Agjërimi mundësi për ndryshim – Meka 01.05.2020

Hytbe e Qabes           8 Ramazan(09) 1441 H  01-05-2020

 Shejh Usame Khajat      Tema: Agjërimi mundësi për ndryshim.

Falenderimi i takon Allahut i cili na e bëri detyrë agjërimin si mundësi për faljen e gjynaheve dhe derë prej dyerve të Xhenetit, vendbanimit të paqes. Atë e falenderoj e Ai është i Lartë e i pa të meta.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq, Sundimtari, I Shenjti e Paqësori.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Ai është poseduesi i Burimit të synuar, i gradave të larta dhe i pozitave madhështore. O Allah, ngreje lart dhe shpëtoje të Dërguarin tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij përgjithmonë sa të jetë nata dhe dita.

O rob të Allahut kijeni frikë Allahun, u ka mbërritur një muaj madhështor e i begatë. Në të hapen dyert e xhenetit e mbyllen dyert e zjarrit e Allahu shikon garimin tuaj në të, kështu që paraqituni para Allahut me mirësi. Fatlum është një person që e prek mëshira e Allahut të Lartë dhe fiton faljen dhe pëlqimin. Ndërsa fatkeq është personi i cili privohet nga mëshira e Allahut të Madhërishëm në muajin e mëshirës, të faljes e të shpëtimit prej zjarrit.

O rob të Allahut, njeriu për shkak të anës njerëzore, motiveve që mbart dhe instikteve të natyrshme mund të dalë jashtë linje e të devijojë nga rruga e duhur, ose mund të shërbejnë si demoralizues e të ndalin përpjekjet e tij për të arritur karvanin e njerëzve të sinqertë të Allahut. Ato bëhen pengesë në arritjen e masës së duhur në perfeksionin vetjak e në lartësimin shpirtëror të njeriut. Prandaj ai ka nevojë për një mjet të vlefshëm me të cilin do të ngjitet aty ku dëshiron Allahu; të rregullojë zemrën, të stabilizojë praktikën e të saktësojë linjën e tij. Mjeti më i duhur për të arritur këtë është agjërimi. Ai është vepruesi më i qartë dhe nxitësi më i fortë në transformimin e personit prej të këqijave tek të mirat , prej të mirave tek ato që janë më lart në mirësi e më të përkryerat në arritjen e objektivit. Një transformim i përgjithshëm që përfshin njerëzit në botën e tyre duke e mbartur shumicën e tyre drejt një jete më të mirë ku del në pah e mira, zgjedhja e duhur, përftimi i devotshmërisë, braktisja e neglizhencës, tejkalimi i papjekurisë dhe mënjanimi i gabimeve aq sa është e mundur. Njeriu nëse ambjentohet me këtë transformim fisnik përgjatë një muaji të plotë tek ai krijohet një zakon i lëvduar në dëshirën për mirësi, në nështrimin e vetvetes për të ndjekur këtë linjë e për tu

ngjitur në shkallët e tij sepse zakoni krijohet nëpërmjet përsëritjes, forcohet me vijimësi dhe qëndron me vazhdimësi.

Padyshim që një muaj i plotë në të cilin njeriu ndjek praktikat më të vyera të arritjes së vlerave dhe programet më të larta të dlirësimit do të kenë një ndikim të fortë e të gjatë tek ai. Kështu do të vazhdojë të ecë në rrugën e tij pas mbarimit të muajit të agjërimit e kjo praktikë e suksesshme do ti bëhet zakon i pandarë. Kjo është edhe devotshmëria që kërkohet që ta shoqërojë vazhdimisht robin. Këtë devotshmëri e kultivon në mënyrë të veçantë agjërimi gjatë muajit të ramazanit. Kështu njeriu i qëndron kësaj tradite me vazhdimësi, me besnikëri e me kujdes. Ai nuk largohet prej saj e nuk e ndryshon atë me diçka tjetër. Pajisja e vetvetes me devotshmëri është një synim i qartë prej synimeve të agjërimit madje ajo është kollona kryesore rreth të cilës vërtitet dhe lidhet agjërimi sepse obligueshmëria e agjërimit, sipas fjalës së disa dijetarëve është e lidhur me privimin dhe synimin. Synohet menaxhimi i dëshirave me qëllim që njeriu të jetë më i fuqishëm në arritjen e devotshmërisë. Ky synim po tu ngarkohej krijesave në mënyrë të drejtpërdrejtë shumica e tyre nuk do e mbartnin. E ky stil është prej bukurisë së sheriatit.

Një agjërim të cilin nuk e prek devotshmëria e nuk ngërthen zemrën e agjëruesit është agjërim bosh vetëm për të hequr detyrimin që të mos urdhërohet për përsëritjen e tij. Mirëpo njeriu me agjërim të tillë ka dalë nga rrethi i devotshmërisë dhe e ka humbur rrugën e saj. Kështu nuk kryen agjërim të vërtetë por realizon vetëm pamjen e jashtme të tij dhe aspektin negativ në të.

Për këtë Allahu i madhërishëm ka thënë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të jini të devotshëm.” (El Bekare; 183).

Allahu i lartësuar e nis ajetin me thirrje drejtuar besimtarëve dhe e mbyll me fjalët “që të mund të jini të devotshëm”. Mes besimit dhe devotshmërisë gjenden lidhjet më të forta sepse besimi është themeli i mirësisë, burimi i bamirësisë dhe tubuesi i vlerave. Ndërsa devotshmëria është shpirti i besimit, shtylla e tij dhe sekreti i shpëtimit. Bashkimi mes besimit dhe devotshmërisë në fillim të ajetit dhe në mbyllje të tij të jep të kuptosh se synohet agjërimi i cili bën bashkë çështjet tërheqëse të besimit si vlerat dhe aspektet plotësuese të personalitetit e të shpirtit midis nxitësve të devotshmërisë si përsosja e kujdesit ndaj mbikqyrjes së Allahut të lartësuar, frikës së plotë ndaj Tij, lidhja totale vetëm me Të dhe panevojshmëria ndaj dikujt tjetri veç Tij. Me këtë agjëruesi arrin të bashkojë mes anës së jashtme të

përciptë të agjërimit që është privimi prej dëshirave të stomakut e të organeve seksuale dhe mes realitetit të tij pozitiv të ecjes përgjatë vlerave, ndjekjes së praktikave më të vyera dhe udhëzimeve më të mira. Kështu ai nuk çirret, nuk gënjen, nuk mashtron, nuk ofendon e nuk shan askënd. Këtë udhëzim ka dhënë i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) me fjalët e tij: Agjërimi është mburojë. Kur dikush prej jush agjëron le të mos bëjë gjëra të pamoralshme, të mos çirret, e nëse dikush e shan apo e sulmon le të thotë se unë jam me agjërim. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra r.a. Gjithashtu ka thënë: Kushdo që nuk e lë fjalën e gënjeshtërt dhe veprimin sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë ushqimin dhe pijen e tij. Transmeton Buhariu. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Ndoshta një agjërues fiton prej agjërimit të tij vetëm urinë dhe etjen. Ndoshta një person që falet natën fiton prej ngritjes së tij vetëm pagjumësinë. Ahmedi në musnedin e tij dhe Ibn Maxheh në sunenin e tij me zinxhir të saktë transmetimi.

Kjo ka një sekret sikurse ka thënë imam Ibn Rexhepi, Allahu e mëshiroftë se; “ Të afruarit me Allahun duke lënë gjërat e lejuara nuk plotësohet vetëm pasi të jesh afruar me të me lënjen e gjërave të ndaluara në çdo rast si gënjeshtra, padrejtësia, cënimi i njerëzve në fizik, pasuri dhe në nderet e tyre. Kush vepron të ndaluarën e pastaj kërkon të afrohet me Allahun duke privuar veten prej gjërave të lejuara është si një person që nuk kryen detyrimet (farzet) dhe kërkon të afrohet me veprat vullnetare, dhe pse agjërimi i një personi të tillë është i kryer sipas shumicës së dijetarëve ashtu që nuk urdhërohet ta ripërsërisë atë.” Këtu mbaroi fjala e ibn Rexhep.

Përgjithësisht përforcimi i devotshmërisë me anë të agjërimit është një fakt i dukshëm sikurse thotë Ibnul Kajim. Askush nuk mund të gjejë ndihmës më të mirë në devotshmërinë ndaj Allahut, ruajtjen e kufijve të Tij dhe në largimin prej ndalesave të Tij si agjërimi. Agjërimi dëshmon për Atë që e ka ligjëruar dhe e ka urdhëruar se është Gjykuesi më i lartë, më i Mëshirëshmi i mëshiruesve, dhe se Ai e ka ligjëruar agjërimin në të mirë të robërve të Tij, si mëshirë për ta, si dhunti ndaj tyre e jo për ti lënë pa te mira materiale apo vetëm si një detyrë e ngarkuar pa ndonjë urtësi e pa ndonjë dobi por në të gjendet urtësia më e madhe, mëshira dhe dobia. Ligjërimi i këtyre adhurimeve për njerëzit është plotësim i mirësisë dhe i mëshirës së Allahut mbi ta.

Agjërimi i këtij muaji të begatë siç e ka urdhëruar Allahu e siç e ka sqaruar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është një mesazh mjaft ndikues në

zemra e në mendje të cilin umeti islam e ka detyrë t’ia ofrojë gjithë botës si një dëshmi të qartë e nënshtrimit të plotë ndaj Allahut të lartësuar dhe ndaj urdhëresave e ndalesave të Tij duke i dhënë përparësi ndaj çdo gjëje të dashur. Agjërimi është mrekulli në mënyrën se si i pastron shpirtrat e si i lartëson ato në nivelet e përsosmërisë. Ai është një mjet i fortë në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe shtrëngues i pikëlidhjeve. Ai përhap mëshirë të ndërsjelltë, afrimitet, solidaritet dhe dashuri sidomos në këto kohë të rënda ku shtohen vështirësi dhe nevojat si kjo pandemi e cila ka kapluar dhe ka përfshirë vende të ndryshme. Në këtë kohë mëshira e ndërsjelltë, afrimiteti, dashuria dhe solidariteti janë akoma më të nevojshme deri sa të japë leje Allahu në largimin e dëmit dhe të keqes së saj prej nesh e prej të gjitha krijesave me mirësinë dhe me mëshirën dhe dhuntinë e plotë të Tij.

Allahu na bëftë dobi me udhëzimet e Librit të Tij dhe me traditën e profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem).

Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut të Madhërishëm e të Lartë për vete, për ju e për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahu. Ai është Falës e Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Falenderimi i takon Allahut, Bujarit, Dhurues të dhuntive dhe mirësive. Fisnik në dhurata, Madhështor në bamirësi, Atë e falenderoj. Ai është i Lartë e i Patëmeta.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq i Cili ka ligjëruar agjërimin e muajit të Ramazanit për urtësi të qartë e qëllime të larta.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij më i miri i bijve të Ademit, O Allah nderoje dhe shpëtoje të dërguarin tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, të mirë, të devotshëm e mirënjohës.

O rob të Allahut prej qëllimeve të agjërimit është edhe edukimi i personit për të qenë i gatshëm në sakrificë duke e nxitur atë të shpenzojë e të përballojë vështirësitë e jetës duke kultivuar durimin ndaj fatkeqësive dhe dëmeve gjatë saj. Agjërimi është i mbushur me sakrifica të cilave agjëruesi i jep përparësi ndaj nevojave trupore dhe dëshirave të vetes. Agjërimi është privim i vetvetes ndaj asaj që është e lejuar prej shijeve dhe imponim i saj të përballojë dhimbjen e urisë dhe nxehtësinë e etjes. Ai kontrollon ndjenjat e njeriut duke mos e lënë të rebelohet, të ankohet apo të paraqesë diçka që asgjëson agjërimin apo që pakëson shpërblimin e

tij. Ky privim ndaj vetvetes o rob të Allahut përfshin sakrifica të cilat agjëruesi i kryen për të arritur pëlqimin e Allahut dhe premtimin e Tij për shpërblimin e madh e fisnik. Sakrificat në ramazan janë të pakufijshme. Aspektet e sakrificave në të janë të shumta. Ai është një mejdan kalërimi ku mund të bëjnë garë garuesit për të arritur premtimin e bukur dhe shpërblimin e mirë. Sakrifica me rehatinë trupore duke e shkëput atë prej shijeve dhe dëshirave të lejuara po kështu kjo sakrificë mund të jetë me pasurinë të cilën vetvetja e dëshiron aq shumë, dëshirë e cila e mbizotëron atë dhe e kaplon deri në fund të jetës. Allahu i madhërishëm thotë: “dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.” (Fexhr; 20). Nga Ebu Hurejra r.a transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Zemra e të moshuarit është plakur në dashurinë për dy gjëra: Jetën e gjatë dhe pasurinë.” Buhariu, Muslimi. Kjo dashuri del në pah prej lakmisë së madhe që ka njeriu për të dhe prej koprracisë së fortë në të. Vetja nuk pëlqen të japë pasurinë vetëm me një çmim më të madh se pasuria që dhuron e me një këmbim më fitimprurës.

Kjo sakrificë ka ndikim mjaft pozitiv. Shpenzimi i pasurisë për bamirësi kultivon arritje të larta. Ai zbut zemrën e agjëruesit dhe pastron ndjenjat e tij. Ky pastrim sjell transformimin e njeriut prej ngushtisë individuale në gjerësinë e përparësisë ndaj të tjerëve dhe afrimitetit me ta duke zgjuar ndjenjë e njeriut ndaj të tjerëve dhe nevojën që ka ndaj bamirësisë, ndihmës ndaj të tjerëve dhe dhurimit të pasurisë. Kështu ai shpenzon pasurinë e tij me dëshirë, i bindur se Allahu do ja këmbejë me më shumë e me më të mirë se pasuria që ai ka dhënë. Sakrifica sjell ëmbëlsi. Shpenzimi dhe dhurimi i pasurisë sjell gëzim. Për këtë agjëruesi që sakrifikon në gjërat që dëshiron e që i lejohen arrin gëzim. Në hadithin që transmeton Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihet e tyre prej Ebu Hurejres r.a transmetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime; një gëzim në iftarin e tij e një gëzim kur të takohet me Zotin e tij.”

Lum ai i cili përfiton prej mësimeve të sakrificës në Ramazan. Arma më të mirë e praktika më e arrirë të cilën duhet ta zbatojë përgjatë gjithë jetës së tij. Sakrifikon me veten e tij e me pasurinë e tij për Allahun për të fituar pëlqimin e Allahut duke ecur në rrugën e krijesës më të mirë të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe në gjurmët e shokëve të profetit të cilët kanë dhënë sakrificat më të mëdha, mësimet më të larta dhe gjurmët më të bukura.

Keni frikë Allahun o rob të Allahut dhe mbani mend gjithmonë se Allahu u ka urdhëruar të dërgoni salavate mbi më të mirin e njerëzve. Ai në ligjërimin më të vërtetë e në fjalën më të bukur thotë:

Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah shpëtoje Muhamedin, familjen e Muhamedit ashtu sikurse ke shpëtuar familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde o më fisniku i fisnikëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Mbroje fenë, shkatërroi armiqtë e fesë dhe tërë tiranët e shkatërrimtarët. Bashkoji zemrat e muslimanëve, forcoi rradhët e tyre, përmirësoi udhëdheqësit e tyre dhuroi atyre unitet rreth të vërtetës o Zot i botëve!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë, luftëtarë e të sinqertë.

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Ndihmoje në të vërtetetën prijësin dhe udhëheqësin tone. Mundësoji atij të ketë shpurë të vlefshme.

O Allah jepi sukses në atë që ti do dhe kënaqesh o dëgjues i lutjes.

Jepi sukses Atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është më e mira për islamin dhe muslimanët dhe jepi sukses në atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin! Tek ty është përfundimi ditën e Kthimit.

O Allah na dhuro devotshmëri në vetet tona, na i pastro se Ti je më i miri pastrues e tyre, ti je kujdestari i tyre dhe ndihmësi i vërtetë.

O Allah na e rregullo fenë e cila është baza e tërë çështjeve tona, na e rregullo dunjanë tonë në të cilën ne jetojmë, na e rregullo ahiretin tonë tek i cili do të jetë

përfundimi jonë. Bëje jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.

O Allah na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara dhe ti duam të varfërit!

Na fal e na mëshiro. Nëse do të sprovosh ndonjë popull atëherë na merr jetën përpara se të përballemi me sprovën!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën. Na mbro prej poshtërimit në këtë botë e prej ndëshkimit në botën tjetër!

O Allah mos na largo mirësitë e tua, mos na e largo faljen tënde, na ruaj prej ndëshkimin të papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt.

O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!

O Allah shëroi të sëmurët tanë, mëshiroi të vdekurit tanë, na i plotëso ëndrrat tona nëse janë të kënaqshme për ty, na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira.

O Allah shpërbleji sa më shumë e sa më bukur të gjithë ata që kanë shpenzuar me vetet e tyre, me kohën e tyre me të tjera gjëra të vyera të tyre për tu përballur me këtë epidemi, të gjithë personelin mjekësore e të sigurisë dhe në të gjithë sektorët e tjerë.

O Allah shpërbleji ata me shpëblimet më të mëdha, më të bukura e më të plota! O Allah bekoji në jetët e në punët e tyre! O Allah pranoje këtë shërbim madhështor që po u afrojnë muslimanëve! O Allah ruaji ata prej çdo të keqeje, O Allah ruaji ata prej çdo të keqeje, sëmundjeje e sprove!

O Allah ruaji të gjithë muslimanët prej çdo sëmundjeje!

O Allah, largo prej nesh këtë bela e këtë epidemi, me mëshirën Tënde O Zot i botëve!

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona e nëse ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve.

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.

Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, dhe mbi gjithë shokët e tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Post Author: endrit