Besimtari duhet të jetë aktiv dhe produktiv – Meka 29.01.2021 

Hytbe e Qabes                  16-06-1442 H    29-01-2021 

Shejh Fajsal el Gazavij     Tema: Besimtari duhet të jetë aktiv dhe produktiv

Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se ska të adhuruar me të drejtë përpos Allahut, Ai është i vetëm e i pashoq.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Zoti i tij e dërgoi atë udhëzues, përgëzues dhe qortues. Salavatet e Allahut qofshin për të, familjen e tij dhe shokët e tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Ali Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa 1).

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)

Muslimi në sahihun e tij përcjell prej Ebu Hurejres r.a se i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë: Cili prej jush është gdhirë sot agjërueshëm? Ebu Bekri tha: Unë. Cili prej jush ka shoqëruar sot një të vdekur? Ebu Bekri tha: Unë. Cili prej jush ka ushqyer sot një të varfër? Ebu Bekri tha: Unë. Cili prej jush ka vizituar sot një të sëmurë? Ebu Bekri tha: Unë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.s tha: Këto kur një person i bën të gjitha hyn në xhenet.

Ky është Ebu Bekër Sidik, Allahu qoftë i kënaqur me të më i dituri i shokëve të Muhamedit s.a.s, më i miri dhe më i larti në besim. Ai ishte pararojë dhe garues në vepra të mira. Ai është shembull që duhet ndjekur në nismat e dobishme dhe model që duhet përvetësuar në lidhje me përpjekjet, në pararojë dhe këmbëngulje.

Rob të Allahut! Suksesi, arritja dhe produktiviteti është synim që kërkon ta arrijë personi. Ajo është cilësi që karakterizon njeriun që përpiqet dhe ruan kohën e tij me qëllim që ta shfrytëzojë në atë që i sjell mirësi në fenë dhe në jetën e tij të kësaj bote. Ai shfrytëzon përpjekjet e tij, energjitë dhe jetën për të marrë fryte të vyera dhe arritje të dobishme.

Është për të ardhur keq që disa njerëz e kalojnë kohën e tyre kot dhe jetën e tyre dëm. Të tillët e kanë zakon të neglizhojnë dhe përtacinë e kanë moto. Nuk kryejnë asnjë punë të plotë. Nuk përpiqet të realizojë ndonjë pikësynim por pranon inferioritetin. Ai nuk prodhon gjë.

Prej çështjeve që nxjerrin në pah mosprodhimtarinë dhe humbjen e pasurisë është lënia pasdore e udhëzimeve të profetit s.a.s si fjalën e tij: Shfrytëzo pesë përpara pesë të tjerave; Rininë tënde përpara pleqërisë, shëndetin tënd përpara sëmundjes, pasurinë tënde përpara varfërisë, kohën tënde të lirë përpara se të jesh i zënë dhe jetën tënde përpara vdekjes. Transmeton Hakim dhe Bejhakij.

Fjala e tij s.a.s rininë tënde përpara pleqërisë është një orientim për njeriun të shfrytëzojë rininë e tij sepse ajo është një periudhë e ndritur, plot forcë e plot gjallëri. Kështu njeriu duhet ta shfrytëzojë atë në adhurim e në vepra të mira përpara se të ndryshojë gjendja; rritet dhe dobësohet ndaj adhurimit, pakësohet kontributi i tij e i pamundësohen veprat.

Fjala e tij s.a.s shëndetin tënd përpara sëmundjes tregon se shëndeti i njeriut, forca dhe aktiviteti në shqisat e tij është një shans për të punuar por që kjo gjendje nuk është e përherëshme. Sa herë shëndeti është pasuar prej ligështimit, dobësisë dhe sëmundjes. Shumë njerëz verbohen me shëndetin dhe rehatinë e tyre mirëpo ajo i ikën kot pa e shfrytëzuar e akoma më keq i shkon në gjynaheve e pastaj vjen pendimi atëherë kur nuk bën dobi.

Fjala e tij s.a.s pasurinë tënde përpara varfërisë e nxit personin që të bëjë mirë, të kontribuojë në mirësi e bamirësi. Personi me pasuri të gjerë e me të ardhura të bollshme duhet ta dijë se kjo gjendje nuk është e përherëshme. Kështu që i mençuri nuk duhet të bjerë pre e pasurisë së tij sepse ajo është një stoli e përkohëshme dhe përjetim i pakët.

Fjala e tij s.a.s kohën tënde të lirë përpara se të jesh i zënë e orienton njeriun të mbushë kohën e tij me gjëra të dobishme. Kush neglizhon të bëjë vepra të mira në kohën e lirë nuk do mundet kur të jetë i angazhuar.

Fjala e tij s.a.s jetën tënde përpara vdekjes është mësim dhe këshillë. Jeta e njeriut në këtë botë nuk është e përherëshme dhe pasohet nga vdekja. I mençuri kujdeset ta shfrytëzojë jetën e tij në bindje ndaj Allahut dhe në shtim të zahiresë (për në botën tjetër).

Gjë që e përforcon rëndësinë e shfrytëzimit të kohës nga ana e muslimanit e që të mbetet veprimtar dhe prodhues deri në momentet e fundit të jetës,  është fjala e të dërguarit të Allahut s.a.s:  Nëse kijameti po bëhet e dikush prej jush ka në dorë një filiz dhe ka mundësi ta mbjellë atë pa u bërë kijameti le ta mbjellë atë. Transmeton Ahmedi.

Rob të Allahut nëse përmendet përpjekja në kontribut dhe zbrazja e kapacitetit në shpenzim e në dhënie është ë shëmbëllyer pikë së pari tek modeli i njerëzimit, prijësi i të ndriturve dhe zotëria i njerëzve më të zgjedhur e më të nderuar Muhamedi a.s i cili arriti kulmin e synimeve më të larta.

Në aspektin e bindjes e të devotshmërisë ai ka qenë njeriu më adhurues që i frikësohej më shumë Allahut aq sa dy këmbët e tij të nderuara enjteshin dhe plasariteshin prej qëndrimit të gjatë në këmbë.

Në aspektin e mësimdhënies e të thirrjes Ai është shembulli më i lartë në kontributin për fenë e Allahut, për dobinë dhe këshillën e njerëzimit, për orientimin e njerëzve tek e vërteta, për mësimin e tyre, udhëzimin dhe dëshirën e të mirës për ta.

Ai ka paraqitur shembujt më të mrekullueshëm në bamirësinë ndaj njerëzve, përhapjen e mirësisë dhe në përpjekjet për të përmbushur nevojat e tyre.

Besimtari duhet të përpiqet të punojë e ta perfeksionojë realizimin e punës, duhet të kontribuojë në mejdanin e bamirësisë. Kështu kanë qenë të mirët e të devotshmit të cilët u bënë prijës shembullorë në mirësi. Ata lanë pas vdekjes së tyre gjurmë të mira. Allahu përhapi të njerëzit emër të mirë për ta që do të qëndrojë deri në kohën e fundit.

Prej shembujve rrezatues dhe modeleve të ndritura është sahabiu i nderuar Sa`d ibn Muadh r.a. Ai pasi pranoi islamin jetoi vetëm gjashtë vite mirëpo ai ofroi dhe ralizoi atë që është e pamundur të realizohet prej dikujt tjetër që jeton në islam për një kohë të gjatë. Ai fitoi mirësinë dhe nderin e madh. Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Nëpër rrugë të shumta transmetimi është përcjellë fjala e profetit s.a.s Arshi është dridhur për vdekjen e Sa`dit, i gëzuar prej tij.

Një prej këtyre kolosëve madhështorë është edhe El Ata`u ibn Ebi Rabahu, Allahu e mëshiroftë. Ai ka qenë zotëria i tabi`inëve dhe dijetari i dynjasë në kohën e tij. Disa dijetarë kanë thënë: El Ata`u ka qenë i zi, qorr, hundështypur, i paralizuar në dorë, sakat e që më pas u verbua. Nga vlerat e tij përmendet se ai e kreu haxhin shtatëdhjetë herë. Kur ishte i shtyrë në moshë e ishte dobësuar falte namaz me dyqind ajete të sures El Bekare duke qëndruar në këmbë pa lëvizur asgjë. Kjo na mëson se muslimani sido që të përballet me sprovat dhe fatkeqësitë ai mbetet i qëndrueshëm, me durim, i fortë, nuk e kap pesimizmi e nuk dobësohet, nuk mblidhet në vetvete e nuk e ndërpret përhapjen e gjërave të dobishme dhe bamirësinë.

Prej shembujve të këtyre burrave të shquar është Hamad ibn Selemeh, imam model dhe dijetar i islamit, Allahu e mëshiroftë. Përmendet si vlerë e tij fakti se nëse atij do ti thuhej se ti do të vdesësh nesër ai nuk do të kishte mundësi të shtonte diçka prej veprave të tij. Kjo do të thotë se ai përpiqej aq shumë në shfrytëzimin e kohës së tij saqë ai nuk mund të shtonte diçka më shumë se adhurimet dhe veprat e mira që bënte. Për Allahun sa habi për gjendjen e tij!? Sa shumë vepra të mira ka grumbulluar e sa shumë ka realizuar e ka kontribuar!? Sa e madhë është humbja për atë që ka çuar dëm moshën e tij e nuk i ka dhënë rëndësi kohës së tij. Ai largohet prej kësaj bote pa lënë ndonjë gjurmë e ditën e gjykimit paraqitet i falimentuar.

Prej kolosëve të islamit e imamëve të mirënjohur është Abdullah ibnul Mubarek, Allahu e mëshiroftë. Kur përmenden vlerat e tij tregohet se ai arriti të zotërojë, dije të gjerë, jurisprudencë, letërsi, gramatikën, gjuhën, poezinë, elokuencën, asketizmin, ndershmërinë, të qenët i turpshëm, moralin e lartë, i mirë në shoqëri, trimërinë, forcën, bujarinë, namazin e natës, frikën ndaj Allahut, drejtësinë, lënien e fjalëve të padobishme. Disa dijetarë kanë thënë: Në kohën e Ibnul Mubarek nuk njohim më të ndritur e më të lartë se Ibnul Mubarek. Nuk kemi parë njeri që të zotërojë aq shumë cilësi të mira si ai. Kjo tregon parësinë dhe pozitën e ndritur të tij, lartësinë dhe madhështinë e kontributit të tij.

Sa e nevojëshme është që seicili prej nesh të hedhë vështrimin tek vetvetja e të shohë se cilën prej këtyre cilësive me vlerë ka arritur të përvetësojë.

Prej shembujeve nga gratë flamurtare që kanë dhënë kontributin e tyre e që kanë marrë pjesë në këtë lloj gare për të arritur nivelet e suksesit dhe pozitën e nderit është edhe gruaja e Harun Rrashidit, Zubejdetu e bija e Xha`far El Mensur Allahu e mëshiroftë. Ajo arriti pozitë të lartë dhe vlera të shumta. Ajo njihet për mendjemprehtësi, fetarizëm, ide, elokuencë dhe oratori. Ajo njihet për dëshirën e madhe të saj për bamirësi të ndryshme, nderim të njerëzve të dijes, dhembshuri ndaj të varfërve e të vobektëve. Ajo ka qenë shumë bujare dhe jepte çdo gjë në rrugë të Allahut. Argument më i fortë për këtë është ndërtimi i ujësjellësit i cili quhet “Burimi i Zubejdes”.

Në një prej tregimeve të bukura përcillet se një plakë po qante për një të vdekur e kështu i thanë: E përse e meriton këtë të qarë prej teje? Ajo tha: Ky ka qenë komshiu ynë e ne të gjithë që jetuam rreth e rrotull ishim njerëz që e kishim të lejuar të merrnim zekat. E pasi vdiq ne jemi njerëz që e kemi obligim të japim zekat. Ky njeri bamirës punoi për aftësimin e komshinjëve të tij. Kujdesi i tij për ta me suksesin e Allahut i dha frytet. Ata u bënë të pasur e kontribues pasi ishin të varfër e nevojtarë.

O Musliman kush dëshiron ta ngrejë lart ambicjen, ta lartësojë vendosmërinë e të shtojë kontributin e tij le të meditojë rreth jetës së njerëzve aktiv e kontribues të cilët bamirësinë e kishin të ngulitur në shpirtrat e tyre, që ambicjet për arritjen e vlerave e kanë pasë shumë të lartë. Kështu ata arritën nivelet më të larta në përfitimin e lumturisë, mbarëvajtjes dhe suksesit.

O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin! (Haxh; 77).

Allahu na dhëntë begati në Librin e Allahut e në traditën e profetit e Allahu na mundësoftë të përfitojmë prej tyre. Me këto fjalë i kërkoj falje Allahu për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët!

Hutbeja e dytë

LEXO  Lexojeni historinë se në të do gjeni këshilla - Shejh Salih ibn Abdilah ibn Humejd - Mekë 23.11.2018

Falenderimi i takon Allahut i cili shpërblen të mirën me të mirë, që i jep gjithkujt vlerën që meriton, e që nuk e humbet mundin e besimtarëve.

E falenderoj Atë me falenderime të shumta, të bukura e të begata ashtu sikurse e meriton lartësia e fytyrës së Tij dhe madhështia e pushtetit të Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, të vetëm e të pashoq dhe dëshoj se zotëria ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, i zgjedhuri dhe i preferuari i Tij.

Ai e përcolli mesazhin, e kreu amanetin, e këshilloi umetin dhe luftoi në rrrugë të Allahut me vërtetësi derisa i erdhi vdekja. Salavatet e Allahut qofshin për të, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Sa e madhe është pozita e atyre që janë prarojë në vepra, që kontribojnë, që përpiqen fort, të cilët ofrojnë dhe japin produkt, të cilët kanë dimensione të gjera e që kanë lënë gjurmë madhështore. Prej tyre ka që kanë ftuar për tek Allahu e nëpërmjet tyre janë udhëzuar shumë njerëz. Shumë njerëz kanë pranuar islamin prej tyre. Shumë prej tyre kanë ndërtuar xhami dhe qendra të diturisë. Prej tyre kanë mësuar shumë nxënës të dijes. Ata kanë nxjerrë breza të tërë të hafizave të Librit të Allahut. Prej tyre ka pasë dijetarë që kanë shkruar libra shumë të vyer në shkenca e në fusha të ndryshme. Të tjerë kanë themeluar qendra sociale e mjekësore për të sëmurët. Të tjerë kanë themeluar vakëfe të shumta të cilat kanë shërbyer në dobi të përgjithëshme ose që u kanë shërbyer personave në nevojë. Të tjerë që janë njohur si pajtues duke mbyllur ndarjet grindjet dhe hasmëritë mes njerëzve e duke mundësuar bashkimin e zemrave të tyre. Të tjerë që kanë zgjidhur probleme të shumta e çështje të ndryshme. Të tjerë kanë arritur majat në angazhimin ndaj të vobektëve. Dikush ka themeluar ndonjë projekt dinjitoz ose ka shpikur diçka të dobishme për umetin. 

Këta e të të tjerë si ata janë përpjekur të jenë produktiv të asaj që e ndërton botën, që e gjallëron e që e rregullon atë. Kjo në shenjë zbatimi të urdhërit të Allahut të lartësuar në fjalën e Tij: “Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të” (Hud; 61). Dhe si dëshirë për të fituar shpërblimin e Allahut: “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj,me siguri që do ta gjeni tek Allahu.” (Muzemil; 20). Sa do të mira të kenë bërë do ta gjejnë shpërblimin për të tek Allahu të plotë e të bollshëm.

Prej fjalës së Profetit s.a.s që shënohet në hadith të saktë “Kujdesu për atë që është e dobishme e mos u trego i paaftë.” Kuptojmë se besimtari duhet të jetë gjithmonë në veprim, në aktivitet e me vullnet, në avancë e në këmbëngulje duke derdhë mund e duke u përpjekur, ecën përparë, ofron, frytdhënës, produktiv, rregullues, dobiprurës, përpiqet për lavdinë dhe gjërat e larta, në përpjekje për të zënë karvanin e garuesve drejt Zotit të tyre.

Nga ana tjetër është gjë e shëmtuar që personi të jetë i dobët, negativ, dështak, i përgjumur, i papunë, neglizhent, i zgërlaqur e i avashtë në realizimin e punës së tij. Nga një i tillë nuk pritet gjë e dobishme, as kontribut e produktivitet.

O rob i Allahut ti duhet të dish që në veten tënde ke kapacitete të cilat mund ti drejtosh kah e mira e ti vësh ato në ndihmë të të tjerëve. Mos i shvlerëso ato e mos e nënçmo vetveten, mos të pengojë shejtani, bëhu ambicioz, nxito ta ndryshosh gjëndjen tënde e ta rregullosh atë duke kërkuar ndihmën e Zotit tënd.

Dije se dorëzimi përpara zakoneve të këqija të bëra traditë bëhet pengesë për ty në tejkalimin e defektit dhe në përmirësimin e punës. Kush nuk avancon e nuk bën hapa përpara ta dijë se nuk mbetet në vendin e tij por smbrapset dhe humbet, përkeqësohet gjendja e tij dhe përkeqësohen veprimet e tij. Sikundër dhe të menduarit dhe ëndërrimet nuk bëjnë dobi fare përderisa nuk implemetohen në vepra e në realitet të prekshëm. Sa e sa dëshira të bukura, synime të larta kanë shkuar dëm e kanë humbur kot pa u realizuar asgjë prej tyre përshkak se ato nuk kanë gjetur tek personi i tyre përpjekje serioze në kërkim të realizimit të tyre por ato kanë qenë thjeshtë ëndërrime në vetveten e tij e kështu nuk i bëjnë dobi.

O Muslimanë momentet e jetës janë të shtrenjta. Çdo ditë të cilën njeriu e jeton duhet ta dijë se ajo është fitim i madh. Kush nuk kujdeset për kohën e tij e nuk shfrytëzon netët dhe ditët e tij do të gjendet përpara humbje së qartë. O rob i Allahut bleje veten tënde sot, lufto ndaj vetes tënde për Allahun, nxito drejt pendimit të pastër, shtoje devotshmërinë, puno gjithmonë vepra të mira përpara se të mbushet afati, përpiqu për veten tënde, shfrytëzoje mundësinë e jetës, kujdesu edhe për atë që i bën dobi dhe të tjerëve që të mbesë shpërblimi i saj pas vdekjes tënde sepse tani tregu është i hapur, çmimi është i vendosur, mallrat janë të ekspozuara mirëpo mbi këtë treg e mbi këto mallra një ditë nuk do të kesh mundësi të arrish as shumë e as pak. Kjo do të jetë dita e shpagimit. Dita kur i padrejti do të kafshojë duart e veta.

Nëse nuk largohesh nga kjo botë me devotshmëri

E pas vdekjes sheh tek ata që e kanë marrë zahirenë

Pikëllohesh që nuk veprove si ata e që nuk mblodhe atë që ata mblodhën.

Rob të Allahut, dërgoni salavate dhe selame mbi Muhamedin të birin e Abdullah për të zbatuar urdhërin e Allahut i cili ka thënë: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah përmende lart robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij ashtu sikurse ke përmendur lart familjen e Ibrahimit.

O Allah bekoje atë dhe familjen e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. shkatërroi armiqtë e Tu armiqt e fesë.

Këtë vend bëje të sigurtë, të qetë të pasur dhe të gjithë vendet e muslimanëve!

Ndihmoji robërit e Tu monoteistë, jepi fitore fesë Tënde, Librit Tënd, traditës së profetit Tënd dhe robërve të Tu besimtarë o Zot i botëve!

O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm. Udhëzoje atë drejt bamirësisë dhe devotshmërisë!

O Allah të kërkojmë falje e shpëtim të vazhdueshëm në fe, në këtë jetë e në jetën tjetër!

O Allah na bëj përmendës të Tu të shumtë, shumë falenderues ndaj Teje, na bëj prej atyre që kthehen drejt Teje!

O Allah pranoje pendimin tonë, laji mëkatet tona, pranoji lutjet tona, bëje të qëndrueshëm arsyetimin tonë, pstroji ligësitë e kraharorëve tanë!

O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndëshkimit Tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Post Author: endrit