Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 12-12-1447 H 29-05-2026 D
Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim
Tema Arritjet e Haxhit dhe detyrat e muslimanit pas tij
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.
O ju muslimanë! Zoti u ka dhuruar krijesave të Tij larmi adhurimesh, prej tyre disa janë të brendshme, që ndodhen në zemër, dhe të tjerat janë të jashtme, që kryhen nga gjymtyrët. Shtyllat e Islamit dhe të besimit sillen rreth kësaj larmie. Pak çaste kanë ngelur dhe Haxhinjtë kthehen nga Shtëpia e Shenjtë e Zotit, Qabeja, dhe vendet e shenjta, pasi që kanë kryer aktin fizik të adhurimit më të gjatë dhe më të përpiktë. Prandaj dhe i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ia besoi këtë detyrë më të diturit dhe që kishte më shumë dije fetare nga shokët e tij, Ebu Bekr Es Sidik, Zoti qoftë i kënaqur me të, për t’u mësuar njerëzve ritualet e Haxhit dhe për të sqaruar çdo paqartësi që mund të kenë. Shejhul Islam, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e emëroi Ebu Bekrin për Haxhin e parë që u krye nga qyteti i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga Medina. Njohja e ritualeve është aspekti më preciz i adhurimit, e, po të mos ishte për njohuritë e gjera të Ebu Bekrit për to, nuk do e kishte emëruar të udhëhiqte Haxhin.”
Gjatë Haxhit, madhështia e Islamit manifestohet në bashkimin e muslimanëve mbi të vërtetën dhe në bashkimin e tyre nën flamurin e Islamit. Ata mblidhen në një vend, i luten Një Zoti të Vetëm, ndjekin një profet të vetëm dhe recitojnë një Libër të vetëm, Kuran. Në Haxh, dallimet sipërfaqësore të kësaj bote zhduken dhe i gjithë njerëzimi duket i barabartë, pa asnjë dallim midis tyre përveçse nëpërmjet devotshmërisë.
Gjatë Haxhit, shfaqen shenja që dëshmojnë për vërtetësinë e të dërguarve të Tij. Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, iu lut Zotit të tij duke thënë: “ Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata…” (Ibrahim 37) Zoti ju përgjigj lutjes së tij kur Allahu i Lartësuar ka thënë: “ … ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (El-Haxhxh 27) Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka asnjë musliman që nuk dëshiron ta shikojë Qaben dhe të kryejë Tavafin, andaj njerëzit udhëtojnë drejt saj nga të gjitha drejtimet dhe rajonet.” Kush është i sinqertë ndaj Zotit të Lartësuar do ta ketë lutjen e tij të pranuar nga Zoti, qoftë dhe pas vdekjes së tij. Çdo vit efekti i lutjes së udhëheqësit të monoteistëve, Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, bëhet i dukshëm, kështu që muslimanët i përgjigjen thirrjes së tij dhe udhëtojnë, pavarësisht vështirësive të udhëtimit, drejt një lugine të shkretë. Për të treguar nevojën e tyre për Zotin duke qëndruar në Arafat dhe në vendet e shenjta, dhe përulësinë e tyre ndaj Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar, duke zhveshur rrobat e qepura dhe duke rruar kokat e tyre në shenjë nënshtrimi ndaj Tij.
Zoti i Plotfuqishëm ka premtuar për ruajtjen e kësaj feje dhe, me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e rrethanave, feja mbetet e qartë, e plotë dhe e dukshme sikur shpallja të kishte zbritur sot! Haxhinjtë veshin rrobën që ka veshur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Izar, mbulesa e brezit, dhe Rida, mbulesa mbi shpinë, recitojnë Telbijen e tij, hedhin gurët siç ai i hidhte dhe bëjnë Tavafin, sillen rreth Shtëpisë, Qabes, ashtu siç ai sillej rreth saj.
Besnikëria, mbajtja e premtimit, është virtyt i njerëzve të fortë. I dërguari ynë Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përballoi me durim dëmet dhe vështirësitë në mënyrë që umeti i tij të bekohej me udhëzim. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Unë jam lënduar, munduar për hir të Zotit të Lartësuarit siç askush tjetër nuk është lënduar, dhe jam frikësuar për hir të Zotit siç askush tjetër nuk është frikësuar.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi. Sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, lanë atdheun e tyre dhe udhëtuan në vende të tjera për të bartur mesazhin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për ta përcjellë atë me vendosmëri dhe besueshmëri, dhe për të përhapur Islamin gjerësisht përmes predikimit dhe shembullit. Prandaj, muslimani obligohet të përmbushë të drejtën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për atë që ai i ofroi kësaj feje, me dashurinë për të dhe pasimin e tij, dhe me besnikërinë ndaj shokëve të tij, Zoti qoftë i kënaqur me ta, përmes dashurisë për ta, me të qenit të kënaqur ndaj tyre dhe me mbrojtjen e tyre.
Kush ndjek shembullin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Haxhin e tij, është i denjë të ndjekë shembullin e tij në të gjitha çështjet e tij, e kjo është rruga e fitores dhe e suksesit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë…”(En-Nur 54) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kam lënë në mesin tuaj dy gjëra, të cilat nëse u përmbaheni, nuk do të humbisni kurrë: Librin e Allahut, Kuranin, dhe sunetin tim.” Hadithin e ka transmetuar Hakimi.
Mirësitë zgjasin dhe shtohen me mirënjohje. Kush e kryen një adhurim dhe e lavdëron Zotin për të, Zoti do t’ia lehtësojë atij një tjetër adhurim pas tij, në mënyrë që të arrijë shpërblimin e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje.”(Muhammed 17) Shenjë e pranimit të një vepre të mirë është vepra e mirë që bëhet pas saj.
Nëse muslimani bën një vepër të mirë, ai duhet ta ruajë atë duke pasur kujdes që të mos bjerë në politeizëm, pasi kjo i anulon veprat e mira. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” (Ez-Zumer 65) Nëse Zoti i dëshiron të mirën një robit të Ti, ia heq nga zemra vetëdijen për veprat e tij të mira dhe nga gjuha e tij aftësinë për të folur për to, dhe në vend të kësaj e zë atë me vetëdijen për gjynahet e tij. Të kërkosh nga Zoti pranim të veprave të mira është shenjë e besimit të vërtetë. Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ndërsa ndërtonte Qaben, iu lut Zotit të tij: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
Qëndrueshmëria në besim është nga çështjet më të rëndësishme. Nga lutjet e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte: “O Ti që i mbanë të qëndrueshme zemrat, mbaji zemrat tona të palëkundura në fenë Tënde.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe. Kush i përgjigjet Zotit gjatë Haxhit të tij me deklaratën e monoteizmit dhe e madhëron Atë në Bajram, është i obliguar të përmbushë premtimin e tij ndaj Zotit për të mos iu lutur askujt tjetër përveç Tij dhe për të mos kërkuar strehim tek askush tjetër përveç Tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Haxhi është adhurimi që kërkon, fton në adhurime të tjera, kur muslimani përfundon një adhurim e pason atë me një tjetër. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim).” (Esh-Sherh 7) Ibn Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Domethënë, këmbëngul në vepra të mira.” Adhurimi nuk ndalet përveçse me vdekje. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr 99) Prandaj, nxitoni të bëni vepra të mira dhe garoni në punë të mira, që të arrini mëshirën që Zoti ju ka dhënë.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde 17)
Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë e tij të mëdha.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.
O ju muslimanë! Kush e kryen Haxhin duhet të përpiqet ta mbajë të pastër dhe të panjollosur regjistrin e tij, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e kryen Haxhin për hir të Zotit dhe nuk merret me fjalë të turpshme ose nuk kryen gjynahe në të, do të kthehet i pastër, pa gjynahe, sikur dita kur e ka lindur nëna e tij.” Muttefikun Alejhi. Ata gjithashtu duhet të jenë model për të tjerët në drejtësi dhe ndershmëri, në kuptimin e fesë dhe në kryerjen e lutjeve me xhemat në xhami. Për më tepër, ata duhet t’i thërrasin të tjerët në rrugën e Zotit të tyre me urtësi dhe këshillë të mirë, duke filluar nga të afërmit e tyre, dhe duke qëndruar të sinqertë ndaj Zotit të tyre në të gjitha veprimet e tyre.
Dijeni se Allahu ju ka urdhëruar që të bini në Salavate dhe ta përshëndesni të dërguarin e Tij, ku në Librin e Tij, në Kuranin Famëlartë, ka thënë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë, Muhamedin.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë, të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, me Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë dhe zëvendësin e fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, o Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, prano nga Haxhinjtë Haxhin e tyre, ktheji ata në vendet e tyre shëndoshë e mirë dhe të fituar, bëj Haxhin e tyre të pranuar dhe përpjekjet e tyre të shpërblyera dhe të pranuara, o Zot i botëve.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj