Kush lë diçka për Allahun, Ai ia këmben me më të mirë – Meka 11.12.2020

Hutbe e Qabes                     26-04-1442 H   11-12-2020

Shejh Fajsal El Gazauij   Tema: Kush lë diçka për Allahun,  Ai  ia këmben me më të mirë

Falenderimi i takon Allahut, Atë falenderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetvetes e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Allahut, Ai është i vetëm e i pashoq.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është robi i Allahut dhe i dërguari i Tij. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran; 102.)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa;1).

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab; 70-71.)

Allahu ka krijuar të gjithë krijimin e Tij në formën më të bukur e më të përsosur. Ai e njeh mirë atë dhe e di mirë se çfarë i bën dobi e çfarë e rregullon atë. Për këtë Ai na bën thirrje ti pastrojmë shpirtrat tanë e thotë:

“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Shems; 7-10).

Robi nuk mund të ketë shpëtim vetëm se duke pastruar shpirtin e tij e duke u kujdeser për përmirësimin e tij e për rregullimin e natyrës së tij, për drejtimin e devijimeve të tij, ushtrimin e tij për të qenë i bindur, pastrimin prej moraleve të ulta dhe poshtërsive të shëmtuara.

Personi nëse dëshiron ta forcojë zemrën e tij në devotshmëri duhet që të bëjë durim e të luftojë sepse lezetet dhe dëshirat kanë pushtet mbi shpirtrat. Ato arrijnë ti zotërojnë e të zënë vend tek zemrat gjë e cila e bën të fortë lënien e tyre, heqen dorë prej tyre të rëndë dhe shpëtimin prej tyre të vështirë.

Megjithatë kush i frikësohet Allahut, Ai e mbron dhe e udhëzon. Kush strehohet dhe kërkon ndihmë tek Ai, Ai e mbron dhe e strehon. Kush mbështetet tek Allahu për përmirësimin e shpirtit të tij Ai do ti mjaftojë.

“Kush i mbështetet Allahut, Ai do ti mjaftojë.”(Talak; 3).

Rob të Allahut! Lodhje dhe mundim në lënien e gjërave që është mësuar me to dhe zakonet e këqija gjen ai i cili i lë ato për dikënd tjetër veç Allahut. Ndërsa ai i cili i lë ato me vërtetësi e me sinqeritet në zemrën e tij për Allahun për të fituar pëlqimin e Allahut ai nuk do të hasë vështirësi në to veçse në herën e parë e në fillim të saj me qëllim që sprovohet se a është i sinqertë në lënien e tyre apo gënjeshtar. Nëse do të bëjë pak durim në atë lodhje ajo do ti bëhet kënaqësi e personi do të shijojë kënaqësinë e bindjes.

Sa më shumë shtohet dëshira për diçka të ndaluar e anon shpirti në kryerjen e saj dhe shtohen nxitësit për ta bërë një gjë të tillë atëherë shpërblimi në lënien e tij është më i madh, shumëfishohen shpërblimet për përkjekjet në heqen dorë prej tyre.

Sa i madh është shpërblimi për atë që pendohet dhe kthehet, që i lë gjynahet për Allahun e që pastrohet prej veprave të shëmtuara.

Allahu thotë:

“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan; 70).

I Dërguari i Allahut a.s ka thënë se Allahu thotë: Kur robi im dëshiron të bëjë një të keqe mos ia shkruani atë atij derisa ta veprojë. E nëse e vepron atë atëherë shruajeni siç është ajo. E nëse ai e lë atë për Mua atëherë shënojeni atë si vepër të mirë për të. Mutefekun alejhi (Buhari, Muslim).

Vëllezër tekstet e sheriatit janë mëse të qarta se ai i cili lë diçka për Allahun duke i dhënë përparësi ndaj asaj për të cilën ish thirrur e ish nxitur Allahu do tia këmbejë me diçka më të mirë.

Profeti Muhamed ka thënë: çdo gjë që ti e lë për tu ruajtur nga Allahu i madhërishëm dije se Allahu do të japë më të mirë se ajo. Transmeton Ahmedi

Në një version tjetër: Nëse diçka e lë për hirë të Allahut patjetër që Allahu do ta këmbejë me diçka që është më e mirë se ajo.

O Rob të Allahut! Detyra e besimtarit është të jetë vazhdimisht i devotshëm, ti japë përparësi botës tjetër të amshueshme ndaj kësaj bote shteruese. Besimtari çdo gjë që len e lë për të fituar pëlqimin e Allahut duke shpresuar që Allahu t`ia zëvendësojë me më të mirë se ato që lë.

Këtë e përforcon fjala e Profetit a.s “Kush ka dëshirë që Allahu ti mundësojë të pijë verë në botën tjetër le ta lë atë në këtë botë. Kush ka dëshirë që Allahu ti mundësojë të veshë mëndafsh në botën tjetër le ta lë atë në këtë botë.” Transmeton Taberani.

Po kështu fjala e tij a.s : “Unë garantoj një shtëpi buzë xhenetit për atë që lë polemikën kur është meritor, një shtëpi në mes të xhenetit për atë që lë gënjeshtrën edhe nëse është duke bërë shaka.” Transmeton Ebu Daudi.

Po kështu fjala e tij a.s : “Kush përmban mllefin kur mundet ta nxjerrë Allahu do ta thërresë para gjithë krijesave ditën e gjykimit e do ta ftojë të zgjedhë çka të dojë prej hyrive të xhenetit.” Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Po kështu fjala e tij a.s : “Kush e lë një veshje kur ka mundësi në shenjë modestie ndaj Allahut, atë do ta thërresë para gjithë krijesave ditën e gjykimit e do ta ftojë të zgjedhe çka të dojë prej veshjeve të imanit.” Transmeton Tirmidhiu.

Allahu e ka bërë ligj dhe rregull të sheriatit se kush lë diçka për hirë të Allahut atëherë Allahu ia këmben me diçka më të mirë e nuk do ta ndjejë humbjen e asaj që la.

Kush e lë shirkun ndaj Allahut dhe distancohet prej çdo adhurimi që i dedikohet dikujt tjetri veç Allahut pastaj adhuron Allahun Një të vetëm dhe kthehet tek Ai me adhurime duke ia dedikuar fenë vetëm Atij, kështu i qetësohet zemra i zgjerohet kraharori, ruan mendjen, përqëndron idetë, pastron shpirtin, përmirëson të ardhmen e do të gëzohet në këtë botë e në botën tjetër.

Prej cilësive të robërve të Mëshiruesit është mbrojtja prej shirkut, vrasjes dhe kurvërisë. Ata distancohen prej këtyre gjynaheve të mëdha e kryesore.

Allahu thotë: “dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri.” (Furkan; 68).

Allahu cilësitë e robërve të Rrahmanit e ka mbyllur me fjalën e Tij:

“Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe. Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!” (Furkan 75,76).

Kush nuk i del kundër përcaktimit të Allahut dhe E frenon veten nga shfaqja e pakënaqësisë gjatë fatkeqësive duke iu dorëzuar Zotit të tij në çdo situatë, këtij Allahu i jep kënaqësi, bindje të plotë dhe të ardhme të bukur.

Kush lë të shkuarit tek fallxhorët, magjistarët dhe sharlatanët Allahu i jep durim, mbështetje të vërtetë dhe realizim të teuhidit.

Kush lë frikën ndaj të tjerëve dhe i frikësohet gjithmonë vetëm Allahut shpëton prej iluzioneve, Allahu i jep siguri ndaj çdo gjëje, udhëheqës i tij bëhet e vërteta dhe synimi i tij është arritja e kënaqësisë së Allahut.

Kush e lë ndjekjen e shenjave ogurzeza, vesveset dhe besimet e kota, zemra do ti qetësohet, i forcohet bindja dhe mbështetja tek Zoti i tij.

Kush lë vërsuljen mbi mbeturinat e kësaj jete shteruese dhe angazhimin me kënaqësitë e saj të shpejta, Allahu ia stabilizon situatën, i vendos pasuri në zemër e kjo jetë i vjen nga pas e nështruar.

Kush lë atë që nuk është qartësisht e lejuar e që nuk është i sigurtë në lejimin e veprimit të saj qoftë në ushqime, veshje, tregëti apo të tjera ky është ruajtur prej gjërave të dyshimta prej frikës se mos shkelë në diçka të ndaluar. Ai ka lënë atë që është e dyshimtë për të qëndruar tek ajo që nuk është e dyshimtë duke lënë të pastër fenë dhe moralin e tij.

Kush lë famën dhe dëshirën për tu dukur Allahu e lartëson pozitën e tij dhe ngre lart përmendjen e tij, përhap vlerat e tij dhe i bën njerëzit ta duan atë.

Kush lë të kërkuarit te njerëzit, shpresën tek ata dhe njollosjen e fytyrës para tyre duke e lidhur shpresën e tij vetëm me Allahun atëherë Allahu atij ia këmben me më të mirë se çka lënë i mundëson lirinë e zemrës, gjerësinë e shpirtit dhe panevojshmërinë ndaj njerëzve.

Kush lë sjelljen e keqe ndaj prindërve dhe sillet me bamirësi ndaj tyre, nuk lë asgjë mangët në atë që ka detyrim ndaj tyre dhe sillet mirë me ta, Allahu do të kënaqet me të, do tia lehtësojë punët dhe bamirësia ndaj prindërve do ti bëhet shkak në fshirjen e gjynaheve dhe hyrjen e tij në xhenet.

Kush nuk i shkëput lidhjet e farefisit, bën durim ndaj mosafrimitetit dhe mundimeve që ata shkaktojnë, afrohet me ta dhe tregon dashuri ndaj tyre dhe i frikësohet Allahut për të qenë sa më i përpiktë ndaj tyre atëherë Allahu ia zgjeron

furnizim, ia shton jetën dhe Allahu do të jetë ndihmësi i tij për aq kohë sa ai ruan këto lidhje.

Kush lë shoqërinë e keqe Allahu ia këmben me shokë të mirë e të zgjedhur tek të cilët gjen dobi dhe përfitime. Me shoqërimin me ta fiton të mirat e kësaj jete e të mirat e jetës tjetër.

Kush lë mashtrimet në shitblerje i jepet begati në tregëtinë e tij. Besimi i njerëzve tek ai shtohet. Ata që blejnë mallrat e tij shtohen. Tregtari besnik, i sinqertë e musliman do të jetë me profetët, të sinqertët dhe dëshmorët ditën e gjykimit.

Kush lë kamatën, transaksionet e saj të ndryshme dhe fitimet e pista Allahu i jep begati në atë që ka, ndjehet me bollëk dhe Allahu e bën të pasur me mirësitë e tij të shumta. Ai kështu gjen shpëtimin, lumturinë dhe qetësinë.

Kush lë grabitjen dhe vjedhjet e pasurive nga frika ndaj Allahut, Allahu i çel atij të ndihet i pasur me hallallin dhe e furnizon prej andej nga se pret si shpërblim për të meqenë se nuk merr atë që nuk e ka të lejuar.

Kush lë koprracinë dhe i jep përparësi bujarisë dhe i ndihmon njerëzit me pasurinë e tij. Ata do ta duan dhe ai do të afrohet me Allahun dhe me xhenetin. Ai kështu shpëton prej koprracisë së vetvetes, prej stresit, brengës dhe ngushtisë së kraharorit.

Pastaj koprracia në dije është lloji më i keq e më ishëmtuar i koprracisë. Kush e lë koprracinë në dije dhe nuk e fsheh atë por e shpërndan e i bën dobi njerëzve duke mësuar të paditurin, duhe udhëzuar pyetësin dhe duke këshilluar të përhumburin. Ai do të shpërblehet me shpërblimin e të gjithë atyre që patën dobi me të. Bujaria në dije është një prej gradave më të larta të bujarisë.

Kush e lë zvarritjen e shlyerjes së borxhit duke vendosur të mos e vonojë shlyerjen nga koha e përcaktuar. Allahu do ti japë sukses, do ta ndihmojë dhe do ta shlyejë borxhin e tij për shkak të qëllimit të tij të pastër dhe vërtetësinë e dëshirës për shlyerjen e borxhit.

Kush e lë atë që meriton ndaj borxhliut që është i pafuqishëm në shlyerjen e borxhit duke ia falë të gjithë borxhin apo një pjesë të tij apo që i jep afat deri kur ta ketë më të lehtë shlyerjen, Allahu e toleron këtë njeri, ia lehtëson dhe falja e borxhit i konsiderohet sadekah për të cilën shpërblehet, shkak për faljen e gjynaheve, dhe shkak për shpëtimin e tij prej zjarrit. Allahu atë e strehon në hijen e Tij ditën e gjykimit.

Kush heq dorë nga shtrejtimi i prikës ka vepruar në përputhje me ligjin e Allahut duke pakësuar atë ka lehtësuar çështjen e martesës dhe i ka paraprirë dëmeve që sjell shtimi i vlerës së prikës. Një martesë e tillë do të jetë e begatë.

Kush e lë dëmshpërblimin në rastin e shkurorëzimit të gruas së tij duke mos i kërkuar asaj ato që i ka dhënë dhe këtë e bën për hir të Allahut do të shpërblehet e Allahu do t`ia kompensojë me fitim që rikthen pasurinë që ka humbur në kët rast.

Kush e lë mendjemadhësinë dhe i përmbahet modestisë do të fitojë vlera dhe vyrtyte. Nderi i tij plotësohet, grada e tij lartësohet dhe vlerat e tij rriten. Kushdo që tregohet modest për Allahun do të ngrihet lart prej Allahut.

Kush e lë smirën dhe lufton veten që ta përmbajë atë do të shpëtojë prej gjynahut të smirës dhe dëmit të saj. Smira është sëmundje e rëndë dhe moral i ulët. Ajo nis nga pak e pastaj e shkatërron të zotin e saj.

Kush e lë mendimin e keq për njerëzit, cënimin e ndereve të tyre dhe ekspozimin e mangësive të tyre do të shpëtojë zemrën e tij prej lëndimeve dhe mendjen e tij prej gjërave të padobishme. Atij do ti jepet largpamësi mbi vetveten dhe angazhim me përmirësimin e gjendjes së tij.

Kush lë angazhimin me mendjelehtët dhe i largohet injorantëve mbron nderin e tij, rehaton vetveten dhe jeton i qetë. Allahu është ndihmësi i tij dhe Ai mjafton për të.

Kush lë hakmarrjen për veten e tij ndaj atyre që i kanë bërë padrejtësi e që janë sjellë keq me të duke ia falë e duke lënë mënjanë hakun e tij me qëllim që të fitojë kënaqësinë e Zotit të tij do të nderohet e do të zë vend madhështor në zemrat e njerëzve. Allahu do ja shtojë krenarinë dhe kjo i bëhet shkak të fitojë faljen dhe mëshirën e Allahut.

Kush lë mënjanë të pushuarit dhe përtacinë dhe hidhet drejt përpjekjeve dhe punës i mbështetur tek Allahu Atij i rritet ambicja, i dhurohet begati dhe fiton mirësi të shumta në një kohë të pakët.

Kush i lë fjalët boshe e të kota dhe angazhimin me gjërat pa interes shpëton, arrin fitore dhe sukses ditën e gjykimit.

Kush heq dorë nga vazhdimësia në bojkot ndaj atyre njerëzve që më parë i kish bojkotuar duke nxituar ti japë selam e të rikthejë lidhjet me ta fiton më të mirën dhe shpëton prej dënimit ndaj bojkotit.

Kush lë gjynahet qofshin të shumtë apo të pakët, të fshehta apo publike duke u distancuar prej të gjitha llojeve të gjynaheve do të shpëtojë prej ndërshkimit dhe do të njohë madhështinë e Allahut e do ta ndjejë atë. Kështu do të veprojë në bindje e do të ngrihet në gradat e mirësisë.

Kush lë kryerjen e gjynaheve haptazi, nuk i përhap ato, strehohet nën mbulesën e Allahut dhe nuk vazhdon në to, Allahu e fal, e mbulon dhe nuk e demaskon. Nderi i tij ruhet dhe kështu është më pranë pendimit dhe largimit prej gjynaheve.

Kush lë pisllëqet si pijet alkolike, drogërat, duhanin, argjilen e të tjera shpëton prej gjynahut dhe dënimit të Allahut. Mbron fenë dhe shpëton prej dëmeve të mëdha. Kështu do të jetë më i shëndetshëm, më imun e do të mbrojë trupin e tij prej helmeve e sëmundjeve dhe mendjen e tij prej dehjes e çakërdimit dhe do të mbrojë pasurinë prej humbjes dhe shkatërrimit.

Kush lë sevdatë e paligjshme dhe lidhjet e pahijshme, ul shikimin e tij ndaj pamjeve të ndaluara që paraqiten në mjetet vizive të komunikimit duke bërë durim e duke u drejtuar për tek Allahu me tërë qënien e tij do ti jepet qetësia, temperament i lartë dhe ndershmëri. Kështu shpëton prej mërzisë, prej poshtërimit e prej skllavërimit të zemrës me sevdanë e paligjshme dhe lidhjen e pahijshem. Nga ana tjetër zemra i mbushet me dashuri për Allahun. Gjen ëmbëlsinë e besimit dhe shijen e ibadetit. Allahu ia këmben këtë me mprehtësi, dritë dhe largpamësi. Kështu Allahu ia ruan gjymtyrët dhe ai ato i shfrytëzon vetëm në bindje ndaj Allahut.

Kush lë të dëgjuarit e gjërave që ka ndaluar Allahu një që e tillë do ti kompensohet me leximin e kuranit, me ëmbëlsinë e dëgjimit të tij, do ti kënaqet veshi, do ti qetësohet zemra e do ti rehatohet kraharori me të.

Kush lë kuvendet e përgojimit e të thashethemeve, të fjalëve boshe e të kota do ti jepet mundësia të qëndrojë në kuvendet e dhikrit, të këshillimit, të mësimeve të dobishme e të dobive të shumta.

Allahu na bekoftë me Librin e me traditën profetike, na dhënëtë dobi me ajetet dhe urtësitë që gjenden në to. Me këto që thashë e dëgjuat i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ju!

Hutbeja e dytë

LEXO  Neglizhenca -Meka 03.06.2020

Falenderimi i takon Allahut Zotit të Botëve. Ai fuqizon robërit e Tij besimtarë. Ai i ndihmon miqtë e tij të devotshëm. Ai i do punëmirët dhe kujdeset për të mirët.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq, Mbreti, i Vërtetë e i Qartë.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është rob dhe i dërguar i Allahut. Ai është dërguar si mëshirë për tërë botët. Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të mbi familjen e tij mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tyre dhe ecin në rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

“Kush lë diçka për Allahun, Allahu ia këmben me diçka më të mirë” për këtë rregull të lartë ka argumende dhe dëshmi të shumta në Kuranin fisnik. Disa prej tyre Allahu i ka përmendur në lidhje me profetët e Tij.

Ibrahimi a.s kur u largua prej popullit të tij, babait të tij dhe asaj çka ata adhuronin veç Allahut Allahu i dhuroi atij Is`hakun, Ja`kubin dhe pasardhës të mirë.

Sulejmani a.s kur kuajt e penguan nga përmendja e Zotit të tij e ai i asgjësoi ato atëherë Allahu ia kompensoi duke i vënë në shërbim erën të lëvizte mbi të ku të dëshironte.

Jusufi a.s u distancua prej kundërshtimit të Allahut dhe rënies në imoralitet edhe pse i kishte të gjitha mundësitë të lira. Ai e la një gjë të tillë prej frikës ndaj Allahut duke i dhënë përparësi shpërblimit të Allahut. Ai nuk u hakmorr për veten e tij ndaj asaj që i bënë vëllezërit. Kështu fitoi lumturinë, krenarinë dhe nderimin në të dy botët.

Banorët e shpellës kur u larguan prej popullit të tyre dhe braktisën çdo gjë që adhurohej veç Allahut atëherë Ai i dhuroi mëshirë, i lehtësoi atyre shkaqet e suksesit e të rehatisë dhe i bëri udhëzues për ata që erdhën më pas.

Emigruesit e parë të cilët braktisën gjërat e dashura me të cilat ishin mësuar si banesat e tyre, familjet, të dashurit dhe pasuritë. Ata i lanë ato për hirë të Allahut. Ata sakrifikuan çdo gjë të shtrenjtë e të vyer në ndihmë të fesë. Allahu i dhuroi krenari dhe pushtet nga lindja e deri në perëndim.

O muslimanë Allahu jep shpërblim si këmbim por shpërblimi që vjen pas është akoma më i madh. Ndoshta shpërblimi i jepet robit shpejt që në këtë jetë dhe nuk është kusht që të jetë diçka e prekshme si pasuri apo ngjashëm me të por shpërblimi më i madh është afrimiteti me Allahun dhe dashuria për të, qetësia e zemrës me përmendjen e Allahut, forcimi dhe aktivizimi i tij dhe arritja e pëlqimit të Zotit të tij. Kjo i tejkalon tërë kënaqësitë e jetës së kësaj bote.

Nga ana tjetër shpërblimi ndaj njeriut për atë që ka lënë për hirë të Allahut mund të lihet për në botën tjetër. E kjo është më madhështore. Çdo gjë e kësaj bote nuk vlen as sa një grimcë e asaj që gjendet në botën tjetër. Për këtë njerëzit e devotshëm nuk i japin shumë rëndësi shpërblimit në këtë botë. Preokupimi dhe shpresat më të mëdha të tyre janë për fitimin që do të arrijnë në botën tjetër.

Këtu o rob të Allahut vlen të përmendet se ajo që lë robi për hirë të Allahut nuk përfshin diçka prej fesë përkundrazi diçka e tillë është e gabuar e dëmshme dhe humbje e madhe.

Përcillet se Aliu r.a ka thënë: Njerëzit kur lënë diçka prej fesë me qëllim që të rregullojnë çështjet jetike atëherë Allahu i hap atyre atë çka është më e dëmshme dhe më e keqe për ta.

Nëse qëndron puna kështu o rob të Allahut a nuk ka ardhë koha për ne pasi njohëm këtë realitet “Kush lë diçka për Allahun, Allahu ia këmben me diçka më të mirë” të vetëdijësohemi për gjendjen tonë, të shohim çështjet tona me qëllim që të vërejmë se çka duhet të lëmë për Allahun e që Allahu të na e këmbejë me më të mirë duke pasur si synim adhurimin gjatë kësaj përpjekjeje dhe për tu afruar sa më shumë me Allahun. Lënia e diçkaje nuk mund të jetë adhurim vetëm se me qëllim të sinqertë e nuk mund të jetë me syefaqësi e dëshirë për famë. Sa i lumtur është ai i cili tregohet i sinqertë me Allahun, që lë mënjanë dëshirat e vetvetes dhe lufton me të për ta vënë në bindje ndaj Allahut, që lë gjynahet dhe gabimet duke kërkuar faljen dhe kënaqësinë e Allahut.

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi profetin e zgjedhur, të dërguarin e pastër ashtu siç ju urdhëron Zoti juaj i Lartë. Allahu ka thënë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit

Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. Shkatërroi armiqtë e tu armiqt e fesë dhe bëji ata mësim për të tjerët!

Jepu fitore robërve të Tu besimtarë, krenari dhe forcë!

O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë, me pasuri e bollëk dhe tërë vendet muslimane!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme veçanërisht nga vendi ynë e prej të gjithë vendeve të muslimanëve!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari. Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.

O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës!

O Allah na jep vetëdije që na pastron vetveten e që na lartëson shpirtrat tanë me qëllim që ti japim përparësi dashurisë ndaj Teje dhe asaj që Ti pëlqen ndaj dëshirave, tekave dhe epsheve tona!

O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!

O Allah na mbaj larg sjelljeve, dëshirave, veprave dhe sëmundjeve të këqija!

Falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve!

 

Post Author: endrit