Qëndresa me durim dhe ruajtja e qëndrueshmërisë në tokën e bekuar

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     12-05-1448 H    23-10-2026 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema   Qëndresa me durim dhe ruajtja e qëndrueshmërisë në tokën e bekuar

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili përsosi me urtësinë e Tij atë çfarë krijoi dhe ndërtoi, iu afrua krijesave me mëshirën e Tij dhe u qëndroi pranë, pranoi falënderimin e tyre si shpërblim për begatitë që u dhuroi, na urdhëroi t’i bindemi, jo sepse Ai ka nevojë për këtë por për nevojën tonë. Ai fal gjynahet atyre që kanë bërë keq dhe krime, dhuron shpërblime të shumta atij që bën mirë, unë e falënderoj Atë me falënderim të fshehtë dhe haptazi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Ai u ka premtuar robërve të Tij fitore dhe lumturi, nëse e adhurojnë Atë me sinqeritet.

Dëshmoj se zotëria, i dërguari, i dashuri, madhështori, prijësi ynë dhe drita e syve tanë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zoti i Madhëruar i udhëzoi njerëzit përmes tij, me dije ngriti, largoi, padijen e tyre, me besim zhduku frikën dhe pikëllimin e tyre, ndërsa me Kuran  përsosi moralin e tyre. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi tabi’inët e ndershëm, mbi ne, me ne dhe me ata që i ndjekin me mirësi deri në Ditën e Kijametit, duke i marrë ata si shembull dhe duke ndjekur rrugën e tyre.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit të Madhërishëm, në fshehtësi dhe në publik. Ka shpëtuar ai që i frikësohet Zotit dhe ka humbur ai që udhëhiqet nga dëshirat e veta. Kujtoni dhe mbani para syve fjalën e Zotit të Plotëfuqishëm: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)

Adhurues të Zotit! Kurani Famëlartë është pranvera e zemrave dhe drita e mendjeve. Çdo ajet mbart brenda vetes ngarkesë të mjaftueshme shpirtërore dhe thellësi besimi. Përmes të cilës shërohen gjokset dhe rikthehet qetësia në zemrat e trazuara, të cilat përplasen nga ndjenjat e ankthit, pikëllimit dhe dhimbjes. Zoti i Plotëfuqishëm thotë në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al’ Imran 200)

O ju të lidhur me këtë vend! Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë i Zotit për ju. Bëhuni të durueshëm në bindjen ndaj Zotit të Madhërishëm, bëhuni të durueshëm përballë sprovave dhe fatkeqësive, bëhuni të durueshëm në mbrojtjen e së vërtetës. Kapuni fort pas Zotit në vështirësi dhe në mirëqenie, në fatkeqësi dhe në gëzim. Priteni lehtësimin nga portat e saj më të gjera me bindje të plotë,  shpresë të palëkundur, që të jeni me durimtarët. Zoti ju drejtohet duke thënë: “…dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë, durimtarë!”(Al ‘Imran 200)

Ndihmoni njëri-tjetrin që të duroni dhe le të jetë durimi juaj më i fortë se durimi i armiqve tuaj. Bëhuni të qëndrueshëm në tokën tuaj. Tregoni durim në përballimin e situatave të vështira dhe të ndërlikuara, duke e frenuar veten nga dëshpërimi, paniku dhe frika.

O ju durimtarë! Duroni, qëndroni të palëkundur, në pritjen e premtimit që ju është dhënë. Duroni përballë idhujtarëve, njerëzve të devijimit dhe hipokrizisë. Duroni, qëndroni të fortë përballë armiqve të Zotit, derisa  të heqin dorë nga feja e tyre dhe të pranojnë fenë tuaj.

Bëni durim, o robër të Zotit! Nxitini dhe të tjerët të bëjnë durim dhe të qëndrojnë të palëkundur. Bëhuni prej atyre që u bëjnë ballë vështirësive, pengesave, sprovave dhe kurtheve. “…bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al’ Imran 200)

Qëndroni të vendosur dhe vigjilentë, o robër të Zotit! Qëndroni të vendosur dhe vigjilentë në tokën tuaj me vendosmëri, krenari dhe dinjitet. Ruani xhaminë tuaj të shenjtë, Aksanë! Ruani qytetin tuaj të shenjtë, Kudsin! Frikësojuni Zotit në marrëdhënien tuaj me njërit-tjetrin dhe me Të, që të jeni të shpëtuar kur të takoheni me Të nesër.

LEXO  Nekba Palestineze, shpërngulja me dhunë - Aksa 15.05.2020

Adhurues të Zotit! Kjo është një thirrje fisnike nga Zoti drejtuar ju, me të cilën Ai ju fton drejt asaj që sjell mirësi dhe përmirësim për ju në këtë botë, si dhe sukses e shpëtim për ju në botën Tjetër, Ahiret.

Zoti i Madhëruar ju ka porositur që t’i frikësoheni Atij. Nëse i përmbaheni kësaj porosie, Ai do t’ju nderojë me mirësinë e sundimit të drejtë dhe të trashëgimit të tokës, si dhe do t’ju shpërblejë me shpërblime të mëdha për qëndrueshmërinë, vendosmërinë tuaj.

O ju të lidhur me këtë vend! O të dashur të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Të jetuarit tonë në këtë tokë të pastër e të shenjtë, pranë xhamisë së bekuar Aksa, është nder hyjnor për ne dhe mirësi e madhe e Zotit ndaj nesh. Bekim i veçantë të jemi prej banorëve që qëndrojnë të palëkundur, të vendosur  në Kudsin e shenjtë. Qëndrimi i palëkundur, të vendosur në këtë tokë është adhurim madhështor dhe vepër e çmuar, përmes së cilës afrohemi tek Zoti i Madhërishëm. Shpërblimi i atij që qëndron i palëkundur, i vendosur në tokën e tij vazhdon dhe pas vdekjes së tij, deri në Ditën e Kijametit. Transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo të vdekuri i ndërpritet shpërblimi i veprave të tij, përveç atij që qëndron i palëkundur, i vendosur në rrugën e Zotit. Atij i vazhdon shpërblimi i veprave të tij deri në Ditën e Gjykimit dhe është i mbrojtur nga sprova e varrit.”

Sa e madhe është kjo mirësi dhe sa madhështor është ky përgëzim! I lutemi Zotit të Lartësuar e të Madhërishëm që të na bëj të vendosur në tokën tonë, duke qëndruar të palëkundur, duke kërkuar shpërblimin e Tij, duke u mbështetur tek Ai dhe duke bërë durim. I lutemi që të na e marrë shpirtin në këtë gjendje, me këtë qëllim të pastër, pa u sprovuar në besimin tonë dhe pa devijuar nga rruga jonë.

O ju namazfalës! Qëndrueshmëria jonë në këtë tokë ka nevojë për themele që e mbështesin dhe e forcojnë. Kjo nuk mund të arrihet pa unifikimin e radhëve,  bashkimin e fjalës dhe të qëndrimit tonë, ashtu siç jemi urdhëruar: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al’ Imran 103)

O ju besimtarë! Qëndrueshmëria, vendosmëria jonë në këtë tokë kërkon bindje ndaj Zotit. Prandaj, kujdesuni për bindjen ndaj Zotit, për dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj profetit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Kryeni obligimet fetare në kohën e tyre dhe shtoni sa të mundeni adhurimet vullnetare. Bindja ndaj Zotit në kohë vështirësish dhe fatkeqësish është më e dashur tek Ai dhe ka shpërblim më të madh.

Mos e braktisni Kuranin Famëlartë, ai është furnizimi i shpirtit dhe drita e zemrave. Përmbajuni kërkimit falje tek Zoti dhe shtoni pendimin tuaj tek Ai, përmes kërkimit falje tek Zoti ngrihet në gradë dhe zbret qetësia dhe mëshira hyjnore.

Përgjërojuni vazhdimisht Zotit tuaj me lutje, sepse lutja është arma e besimtarit, streha e tij në kohë vështirësish dhe porta e lehtësimit kur të gjitha portat duken të mbyllura.

Kush tregohet i sinqertë ndaj Zotit në vetmi, Zoti e forcon në vështirësi. Kush e mbush kohën e tij me bindje ndaj Zotit, Ai e ruan atë në dobësi dhe në fuqi.

Adhurues të Zotit! Theksimi ynë i rëndësisë së qëndrueshmërisë në këtë tokë buron nga rrënjët tona të thella dhe nga këmbëngulja jonë për të drejtën tonë mbi tokën ku jetojmë. Kjo është toka e etërve dhe e gjyshërve tanë. Ne e kemi trashëguar atë si një amanet hyjnor dhe si një porosi profetike. Ky është një detyrim që buron nga besimi, bindja dhe ligji fetar, prej të cilit nuk mund të heqim dorë dhe nuk mund t’i shmangemi. Ne jemi të rrënjosur në tokën tonë siç janë të rrënjosur fiqtë dhe ullinjtë e saj. Përmes qëndrueshmërisë, vendosmërisë, sonë, ne i japim shpirt këtij vendi, veçanërisht xhamisë së bekuar të Aksasë. E gjithë kjo na lidh me kiblen tonë të parë dhe me vendin i Israsë së profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kjo është lidhje e përjetshme, që do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit e do mbetet thellë në zemrat tona.

LEXO  Larg të ushqyerit me haram -Aksa 17.04.2020

Sikurse këtu ka nga ata që janë të privuar, që e shikojnë Kudsin nga larg, dhe gjendja e tij sikur thotë:

“Unë nuk e di nëse Kudsi është në zemrën time apo nëse zemra ime është në Kuds. Ktheni tek unë Kudsin dhe zemrën time!”

Po, ky është Kudsi i dashur, që banon në zemrat dhe shpirtrat tanë; porta e tokës drejt qiellit, vendi ku zbriti shpallja hyjnore, vendtakimi i profetëve, toka e Israsë, toka e qëndrueshmërisë, vendosmërisë, toka ku do të tubohen njerëzit dhe ku do të ndodhë ringjallja.

Lum ne për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë në rrethinat e tij! Kurani Famëlartë e ka përjetësuar këtë vend në ajeteve të tij të përjetshme, deri në Ditën e Gjykimit, si simbol të pastërtisë, bujarisë dhe shenjtërisë.

Adhurues të Zotit Pranë kësaj toka ka jetuar  Ibrahimi, miku i Zotit, paqja e Zotit qoftë mbi të, e ai është babai i profetëve. Prania e tij i shtoi kësaj toke nderin, pozitën dhe madhështinë. Kjo ndodhi pasi vendi i tij u bë i vështirë për të dhe ai vendosi të shpërngulej. Andaj drejtoi fytyrën nga Zoti i tij dhe ia dorëzoi Atij çështjen e vet, duke thënë: “(Ibrahimi) tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im…” (El ‘Ankebut 26) Zoti i Madhëruar e drejtoi drejt tokës së bekuar, duke treguar kështu pozitën dhe rëndësinë që kjo tokë ka tek Ai. Zoti i Lartësuar zgjedh prej vendeve, kohëve dhe njerëzve atë që Ai dëshiron dhe për kë dëshiron. Kështu ishte vullneti i Tij për ne.

Këtë tokë të bekuar e ka dhuruar Zoti për ne dhe ka vërtetuar të drejtën tonë mbi të nga lartësia e shtatë qiejve. Prandaj, të na shkëpusin nga toka jonë pa të drejtë është gjë e pamundur.

O ju namazfalës! Të qëndruarit të lidhur me këtë tokë dhe dashuria për këtë vend të shenjtë janë adhurim dhe vepra me të cilat afrohemi tek Zoti. Në këtë tokë gjendet identiteti ynë Islam, ajo përfaqëson lidhjen tonë të vërtetë me tokën, trashëgiminë dhe lavdinë tonë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për trashëgiminë historike, por dhe për trashëgiminë e pasur Islame dhe qytetërimin tonë të lashtë.

Ne jemi bartës të qytetërimit, të mendimit dhe të kulturës. Në mesin e muslimanëve të kësaj toke ka pasur dijetarë dhe mendimtarë, të cilët kanë luajtur një rol të madh në përhapjen e qytetërimit dhe kulturës sonë, duke kapërcyer kufijtë gjeografik dhe historik, sepse ne mbartim mesazh njerëzor që i tejkalon kuptimin e kufijve dhe të kohës. Ky qytetërim i kapërceu tokat dhe detet, duke u dalluar për specifikat e tij të veçanta, për vlera fisnike dhe moral të lartë. Gjurmët e tij ruhen në pllaka, dorëshkrime, libra dhe dokumente, të cilat janë ruajtur në zemër të historisë së njerëzimit.

Në një hadith sherif, të transmetuar nga Selmani, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka ardhur se profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Qëndrimi i palëkundur, vendosmëria, për një ditë dhe një natë në rrugën e Allahut është më i mirë se agjërimi dhe falja e namazit gjatë një muaji të tërë. Nëse ai vdes (gjatë kësaj detyre), do vazhdojë të marrë shpërblimin e veprave të mira që bënte vazhdimisht, do t’i jepet furnizimi i tij dhe do të jetë i sigurt nga sprovuesi, sprova e varrit.” Apo, sikurse ai ka thënë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të: “Ai që pendohet nga gjynahi është si ai që nuk ka bërë gjynah.”

Luteni Zotit duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet! Fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj  kërkoni Zotit falje!

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi zotërinë e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Taha el-Eminin, dashuria për të cilin është pjesë e besimit dhe suneti i të cilit është rrugë për të hyrë në Xhenet. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi familjen e tij, shokët e tij dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

LEXO  Ambicia e lartë dhe ndërtimi i lavdisë

Në vijim

Dijeni se ndodheni në ditë të bekuara, ditë të një stine që përsëritet çdo vit për të na kujtuar mirësitë e Zotit ndaj nesh, çfarë na ka dhuruar nga begatitë e kësaj toke dhe vlerën e qëndrimit, vendosmërisë në të.

Është sezoni e vjeljes së ullinjve, kësaj peme të cilën Zoti i Madhëruar e ka veçuar me përmendje në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, dhe në të cilën është betuar në shpalljen e Tij të urtë: “Për fikun dhe ullirin.” (Et-Tin 1)  I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka lavdëruar këtë pemë, me thënien e tij: “Hani vajin e ullirit dhe lyhuni me të, sepse ai është nga një pemë e bekuar.”

Adhurues të Zotit! Stina e vjeljes së ullinjve nuk është thjesht një sezon bujqësor për mbledhjen e frutave, por është shkollë besimi dhe  tregti fitimprurëse me Zotin.  Në të shfaqen kuptime madhështore, ndër më të rëndësishmet prej të cilave është se pema e ullirit simbolizon qëndrueshmërinë dhe durimin.

Xhamia e Aksasë është e zbukuruar me ullinj. Prandaj, ulliri nuk është thjesht një frut që mblidhet, por është një identitet që trashëgohet, një histori që rrëfehet dhe një simbol i përkatësisë. Rrënjët e tij, të ngulitura thellë në tokë, i bëjnë ballë thatësirës, përballojnë vështirësitë dhe u rezistojnë sulmeve. Ulliri na frymëzon të qëndrojmë të palëkundur në të vërtetën, të kapemi fort pas tokës sonë dhe të vazhdojmë të qëndrojmë e të përkushtohemi në të.  Rrënjët e tij janë si rrënjët tona, të gjalla, që nuk shuhen e nuk zhduken, përveçse me urdhrin e Zotit. Degët e tij rrëfejnë historinë e paraardhësve tanë. Ato janë kujtesa e gjyshërve tanë, bekimi i tokës, gëzimi i shtëpive dhe simboli i qëndresës e i rrënjosjes.

Ruajeni bekimin e kësaj stine duke u larguar nga gjynahet, afrohuni tek Zoti i Madhëruar përmes dashurisë për tokën tuaj, kultivimit dhe ndërtimit të saj, kapjes fort pas saj dhe qëndrimit të palëkundur në të.

Adhurues të Zotit! Shtoni lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shtoni salavatin, përshëndetjet  për mua ditën dhe natën e xhuma, premte. Kush dërgon një salavat për mua, Zoti dërgon dhjetë salavate për të.” Zoti Bujar e nderoi profetin e madh duke ia ngritur emrin dhe famën në mbarë botët. Zoti ka thënë: “Dhe ta lartësuam emrin?!” (Esh-Sherh 4)

Zoti i tij, i Lartësuari, i dha atij atë që nuk ia dha askujt prej të parëve dhe të mëvonshmëve. “E, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.” (Ed-Duha 5)

Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar ka marrë përsipër mbrojtjen e profetit të Tij nga çdo kriminel kokëfortë dhe gjynahqarë i pabindur. “Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin.” (El-Hixhr 95) Zoti u ka premtuar atyre dënim të dhembshëm dhe mallkim deri në Ditën e Gjykimit, nisur nga  fjala e Tij: “Pa dyshim, ata që fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën. Ai ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues.” (El-Ahzab 57)

Zotëria im, o i dërguari i Allahut! Emri yt i nderuar ka pozitë madhështore dhe të veçantë në zemrat e muslimanëve përgjatë shekujve dhe epokave. Ai është një emër i madh e fisnik, me të cilin emërtohemi, që shqiptohet nga gjuhët, që duan zemrat dhe tek i cili gjen prehje shpirti. Kjo pasqyron dashurinë e madhe për profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lidhjen e fortë me të, me udhëzimin e tij dhe me jetëshkrimin, historinë, e tij.

Zotëria im, o i dërguari i Allahut! Ti përmendesh çdo ditë në namazet dhe përkujtimet tona, në netët dhe ditët tona, në fshehtësi dhe haptazi. Ti je zotëria i krijesave, i dërguari i njerëzimit dhe i dërguari i mëshirës.

Dijeni se Zoti  ka dërguar salavate mbi profetin tuaj që në fillim, herët,  dhe vazhdon të jetë fjala e Tij e Urtë, nderim dhe lartësim i pozitës së profetit të Tij. “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dashurin Tënd, zotërinë tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

O Zot, na i beko frutat dhe të mbjellat tona! Na beko në masën dhe sa’in, peshën tonë! O Zot, na bëj prej atyre që të falënderojnë për mirësitë e Tua, që përmbushin detyrimet ndaj Teje, që qëndrojnë të palëkundur në fenë Tënde dhe në tokën e tyre.

O Zot, na dhuro siguri në atdheun tonë dhe na i largo vuajtjet e vështirësitë!

O Zot, ruaj xhaminë tonë të Aksasë nga çdo e keqe dhe na mundëso të falemi në të në çdo kohë!

O Zot, Ty ta lëmë në amanet xhaminë e Aksasë dhe gjithçka përreth saj, tokën e saj, qiellin e saj dhe banorët e saj që qëndrojnë të vendosur rreth saj.

O Zot, merre atë nën kujdesin, mbrojtjen, sigurinë dhe paqen Tënde! O Zot, bëhu për ne ndihmë e fuqishme dhe mbështetje e fortë!

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre!

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Dhe fto për namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1720713166722023/2224583811439896

Post Author: endrit