Rregulli dhe anormaliteti – Meka 14.08.2020

Hytbe e Qabes                      24-12-1440 H        14-08-2020 

Shejh Saud Shurejm             Tema:   Rregulli dhe anormaliteti

Falenderimi i takon Allahut të Lartmadhërishëm, më të Lartit. Ai ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt, ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën. Unë e falenderoj Allahun dhe i jam mirënjohës, pendohem para Tij dhe i kërkoj falje. Atij i takon e tërë lavdia dhe mirësia është e gjitha në dorën e Tij. Çdo çështje kthehet tek Ai. Atij i takon falenderimi derisa të kënaqet, Atij i takon falenderimi kur kënaqet, Atij i takon falenderimi pasi të kënaqet e Atij i takon falenderimi në çdo rast.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Ai është më i miri i krijesave të Allahut dhe miku dhe zotëria i krijesave të Tij. Ai e përcolli shpalljen dhe e përmbushi amanetin, e këshilloi umetin dhe luftoi në rrugë të Allahut në mënyrën e duhur. Ai na orientoi në një rrugë të qartë aq sa nata për të është si të ishte ditë, e prej kësaj rruge devijon vetëm një i shkatërruar.

Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familje e tij të mirë e të pastër, mbi bashkëshortet e tij të cilat janë nënat e besimtarëvve, mbi shokët e tij të dalluar e të mbarë dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre me përpikmëri deri në ditën e gjykimit.

O Njerëz, u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut në fshehtësi e në dukje, në vetmi e në publik. U porosis të mbaheni pas Librit të Tij dhe me udhëzimin e profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem). Këto dyja janë drita në errësirë dhe shpëtimi në vështirësi. Ai që ndjek ato nuk humbet ndërsa ai që i lë ato nuk shpëton. “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut).” (Al Imran; 132).

Rob të Allahut, të gjithë njerëzit e llogjikshëm e të ditur besojnë se bashkësia është mëshirë dhe përçarja ndërshkim, përzierja është më e mirë se izolimi, dalja nga bashkësia konsiderohet rrebelim dhe largim. Tre veta koniderohen karvan ndërsa një udhëtar i vetëm konsiderohet shejtan e dy udhëtarë konsiderohen dy shejtanë. Shigjetat nuk thyhen kur janë bashkë e kur ndahen një e nga një thyhen lehtësisht. Personi, i vetëm është i dobët e me vëllezërit e tij është i fortë. Ky është mentaliteti i njerëzve të ditur. Kështu e dëshiron Allahu për robëri e Tij të ndërtohet jeta në këtë tokë.

“Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (Nisa; 115).

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Në çdo vendbanim apo fshat që gjenden qoftë edhe tre persona dhe nuk e kryejnë namazin bashkë ta dijnë se mbi ta ka dominuar shejtani. Ju porosis të jeni të bashkuar sepse ujku prej deleve ha atë që është e veçuar. Transmeton Ebu Daud.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Qëndroni të bashkuar dhe keni kujdes nga përçarja sepse shejtani është pranë me atë të vetmuarin e ndaj dy personave qëndron më larg. Kush dëshiron të jetë mu në mes të xhenetit le të qëndroj gjithmonë me bashkësinë. Atë që e gëzon vepra e mirë dhe e hidhëron vepra e keqe le ta dijë se ai është besimtari. Transmeton Tirmidhiu.

Allahu i madhërishëm i dërgoi të gjithë profetët për ngritjen e fesë, harmonisë, unitetit dhe mënjanimin e përçarjes dhe kundërshtisë. Ai në Librin e Tij plot urtësi thotë:

“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al Imran; 103).

Një prej dijetarëve më të mëdhenj të komentuesve të Kuranit Ibn Xherir Et Taberij përcjell prej Katades se ka thënë: Allahu e urren përçarjen tuaj e për këtë ju ka paraprirë duke ju tërhequr vërejtjen ndaj saj. Ai ua ndalon atë dhe pëlqen prej jush dëgjueshmërinë dhe bindshmërinë, afrimitetin dhe unitetin, kështu që mundohuni të pëlqeni për veten tuaj atë që ka pëlqyer Allahu për ju, e forca vjen vetëm prej Allahut.

Nëse kjo kuptohet o rob të Allahut dijeni se shoqëritë e ndërgjegjësuara janë ato shoqëri që vendosin si domosdoshmëri ruajtjen e sistemit të tyre duke krijuar afrimitet në bashkësi e duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin. Duke kosideruar domosdoshmëri mbrojtjen e sistemit prej shpërndarjes apo prishjes së pëlhurës së endur apo këputjen e fillit të rruazave të saj. Çdo veçim që del prej sistemit të saj duhet ta konsiderojë anormalitet dhe rrebelim.

Anormaliteti o rob të Allahut është veçimi dhe dalja prej shumicës së madhe qoftë me ndonjë besim, ide, fjalë, veprim, aparencë që bien ndesh me të vërtetën, me unitetin apo me moralin.

Anormaliteti është dy llojësh; ose në zemër ose në gjymtyrë. Anormaliteti në zemër ndodh prej besimit të gabuar dhe ideve të çrregullta të cilat bien ndesh me atë të njerëzve të bashkuar rreth të vërtetës në besim e në monoteizëm. Ndërsa anormaliteti në gjymtyrë herë mund të jetë me lënien e herë me veprim. Anormaliteti me lënie është dalja kundër bashkësisë dhe lënia e dëgjueshmërisë dhe e bindshmërisë ndaj atyre që Allahu ua ka dhënë udhëheqjen e çështjeve të bashkësisë. Ky është një shteg rrebelimi i rrezikshëm dhe vijë problematike e gjatë.

Të gjithë dijetarët unanimisht janë kundër saj dhe kanë tërhequr vërejtjen për të. Ajo është një anomali dhe një e keqe, vepruesi i të cilës nuk duhet të shpërfillet kushdo që të jetë. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) e ka vulosur këtë me fjalën e tij: “Kushdo që heq dorë nga bindshmëria ditën e gjykimit do ta takojë Allahun duke mos pasë kurrëfarë fakti mbrojtës. Kush vdes e nuk ka në qafën e tij besëlidhje vdes me vdekje të kohës së injorancës.” Transmeton Muslimi.

Anormaliteti në veprim mund të shkaktohet prej fetvave në çështjet e fik’hut të cilat janë të njohura për largësinë e tyre me vijën e njohur të fikhut islam, me një diferencë të qartë mes saj dhe mospajtimeve të marra në konsideratë në fikh. Madje ato kanë tejkaluar këto kufinj duke shkuar në kufijtë e anormales dhe nga kjo vjen ajo që njihet si verdikte anormale në fikh apo fetva të çrregullta të cilat bien ndesh me unanimitetin e qartë dhe që nuk përputhen me qëllimet e sheriatit dhe llogjikën e pastër. Ky është një fenomen që prek çdo kohë e çdo vend. Njerëzit e tillë njollosin sistemin e fetvave nëpër shoqëritë islame. Ata deformojnë fenë tek njerëzit që kërkojnë të dijnë. Kështu njerëzit bien në pështjellim e keqkuptim dhe mbesin të dyshimtë në lidhje me burimet e fetvave. Ndryshim dhe forcë ka vetëm prej Allahut.

Gjithashtu anormaliteti mund të jetë në paraqitje e në veshje; si veshjet që bien në sy me të cilat personi ndryshon prej të gjithë njerëzve derisa llogaritet si anormal mes tyre me veshjen e tij dhe krejt i ndryshëm me ta në paraqitje. I Dërguari i Allahut (sallahu alejhi ue selsem) ka thënë: Kush vesh rroba në këtë jetë për të rënë në sy, Allahu atij i vesh rrobe të poshtërimit në ditën e kijametit. Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Rrobe që bie në sy është rrobeja që është diçka më lart se të zakonshmet e cila të çon në mendjemadhësi. Po kështu është ajo rrobe që paraqet modesti dhe asketizëm ndryshe nga veshjet normale e cila tregon për një nivel modestie të sforcuar. Të parët tanë e urrenin rënien në sy me të dy aspektet me veshjen e shtrejtë e me veshjen e lirë.

Dijeni o rob të Allahut se prej anormalitetit në veprim është kundërshimi i natyrshmërisë së pastër me të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit në lidhje me ndjenjat dhe ligjërimin e martesës me fjalën e Allahut: “atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër” (Nisa; 3).

Po, qofshi nën kujdesin e Allahut, anormaliteti në instikt të cilin vepruesit e tij e marrin si standart të jetës së tyre është shkelje e ligjit hyjnor mbizotërues në univers e padyshim që bie ndesh me fenë islame dhe me natyrshmërinë e pastër. Ky lloj anormaliteti bëhet akoma më anormal kur vepruesit dhe përkrahësit e tij kalojnë nga pozicioni i mbrojtjes në këtë çrregullim në pozicion sulmi për të imponuar një realitet të prekshëm duke kaluar prej shprehjes së egër të anormales drejt joshjes me shprehjen e homoseksualizmit me qëllim që të zbutet pesha e shprehjes në veshin e njerëzve e ti bëhet normal që pastaj ta përfytyrojnë si të drejtë personale të pranuar nën presionin e frikës e të turpit.

Për Allahun, pasha Allahun, betohem në Allahun një gjë e tillë është një instikt të cilin nuk e pranon asnjë fe. Është i ndaluar prej të gjithë librave të shenjtë që kanë zbritur prej Allahut.

Luti a.s popullit të tij i tha: “Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.” (Shuara`; 165,166).

Meqë krimi i tyre qe në kundërshtim me natyrën e pastër njerëzore atëherë edhe ndërshkimi i erdhi në përputhje me krimin e tyre; ku Allahu pjesën e lartë të tokës së tyre ua uli poshtë dhe hodhi mbi ta shi gurësh të zjarrtë.

O Allah mbrohemi me kënaqësinë Tënde ndaj zemërimit Tënd, me faljen Tënde ndaj ndërshkimit Tënd dhe me Ty prej Teje. Ne nuk mund të të jemi mirënjohës ndaj Tej plotësisht Ti meriton të lavdërohesht ashtu si e ke lavdëruar Veten.

Allahu na dhëntë begati në Kuranin madhështor e na bëftë dobi me përkujtimet e me urtësitë e tij. Me këto që thashë e dëgjuat i kërkoj falje Allahut për veten time e për ju e për të gjithë muslimanët e muslimanet prej çdo gjynahu e çdo gabimi. Kërkojini falje Allahut dhe pendohuni tek Ai se Zoti im është Falës e Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

LEXO  Lexojeni historinë se në të do gjeni këshilla - Shejh Salih ibn Abdilah ibn Humejd - Mekë 23.11.2018

Falenderimi i takon Allahut, Falenderime të shumta e të begata ashtu siç don dhe kënaqet Zoti ynë. Nderimi dhe shpëtimi qoftë mbi të dërguarin e Tij të zgjedhur.

Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut! Qëndroni me bashkësinë e muslimanëve sepse Dora e Allahut është me bashkësinë e ai i cili largohet prej tyre largohet për në zjarr.

Qofshi në kujdesin e Allahut, dijeni se anormaliteti është i tëri i keq. Ai është devijim prej natyrshmërisë, pengues i diturisë dhe mos dhënie rëndësi unitetit.

Anormaliteti dhe dalja nga rruga e drejtë është papërgjegjshmëri që sjell devijim të përforcuar njëkohësisht me vetëpëlqim, mendjemadhësi dhe nënçmim.

Rruga e unitetit nuk është mvarësi e mallkuar e personi që ndjek atë nuk është oportunist. Por ndjekja e rrugës së unitetit dhe mos dalja prej saj është vetë llogjika, vetë urtësia, vetë dituria dhe vetë shpëtimi.

Anormaliteti si shumë sëmundje të tjera ka shkaqe dhe shtysa disa prej tyre janë vetjake e disa janë shoqërore. Prej shkaqeve vetjake është dobësia e nivelit fetar tek ai që shfaq anormalitet ose të qenurit bosh e i pafe, vetëbesimi, dëshira për të kundërshtuar me qëllim që të bëhet i njohur si fjala e urtë e përhapur; “kundërshto të përmendesh”.

Prej shkaqeve shoqërore janë shokët e këqinj dhe ndikuesit e shumtë në momente kur njeriu tregohet i pavëmendshëm ndaj burimeve të sigurta të informacionit të cilat mund të jenë refereca të kërkuesve të urtësisë. Burimet e informacionit me të gjitha llojet e saj sot kanë një ndikim të fortë në hedhjen e individit në çrregullim e në anormalitet. Ku në to shpërndahet nxitje për të dalë kundër bashkësisë, urtësisë, llogjikës, mençurisë, petkut fetar dhe shijes së publikut të gjerë. Kjo vjen si shkak i ndjekjes nga pas i thashethemeve që përhapin në lidhje me sigurinë e frikën.

Nëse anormaliteti dhe çrregullimi negativ është rrebelimi dhe veçimi prej pjesës së madhe të shoqërisë e cila në tërësinë e saj qëndron tek e vërteta, e kjo është mbizotëruesja në çdo kohë e çdo vend, përveçse ky rregull mund të mos funksionojë vetëm në një rreth të ngushtë e të rrallë siç ndodh në kohën e fundit pranë kijametit ku veçimi do të jetë diçka e lëvduar gjë të cilën e dëshmojnë tekstet profetike. Personi mund të jetë i udhëzuar në të vërtetën në një kohë kur shumë të tjerë janë kundër tij. Në këtë rast dalja veçmas dhe çrregullimi është i lavdëruar. Pra kundërshtimi dhe veçimi prej tyre për të cilën Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Mundet që së afërmi pasuria më e mirë e një muslimani të jenë delet me të cilat ai endet nëpër faqet e maleve, dhe vendeve ku bie shi, e kështu largohet të shpëtojë me fenë e tij prej sprovave. Transmeton Buhariu.

Po kështu në rastin e Hudhejfes të cilit profeti (salallahu alejhi ue selem) i tregoi sprovat e kohës së fundit. Hudhejfja në fundin e tregimit i tha: Çfarë më urdhëron nëse gjendem në atë kohë? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha: Mos iu ndaj bashkësisë së muslimanëve dhe udhëheqësit të tyre. Hudhejfe tha: Nëse ata nuk kanë bashkësi dhe udhëheqës? Ai tha: Largoju çdo grupimi edhe duke mbërthyer pas një trugu peme derisa të të vijë vdekja e të jesh i tillë. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

O Allah na ruaj prej sprovave të dukshme e të padukshme. O Allah na mbro prej kundërshtisë ndaj Profetit pasi që na është bërë i qartë udhëzimi e të ndjekim rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve. Të kërkojmë të na bësh të qëndrueshëm në fenë Tënde, të qëndrueshëm rreth bashkësisë së muslimanëve dhe prijësit të tyre derisa të marrësh nga kjo botë të padevijuar!

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit. Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56).

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin, fytyrëndrituri plot hijeshi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i mëshirshm i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë!

O Allah jepi shpirtërave tanë devotshmërinë, na i pastro se ti je më i Miri që i pastron ato, Ti je mbikqyrësi dhe kujdestari i tyre!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë!

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve!

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm!

O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm O i Lartmadhërishëm o Fisnik!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin! Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit