Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 15-03-1448 H 28-08-2026 D
Shejh Muhamed Sarandah
Tema Nga drita e lindjes së profetit tek përmirësimi i shoqërisë
Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili i ka dhënë sukses kujt ka dashur prej robërve të Tij për të bërë vepra të mira dhe për t’u larguar nga të këqijat. Zotin e Lartësuar e falënderojmë që ua ka bërë të qarta njerëzve shenjat e së vërtetës së qartë, u ka sjellë atyre të dërguar, përgëzues dhe paralajmërues, dhe dërgoi prej tyre Muhamedin, mëshirë për botën mbarë.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka bërë besimin të përbëhet prej degëve dhe shkallëve, gradëve. Më e larta prej tyre është fjala: “S’ka Zot tjetër përveç Allahut”, ndërsa më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Turpi është degë prej besimit.
Vërtet, ruajtja, mbrojtja e gjakut të muslimanëve është prej besimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë “Zhdukja, shkatërrimi i botës është më e lehtë për Zotin e Madhëruar e të Lartësuar, sesa derdhja pa të drejtë e gjakut të një muslimani.” O Zot, ruaj gjakun tonë me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
“Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre Shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (El-Xhumu‘a 2)
Në umetin Islam ishin dijetarët, thirrësit dhe njerëzit e devotshëm, në umetin e Muhamedit ishin reformuesit dhe njerëzit e vendosur, të palëkundur në rrugën e së vërtetës. “…dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët…” (El-En‘am 165)
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që largon brengat dhe lehtëson pikëllimin.
Fjala Jote është e vërtetë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues, njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata mirësi të mëdha! Mos i dëgjo mohuesit dhe hipokritët! Mos i përfill fyerjet e tyre dhe mbështetu tek Allahu; Allahu mjafton për mbrojtës.” (El-Ahzab 45-48)
Ai solli të dërguarin e Tij mëshirë për njerëzimin. Zotëria ynë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lindi në një kohë kur njeriu shtypej nga padrejtësia e njeriut, i forti i bënte padrejtësi të dobëtit, i pasuri ngrihej mbi të varfrin, ndërsa njerëzimi varroste të gjallë disa prej bijve të vet dhe parimet e moralit ishin shkatërruar në themel. Zoti deshi t’i sillte njerëzimit mëshirë me lindjen e tij: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija’ 107)
Dëshmoj se i zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, zotëruesi i fytyrës më të ndritshme, i ballit më të shndritshëm, zotëruesi i flamurit të ngritur, burimit të ëmbël dhe pozitës së lavdëruar.
“U lind udhëzimi dhe krijesat shkëlqyen nga drita e tij, çdo gjë në atë kohë u mbush me buzëqeshje dhe lavdërime.”
Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o zotëria im, o i dërguari i Allahut, në ditën e lindjes tënde. Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o zotëria im, o i dërguari i Allahut, në ditën e dërgimit tënd profet. Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o zotëria im, o i dërguari i Allahut, në ditën e Miraxhit tënd. Paqja e Zotit qoftë mbi pozitën tënde të nderuar, nga toka e Israsë dhe e Miraxhit.
O Zoti ynë! Ty të ankohemi për dobësinë e fuqisë sonë, për pamundësinë tonë dhe për përçmimin që kemi përjetuar nga njerëzit. Të drejtohemi Ty, o Zot, që të largosh nga brengat, shqetësimet dhe pikëllimin. Përmendja e cilësive të të zgjedhurit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe dëgjimi i jetës së tij gjallëron zemrat e atyre që e duan, udhëzon të humburit, shton vendosmërinë e atyre që qëndrojnë të palëkundur dhe shëron zemrat e thyera.
Përkushtimi në përkujtimin e lindjes së tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoft mbi të, jep mësim për veprim, punë, dhe besim, bindje në Zot. Errësira, injoranca, padituria dhe shthurja, sado të rënduara të jenë, agimi i Zotit do të vijë. Sado të mëdha të jenë sprovat dhe fatkeqësitë që e kanë kapluar umetin, lehtësimi nga Zoti është afër.
Që kur filloi thirrjen e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i vetëm, duke ftuar drejt së vërtetës në një shoqëri të mbushur me kundërthënie dhe që përplasej mes trazirave, ai që u lind ishte i palëkundur në parimet e tij, pavarësisht tundimeve dhe vështirësive.
Sa shumë “Velid ibn Mugire” ka në këtë kohë, të cilët zotërojnë tundime dhe pasuri për t’i joshur njerëzit e qëndrueshëm! Sa shumë veprojnë keqbërësit, me duar të fshehta, për të ndezur trazira! Por njerëzit e qëndrueshëm marrin nga drita e udhëzuesit rrugën e qëndrueshmërisë dhe të udhëzimit.
Në vështirësi, ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na mësoi për shkallët e veprave dhe për veprat më të larta. Dikujt, kur e pyeti për veprën më të mirë, i tha: “Besimi në Zot.” Tjetrit i tha: “Namazi në kohën e tij.” Tjetrit: “Të ushqesh njerëzit.” Ndërsa një tjetri: “Që muslimanët të jenë të sigurt nga gjuha jote.”
Sot, adhurimi më i rëndësishëm i kohës është përpjekja për t’i dhënë fund trazirave. “Prandaj pajtoni mes dy vëllezërve tuaj.” Mos e lini pas dore një detyrim duke u marrë me një adhurim vullnetar. Është treguar për një grua që falte namaz vullnetar, agjëronte vullnetarisht, por i dëmtonte fqinjët e saj, dhe ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Ajo është në Zjarr, Xhehenem.”
Mos neglizhoni të drejtën, obligimin, e edukimit të fëmijëve tuaj. Mos i lini pas dore ata që keni nën përgjegjësi, mos u shmangni nga kujdesi dhe mbikëqyrja e tyre me pretekstin se jeni të zënë me adhurime vullnetare. T’i lini fëmijët nëpër rrugë, duke shkelur të drejtat dhe duke u bërë keq njerëzve, është neglizhencë e madhe.
Prandaj, çdo musliman, çdo familje, çdo bashkësi dhe çdo shtet duhet t’i njohë detyrimet e veta, të cilat e çojnë drejt Xhenetit dhe e largojnë nga Zjarri, Xhehenemi. “Me të vërtetë, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm”, jo ai që mbështetet tek fisi apo pasuria.
Nëse duam që të rritet ndërgjegjësimi në shoqërinë tonë dhe në familjet tona, atëherë duhet t’i kushtojmë vëmendje ndërtimit të individit që nga fëmijëria e hershme dhe të mbjellim në shpirtrat e tyre se toleranca, falja dhe lëshimi ndaj besimtarëve janë shenjë e lartësimit tek Zoti dhe shenjë e madhështisë në Islam.
Fëmijët tanë janë pjesë e zemrave tona, ndërsa të rinjtë tanë janë pasuria, kapitali i ymetit tonë dhe amanet i vendosur mbi supet tona. Fitreja, natyrshmëria e pastër, e fëmijëve tanë nuk është krijuar për krime dhe përleshje. Çdo i porsalindur lind mbi natyrën e pastër njerëzore, dhe kjo është ajo që kemi njohur gjithmonë.
Studime kanë zbuluar plane të disa shteteve perëndimore në fillim të shekullit të kaluar, ku thuhej në thelb: “Nëse duam të shkatërrojmë një shoqëri, duhet ta largojmë Kuranin dhe mësimet e Islamit nga jeta e fëmijëve.”
Ata kanë arritur në etapa të përparuara të synimeve të tyre. Fëmijët dhe bijtë tanë, nëse neglizhojmë përgjegjësitë tona ndaj tyre, do të korrim atë që nuk e dëshirojmë dhe do të humbasim dashurinë, bashkëpunimin dhe harmoninë.
“O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije. Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” (El-Enfal 27-28)
Bejtul Makdisi, Kudsi, falënderimi i takon Allahut, nxjerr çdo vit njerëz që e kanë mësuar përmendësh Kuranin. Të përkushtohesh në përkujtimin e lindjes së Profetit të nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, do të thotë të kujdesesh për metodën e udhëzimit dhe burimin e mirësisë, në mënyrë që umeti të jetojë sipas udhëzimit të tij, i cili është ndërprerë nga forcat e së keqes, dhe janë pasuar nga ithtarët e tyre të pakujdesshëm dhe të humbur, të cilët kanë komplotuar kundër shoqërisë për ta dobësuar atë. Ata kanë punuar për shkatërrimin e familjes, themelet e së cilës i ndërtoi i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me fjalën e tij: “Nuk është prej nesh ai që nuk e nderon të madhin tonë dhe nuk mëshiron të voglin tonë.”
Kështu u dobësuan lidhjet familjare dhe secili anëtar i familjes u godit nga vetëpëlqimi dhe mendjemadhësia. U zhduk respekti mes njerëzve brenda së njëjtës shtëpi. Çdo njeri filloi të mahnitej nga mendimi i vet, ndërsa në shoqëri nuk mbeti më hapësirë për të lëshuar pe, ndonëse toleranca dhe heqja dorë nga një e drejtë për hir të pajtimit e ngrenë besimtarin në pozitë ndaj vëllait të tij besimtar.
“Tre gjëra për të cilat betohem…”, ka thënë për to dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kujtdo që është bërë padrejtësi dhe ai ka duruar ndaj saj, veçse Allahu ja rritën atij nderin.”
Vlerësojmë përpjekjen e njerëzve të pajtimit dhe përmirësimit në Bejtul Makdis, Kuds, të cilët përpiqen të arrijnë paqen dhe harmoninë shoqërore. Sikurse vlerësojmë durimin e familjeve të goditura nga fatkeqësitë dhe i mbështesim të gjitha nismat që synojnë shuarjen e përçarjes dhe të fitnes. Sepse: “Kush nuk kujdeset për çështjet e muslimanëve ai nuk është prej tyre.”
Zotëria im, o i dërguari i Allahut! O zotërues i pozitës së lavdëruar! Lindja jote ishte ringjallje e vajzës së varrosur për së gjalli dhe nderim për gruan, rolin e së cilës perëndimi është përpjekur ta zhdukë. A ka ardhur puna deri aty që nëna të turpërohet nga misioni i saj, që është edukimi i brezave, ku nëna është formuesja dhe edukuesja e njerëzve të mëdhenj dhe e mendjeve të ndritura?
Po ashtu, perëndimi ka punuar për shkatërrimin e institucionit arsimor dhe zbrazjen e tij nga përmbajtja morale dhe shkencore. Tek disa njerëz, padija dhe cekëtia e të menduarit janë bërë mbizotëruese. Fryma e hakmarrjes është përhapur dhe për arsye nga më të parëndësishmet, ndërsa mësuesi është privuar nga autoriteti dhe pozita e lartë që meriton.
Prandaj, ringjallja e historisë së të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,dhe përmendja e virtyteve dhe cilësive të tij është ajo për të cilën ka nevojë shoqëria sot, për t’u kujtuar njerëzve fjalët e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kjo botë është e mallkuar dhe gjithçka që gjendet në të është e mallkuar, përveç përmendjes së Allahut dhe asaj që lidhet me të, dijetarit apo nxënësit të dijes.”
Zotëria im, o i dërguari i Allahut! Kujdesi për përkujtimin e lindjes tënde është kujtesë për umetin mbi shembujt dhe autoritetet e tij: “Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre…” (El-Mu’minun 69)
Perëndimi ka përqendruar përpjekjet e tij në rrëzimin e figurave shembullore, model, dhe të autoriteteve nga mendjet e shoqërisë, në mënyrë që ajo të humbasë drejtimin dhe të fillojë të dyshojë në figurat e saj.
Mediat, e më pas edhe rrjetet sociale, kanë punuar për të ngjallur dyshime ndaj dijetarëve, mendimtarëve dhe reformatorëve, duke vënë në pikëpyetje ndershmërinë e tyre. Kështu u përhap kaosi, u shtuan luftimet dhe konfliktet, ndërsa reformatorët u lodhën nga veprimet e njerëzve të papërgjegjshëm.
Kujdesi për përkujtimin e lindjes së tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe përkushtimi ndaj jetës dhe shembullit të tij ka si synim t’i drejtohet mbarë botës me mesazhin se ne jemi pasues të Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, synim i këtij mesazhi, se ne jemi pasues të kësaj feje të drejtë.
Prandaj përsërisim dhe deklarojmë se distancohemi nga çdo festë e shfrenuar që bie ndesh me fenë tonë dhe nga çdo përzierje mes gjinive që bie ndesh me ligjin tonë fetar. Duke u kujdesur për përkujtimin e lindjes së tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ne i deklarojmë botës se mësimet e fesë Islame janë ato që janë të përshtatshme për të udhëhequr dhe mbrojtur popujt dhe kombet.
Ne deklarojmë publikisht se jemi të aftë t’i shërojmë plagët tona. Midis nesh ka të urtë, njerëz me përvojë, të mençur dhe njerëz të arsyes. Banorët e Bejtul-Makdisit, Kudsit, janë të aftë t’i shërojnë plagët e tyre, e kjo është në natyrën e njerëzve të kësaj toke të bekuar.
Ti kushtojmë vëmendje atij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lindjes dhe biografisë së jetës së tij është mundësi për të hequr gjembat e urrejtjes dhe armiqësisë midis nesh.
Ruajtja e shenjtërive dhe e pronës është prej mësimeve të fesë sonë. Në të vërtetë, t’i kushtojmë vëmendje lindjes së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është mundësi për të hequr rrobën e mosbindjes midis fëmijëve tanë, duke ua mbushur kohën e tyre të lirë me gjëra të dobishme, duke ua kujtuar lidhjet tona farefisnore, duke respektuar fqinjët tanë dhe duke u dhënë mundësinë të pajtohen me kundërshtarët tanë nga fisnikëria dhe bujaria e jo nga dobësia.
O besimtar! Zoti të ruajt! Dije se nëse dashuria për të dërguarin e nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lëviz në zemrën tënde, ti bëhesh i aftë të sillesh me butësi ndaj të varfërve dhe t’i respektosh ata. Bëhesh i aftë t’u përkujtosh për mirë njerëzve përreth teje, mund të fshish lotin e të dëmtuarit dhe të tregosh përulësi e mëshirë ndaj besimtarëve.
Sa shumë krahë të thyer ka! Sa shumë zemra të plagosura ka! Sa shumë njerëz të dobët që janë shtypur!
Perëndimi ka prioritete të mirë studiuara dhe ka mobilizuar njerëzit e tij për t’i zbatuar ato në nivelin e umetit dhe të individit. Ata na kanë paraqitur figura të pavlera për të pushtuar mendjet e të rinjve. Sikurse janë shpenzuar miliarda për zbatimin e këtyre planeve të huaja, ndërsa mediat botërore janë mobilizuar për qëllimet e tyre.
Fatkeqësisht, edhe disa prej rrjeteve sociale kanë kontribuar në ndezjen e tensioneve, shtrembërimin e së vërtetës dhe përhapjen e thashethemeve.
Zoti do t’i gjykojë ata, e kush ndez një fitne mbi të bie barra e saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përkujtimi i të cilit bëhet, ka thënë: “Ruhuni nga dyshimi, sepse dyshimi është fjala më e rreme. Mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos kërkoni të metat e njëri-tjetrit, mos konkurroni me njëri-tjetrin, mos e keni zili njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni robër të Zotit vëllezër.”
Luteni Zotin duke qenë të bindur se lutjet tuaja do të pranohen. Fitimtarë janë ata që kërkojnë faljen e Allahut!
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, i Cili na bëri pjesëtarë të umetit të më të mirit të njerëzimit. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “Nga njerëzit më të dashur tek Zoti janë ata që u sjellin më shumë dobi njerëzve. Nga veprat më të dashura tek Zoti i Madhëruari dhe i Lartësuari, janë: gëzimi që ia sjell një muslimani, t’ia largosh atij një brengë, t’ia shlyesh një borxh ose t’ia largosh urinë. Dhe që unë të eci me vëllanë tim për t’ia përmbushur një nevojë, është më e dashur për mua sesa të qëndroja i izoluar, itikaf, në këtë xhami, ka për qëllim xhaminë në Medine, për një muaj të plotë. Kush e përmban zemërimin e tij, edhe pse do të mund ta shfrynte po të dëshironte, Zoti do t’ia mbushë zemrën me kënaqësi Ditën e Gjykimit. Kush ecën me vëllain e tij për t’ia përmbushur një nevojë derisa ta kryejë atë, Zoti do t’ia forcojë këmbët Ditën kur këmbët do të rrëshqasin.”
O Zot, forco këmbët tona, përmirëso marrëdhëniet tona dhe bashko zemrat tona.
O Zot, na jep ne dhe të gjithë muslimanëve, në lindje e në perëndim të tokës, për çdo brengë lehtësim dhe për çdo vështirësi rrugëdalje.
O Zot, ruaje xhaminë Aksa nga çdo e keqe! O Zot, bëje vendin e Israsë dëshmi në favorin tonë e jo kundër nesh.
O Zot, bëj banimin tonë në Kuds dëshmi në favorin tonë e jo kundër nesh. O Zot, prano lutjet tona, o Bujar!
O Zot, shpërbleje për ne zotërinë tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me shpërblimet më të mira, shpërble për ne sahabet, halifet dhe dijetarët me shpërblimet më të mira.
O Zot, shpërble për ne shehlerët, hoxhallarët dhe prindërit tanë me shpërblimet më të mira.
O Zot, Ti që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet, të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)
Dhe fto për namaz.
Afrim Smakaj