S’ka Zot tjetër përveç Allahut… mirësia më e madhe

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    03-06-1448 H     13-11-2026 D

Shejh  Bander Ibn  Abdul Aziz Balejla     

Tema    S’ka Zot tjetër përveç  Allahut… mirësia më e madhe

Lavdërimet janë për Zotin, “ Është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me Udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si dëshmitar!” (El-Fet’h 28)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, duke e pohuar dhe e Njësuar Atë. Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O ju njerëz! Porosis ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. Kini frikë Allahun, Zoti ju mëshiroftë! “…dhe adhuroni e falënderoni vetëm Atë. Tek Ai do të ktheheni.” (El ‘Ankebut 17)

O ju muslimanë! Zoti i Lartësuar i krijoi të gjitha krijesat nga asgjëja. “Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!” (El-Insan 1) Ai i edukoi dhe i furnizoi me begatitë e Tij. “Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (Ibrahim 32–34) Nga begatitë më të mëdha me të cilat Zoti i Lartësuar ka begatuar njerëzimin është begatia e Islamit, begatia e Teuhidit, Njësimit të Zotit, dhe begatia e fjalës La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut. Zoti nderoi me këtë begati disa njerëzve, nga mirësia dhe bujaria e Tij, ndërsa të tjerë i privoi prej saj me drejtësinë dhe urtësinë e Tij.

Zoti i Madhëruar ka vendosur argumente dhe dëshmi të qarta, të cilat e bëjnë çdo njeri të arsyeshëm ta pranojë Njësimin e Zotit të qiejve dhe të tokës, nëse dëshiron shpëtimin e vet dhe të ndjek me të rrugën e suksesit. Transmetohet nga Ebu Seid El Hudriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Musai tha: O Zoti im! Më mëso diçka me të cilën të të përkujtoj dhe të të lutem Ty. Zoti tha: O Musa! Thuaj: La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut! Musai tha: O Zoti im! Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë. Zoti tha: Thuaj: La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut!  Musai tha: Nuk ka Zot tjetër përveç Teje! Unë dëshiroj diçka të veçantë, që të më dallosh me të. Zoti tha: O Musa! Sikur shtatë qiejt dhe të gjithë banorët e tyre, përveç Meje, si dhe shtatë tokat të vendoseshin në njërën anë të peshores, dhe fjala La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut në anën tjetër të peshores, kjo fjalë, La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut, do të rëndonte më shumë.” Hadithin e transmeton Nesaiu me zinxhir të saktë transmetimi.

O ju muslimanë! Teuhidi, Njësimi i Allahut, është e drejta e Zotit mbi robërit e Tij. Nga Muadh ibn Xhebeli, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Teksa isha ulur mbrapa profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në një gomar, ai më tha: “O Muadh, e di cila është e drejta e Zotit kundrejt njerëzve dhe cila është e drejta e njerëzve tek Zoti?” I thashë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më tha: “E drejta e Zotit kundrejt njerëzve është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë, kurse e drejta e njerëzve tek Zoti është të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë Atij ortak asgjë.” I kam thënë: “ O i dërguari i Zotit, a ti përgëzoj me këtë njerëzit?!” Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Mos i përgëzo ata në mënyrë që të mos mbështeten në të.” Muttefikun alejhi.

LEXO  Durim o populli i Palestinës, durim

Teuhidi është natyrshmëria e pastër (fitra) mbi të cilën Zoti i ka krijuar njerëzit. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er-Rum 30) Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmëri të pastër (Islame), por prindërit janë ata që e bëjnë atë jehudi,  të krishterë, ose mexhusi.” Muttefikun alejhi.

Teuhidi është qëllimi për të cilin Zoti krijoi krijesat, shpalli librat dhe solli të dërguar. Për këtë qëllim u krijuan Xheneti dhe Xhehenemi. “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat 56–58)

Teuhidi është thirrja e të gjithë pejgamberëve dhe të dërguarve, paqja dhe bekimet e Zotit të botëve qofshin mbi të gjithë ata. “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej atyre (popujve) Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!” (En-Nahl 36)

Adhurues të Zotit! Teuhidi, Njësimi i Zotit, nuk kufizohet vetëm në adhurimet rituale, siç mendojnë shumë njerëz. Teuhidi, Njësimi i Zotit, përfshin fjalët dhe veprat, bindjet dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Teuhidi, Njësimi i Zotit, është metodoogji jetese. “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El-En’am 162–163)

Pa dyshim, gjynahi më i madh që e shkatërron veprën e mirë të Teuhidit dhe gabimi më i rëndë që kundërshton dëshminë La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut,  është shirku, t’i shoqërosh Zotit ortak në adhurim. E çfarë dini ju për madhësinë e shirkut?! Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.” (El-Haxhxh 31) Nga Abdullah Ibn Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Kam pyetur të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të : Cili është gjynahi më i madh?” Ai tha: “Që t’i bësh Zotit diçka të barabartë në adhurim, ndërkohë që Ai të ka krijuar.” Muttefikun alejhi.

Për shkak të rrezikut, shëmtisë dhe madhësisë së shirkut, Zoti i Lartësuar duke ju drejtuar të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.  Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” (Ez-Zumer 65–66) Askush nuk mund të sjellë dobi apo të shkaktojë dëm përveç Zotit, sado i devotshëm dhe i përkushtuar të jetë, sado pozitë dhe autoritet të ketë arritur. As Meleku më i afërt tek Zoti, as ndonjë pejgamber i dërguar e lëre më dikush tjetër prej krijesave. Zoti i Lartësuar duke urdhëruar të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë që ai t’u thoshte njerëzve: “Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.” (El-A’raf 188)

LEXO  Nga mirësitë e Ramazanit nxitja për të përfituar nga Nata e Kadrit

Adhurues të Zotit! Kini frikë Allahun! Falënderoni Zotin tuaj për begatinë e fjalës La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut, njiheni vlerën e saj dhe përmbusheni detyrimin e falënderimit ndaj saj, që të arrini suksesin dhe lumturinë.

Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, falënderimi i takon Atij për suksesin dhe begatitë që na ka dhuruar.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, duke lartësuar madhështinë e Tij.

Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, thirrësi drejt kënaqësisë së Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe vëllezërit e tij.

Në vijim

Pasi e kemi kuptuar madhështinë e begatisë së Teuhidit, Nnjësimit të Zotit, vlerën dhe pozitën e tij, muslimani duhet të ketë frikë për veten, familjen dhe të afërmit e tij, që të mos bien në të kundërtën e tij (shirkun). “(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve! O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ibrahim 35–36) Ibrahimi Et Tejmiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kush mund të ndihet i sigurt nga sprovat pas Ibrahimit, mikut të ngushtë të Allahut?!” Këtë transmetim e ka sjellë Ibn Xheriri në tefsirin e tij.

Prindërit u kujdesen që t’ua lënë si porosi këtë besim fëmijëve të tyre. “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas vdekjes sime?” – Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!” (El-Bekare 132–133)

Andaj është detyrë e jona që t’i thërrasim dhe të tjerët, të cilët nuk janë muslimanë, drejt këtij besimi, duke ua bërë të qartë realitetin dhe bukurinë e tij, vlerën dhe përsosmërinë e tij, si dhe ndikimin e mirë që ka në jetën e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër. E gjithë kjo duhet të bëhet me urtësi dhe këshillë të mirë. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (En-Nahl 125)

Gjithashtu, duhet t’i shikojmë ata me syrin e dhembshurisë dhe mëshirës, siç e shikonte i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, popullin e tij. Zoti i Lartësuar, duke përshkruar pikëllimin dhe keqardhjen e tij për ta, ka thënë: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?!” ( El-Kehf 6)

Po ashtu, nuk duhet t’i fyejmë dhe as t’i përqeshim zotat e tyre, sepse si pasojë ata mund ta fyejnë Allahun dhe kjo mund t’i pengojë nga pranimi i thirrjes së së vërtetës. “Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija.” ( El-En’am 108)

LEXO  Tre mirësi themelore - Meka 29.05.2020

Gjithashtu, duhet të mos lejojmë që mirësitë me të cilat Zoti na ka nderuar të na shtyjnë të mburremi me to para Krijuesit, Zotit të Lartësuar: “ Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”( El-Huxhurat 17)

Por se kjo është një dhuratë e pastër, me të cilën Zoti nderon atë që dëshiron prej robërve të Tij, mirësi dhe begati nga ana e Tij. Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Unë besoj fenë e të parëve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Ne, kurrë nuk mund t’i shoqërojmë Allahut ndonjë gjë (në adhurim). Kjo është dhuntia e Allahut ndaj nesh dhe njerëzve të tjerë, ndonëse shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.” ( Jusuf 38) Kjo begati kërkon prej nesh falënderim, lavdërim, përpjekje dhe dhurim në rrugë të Zotit.  “…dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën.”( El-A’raf 43)

Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e krijesave të Zotit, sikurse Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin.   O Zot, të lutemi të jesh kënaqur me katër halifët e drejtë dhe udhëheqësit e udhëzuar, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me pjesën tjetër të dhjetë të përgëzuarve me Xhenet, me pjesëmarrësit në Besëlidhjen nën Pemë, me të gjithë shokët e tjerë të tij, me tabiinët dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.      

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta.  O Zot, jepi sukses atij në udhëzimin Tënd dhe bëj që veprat e tij të fitojnë kënaqsinë Tënde, zgjat jetën e tij me shëndet të mirë, në mirësi dhe begati të shtuar.  O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik,  në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, në nder dhe lavdi të Islamit dhe muslimanëve.

O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o më i Madhi dhe më Bujari.     

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë të dobët në çdo vend. O Zot, të lutemi që të jesh ndihmës dhe  përkrahës, mbështetës dhe mbrojtës i tyre.  O Zot, zëvendëso dobësinë e tyre me forcë, frikën e tyre me siguri, paqe, dhe mjerimin e tyre me lehtësi dhe begati, bashko fjalën e tyre mbi të vërtetën dhe udhëzimin, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, të lutemi të jesh kundër Huthijve kriminelë dhe ata që i mbështesin, o i Forti dhe i Fuqishmi! O Zot, mos lejo që flamuri i tyre të ngrihet në tokë dhe bëj ata shembull dhe mësim për ata që vijnë pas tyre! O Zot, bëj kurthin e tyre shkak të shkatërrimit të tyre, çështjen e tyre në rënie dhe përpjekjen e tyre në humbje! Vërtet, Ti je i Larti dhe Madhështori!

O Zot, kë do që dëshiron të keqen ndaj nesh dhe vendit të dy xhamive të shenjta dhe ndaj vendeve të tjera të muslimanëve, angazhoi me vetveten e tij, bëje kurthin e tij të kthehet kundër tij dhe bëje shkatërrimin e tij të vijë nga vetë planet e tij, o i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar.

O Zot, na ruaj me Islamin kur jemi në këmbë, na ruaj me Islamin kur jemi ulur dhe na ruaj me Islamin kur jemi në gjumë! Mos lejo që armiqtë dhe ziliqarët të gëzohen me fatkeqësinë tonë!

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1744618574331482/1453385000292304

Post Author: endrit