“Jepini secilit atë që i takon”

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    10-06-1448 H     20-11-2026 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema     “Jepini secilit atë që i takon”

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ua ka larguar robërve të Tij vështirësinë dhe barrën e rëndë dhe ka urdhëruar që secilit t’i jepet e drejta që i takon.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, zotëria i njerëzve të mesatares dhe ekuilibrit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij,  njerëzit e vlerave dhe virtyteve të larta, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Allahun. Devotshmëri është që Zoti të të gjejë aty ku të ka urdhëruar të jesh dhe të mos të të gjejë aty ku të ka ndaluar të jesh. “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (El-Bekare 197)

O ju muslimanë! Mesatarja, ekuilibri është ligjshmëri hyjnore, urtësi e Zotit dhe realitet universal. Zoti e ka ngritur këtë gjithësi mbi një sistem të përsosur e madhështor dhe mbi një ekuilibër të saktë e të hollësishëm, në të cilin shfaqet madhështia e Krijuesit, urtësia e Tij, përsosmëria e drejtimit dhe fuqia e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El-Furkan 2)

Sheriati, legjislacioni Islam, ka ardhur me metodologji të plotë hyjnore dhe me legjislacion të përsosur e gjithëpërfshirës, që mbështeten në të mesmen, ekuilibër, drejtësi dhe peshore të drejtë. Zoti i Madh dhe i Lartësuar ka thënë: “Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt.” (El-Hadid 25) Zoti i Plotëfuqishm ka thënë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë…” (El-Bekare 143) Mesatare këtu nënkupton të drejtën dhe të paanshmen, siç ka ardhur në Sahihun e Buhariut. Pra, kjo është një fe që e rregullon jetën e njeriut dhe e ndërton atë mbi mesataren dhe ekuilibrin, të drejtën. Ajo bashkon mes kërkesave të shpirtit me nevojat e trupit, në mes të drejtave të vetes me të drejtat e krijesave, dhe mes përgatitjeve për Ahiretin me ndërtimin e kësaj bote. E gjithë kjo bëhet pa teprim dhe pa neglizhencë, por me mesatare pa devijim dhe me drejtësi pa padrejtësi.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” (El-Kasas 77)

Prandaj, mesatarja në jetën e njeriut është kërkesë madhështore, synim fisnik, metodë e drejtë dhe rrugë e sigurt. Jeta e njeriut nuk mund të jetë e rregullt, lumturia e tij nuk mund të jetë e plotë dhe ai nuk mund t’i arrijë synimet e veta, në këtë botë dhe në botën Tjetër, përveçse kur secilit i jep të drejtën që i takon dhe çdo aspekti të jetës i kushton pjesën dhe vëmendjen e merituar. Asnjë e drejtë nuk duhet të mbizotërojë padrejtësisht mbi një të drejtë tjetër dhe asnjë çështje nuk duhet të vendoset përpara një çështjeje më të rëndësishme. Kështu njeriu jeton në lumturi, qetësi dhe mirëqenie.

Ndërsa kur prishet ekuilibri i tij dhe çrregullohet sistemi i jetës, atëherë jeta shndërrohet në vuajtje, jetesa në vështirësi, të drejtat dhe detyrimet grumbullohen mbi të dhe ai shpërndahet mes detyrave dhe përgjegjësive të shumta.

Prandaj, mesatarja nuk është thjesht organizim i kohës, as shpërndarje e përpjekjeve dhe as trajtim i barabartë i të gjitha të drejtave, pavarësisht dallimeve mes tyre, përkundrazi, ajo është kuptim i drejtë i përparësive, urtësi në respektimin e të drejtave dhe detyrimeve, si dhe largpamësi në vlerësimin e dobive dhe dëmeve.

Drejtësia kërkon që të njohësh vlerën e çdo të drejte, pozitën e çdo detyrimi dhe rëndësinë e çdo çështjeje. Çështjet duhet të vlerëoshen me peshoren e Sheriatit, legjislacionit fetar, e jo me peshoren e zakoneve dhe dëshirave personale.

Kështu, detyrimet, obligimet fetare vendosen para adhurimeve vullnetare, nevojat jetike para nevojave dytësore, më e rëndësishmja para asaj që është më pak e rëndësishme, duke marrë parasysh pasojat dhe përfundimet e veprimeve.

LEXO  Allahu sjell lehtësimin - Meka 20.03.2020

O besimtarë! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte njeriu më i përsosur në mesatare dhe më i drejti në vendosjen e ekuilibrit. Ai ishte më i përkushtuari në adhurimin e Zotit të tij, më i miri ndaj familjes së tij dhe më i dobishmi për krijesat. Ky ishte prej parimeve themelore të udhëzimit dhe edukimit të tij. Ai e nguliti këtë parim në zemrat e shokëve të tij dhe i udhëzoi që ta zbatonin. Selman El Farisi i tha Ebu Derdasë, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy: “Vërtet, Zoti yt ka të drejtë mbi ty, vetja jote ka të drejtë mbi ty dhe familja jote ka të drejtë mbi ty. Prandaj, jepi secilit atë që i takon.” Kur kjo iu përmend të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ai tha: “Selmani ka thënë të vërtetën.” Transmeton Buhariu.

Ky hadith është një argument themelor për ndalimin e teprimit në adhurimet vullnetare, kur ato bëhen në dëm të të drejtave të vetes, familjes, trupit dhe të drejtave e detyrimeve të tjera. Sheriati, legjislacioni fetar, në përcaktimin e obligimeve, ndjek rrugën e mesme dhe më të drejtë, duke marrë parasysh mundësitë e njeriut dhe duke i dhënë secilit të drejtën që i takon. Kjo bëhet pa teprim që çon në ndërprerje dhe lodhje, por dhe pa neglizhencë që përfundon në humbje. Dalja nga kufijtë e mesatares është dalje nga rruga e drejtë dhe synimi i Sheriatit, legjislacionit të fesë.

Ky hadith është një bazë madhështore për të kuptuar parimin e mesatares. Kush vepron sipas tij, ecën në rrugën e drejtë pa devijim dhe ndjek udhën e së vërtetës pa lajthitje.

Sa më shumë të shtohet kuptimi i drejtë i fesë tek njeriu, aq më shumë shtohet mesatarja, drejtësia, e tij. Dhe sa më e madhe të jetë njohuria e tij, aq më i fortë bëhet themeli i karakterit të tij.

Prandaj, mesatarja nuk është një ide moderne, as luks intelektual dhe as teori filozofike. Ajo është udhëzim profetik, kërkesë fetare, domosdoshmëri e arsyes dhe thelbi i një jete të shëndoshë.

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “”Prandaj, veproni drejt, afrohuni sa më shumë përsosmërisë dhe përgëzohuni!”  Hadithin e transmeton Buhariu.

Adhurues të Zotit! Një prej kuptimeve të rëndësishme të jetës është që njeriu ta kuptojë se suksesi nuk arrihet vetëm duke shkëlqyer në një aspekt të jetës, por duke ditur t’i bashkojë dhe t’i harmonizojë të gjitha aspektet e saj.

Kështu e shikon njeriun që ruan adhurimet e tij, kujdeset për shëndetin, përkujdeset për familjen, është i suksesshëm në punën e tij, sillet mirë në marrëdhëniet me të tjerët dhe është i matur në çështjet e fesë dhe të dynjasë. Ky është njeriu i mençur, i cili e ka kuptuar urdhrin e Zotit, ka ndjekur gjurmët e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe është kapur fort pas udhëzimit të tij.

Nisur nga kjo, njeriu ka nevojë për vetëdije të vazhdueshme dhe llogaritje të pandërprerë të vetvetes, në mënyrë që një çështje të mos e zhysë aq shumë sa të neglizhojë çështjet e tjera dhe një e drejtë të mos e pengojë nga përmbushja e të drejtave të tjera.

E drejta më e madhe që duhet të merret parasysh është e drejta e Zotit të Lartësuar, duke e adhuruar Atë me sinqeritet, duke zbatuar urdhrat e Tij, duke u larguar nga ndalesat e Tij dhe duke ndjekur udhëzimin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Njeriu duhet të bashkojë përmirësimin e jetës së kësaj bote me shpëtimin në Ahiret. Dynjaja, kjo botë, nuk duhet ta largojë nga Ahireti dhe kërkimi i Ahiretit, i Botës Tjetër, nuk duhet ta pengojë nga përmirësimi i jetës së kësaj bote. Sikurse Zoti i Lartësuar ka një të drejtë që duhet përmbushur, ashtu dhe vetja ka të drejta që duhen ruajtur dhe familja ka të drejta që duhen respektuar. Kujdesi ndaj vetes përfshin përkujdesjen për shpirtin dhe trupin, nuk përmirësohet njëri prej tyre duke lënë pas dore tjetrin. Përmbushja e të drejtave të familjes bëhet përmes kujdesit të mirë, bashkëjetesës së ndershme, edukimit dhe sigurimit të shpenzimeve të nevojshme.

LEXO  Muaji Rexhep dhe reflektime mbi gjendjen e muslimanëve

O vëllezër të besimit! Të drejtat në Islam janë të mbrojtura. Besimtari i vërtetë është ai që e njeh të drejtën, i përmbahet asaj dhe e ruan atë. Prandaj, jepini secilit të drejtën që i takon dhe përmbushini detyrimet tuaja me ndershmëri dhe përpikmëri. Caktoni kohë për adhurimin tuaj, kushtoni vëmendje vetes dhe jepini familjes pjesën që i takon.

Por përpiquni me atë që ju ka dhënë Allahu të fitoni jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tuaj në këtë botë. Menaxhoni mirë veten dhe kohën tuaj, shqyrtoni mangësitë që gjenden në jetën tuaj, korrigjoni ato gradualisht dhe me vendosmëri, dhe përmirësoni me sinqeritet dhe seriozitet. Kështu jeta juaj do të jetë e rregullt, dynjaja juaj e qetë dhe do të fitoni kënaqësinë e Zotit tuaj.

Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi me argumentet dhe urtësitë që ai përmban.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahu.  Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Allahut, pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.

Në vijim

O ju muslimanë! Mesatarja është vlerë që fitohet, cilësi që kultivohet dhe metodë që ndërtohet mbi dije, largpamësi, përpjekje dhe durim. Ajo është shenjë e pjekurisë dhe urtësisë, dëshmi e përvojës dhe zgjuarsisë.

Njeriu në këtë jetë i ngjan një anijeje që lundron në një det me dallgë të ndryshueshme, e cila nuk qëndron e palëvizshme nga frika e valëve, por vazhdon rrugën e saj me qëndrueshmëri, kujdes, vendosmëri dhe guxim.

Mesatarja nuk është plogështi dhe as ngurtësi, por është lëvizje e mençur dhe ecje e vetëdijshme. Ajo nuk është nxitim që të çon në pakujdesi dhe as hezitim që të shkakton paaftësi dhe pengesa.

Adhurues të Zotit! Një prej shenjave të mesatares, drejtësisë, është bashkimi i qëndrueshmërisë në parimet themelore me vetëdijen për zhvillimet e kohës.

Prandaj nuk ka ngurtësi që e pengon njeriun ta kuptojë realitetin në të cilin jeton dhe as hapje e pakufizuar që e nxjerr atë jashtë parimeve të fesë së tij. Kjo maturi nuk mund të arrihet përveçse duke iu kthyer dijetarëve të thelluar në dije dhe duke marrë udhëzim nga njerëzit e besueshëm të dijes.

Kjo bëhet për të mbrojtur mendjet nga devijimet e njerëzve të pasioneve dhe grupeve të humbura, për t’i ruajtur mendimet nga ndikimet e rrymave shkatërruese dhe për t’u kapur pas dijes që e mbron njeriun nga humbja dhe devijimi, si dhe pas largpamësisë që e udhëzon drejt së vërtetës dhe mesatares, drejtësisë.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se mesatarja përfshin të gjitha fushat e jetës. Ajo shfaqet në raportin e njeriut ndërmjet punës serioze dhe pushimit, pa nxitim që çon në rraskapitje dhe ndërprerje, por dhe pa plogështi që përfundon në humbje.

Një prej formave të mesatares është bashkimi i arsyes me ndjenjat, të mos ketë arsye të zhveshur nga emocionet dhe mëshira, por as ndjenja të pakontrolluara nga urtësia dhe gjykimi i drejtë.

Gjithashtu, mesatarja kërkon bashkimin e idealizmit me realizmin, pa idealizëm që shpërfill kufijtë e mundësive, por edhe pa realizëm që e çon njeriun në paaftësi dhe dorëzim. Prej kërkesave të saj është bashkimi i ambicies me kënaqësinë me atë që ke: pa ambicie që të çon në lakmi dhe pangopësi, por as kënaqësi që të çon në rehati të tepruar dhe braktisje të punës.

Një tjetër formë e mesatares, drejtësisë, është ekuilibri në shpenzime, pa shpërdorim që çon në harxhim të kotë dhe as koprraci që arrin deri në shtrëngim të tepruar. Zoti i Gjithëdijshëm dhe i Mirinformuar ka thënë:“ Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëlëshuar, as dorështrënguar, por i përmbahen së mesmes.” (El-Furkan, 67)

Prej mesatares së mirë është që njeriu ta marrë të kaluarën si mësim, të tashmen si fushë veprimi dhe të ardhmen si shpresë.

Kuptimi i mesatares nuk kufizohet vetëm në përmirësimin e njeriut në vetvete, por shtrihet në marrëdhëniet dhe bashkëveprimet e tij me të tjerët. Ajo kërkon që në edukim dhe trajtim të bashkohen vendosmëria me mëshirën, vendosmëri që zbutet nga mëshira dhe mëshirë që drejtohet nga vendosmëria. Po kështu, duhet të bashkohen besimi me llogaridhënien. Pa besim që të shpije në neglizhencë dhe shpërfillje, por as llogaridhënie që shkakton dyshim dhe kufizim të tepruar.

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe premtimi i Zotit për besimtarët për fitore dhe mbështetje

Nga kërkesat e mesatares në mendime dhe qëndrime janë respektimi i drejtësisë dhe paanshmërisë, largimi nga padrejtësia dhe cenimi i të drejtave, vendosja e gjërave në vendin e duhur dhe gjykimi i qëndrimeve sipas realitetit të tyre, e jo sipas pretendimeve dhe sloganeve. Vendi ynë i bekuar, mbretëria e Arabisë Saudite, ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj çështjeve të Islamit dhe muslimanëve, duke u kujdesur për të drejtat dhe vendet e tyre të shenjta ndër vite. Ndër këto është dhe çështja e xhamisë së bekuar të Aksasë, e cila ka qenë vazhdimisht e pranishme në qëndrimet dhe përpjekjet e mbretërisë, në mbështetje të së drejtës, në mbrojtje të vendeve të shenjta, në përpjekje për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe agresionit dhe për të vendosur themelet e drejtësisë dhe sigurisë.

Një prej kërkesave të mesatares, drejtësisë, është verifikimi i lajmeve dhe shqyrtimi i tyre me kujdes, si dhe dallimi ndërmjet fakteve dhe thashethemeve. Nuk duhet t’i besojmë çdo gjëje që transmetohet dhe publikohet, e as të ndjekim verbërisht çdo gjë që përhapet dhe thuhet. Përkundrazi, duhet të kërkojmë saktësinë dhe vërtetësinë, si dhe t’u kthehemi burimeve zyrtare dhe të besueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet e vendit, sigurinë e tij, stabilitetin dhe mbrojtjen e qytetarëve të tij.

O adhurues të Zotit! Kështu kuptohet se mesatarja është themeli i përmirësimit të individëve dhe shoqërive, si dhe një shtyllë e stabilitetit të shteteve dhe qytetërimeve.

Kjo mesatare shfaqet përmes kujdesit për unitetin e radhëve, bashkimit të fjalës, dëgjimit dhe bindjes ndaj autoritetit legjitim, qëndrimit me xhematin dhe vendosjes së interesave të përgjithshme para interesave personale.

Prandaj, pa mosmarrëveshje që shkaktojnë përçarje dhe pa fanatizëm që nxit trazira, por me bashkim që forcon unitetin dhe me bashkëpunim që realizon interesin e përbashkët.

Kur të drejtat përmbushen me amanet dhe detyrimet respektohen me drejtësi, atëherë përhapen mëshira dhe besnikëria, forcohen lidhjet e dashurisë dhe vëllazërisë, si dhe krijohen kushtet për përparim dhe zhvillim.

Me këtë kuptim të drejtë dhe me këtë peshore të saktë, njeriu ecën në tokë, duke kërkuar të mirën e fesë së tij, të vetes, të familjes dhe të vendit të tij. Atë e shtyjnë vendosmëria dhe shpresa drejt veprave të mira dhe kryerjes së punës me përpikëri, mbi bazën e udhëzimit, drejtësisë, urtësisë dhe maturisë, mesatares.

Adhurues të Zotit!

“ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56) O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin Tënd të besuar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.

 O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e udhëzuar drejt, me të gjithë  shokët e tij, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në vepra të mira  deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, bëje këtë vend të sigurt, të qetë dhe të begatë, dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princit të tij besnik të kurorës, në çdo gjë që Ti do dhe me të cilat je i kënaqur, jepu sukses atyre dhe ndihmësve të tyre në çdo gjë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe popullin, fitore dhe fuqizim për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ruaj, ndihmo dhe përkrah njerëzit e sigurisë tonë, mbrojtësit dhe ushtarët tanë që qëndrojnë në kufijtë tanë.

O Zot, përkrahi ata me përkrahjen Tënde dhe ndihmoji ata  me ndihmën Tënde. O Zot, drejto goditjet dhe vendimet e tyre! O Zot, forco këmbët e tyre, ruaj ata nga para e nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde, që të mos sulmohen nga poshtë tyre.

O Zot, kush dëshiron të keqen ndaj vendit tonë dhe vendeve muslimane, bëje që të merret me vetveten, kthe kurthin e tij kundër tij dhe bëj që planet e tij të jenë shkatërrim për të.

O Zot, shkatërro grupin terrorist të Huthinjëve, armiqtë e fesë dhe të besimit! O Zot, të lutemi të jesh kundër tyre dhe ata që i ndihmojnë. O Zot, copëto radhët e tyre, shpërndaj bashkimin e tyre dhe krijo përçarje ndërmjet zemrave të tyre.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde kundër tyre dhe strehohemi tek Ti nga e keqja e tyre. O Zot, bëj që e keqja të bjerë mbi ta, o i Fuqishëm, o Ngadhënjimtar!

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, ndihmo muslimanët e shtypur dhe të dobët kudo që ndodhen, veçanërisht në Palestinë.

O Zot, jepu atyre lehtësim nga çdo shqetësim, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo fatkeqësi. Të lutemi që t’u japësh atyre çlirim sa më të shpejtë dhe fitore sa më të afërt.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1752939466832726/2240541006807100

Post Author: endrit