Vetëm Zoti e di të fshehtën

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    13-07-1447 H   02-01-2026 D

Shejh Salah Ibn Muhamed El Budejri 

Tema   Vetëm Zoti e di të fshehtën

Lavdërimet janë për Zotin! Lavdërimet janë për Zotin, Njohësi i sekreteve të fshehura, të padukshme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që ndriçon për ne shtigjet dhe rrugët.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, dëshmi që shëron sëmundjet e zemrave. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, sa kohë që retë nuk sjellin shi të rrëmbyeshëm, në Kijamet, lutje dhe përshëndetje të shumta për ta.

Në vijim

O ju muslimanë! Kini frikë Zotin, Atë që i di të fshehtat, sekretet, që përfshijnë të gjitha qëllimet dhe synimet brenda ndërgjegjes. “Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni.” (El-Muxhadile 9)

O ju muslimanë! Nga rregullat dhe parimet e vendosura dhe të caktuara tek njerëzit e sunetit dhe xhematit është: se vetëm Allahu i Lartësuar është Njohësi i të fshehtës, atë nuk e di dikush tjetër përveç Tij, dhe përgënjeshtruan, hodhën poshtë këdo që e pohon këtë për veten e tij kush do qoftë ai.

“Vetëm Zoti e di të fshehtën dhe caktimin, e çdo gjë tjetër përveç gjykimit të Tij është gabim dhe devijim.”

Zoti i plotëfuqishëm ka thënë: “ Ai i di të gjitha të fshehtat. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë as në qiej, as në Tokë e nuk ka asgjë më të vogël apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë.”(Sebe’ 3) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat…” (En-Neml 65) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato.” (El-En’am 59)

Zoti e ka përshkruar Veten e Tij  me Njohësin e të fshehtës, duke ja bërë të qartë, të ditur  krijesave të Tij, Zotit të Plotëfuqishëm, për eksluzivitetin e Tij për të fshehtën, dhe duke ia mohuar këtë njohuri kujtdo tjetër përveç Tij.

“Zoti e ka fshehur dijen e të padukshmes nga gjithë të tjerët përveç Vetes, e Ai di për të çfarë ka kaluar dhe çfarë do të vijë.”

Sekretet e fshehta janë dy llojesh:

Lloji i parë: Atë që Zoti e ka fshehur nga të gjitha krijesat e Tij, askush nuk ka shpresë të dijë diçka për të.  Zoti ynë nuk ia ka zbuluar askujt, as Melakieve që janë afër Tij, as profetëve dhe të dërguarve, siç është dituria e Orës, Kijametit. Askush nuk i di detajet e qarta të çështjes së saj, kohën e ardhjes dhe ndodhjes së saj përveç Zotit. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vetëm Allahu e di se kur do të vijë Ora.” (Fussilet 47) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj. Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i frikësohen asaj.” (En-Nazi’ati 44-45)

Lloji i dytë: Ajo që Zoti ua zbulon disa prej Melekëve dhe të dërguarve të Tij, duke përjashtuar pjesën tjetër të krijesave të Tij, për arsye të thella. Ai ia zbulon atë kujtdo që dëshiron ta informojë dhe ia fsheh atë kujtdo që dëshiron. Ai ia jep këtë dije vetëm kujtdo që zgjedh nga të dërguarit e Tij. Asnjë Melek i afërt me Zotin, as ndonjë profet i dërguar prej Tij, nuk di asgjë për të padukshmen përveçse nëpërmjet udhëzimit nga Zoti i Lartësuar. Zoti i Plotfuqishëm është Ai, i Cili i zbulon atë që dëshiron nga të fshehtat për këdo që dëshiron nga profetët e Tij nëpërmjet shpalljes. Pët të qenë kjo një mrekulli që demonstron profetësinë e tyre, një tregues i vërtetë i mesazhit të tyre dhe një provë e qartë e suksesit të misionit të tyre. Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di), por Allahu zgjedh kë të dojë nga të dërguarit e Tij.” (Al ‘Imran 179) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vetëm Ai e di të fshehtën dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj).” (El-Xhinn 26-27)

O ju muslimanë! Askush nuk mund pretendojë se e di të fshehtën, të cilën e zotëron vetëm Zoti, përveç atij që mohon, nuk beson, Zotin e Plotfuqishëm, sepse ai është sfidues i Zotit në Sundimin e Tij. Askush nuk i beson atij përsoni përveç ai që nuk beson dhe mohon Kuranin e Shenjtë. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Apo ata e dinë të padukshmen, të cilën e shkruajnë?” (El-Kalem 47) D.m.th. A e kanë ata Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh) në të cilën janë shënuar të fshehtat dhe shkruajnë prej saj?!

LEXO  Mirësitë e Kuranit - Medina 25.10.2019

Kush pretendon se ndonjë nga shenjtorët dhe njerëzit e mirë e dinë të fshehtën është gënjeshtar dhe trillues. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ajo ka thënë: “Kush ju thotë se ai, profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e di të fshehtën ka gënjyer,  sepse ai thotë: Askush nuk e di të fshehtën përveç Zotit.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Në Sahihun e Muslimit ka ardhur nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ajo ka thënë: “Kush pretendon se ai, profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, informon për atë që do të ndodhë nesër, ka shpikur një gënjeshtër të madhe kundër Zotit.”

O ju muslimanë! Disa nga gënjeshtarët më të mëdhenj, njerëzit më mashtrues dhe tregtarët më mashtrues të iluzionit kanë pohuar se Zoti u ka zbuluar atyre sekretet e të fshehtës dhe atë që është e ruajtur në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh). Ai u ka zbuluar atyre të mbuluarën dhe perdet, ua ka bërë të dukshme të fshehtën dhe sekretet,  se ata i dinë ngjarjet e ardhshme, dinë se çfarë ekziston në zemra, dinë se çfarë ishte dhe çfarë do të jetë, se ata e trashëguan njohuritë e të fshehtës ashtu siç trashëgoi Jakubi profecinë.

O adhurues të Zotit! Bëni kujdes nga pretendimet e të mashtruarve, nga mashtrimi i mashtruesve dhe nga dredhitë e mashtruesve, të cilët i përdorin këto pretendime për të përvetësuar paratë e njerëzve naiv, të thjeshtë dhe të paditur, për të rritur ndjekësit dhe mbështetësit e tyre, dhe për t’i marrë të mashtruarit si skllevër, duke i mashtruar, duke i shfrytëzuar dhe duke i poshtëruar në mënyrë që të bëhen shërbëtorë, ndihmës dhe ndjekës të tyre. Ata nuk janë gjë tjetër veçse sharlatanë dhe gënjeshtarë të devijuar që ushqehen duke pretenduar se dinë të fshehtën, të padukshmen.

“Askush nuk e di të fshehtën përveç Zotit, Krijuesi ynë, askush tjetër nuk e di atë, as arabë e as jo-arabë.

Askush nuk është më injorante se ai që pretendon me bindje në intuitën e tij, por megjithatë shikon dyshime në atë që shikon.

Njeriu mund të mos jetë i ditur për atë që ka në shtëpinë e tij që e shikon, e si mund të jetë i ditur për atë që i fshihet në të padukshmen?”

O ju muslimanë! Profetët dhe të dërguarit, paqja e Zotit qoftë mbi ta, mohuan të kishin dijeni për të fshehtën. Zoti i Plotfuqishëm, duke iu drejtuar profetit të Tij Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të Fshehtën dhe as nuk them se jam engjëll.” (El-En’am 50) Zoti i tij e urdhëroi të mohonte se kishte dijeni për të fshehtën, sepse askush nuk e di atë përveç Zotit të Plotfuqishëm, dhe se ajo që ai raportoi për të fshehtën ishte nga Zoti dhe shpallja e Tij.

 Zoti i Plotëfuqishëm të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë: “ Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.”(El-A’raf 188) Që do të thotë: Sikur ta dija ndryshimin midis bollëkut dhe mungesës, do të isha përgatitur për vitin e pafrytshëm nga ai pjellor dhe nuk do të më prekte uria. Sikur ta dija ndryshimin midis çmimeve të larta dhe çmimeve të ulëta, do të kisha marrë masa paraprake për ditët e çmimeve të larta nga ditët e çmimeve të ulëta dhe nuk do të më preknin çmimet e larta. Sikur ta dija dallimin midis një dite të vështirë dhe një dite të lehtë, do kisha grumbulluar në ditët e lehtësisë për ditët e vështirësisë dhe nuk do më prekte vështirësia.

Nga Rrubejetu Bint Muadhi tregohet se ajo ka thënë: Një robëreshë ka thënë: “Në mesin tonë është profeti i cili di se çfarë do të ndodhi nesër.”  I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë: “ Mos e thuaj këtë por vazhdo të thuash atë që po thoshe më parë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Ndërsa në tranmetim tjetër tek Ibn Maxhe, ka ardhur: “Sa i përket kësaj, mos e thuaj,  sepse askush nuk e di se çfarë do ndodhë nesër përveç Zotit.”

LEXO  “Unë jam më i mirë se ai”

Isai, paqja e Zotit qoftë mbi të, mohoi se kishte njohuri për të fshehtën, shpjegoi se ai dinte vetëm atë që i kishte mësuar Zoti i tij dhe ka thënë: “Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” (El-Ma’ide 116) Ata ishin profetë dhe të dërguar të Zotit mohuan të kishin njohuri për të fshehtën, e si mundet dikush që pretendon të jetë ndjekës i tyre të pretendojë se di të fshehtën?!

Kush viziton varret e shenjtorëve dhe njerëzve të mirë për të ju lutur atyre, ose për të kërkuar ndihmën e tyre, ose u lutet atyre nga larg, ose betohet në ata, ose pretendon se ata kontrollojnë universin, dinë ngjarjet e kohës, dinë të fshehtën, ose se u përgjigjen atyre që i luten, ose se ata sjellin dobi ose dëm, ai ka rënë në politeizmin, shirkun e madh që e nxjerr njeriun nga feja, nga Islami. Të ju lutesh të vdekurve, të kërkosh ndihmën e tyre, të sakrifikosh për ta, të kërkosh shërim prej tyre, ose kërkimi i pranisë së njerëzve që mungojnë, qofshin xhindët, melekëve  apo të tjerë, të gjitha janë nga politeizmi, shirku i madh.

O ju muslimanë! Melaiket nuk kanë njohuri për të fshehtën e Zotit, të cilën Ai e ka rezërvuar për Veten e Tij dhe nuk dinë asgjë për të fshehtat përveç çfarë Zoti u zbulon atyre. Ata ishin të paditur për emrat e krijesave që u janë paraqitur, sepse nuk ishin në gjendje të dinin të fshehtën përveçse nëpërmjet mësimit të Zotit për ta. Zoti ja mësoi Ademit të gjitha emrat, ja mësoi atij emrin e çdo kafshe, çdo zogu dhe gjithçkaje, e pastaj ua paraqiti ato Melaikeve. “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”(El-Bekare 31) Melaket, në pamundësi që t’i dinin emrat, thanë: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”(El-Bekare 32)

Xhindët nuk e dinë të fshehtën. Ata pretendonin se dinin gjëra të të fshehtës dhe se dinin çfarë do të ndodhë nesër. Kur ndërroi jetë profeti i Zotit Sulejmani, paqja e Zotit qoftë mbi të, Zoti e fshehu vdekjen e tij nga xhindët që i ishin nënshtruar atij për një vit të plotë. Ata vazhduan të kryenin punë të rënda për të ndërsa ai ishte i vdekur,  duke e menduar të gjallë dhe pa e marrë vesh  për vdekjen e tij. Ai qëndroi i mbështetur në shkopin e tij derisa një bresi, krimbi i drurit, hëngri shkopin e tij dhe ai ra përtokë. Xhindët pastaj e kuptuan se ai kishte vdekur shumë kohë më parë. Njerëzit ndryshuan, u njohën me njëri-tjetrin dhe mësuan nga njëri-tjetri, e atyre iu bë e qartë se xhindët nuk e dinë të fshehtën.  Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin poshtërues.” (Sebe’ 14)

Bëni kujdes nga ata me shpirtra të këqij, mendje të devijuara dhe zemra të çorientuara, të cilët pretendojnë se dinë atë që Zoti ka rezervuar për Vete, që pretendojnë se parashikojnë të padukshmen, që pretendojnë se dinë çfarë është vjedhur, vendndodhjen e asaj që është humbur dhe kthimin e asaj që mungon, si dhe gënjeshtra e truke të tjera të tilla si këto. Asgjë nuk është më e turpshme për muslimanin sesa të besojë në këto iluzione, bestytni dhe marrëzi.

Bëni kujdes nga magjistarët, lexuesit e fatit, fallxhorët, astrologët, nga sharlatanët, fallxhorët e rërës, mashtruesit, nga ata që hedhin gurët për fat, ata që interpretojnë fluturimin e zogjëve, ata shikojnë në llumin e kafesë, ata që lexojnë pëllëmbën e dorës, ata që vizatojnë vija në tokë, ata që pretendojnë se dinë të padukshmen dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen.  Mos shkoni tek ata, mos i pysni, mos u besoni dhe mos i dëgjoni gënjeshtrat dhe budallallëqet e tyre.

LEXO  Mos i lëndoni të tjerët - Medina 11.12.2020

“Shkrimi, leximi i fatit dhe fallxhorët janë të gjitha të gabuara,  e padukshmja është e mbyllur.”

O ju muslimanë! Kush pretendon se yjet tregojnë të fshehtën është jobesimtar.

“Kush i frikësohet Saturnit ose shpreson tek Jupiteri, unë jam larg tij, dhe nëse babai im është më i pafajshmi prej tyre.”

Disa astrologë parashikojnë ngjarjet e vitit të ardhshëm, çfarë do të ndodhë në vende të ndryshme dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Bëni kujdes të mos u besoni trillimeve të tyre, të mos përhapni fjalët e tyre dhe të mos e ekzagjeroni statusin e tyre, sepse ato janë flutura për zjarr dhe insekte shkatërrimi.

Mos u kushtoni vëmendje njerëzve të rënë, të çorientuar dhe mashtrues.

“Ata praktikojnë fallxhore, por nëse i pyet për mushkonjën, se si qëndron ajo midis tyre, nuk e dinë!”

O ju muslimanë! Falli dhe bestytnia janë ndër praktikat e epokës para Islame. Ato janë bestytni dhe marrje oguresh nga zogjtë, pretendimi se dinë gjëra nga mënyra se si fluturojnë, vendndodhjet e tyre, emrat e tyre, ngjyrat e tyre dhe drejtimet drejt të cilave fluturojnë.

O adhurues të Zotit! Bëni kujdes nga ajo çfarë prishën fenë, besimin dhe mendjet tuaja. Zoti na ruajtë nga rrugët e njerëzve të devijuar dhe na mbroftë me Mirësinë e Tij që të mos biem në këto situata.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah,  tek Ai kërkoni falje, vërtetë fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë që na ka bekuar me Islam, pastërtia e të cilit ka shuar etjen e zemrave dhe lumi i të cilit është përhapur në tokë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi përmendja e së cilës është e lidhur me përjetësinë dhe mbulesa e së cilës zbret me fshehtësinë.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, dëshmi që me përhapjen e saj mbuloi të gjithë universin. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të përhershme për sa kohë që bie shi nga qielli.

Në vijim

O ju musliman! Frikësojuni Allahut, ndiqeni Atë, binduni dhe mos e kundërshtoni Atë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)

O ju muslimanë! Disa njerëz thonë, kur gjërat shkojnë mirë për ta, “ për fat të mirë”, e kur gjërat shkojnë keq, ata thonë, “për fat të keq”. Yjet dhe galaktika në lindje dhe perëndim nuk kanë ndikim në ngjarjet që ndodhin në Tokë. Prandaj, është e ndaluar për muslimanin të thotë, “për fat të mirë” ose “për fat të keq”, sepse kjo deklaratë nënkupton atribuimin e ndikimit mbi ngjarjet në univers nga yjet, të cilët nuk kanë pushtet mbi to. Sovraniteti dhe kontrolli i përkasin vetëm Zotit. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi.” (El-A’raf 54)

Kush i thotë këto fraza duke besuar se këto shenja janë aktive vetë, pa Zotin, ka rënë në politeizëm, shirk të madh. Kush i thotë ato fraza duke besuar se sundimi, kontrolli dhe të gjitha çështjet janë vetëm në duart e Zotit, ka shqiptuar një fjalë të ndaluar që bie ndesh me përsosmërinë e monoteizmit të kërkuar. Ai duhet ta braktisë dhe ta shmangë këtë.

Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të.

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë, udhëheqësit e  drejtë, njerëzit e nderuar dhe të ngritur, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët  dhe  shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, ruaj vendin tonë dhe vendet muslimane nga planet e keqbërësve, nga kurthet e atyre që thurin kurthe, nga smira e atyre që kanë smirë dhe zilia e ziliqarëve,  o Zoti i Botëve.

“Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt.” (El-Bekare 126)

O Zot, ruaj ushtarët tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, prano të vdekurit e tyre dëshmorë, jepu shërim të shpejtë të plagosurve të tyre dhe ktheji ata shëndoshë e mirë në familjet e tyre, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit  të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Do dhe je i Kënaqur, udhëzoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë.

O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve  në atë që është lavdia e Islamit  dhe përmirësimi i muslimanëve, o Zoti i Botëve.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sprovuarit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë, o Zoti i botëve.

O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë përballë tiranëve, pushtuesve të padrejtë. O Zot, pastro xhaminë e Aksasë nga pisllëku i hebrenjve uzurpatorë. O Zot, ruaj njerëzit tanë në Palestinë, shëro plagët e tyre, përshpejto fitoren e tyre, pakso pengesat e tyre, lehtëso shqetësimin e tyre, liro robërit e tyre, shëro të sëmurët e tyre dhe prano dëshmorë të vdekurit e tyre, o Zoti i botëve. O Zot, na furnizo me shi! O Zot, dërgo shi mbi ne dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve.

O Zot, bëj duatë tona të dëgjuara dhe lutjet tona të pranuara, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1445267627599913/1278041634153727

Post Author: endrit