Pasuria: Në mes të sprovës së hutimit për ta shtuar dhe çështjes së llogaridhënies

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     25-01-1448 H    10-07-2026 D

Shejh Muhamed Hysejn 

Tema   Pasuria: Në mes të sprovës së hutimit për ta shtuar dhe çështjes së llogaridhënies

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai jep jetë dhe vdekje, në dorën e Tij është çdo e mirë,  Ai është i plotfuqishëm për çdo gjë.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri, ndërmjetësuesi dhe modeli  ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri i Tij nga krijesat e Tij dhe miku i Tij i ngushtë. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij, të parët e të mirëve, mbi ata që ndjekin rrugën e tyre, pasojnë gjurmët e tyre dhe i përmbahen traditës së tyre deri në ditën e Kijametit.

Lutje dhe përshëndetje për dëshmorët dhe të rënët, për robërit dhe për të burgosurit, për ata që janë në namaz, në ruku dhe që bien në sexhde për Zotin, në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe në çdo tokë nga vendet muslimane.

Në vijim

O ju muslimanë! O bijtë e Kudsit dhe rrethinave të tij, qytetit të shenjtë! O ju që jeni të lidhur fort me xhaminë e bekuar të Aksasë dhe me këtë vend, xhaminë e të cilit Zoti e ka bekuar dhe rrethinat e tij!  Zotit të Plotëfuqishëm i lutemi që të na bëjë nga ata që janë të lidhur fort dhe durimtarë në këto toka të bekuara derisa Zoti të sjellë urdhrin e Tij.

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Zoti i Plotëfuqishëm në Librin e Tij të Shenjtë, Kuran, e Ai është më i vërteti në fjalë, thotë: “Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar, derisa të shkoni në varre. Gjithsesi, do ta kuptoni! Madje, do ta kuptoni së shpejti! Kujdes! Ah, sikur ta dinit me siguri të vërtetën! Sigurisht që do ta shihni Zjarrin flakërues! Pastaj, me të vërtetë, do ta shihni atë  me syrin e sigurisë. Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!”(Et-Tekathur 1-8)

O ju muslimanë! Kjo sure fisnike nga Libri i Zotit të Plotëfuqishëm na tregon për jetën e kësaj bote dhe se destinacioni përfundimtar i njerëzve janë varret. Ky është një realitet i prekshëm dhe që ekziston në të gjithë njerëzimin, por se për çdo shpirt të gjallë që Zoti i Plotëfuqishëm e ka sjellë në jetë me fuqinë dhe urtësinë e Tij. “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen.”(Al ‘Imran 185)

O ju muslimanë! Ajo që është mbresëlënëse në këtë sure fisnike se flet për këtë periudhë të shkurtër të jetës njerëzore, si ta shfrytëzojmë atë? Si të punojmë gjatë saj? Dhe çfarë të bëjë gjatë këtyre ditëve dhe minutave që Zoti i ka caktuar për jetën e tij në këtë jetë të kësaj bote?

Thirrje hyjnore jehon në veshë duke u bërë thirrje mendjeve dhe intelekteve: “Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar.”(Et-Tekathur 1) Domethënë, bota dhe stolitë e saj ju kanë preokupuar. Ju jeni shpërqendruar duke u mburrur me pasurinë dhe fëmijët, duke i grumbulluar dhe duke i ruajtur ato.

LEXO  Porosi për të qenë të durueshëm, të qetë, për të jetuar netët dhe orët më të mira

O ju njerëz! O ju muslimanë! O ju të lidhur me këtë vend! Ju ka shpërqendruar nga çfarë? Bota dhe kënaqësitë e saj ju kanë shpërqendruar, me fëmijë, me klane, me fise dhe me grumbullimin e pasurisë, qoftë me mjete të ligjshme apo të paligjshme. Të gjitha këto janë shpërqendrime nga bindja ndaj Zotit, preokupime nga adhurimi i Zotit dhe gjëra që e largojnë njeriun nga rruga e Zotit, nga rruga e drejtë dhe nga mënyra e saktë e adhurimit të Zotit të Plotëfuqishëm.

Nëse ndonjëri prej nesh shikon moshën dhe ekzistencën e tij në këtë jetë, do të zbulojë se ditët janë të pakta dhe minutat e numëruara, dhe ai, për fat të keq, ka humbur mundësinë për të bërë vepra të mira.

Muterrifi transmeton nga babai i tij, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, dhe thotë: Babai im erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërsa ai po lexonte: “Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar.”(Et-Tekathur 1) Ai tha: “Biri i Ademit thotë: ‘Pasuria ime, pasuria ime!’ Por a ke ti, o bir i Ademit, ndonjë pasuri tjetër përveç asaj që ke ngrënë dhe konsumuar, ose që e ke veshur dhe e ke konsumuar,  ose që e ke dhënë si bamirësi dhe kështu e ke bërë të qëndrueshme?” Në një transmetim tjetër: “Apo atë që e ke dhënë si bamirësi dhe kështu e ke bërë të qëndrueshme.” Kjo është pjesa e pasurisë së njeriut në jetën e kësaj bote, disa kafshata për ta mbajtur gjallë,  veshje për të mbuluar lakuriqësinë e tij dhe një shtëpi për ta strehuar për rehati. Dhe pas kësaj,  do të mbahesh përgjegjës për këtë, o ti njeri.

O vëllezër besimtarë! Mendoni, sepse  njeriu do të merret në llogari për pasurinë e tij: Si e fitoi? Nga e fitoi? Dhe si e shpenzoi? “Këmbët e njeriut nuk do të lëvizin në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për pasurinë e tij: Nga e fitoi dhe në çfarë e shpenzoi?”

O ju të dashurit e mi! O besimtarët! O frekuentues të xhamisë së bekuar të Aksasë! A kemi qenë të kujdesshëm me pasurinë e fituar në mënyrë të ligjshme dhe me kafshatën e ushqimit të ligjshme, hallall, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar??

O ju muslimanë! O banorë të tokës së Israsë dhe Miraxhit! Shpirti njerëzor është i prirët në mënyrë të natyrshme drejt dëshirave dhe drejt shtimit të pasurisë, fëmijëve, kuajve të mirë dhe bagëtive, këto të cilat janë zbukurimet e jetës së kësaj bote. I dërguari ynë fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur biri i Ademit, njeriu, të kishte një luginë me flori, ai do të dëshironte një luginë tjetër, Asgjë nuk e mbush gojën e birit të Ademit, njeriut, përveç pluhurit, dheut. Allahu pranon pendimin e kujtdo që pendohet.”

LEXO  Vlerat e 10 ditëve të Dhul Hixhes - Dr.ismail Neuahide - 17.08.2018

O ju muslimanë! O bij të tokës së Israsë dhe Miraxhit! Le të jemi të gjithë të kujdesshëm që pasuritë tona të jenë nga burime të ligjshme dhe që veprimet tona të jenë legjitime dhe të sakta. Le të jetë mbledhja e pasurisë tonë,  nëse është e disponueshme, në përputhje me të drejtat e Zotit të Plotfuqishëm në të, sepse nesër, pas varreve, do të mbajmë përgjegjësi dhe do pyetemi para Zotit të Plotëfuqishëm, do të na pyesë për gjithçka që kemi mbledhur, bërë dhe vepruar në jetën e kësaj bote.

O ju muslimanë! O bij të tokës së Israsë dhe Miraxhit! Na falni nëse themi se në këto ditë njerëzit nuk pyesin më për metodën e mbledhjes së pasurisë, me cilën rrugë  e kanë fituar atë? Apo në çfarë mënyre e shpenzojnë atë? Për fat të keq, të merresh me gjëra të paligjshme, të ndaluara është përhapur gjerësisht në mesin e njerëzve të shoqërisë, siç është ngrënia e kamatës, ushqyerja me kamatë dhe të punuarit me kamatën, e cila është nga gjynahet më të mëdha dhe nga të këqijat më të mëdha. Zoti i Plotëfuqishëm i ka shpallur luftë atij që e ha atë, luftë atij që e paguan atë dhe luftë atij që thërret në të ose që të punohet me të.

Ekzistojnë mënyra të tjera të fitimit të paligjshëm, ose fitimit të ndaluar, haram,  siç është ngrënia e pasurisë së njerëzve padrejtësisht, në marrëveshje fiktive, në marrëveshje tregtare, pamja e jashtme e të cilave tregon se janë të sakta, por realiteti i brendshëm i të cilave tregon të metat e tyre dhe mosrespektimin e rregullave të Sheriatit, legjislacionit Islam.

Ka nga ata tregtarë, nga ata që bëjnë pazar dhe nga ata që veprojnë si ndërmjetës në tokën e Islamit dhe të muslimanëve. Kjo është një nga llojet më të urryera të fitimit dhe nga gjërat më të ndaluara në pasurinë që vjen nga kjo metodë e paligjshme.

O bij të Kudsi dhe zonave përreth tij! A nuk i dëgjoni ata kriminelë që shesin tokën e Islamit dhe të muslimanëve, ndërmjetësojnë marrëveshje për shtëpitë e qytetit të shenjtë të Kudsit, kryejnë vepra të liga hapur dhe fshehurazi, thërrasin për në to dhe madje krenohen me to?

Nga shkaqet e fitimit të paligjshëm është tregtia që është përhapur dhe po praktikohet në mesin e  bijve dhe të rinjve të muslimanëve në këto vende. Ajo është tregtia e drogës dhe çdo gjëje që lidhet me të në të gjitha llojet dhe emrat e saj,  e që e gjitha është nga shkaqet e fitimit të paligjshëm.

Ku po shkoni, o ju tregtarë të atdheut, të kombit, të burimeve dhe të fitimeve të tij? Ku po shkoni nga Zoti i Plotëfuqishëm? Jeta është e shkurtër dhe varri po vjen në mënyrë të pashmangshme pas të gjitha këtyre veprimeve, e atë ditë do të pendoheni, por do të jetë tepër vonë për pendim.

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Bëni kujdes në përmirësimin e pasurisë tuaj në fitimin e saj nëpërmjet rrugëve të mira dhe të ligjshme dhe qëndroni larg kryerjes së çdo pune ose pasurie që vjen nga një rrugë e paligjshme.  Sepse duke vepruar kështu kënaqni Zotin tuaj dhe shfrytëzoni kohën tuaj duke e mbushur atë me bindje dhe duke iu afruar më shumë Zotit, në mënyrë që të shpëtojmë të gjithë nga mundimi i varrit dhe të shpëtojmë të gjithë në qëndrimin para Zotit në Ditën kur Ai do të merremi në llogari për të voglat dhe të mëdhatë. Ditën kur libri i veprave të çdo personi do të hapet dhe ai do të gjejë gjithçka që ka bërë në këtë botë të regjistruar në të. Atë Ditë, ka shpëtuar ai që e pastroi veten dhe veproi në bindje ndaj Zotit dhe kënaqësisë së Tij.

LEXO  Historia e të dërguarit... metodë dhe sistem jete

I lutem Zotit të Plotëfuqishëm të na dhurojë sukses që të bëjmë vepra të mira, të na largojë nga çdo e keqe dhe padrejtësi, në mënyrë që të takojmë Zotin e Plotëfuqishëm dhe Ai të jetë i kënaqur me ne.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju. Fitorja është me ata që i frikësohen Zotit, tek Allahu kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet  janë vetëm për Zotin. Lutje dhe përshëndetje për zotërinë tonë Muhamedin, s’ka të dërguar pas tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri dhe ndërmjetësuesi ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët e tij të pastër, të gjithë shokët e tij, mbi ata që pasojnë rrugën e tyre dhe ndjekin shembullin e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

“ Zoti është lutur për ty o hëna e plotë shkëlqyese, sa kohë që njeriu deklaron dëshminë, se dëshmoj, më mjafton në këtë botë që jam musliman, shpallja të jetë ligji im dhe i dashuri im të jetë Muhamedi.”

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij përgjithmonë, sa kohë zogj këndojnë mbi degë dhe muezini bën thirrje për lutje në errësirën e natës.

O ju muslimanë! O bij të Kudsit dhe rrethinave të tij! Bëni kujdes për mirëmbajtjen e xhamisë së bekuar  të Aksasë duke e frekuentuar atë dhe duke udhëtuar drejt saj në të gjitha rrethanat, kohët dhe rastet, sepse ajo është amanet mbi qafën e të gjithëve ne.

O ju muslimanë! O bij të Kudsit dhe rrethinave të tij! Vakfi Islam, Zoti i shpërbleftë,  po bën një fushatë pastrimi në varrezat Islame në Kuds. Prandaj, u bëjmë thirrje vëllezërve tanë nga familjet, pronarëve të varreve dhe të afërmve të të ndjerëve, që të vijnë përpara për të ndihmuar këtë departament, departamentin e Vakfit Islam, në këtë fushatë të bekuar për të pastruar varrezat tona Islame. Në mënyrë që ato të duken ashtu siç e ka dashur  Zoti i Plotëfuqishmi dhe ashtu siç duhet të jenë gjithmonë varrezat tona, qyteti ynë dhe vendet tona të shenjta, një çështje shqetësimi dhe kujdesi për popullin e Kudsit dhe dhe rrethinat e tij.

Zotit të Plotëfuqishëm i lutemi të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe e ndjekin më të mirën e saj.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre, dhe na mundëso t’i përfundojmë veprat tona me vepra të mira.

O Zot, na e trego të vërtetën të vërtetë dhe na mundëso ta pasojmë atë, na e trego të kotën të kotë dhe na jep sukses që të shmangemi prej saj.

O Zot, na fal ne,  prindërit tanë, dijetarët tanë, ata që kanë të drejta mbi ne, ata që na mësuan dhe kanë bërë më të mirën ndaj nesh, dhe vëllezërit tanë muslimanë, ata që jetuan me ne dhe ata që nuk jetuan me ne.

Dhe ti që fton për  namaz, fto për namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1617574813702526/907925201668293

Post Author: endrit