesin dhe i ringjallën. Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ I Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi;  i Cili, kur sëmurem, më shëron;  i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë.” (Esh-Shu’ara’ 78-81) 

Atij i takon sundimi i plotë dhe kontrolli absolut mbi qiejt dhe tokën pa ortak dhe pa të barabartë, bën në to çfarë Ai dëshiron.  Për shkak të fuqisë së Tij të plotë, Atij i bëjnë sexhde ata që janë në qiej dhe në tokë, me dëshirë dhe pa dëshirë.

Sa i përket pasurisë së Tij, Allahut të Madhërishëm,  Ai është i pasur në Veten e Tij, nuk ka nevojë për dikë tjetër, Froni  dhe çdo gjë poshtë Tij ka nevojë për Të. Mbretëria, Pushteti i Tij nuk rritet me bindjen e të bindurve dhe as që zvogëlohet me mosbindjen e të pabindurve.  Në hadith Kud’si ka ardhur se Allahu ka thënë: “ O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, nga njerëzit dhe xhindët, të ishin të devotshëm sikur zemra më e devotshme e njërit prej jush, kjo nuk do të shtonte asgjë në sundimin Tim. O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, nga njerëzit dhe xhinët, të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit prej jush, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga sundimi Im.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  Mesatarja e umetit Islam është dëshmi e mirësisë së tij

Në dorën e Tij, Allahut të Madhërishëm është furnizimi i robërve: “ Në të vërtetë, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk kanë pushtet t’ju japin të mira, andaj, vetëm tek Allahu kërkoni risk…” (El ‘Ankebut 17) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dora  e Allahut është plot dhe shpenzimi i pasurisë bujarisht gjatë ditës dhe natës nuk i pakëson ato (burimet e Allahut). d.m.th të qenit bujar në dhurim. A nuk e shikoni sa ka shpenzuar Ai që kur krijoi qiejt dhe tokën, dhe ajo që është në Dorën e Tij nuk është pakësuar?” Muttefikun Alejhi.

Sikurse Allahu i Madhërishëm ka bërë të qartë përsosmërinë e cilësive të Tij ka bërë të qartë se zotat tjerë përveç Tij nuk meritojnë adhurim sepse nuk përmbajnë asnjë nga atributet e hyjnores. Ata nuk krijojnë dhe nuk ndryshojnë diçka nga ajo që do Zoti. Ibrahimi, paqja e Zotit, i ka thënë Numrudit, i cili pretendoj hyjnoren: “ Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur.” (El-Bekare 258) Dhe nuk posedojnë, nuk kanë nën pushtetin e tyre asnjë gjë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë…” (Sebe’ 22) Ata as nuk flasin as nuk udhëzojnë askënd për asgjë. “Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! ” (El-A’raf 148) Ata as nuk dëgjojnë dhe as nuk japin përgjigje. “ Ata janë të vdekur, pa kurrfarë gjallërie…” (En-Nahl 21) “Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin.” (El-Fatir 14) Ata nuk bëjnë dobi e as nuk  largojnë  dëm, as nuk mund ta bartin atë nga një vend në tjetrin, apo ta transferojë atë nga një krijesë në tjetrën. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Thirrini ata që ju i hyjnizoni përveç Tij! Ata nuk mund t’jua largojnë të keqen e as nuk mund ta hedhin atë tjetërkund.” (El-Isra’ 56) Ata nuk mund të ndihmojnë dikë tjetër dhe nuk mund të ndihmojnë as veten e tyre. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Kurse ata, të cilëve ju u luteni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as ju e as veten.” (El-A’raf 197) Ata nuk mund të pengojë askënd nga dënimi  dhe nuk mund ta shpëtojë prej tij. “Hyjnitë, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes.” (Hud 101) D.m.th përveçse humbjes dhe shkatërrimit.

E sikur të gjitha perënditë që adhurohen përveç Zotit të mblidheshin së bashku për të krijuar një mizë të vetme, ata nuk do të ishin në gjendje, përkundrazi, sikur miza të vidhte diçka më të parëndësishme nga restorantet nuk do të mund ta shpëtonin atë prej saj. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ I dobët është përgjëruesi (adhuruesi)…” (El-Haxhxh 73) D.m.th, kërkuesi i mizës, e ai është që adhuron diçka tjetër përveç Zotit. “…por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli)”. (El-Haxhxh 73) E ajo është miza. Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Ky është një nga shembujt  më elokuentët të  asaj që Zoti i Madhëruar ka shpallur në lidhje me pavlefshmërinë e politeizmit, idhujtarisë.”

Zotat e tjerë përveç Zotit nuk kanë fuqinë për të lehtësuar shqetësimet e njerëzve apo për të përmbushur nevojat e tyre,  ndërsa të drejtuarit për tek ata është si t’i drejtohesh shtëpisë më të dobët, që është shtëpia e merimangës. Prandaj dhe Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!” (El-Enbija’ 67)

Kush i bën të vdekurit, shenjtorët ose njerëzit e drejtë ndërmjetës midis tij dhe Zotit në lutje, ka humbur kuptimin e robërisë, të nënshtruarit ndaj Zotit dhe kërkesat e Sundimit të Tij. “Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu!”( Junus 18)  Ata marrin prej tyre  vetëm të kundërtën e asaj që kanë synuar. “ Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës. Por jo! Ata  do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiqtë e tyre.”( Merjem 81-82) Ata ulen të penduar për veprimet e tyre, duke i fajësuar dhe i mundur për politeizmin e tyre, të braktisur, pa përkrahës dhe pa mbrojtës. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!” (El-Isra’ 22) Shejhul Islami, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “  Asnjë njeri nuk e ka mbështetur shpresën tek një krijesë ose nuk është mbështetur tek ai përveç se pritjet prej tij do të zhgënjehen. Ndërsa gjendja e tij do të jetë si dikush që ra nga qielli dhe u rrëmbye nga zogjtë dhe e bën copë-copë, ose e frynë era për në një vend të largët, vdekjeprurës, shkatërrues.”  Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.” (El-Haxhxh 31)

LEXO  Nga manifestimet e madhështisë së Islamit në adhurimin e agjërimit

Kur mushrikëve, idhujtarëve u vjen koha e vdekjes dhe Melaiket i pyesin: Ku janë ata që i adhuronit pos Zotit? Ata do të thonë:  “Na braktisën.” (El-A’raf 37) D.m.th, Ata na lanë, ndaj nuk presim asnjë përfitim apo të mirë prej tyre.

E kur të ndodhi Kijameti Allahu do të bashkojë njerëzit dhe do të thotë: “ Kush adhuronte diçka tjetër përveç Zotit, në dynja, le ta ndjekë atë. Ata që adhuronin diellin do ta ndjekin  diellin, ata që adhuronin hënën  do të ndjekin  hënën, e ata që adhuronin tiranët do të ndjekin atë  tiranët.” Muttefikun Alejhi.

Dashuria ndërmjet adhuruesit dhe të adhuruarit e dikujt tjetër përveç Zotit kthehet në armiqësi; “Kur të tubohen njerëzit (në Ditën e Gjykimit), idhujt do të jenë armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.” (El-Ahkaf 6)  Hyjnitë, ato që u adhuronin,  i mohojnë, i braktisin adhuruesit e tyre: “ Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre…” (EL-Bekare 166) Shejtani, i cili i urdhëroi t’i bëjnë shok Zotit dhe ua  zbukuroi atë, shirkun,  i mohon ata. “ Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten!” (Ibrahim 22)

E kur të qëndrojnë para zjarrit, do të ndiejnë përsëri pendim, keqardhje. “Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim Shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” (El-En’am 27)

Në vijim

O ju muslimanë! Aspekti i hyjnores  është i fortë dhe nëse atë e pretendon  një Melek, dhe pse ai nuk do ta bënte, e dënimi i tij do të ishte Xhehenemi. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “  Këdo prej tyre që thotë: “Unë jam zot, përveç Atij”, Ne e dënojmë me Xhehenem. ” (EL-Enbija’ 29)

Kush i bën shok Zotit, dhe nëse ai është i dërguar ynë, dhe pse nuk mund të jetë,  veprat e tij do të jenë të kota, të pa vlera. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” (Ez-Zumer 65)

Të dërguarit e Zotit nuk kanë urdhëruar askënd  që t’i adhurojnë ata dhe as që të adhurojnë dikë tjetër përveç Zotit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe Profecinë, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut.” (Al ‘Imran 79) Kush adhuron dikë tjetër pos Zotit, ose adhurohet duke qenë i kënaqur, ose i thërret njerëzit të adhurojnë vetveten, Zoti e ka paralajmëruar me Xhehenem. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin. Ju do të vini në të.” (El-Enbija’ 98)

Adhurimi i dikujt tjetër përveç ALlahut është i ngritur mbi injorancë, padije: “  Ata i  thanë Musait: “Na bëna edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota.”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!” (El-A’raf 138) Ata nuk kanë asnjë arguent për adhurimin e tyre ndaj dikujt tjetër përveç Zotit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë, por ndjekin vetëm hamendjen…” (En-Nexhm 28) Por se ajo është vetëm se traditë. “ Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni? A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?” U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu.” (Esh-Shu’ara’ 72-74)

LEXO  Zemra e pastër: Shenjat dhe mjetet e përmirësimit të saj

E për shkak se janë të sigurt se adhurimi i tyre është i pavlefshëm, nëse i godet ndonjë fatkeqësi, ata i drejtohen vetëm Zotit. “Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i shoqërojnë Atij ortakë (në adhurim).” (Al-Ankebut 65) Besimtari thërret Zotin e tij në kohë të mira dhe të këqija.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar:  “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme dhe se Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.” (Lukman 30) 

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumetat dhe urtësitë e tij të mëdha.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Allahut për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.

O ju musliman!  Adhurimi është një e drejtë që i takon ekskluzivisht vetëm Zotit, nuk i drejtohet asnjë krijese, sado e madhe të jetë vlera dhe krijimi  i tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!” ( Fussilet 37) Askush nuk ka fuqi për të përfituar apo për të shmangur dëmin, dhe nëse ai tek Zoti ka një status të lartë. Zoti të dërguarit tonë, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë: “ Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi.” ( El-Xhinn 21)   Një njeri i mençur nuk i lutet një krijese si ai. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Në të vërtetë, ata të cilëve ju u luteni, në vend të Allahut, janë robër si ju. Lujtjuni atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse thoni të vërtetën!” (El-A’raf 194) Vetëm Zoti është Ai që u përgjigjet lutjeve, i largon fatkeqësitë dhe i plotëson dëshirat. “Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut, nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak.” (Er-Ra’d 14)

Dijeni se  Allahu ju ka urdhëruar që të bieni në Salavate dhe ta përshëndesni  të dërguarin e Tij, Ai ka thënë në Kuranin Famëlartë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56) 

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin tonë,  Muhamedin. 

Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Halifet e parë të drejtë,  të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, mbi të gjithë shokët e tij, dhe mbi ne së bashku me ta, me  Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend  dhe të gjitha vendet muslimane. O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend, bëj shtëpitë e tyre të paqta dhe të sigurta, largo nga ata fatkeqësitë dhe fitnet, çfarë janë shfaqur dhe nuk janë shfaqur.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit  tonë dhe zëvendësit të tij në atë që do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata drejtë të mirës dhe devotshmërisë, o Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, Ti je Zoti i Vetëm nuk ka Zot tjetër veç teje, Ti je i pasur, që nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, nevojtarë, zbrit tek ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falenderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe.

Allahu është i Ditur për çfarë veproni.

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/963102405343618

Post Author: endrit