Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 19-05-1448 H 30-10-2026 D
Shejh Dr. Jusuf Ebu Sunejneh
Tema Përmirësimi është valvula e sigurisë së shoqërisë
Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili është i lavdëruar për mirësitë e Tij, adhurohet për fuqinë e Tij, i bindemi për pushtetin e Tij, i frikësohemi dënimit të Tij dhe shpresojmë tek Ai për atë që gjendet tek Ai. Urdhri i Tij zbatohet në qiej dhe në tokën e Tij. Ai krijoi krijesat me fuqinë e Tij, i dalloi ato me ligjet e Tij, i lartësoi ata me fenë e Tij dhe i nderoi ata me profetit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
I Lartësuar është Ai! Sa e madhe është bujaria e Tij! Sa e lartë është madhështia e Tij! Sa madhështore janë krijesat që Ai i ka krijuar, ato që i ka shfaqur dhe ato që i ka mbajtur të fshehta! I Lartësuar është Ai, i Cili hap zemrat dhe i zgjeron ato, u dhuron atyre mirësi dhe begati. Atij i takon falënderimi në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ai është i Urti dhe i Gjithëinformuari.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Zotëruesi i krenarisë dhe madhështisë, i fuqisë dhe përsosmërisë, i mirësive dhe bujarisë, Krijuesi i njerëzimit, i Vetmi që meriton të jetë i Përhershëm dhe i Pavdekshëm. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, i Madhi dhe i Lartësuari.
Dëshmoj se zotëria, i dërguari dhe i dashuri ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit. Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar e dërgoi atë me rrugën e qartë dhe fenë e ndritur. Ai solli argumentet më të qarta, ndriçoi rrugën e atyre që kërkojnë udhëzimin, përshkroi Zotin e tij, Allahun e Lartësuar dhe të Madhërishëm me cilësitë e Madhështisë dhe e pastroi Atë nga çdo gjë që nuk i përshtatet Madhërisë dhe Përsosmërisë së Tij. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar, është shumë më i Lartë nga ato që thonë njerëzit e devijimit dhe të humbjes. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me familjen e tij fisnike dhe me shokët e tij të zgjedhur!
Shikoni Ebu Bekrin, të sinqertin më të madh, prijësin e muslimanëve dhe halifin e Sunduesit mbi robërit e Tij, ai i cili nuk e parapëlqeu këtë botë ndaj botës së përtejme, Ahiretit. I devotshmi në fenë e tij, i pastërti në moralin dhe karakterin e tij, njeriu me virtyte të larta, i cili u kap fort pas Librit të Zotit dhe ndoqi shembullin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai ishte njeriu që i zhduku gjurmët e risive të shpikura në fe, i largoi bartësit e tyre dhe i fshiu gjurmët e tyre, derisa ata u bënë siç thotë Zoti i Madhëruar: “…por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (El-Kehf 45)
Ai, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte asket ndaj kësaj bote dhe të gjitha çastet e tij ishin të përkushtuara në vepra të mira, qoftë në përhapjen e dijes, qoftë në përmirësimin e çështjeve të muslimanëve.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Shfrytëzoni mundësinë për t’ua plotësuar nevojat njerëzve, sepse qiejt rrotullohen vazhdimisht dhe koha është gjithmonë e padrejtë sa nuk ia lënë askujt një gjendje të pandryshueshme dhe nuk ia ruajnë askujt një mirësi përgjithmonë.
Prandaj, vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në bindjen ndaj Zotit tuaj, këshilloni vëllezërit tuaj dhe shërbejuni muslimanëve me gjithçka që ju është dhënë. “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet…” (Fussilet 46)
O ti musliman!
“Nëse dëshiron që mirësia e Zotit të vazhdojë mbi ty, nxito t’ua plotësosh nevojat krijesave të Tij.
Mos e kundërshto kurrë Zotin, sado pasuri që të kesh, sepse Ai mund të ta ndalojë furnizimin e Tij të gjerë.”
O adhurues të Zotit! A e dini se cilët janë njerëzit më të mirë tek Zoti i Madhëruar në Ditën e Gjykimit? Ata janë njerëzit që pajtojnë të tjerët duke vendosur drejtësi, të vërtetën, pa nxitur përçarje dhe fitne. “Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (El-Enfal 1) Shikoni se si Zoti i Madhëruar ka përmendur rregullimin e marrëdhënieve njerëzore para bindjes, për shkak të asaj që ajo sjellën nga lumturia e shoqërisë dhe përmirësimi i saj, shpëtimi, suksesi dhe përparimi i saj.
“ Nëse të gjitha vlerat do mblidheshin së bashku, do të përmblidheshin të gjitha në dy parime:
Madhërimi i urdhrit të Zotit të Lartësuar, dhe përpjekja për pajtimin e njerëzve mes vete.”
I Lartësuar është Zoti! Sa shumë njerëz janë indiferentë ndaj së mirës!
Sa i çuditshëm është një njeri, vëllai musliman i të cilit vjen tek ai kur ka nevojë për ndihmë, por ai nuk e konsideron veten të denjë për të bërë mirë. Dhe sikur të mos shpresonte shpërblim dhe të mos frikësohej nga ndëshkimi, përsëri do të duhej të nxitonte drejt virtyteve dhe moralit të lartë.
Ky është Islami, shoqëri e pastër që bën vepra të mira dhe nxiton drejt bamirësisë, mirësisë dhe punëve të dobishme.
Ndërsa ju, o besimtarë! Përmirësoni veten tuaj, përmirësoni familjet tuaja mbuloni të metat tuaja. Çfarë po ndodh me umetin sot që është larguar nga Libri i Zotit të Madhëruar?! Çfarë po ndodh me të rinjtë tanë që po edukohen në mjedise që nuk kanë asnjë lidhje me Islamin?! Problemet e të rinjve janë të shumta. Një i ri në shkollë, i cili mëson, por nuk arrin të mbajë mend. Një tjetër edhe kur mëson harron. Ndërsa një tjetër kur shikon në një libër i duket sikur po shikon një gjarpër të frikshëm!
Kur i hulumton shkaqet e të gjitha këtyre problemeve dhe sëmundjeve, shikon se ato vijnë si pasojë e argëtimit të tepruar, lojërave, zhytjes në kënaqësi, epshe, mëkate dhe gjynahe, si dhe nga mungesa e kujdesit të prindërve ndaj fëmijëve të tyre, djemve dhe vajzave.
Edukimi është bërë dëshpërues, i dobët, burri është në konflikt me gruan, vajza është në kundërshtim me nënën e saj, ndërsa djali grindet me prindërit e tij. Në këtë shoqëri janë përhapur padrejtësia, përçarja dhe hipokrizia.
Betohem në Zotin se jetën e shoqërisë nuk e shkatërrojnë veçse dy vese të ulëta: Padrejtësia dhe hipokrizia.
Asnjë shoqëri nuk shkatërrohet, përveçse kur në të vendoset padrejtësia dhe përhapet hipokrizia. Kur padrejtësia dhe hipokrizia përzihen dhe bashkohen, ato prodhojnë urrejtje, zili, syfaqësi, vrasje dhe armiqësi.
Krimet në shoqërinë tonë janë shtuar. Është shfaqur shkatërrimi dhe janë përhapur vrasjet dhe sulmet për shkaqet më të parëndësishme, sikur shenjtëria e jetës së muslimanit të mos kishte më vlerë në këtë shoqëri!
Çfarë ka ndodhur, o adhurues të Zotit?! Deri në këtë shkallë ka rënë morali?! Deri këtu kanë arritur gjërat?! Mjaft më me shpërfilljen ndaj jetës së njerëzve!
Hakmarrja dhe vrasja e njerëzve janë të ndaluara në Islam. Çdo ditë dëgjojmë për këto ngjarje të dhimbshme. “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (En-Nisa’ 93) Përse e vrisni veten tuaj?! Përse e çoni veten drejt shkatërrimit dhe humbjes për hir të një dynjaje kalimtare?!
Kemi arritur në një kohë kur nuk po dallojmë më të vërtetën nga e pavërteta, besimtarin nga jobesimtari, njeriun e besës nga tradhtari, të paditurin nga dijetari. Nuk e njohim, urdhërojmë më të mirën dhe nuk e kundërshtojmë të keqen.
Zoti ju mëshiroftë! Këto nuk janë aspak nga morali i muslimanëve, as veprat e atyre që e njohin fenë me bindje dhe qartësi, e as të atyre që janë njerëz të besimit dhe të bindjes së plotë. Adhurues të Zotit! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është pyetur: “A është fanatizëm që njeriu ta dojë popullin e vet?” Ai është përgjigjur: “Jo, por nga fanatizmi është kur njeriu ndihmon popullin e tij në padrejtësi.”
Nisur nga kjo, u drejtohemi njerëzve reformatorë, të përmirësimit dhe pajtimit që të marrin përsipër detyrën e përmirësimit të shoqërisë, në të cilën është përhapur dhe grumbulluar korrupsioni, shthurja. Ata duhet të luajnë rolin e tyre udhëheqës në bashkimin e radhëve, unifikimin e fjalës dhe afrimin e zemrave.
Ndërsa ju, o adhurues të Zotit! Pendohuni tek Zoti i Madhëruar! Mos e shtyni pendimin për më vonë! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe mos u bëni të shkujdesur, të pavëmendshëm! Mos u kënaqni me gjendjen në të cilën ndodheni. Vepro sipas dijeve tuaja dhe le të jetë sinqeriteti parimi udhëheqës për ju.
Luteni Zotin duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet.
Fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Ai kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Zotëruesi i madhështisë dhe krenarisë, fuqisë dhe përjetësisë, lartësisë dhe epërsisë, lavdisë dhe shkëlqimit. Ai është i Lartësuar, larg çdo të barabarti dhe ortaku. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Ai është i Pari, ekzistenca e të Cilit nuk i nënshtrohet kalimit të kohës, Madhështori, të Cilin nuk mund ta mposhtë askush, i Gjithëdijshmi, të Cilit nuk i fshihet asnjë sekret. Ai është i Pari, ekzistenca e të Cilit nuk ka fillim, dhe i Fundit, ekzistenca e të Cilit nuk ka mbarim.
Dëshmojmë se zotëria ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguar nga bijtë e Adnanit, Ademit, për të gjithë njerëzit dhe xhinët. Zoti i dhuroi dhuntitë më të çmuara të mëshiruesit, bashkoi zemrat që dikur ishin të përçara dhe të armiqësuara. “Duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (El-Enfal 63)
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me familjen e ndershme të pejgamberit, me trungun e profetësisë, njerëzit e familjes së shpalljes, burimin e dijes dhe të urtësisë.
Ai ishte Ebu Hasani, Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të! Ai fali namaz kur njerëzit ishin ende idhujtarë, iu bind Zotit kur të tjerët kishin dyshime, u zgjodh prijës me pëlqimin e njerëzve dhe ishte ndër të parët që garonte në vepra të mira.
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me të gjithë sahabët, të cilët e ngritën fenë, dritat e të cilëve shkëlqyen me besim të palëkundur, shkëlqimi i tyre ndriçoi horizontet e lartësisë, lulet e tyre u stolisën me margaritarët e sovranitetit, mendjet dhe sytë e tyre u hapën drejt lumturisë. Të lutemi që të jesh i kënaqur dhe me ne, o Zoti ynë, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!
Në vijim
O adhurues të Zotit!
Muslimani duhet të ketë sjellje të mirë në marrëdhëniet me njerëzit, të jetë i butë, i qetë dhe i sjellshëm. “Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Al’ Imran 159) Nëse ky është ligjërimi i Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar drejtuar pejgamberit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, atëherë çfarë mund të themi për ne?!
Disa njerëz kanë mendjemadhësi dhe mburrje me pa të padrejtë, ndërsa muslimani është modest, krenar në vetvete dhe nuk e poshtëron veten. Ai e merr krenarinë e tij nga Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar.
O ti musliman! Mos e lavdëro veten! Deri kur do të vazhdosh ta mbash veten në anën tënde, ndërkohë që armiqësohesh me njerëzit e mirë dhe i përçmon të devotshmit? Deri kur do ta madhërosh veten dhe do t’i nënçmosh robërit e Zotit? Deri kur do të jesh i lidhur pas vetes dhe do t’i urresh asketët e devotshëm?
A nuk ka ardhur koha të zgjohesh nga kjo pakujdesi? A nuk ka ardhur koha të pendohesh? A nuk je në moshën gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vjeçare, ku udhëtimi i kësaj bote po i afrohet fundit?
Jeta përbëhet nga frymëmarrje, prandaj shfrytëzoji ato në bindje ndaj Zotit.
Lum për atë që merret me të metat e veta dhe nuk merret me të metat e të tjerëve! Mjerë për atë që merret me të metat e njerëzve dhe harron të metat e veta!
Deri kur do ta shohësh grimcën në syrin e vëllait tënd, ndërkohë që harron trungun në syrin tënd?!
Deri kur do të vazhdosh të lavdërosh veten, fjalët dhe shprehjet e tua, ndërsa i kritikon dijetarët dhe gjurmon të metat e njerëzve, ndonëse e di ndalesën e pejgamberit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Mos i përmendni të vdekurit tuaj, përveçse për të mirë”, sepse ata tashmë kanë shkuar tek ajo që kanë përgatitur me veprat e tyre.
O njeri! Për hir të Zotit, të lutem, mjaft më, na lër të qetë! Ti je njeri ngatërrestar me gjuhë të mprehtë, as nuk pushon as nuk fle!
Ruajuni nga pyetjet e ndërlikuara dhe të tepruara në çështjet e fesë! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i urrente pyetjet e tilla dhe i kritikonte ato. Ai ndalonte nga pyetjet e shumta dhe ka thënë: “Gjëja që më së shumti frikësohem për umetin tim është çdo hipokrit që ka gjuhë të mprehtë, elokuent.”
Të folurit e tepërt, pa përmendur Zotin, ngurtëson zemrën. Nëse kjo vlen edhe për të folurit rreth gjërave të lejuara, atëherë çfarë mund të thuhet për fjalët boshe të cilat verbojnë zemrat?! Pasha Zotin jemi bërë objekt talljeje në këtë botë!
Do të vijë tek njerëzit një kohë kur pushteti dhe sundimi do të kalojnë në duart e mendjelehtëve dhe njerëzve të ulët, ndërsa njerëzit e mençur dhe të mëdhenj do të lihen pas dore. Njerëzimi ka hyrë në një rrezik të madh, por njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj tij. “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (El-Bekare 156)
Zoti dhe Sunduesi ynë! U afrua udhëtimi ynë drejt Teje, ndërsa ne nuk jemi të pastër nga gjynahet, nuk kemi justifikim për t’u arsyetuar dhe as fuqi për të fituar. Ti je Mbrojtësi ynë, prandaj na mbulo me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kërkoni të mirën gjatë gjithë jetës suaj, në çdo kohë, ekspozoni veten ndaj frymëzimeve, erërave, të mëshirës së Zotit. Sepse vërtet, Zoti ka çaste të veçanta të mëshirës së Tij, me të cilat përfshin atë që Ai dëshiron nga robërit e Tij. Kërkoni Zotit t’ua mbulojë të metat dhe t’ua qetësojë e sigurojë frikën, shqetësimet.”
O Zot, të lutemi të na japësh lehtësim të afërt, durim të bukur, furnizim të bollshëm, mbrojtje nga sprovat, mundësi për të qenë mirënjohës për shëndetin, vazhdimësi të shëndetit dhe pavarësi nga njerëzit.
O Zot, na largo çdo brengë dhe pikëllim, na nxirr nga çdo trishtim dhe vështirësi!
O Ti që largon brengat! O Ti që zhduk pikëllimet! O Ti që zbret shiun! O Ti që i përgjigjesh lutjes së atij që është në vështirësi! O Ti që largon çdo fatkeqësi dhe sprovë! O Ti që di çdo sekret dhe çdo gjë të fshehtë! O Ti që tregove mëshirë ndaj plakut të moshuar Jakub! O Ti që fale gjynahen e Davudit! O Ti që largove sprovën Ejubit! O Ti që shpëtove Ibrahimin nga zjarri i Nemrudit! O Ti që shpëtove Musain! O Ti që ngrite lart Isain dhe zgjodhe Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Mëshiro vetminë tonë, të qenit tonë të huaj, në këtë botë! Mëshiro vuajtjet tona në çastet e vdekjes, dhe mëshiro qëndrimin tonë para Teje!
O Zot, na furnizo me shi të dobishëm dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit, na mëshiro me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!
Adhurues të Zotit! “Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën ndaj të afërmve, ndërsa ndalon nga imoraliteti, veprat e këqija dhe padrejtësia. Ai ju këshillon, në mënyrë që të merrni mësim.” (En-Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj