Dr.Suud Esh’shurejm – Vlera e Mekës

Hytbja e Mekës 22.10.2010

Vlera e Mekës

Dr.Suud Esh’shurejm

 

 

E gjithë lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, kërkojmë prej Allahut të na ruajë prej të keqes së vetes dhe veprave tona, atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e devijon dhe atë që e devijon Ai nuk ka kush e udhëzon!

Dëshmoj se nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një i vetëm dhe i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij!

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni vetëm se duke qenë myslimanë!”, Ali Imran 102.

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre u shtuan shumë burra e gra! Kini frikë Allahun me Emrin e të Cilit përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju!”, Nisaë 1.

“O ju besimtarë përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh”, Ahzab 70-71.

Të nderuar besimtarë! Një familje e vogël e përbërë prej një nënë dhe foshnjës së saj, u vendosën  në kopshtin e Zemzemit, në majën më të lartë të kësaj xhamie.

Ajo familje kishte vetëm një torbë me hurma dhe një enë me ujë, në mes një lugine të shkretë, vetëm se ajo nënë e begatë nuk kishte dyshimin më të vogël se Zoti që kish zgjedhur diçka të tillë për to, nuk do i braktiste, por u kap fort pas kësaj e veçanërisht, kur i tha të shoqit Ibrahimit:

-Allahu të ka urdhëruar për diçka të tillë?!

Ai i tha: -Po.

Atëherë -,tha ajo-, nuk do na braktisë.

Për pasojë i erdhi dhe një melek që e siguroi duke i thënë: “Mos ki frikë asgjë, se këtu do të jetë shtëpia e Allahut që do e ndërtojë ky djalë me të atin e tij!”

Këtë histori e gjeni të shtjelluar në Sahihun e Buhariut.

Kjo familje e vogël u bë shkak i ndërtimit dhe popullimit të këtij vendi, duke sjellë në mesin e shkretëtirës arabe profetësinë dhe mesazhin hyjnor.

Shtëpia e shenjtë u bë vendi i tyre, uji i Zemzemit u bë burimi i tyre,të rrethuar nga përkujdesja e Zotit, derisa Zoti e urdhëroi Ibrahimin që bashkë me të birin të nisë ndërtimin e Shtëpisë Së Shenjtë.

“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh këtë vepër. Me të vërtetë Ti je Ai që dëgjon e di gjithçka. Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që dhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se padyshim Ti je pranuesi i pendimit, Mëshirëploti”, el Bekare 127-128.

Zoti me urtësinë e Tij, desht që ky vend të jetë një vendstrehim për njerëzit, të cilët vijnë në të nga vende të largëta, një urë ku bashkohen njerëzit dhe lidhjet e tyre pavarësisht se janë me ngjyra dhe gjuhë të ndryshme.

Allahu e urdhëroi Ibrahimin ku thotë: “Thirri njerëzit për haxhillëk, ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjithë viseve të largëta”, Haxh 27.

Nisur nga kjo, haxhi bëhet një ndër pesë shtyllat e islamit, me argument Kurani, Suneti dhe konsensusin islam, kush e mohon atë, ka mohuar, e kush mohon le ta dijë se Allahu s’ka nevojë për krijesat e Tij.

LEXO  Dobitë e Haxhit - Dr.Su'ud Esh'shurejm - 17.08.2018

Të nderuar besimtarë! Kur Zoti e bëri Mekën vendtubim për njerëzit që vijnë nga vise të ndryshme, vendosi në të dhe fenë e Tij, për të treguar vlerën e këtij vendi dhe veçoritë e saj ndaj vendeve të tjera.

Vlerat dhe mirësitë e saj u shtuan aq shumë, sa Zoti e quajti dhe nëna e mbarë qyteteve, sikurse thotë: “Që të paralajmërosh popullin e nënës së mbarë qyteteve dhe ata që banojnë rreth saj”, Enám 92.

Mbarë qytetet e tjera janë degëzime të saj, janë ndjekëse të saj të cilat drejtohen drejt saj në çdo namaz, ajo është drejtim për mbarë myslimanët në tokë dhe s’kanë tjetër Kible përveç saj.

Dijetarët janë shprehur në formë të prerë se Meka është vendi më i mirë në faqe të dheut, pasohet nga Medineja, salavatet e Zotit dhe bekimet e Tij qofshin mbi banuesin e saj!

Profeti a.s ka thënë: “Pasha Allahun, ti je vendi më i mirë dhe më i dashur tek Zoti, sikur mos të më përzinin nga ti, unë nuk do largohesha!”

Nga vlerat e këtij vendi është dhe fakti se Zoti është betuar dy herë për këtë vend në Kuranin Famëlartë ku thotë: “Edhe për këtë qytet të sigurt”, Tijn 3, dhe më pas thotë: “Betohem për këtë vend”, Beled 1.

Ndër vlerat e saj është dhe ajo që thotë Profeti a.s: “Mekën e ka shenjtëruar Allahu i Madhëruar dhe nuk e kanë shenjtëruar njerëzit, ndaj nuk i lejohet atij që e beson Allahun dhe ditën e fundit që të derdhë gjak në të, dhe as të pritet pemë, e nëse dikush kërkon të di rreth lejimit të luftës nga Profeti në të thojini: “Allahu ja ka lejuar Profetit a.s një gjë të tillë vetëm një pjesë të ditës dhe nuk ua ka lejuar juve dhe asaj i kthehet shenjtëria, sot sikurse ka qenë dje.”

Në një tjetër transmetim të saktë thotë Profeti a.s: “Mekën e ka shenjtëruar Allahu ditën kur ka krijuar qiejt dhe tokën, nuk lejohet shkulja e pemëve të saj, ndjekja e gjahut të saj, marrja e gjërave të gjetura, përveç kur publikohen dhe nuk gjendet pronari.

Kjo është siguria dhe amaneti që ka caktuar Zoti i Madh për këtë vend të begatë, për të qenë një kandil ndriçues për vizitorin e këtij vendi të Shenjtë.

Që ta kuptojnë sa më mirë vlerën e sigurisë dhe ndikimin e saj në jetën e njerëzve, në nderin, jetën dhe pasurinë e tyre.

Zoti zgjodhi që Meka të jetë e shenjtë dhe e sigurt , në të nuk ka dhunë e terror dhe jo më armë, madje i siguroi njerëzit dhe prej fjalëve të ndyra: “S’ka marrëdhënie intime, s’ka ligësi e polemika në Haxh”.

Në këtë tokë u dha siguri dhe shpendëve e kafshëve të egra, për të qenë bindja në sigurinë e saj më e plotë, për këdo që zotëron mendje, apo ia vë veshin dhe dëshmon.

Ajo që tregon për shenjtërinë e Mekës është dhe ajeti kuranor ku thotë i Lartësuari: “Ata që synojnë ta përdhosin (xhaminë) me të keqe, ne do të bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm”, Haxh 25.

Fjala “ïlhad” ka për qëllim çdo të keqe që të largon nga feja e Zotit, këtu hyn dhe idhujtaria që synohet në harem, mohimi apo veprimi i ndonjë gjëje që e ka ndaluar Allahu, apo lënia e diçkaje që e ka urdhëruar Allahu, apo veprimi i çdo gjëje që cenon shenjtërinë e saj, ndërsa disa dijetarë kanë thënë se dhe monopolizimi i ushqimit në Mekë hyn këtu.

LEXO  Kërkoni shpëtim prej Allahut - Meka 27.03.2020

Disa dijetarë kanë thënë: “Ajo është quajtur Mekë, sepse e shkatërron atë që bën padrejtësi në të, ndaj dhe arabët dikur thoshin: ‘O Mekë shkatërroje të padrejtin, mos e ceno të shtypurin e të dëbuarin’.”

Për rëndësinë e Mekës tregon dhe fakti se ndalohet që t’i drejtohemi asaj apo t’i kthejmë shpinën gjatë kryerjes së nevojave fiziologjike, sikurse thotë Profeti a.s: “Mos u drejtoni nga Kibla, kur urinoni dhe as mos i ktheni shpinën, por kthehuni nga lindja ose nga perëndimi.”

Për vlerën e saj dëshmon dhe vlera e namazit në të, sikurse thotë Profeti a.s: Namazi në xhaminë time, shpërblehet me njëmijë-fish të namazit në çdo xhami tjetër, përveç Qabes. Mutefekun alejhi.

Në një tjetër transmetim thotë: “Namazi në xhaminë time është njëmijë herë më i vlefshëm se në xhamitë e tjera përpos Qabes, e namazi në Qabe është 100 herë më me vlerë se në xhaminë time.”, Ahmedi dhe ibn Hibani.

Nga ky hadith kuptojmë se vlera e namazit në Qabe është 10000-fish, pasi namazi në xhaminë e tij është 1000-fish e në Qabe është 100 herë dhe më i shpërblyer, kështu që bëhet 100-mij vlera e namazit në të.

Imagjinoni faljen e një namazi të vetëm për një vit në Mekë,barazohet me 35 milion e 400 mijë nga xhamitë e tjera dhe këtë e përftojmë duke shumëzuar 100-mijë me 354 ditët e vitit afërsisht, po nëse këto shifra do i shumëzonim për pesë kohë të ditës? Rezultati është i mahnitshëm, mirësi që Zoti ia jep kujt të dojë, Ai zotëron mirësitë më të mëdha!

Dijetarët kanë diskutuar nëse një vlerë e tillë për namazin është e veçantë vetëm për xhaminë, apo për mbarë kufijtë e Mekës?

Pjesa dërrmuese e dijetarëve janë të mendimit se  kjo përfshin gjithë Mekën, por namazi në Qabe është akoma më i mirë, si pasojë e vjetërsisë së këtij vendi dhe xhematit të shumtë.

Këto janë disa nga vlerat e Mekës dhe jo të gjitha, mjaftohemi me xhevahiret që ndodhen përreth qafës dhe byzylykut që ndodhet në kyç të dorës.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu e ka bërë shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e Shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme  për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në tokë dhe se Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë. Ta dini se Allahu është i Ashpër në ndëshkim, por njëkohësisht është dhe Falës e Mëshirëplotë. I dërguari ka për detyrë vetëm t’ju kumtojë shpalljen. Por Allahu e di çfarë bëni haptazi dhe fshehurazi. Thuaju: ‘Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni!”, el Maide 97-100.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë dhe na bëftë të përfitojmë prej tij, çka u tha e drejtë ishte prej Zotit, çka u tha e gabuar është prej meje e shejtanit, ndaj i kërkojmë falje Zotit se vërtetë Ai është Falës i Madh!

Falënderimet janë për Allahun vetëm, bekimet janë për Profetin që s’ka tjetër profet pas tij.

Të nderuar besimtarë! Zoti e ka nderuar Mekën duke e bërë nënë e mbarë qyteteve, Kible për mbarë myslimanët kudo që ndodhen dhe e ka shenjtëruar e lartësuar aq shumë, sa çdo mysliman obligohet ta nderojë e t’ia di vlerën.

LEXO  Lexojeni historinë se në të do gjeni këshilla - Shejh Salih ibn Abdilah ibn Humejd - Mekë 23.11.2018

Në këtë bën pjesë dhe vizitori i saj, i cili duhet t’i përmbahet edukatës së saj dhe të mos lërë gjë mangët që të mos bie në gjynah pa e ndierë.

Respektimi i shenjtërisë së saj lidhet ngushtë me respektimin e Zotit: “Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij”, Haxh 32.

“Ju janë lejuar bagëtitë, përveç atyre që ju janë thënë se janë të ndaluara. Andaj largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme, përuluni plotësisht para Allahut duke mos i bërë shok Atij.”, Haxh 30.

Kini kujdes, o ju karvanë të vizitorëve të xhamisë së shenjtë, mos cenoni fqinjësinë e mirë me edukatë të keqe, apo me lënien mangët të detyrave, apo në madhërimin e riteve për të cilat keni bërë rrugë të gjata për to, Allahu i Lartësuar thotë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet intime, grindjet dhe sharjet”, el Bekare 197.

Ndërsa Profeti a.s thotë: “Kush e bën haxhin duke mos kryer marrëdhënie intime dhe duke mos u grindur, kthehet si ditën që e ka lindur e ëma.” Mutefekun Alejhi.

Bëj kujdes, o ti haxhi, me këto porosi të Zotit, bëj kujdes e dije se këto janë shenja të caktuara nga Zoti në mejdanin e Nënës së qyteteve! Po kështu është! E kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij” haxh 32.

Dërgoni salavate mbi më të mirën krijesë dhe njeriun më të kulluar, Muhamedin të birin e Abdullahut, të zotin e ndërmjetësimit dhe pellgut, një vepër e tillë ka ardhur urdhër prej Zotit i cili e ka nisur me veten, më pas me Melaiket e tij dhe më pas na drejtohet neve ku thotë: “O ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selame të shumta!”

Zot bekoje, begatoje e shtoja mirësitë Muhamedit, të zotit të fytyrës së ndritur dhe punës së çmueshme, ji i kënaqur o Zot me katër kalifët e tij, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin Dhe Aliun, si dhe mbarë sahabët e tij, Tabiinët dhe gjithë ata që i pasojnë në mirësi, si dhe mbi ne, me mëshirën e bujarinë Tënde, o Mëshiruesi i madh!

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje fenë dhe librin Tënd, Sunetin e të dërguarit Tënd si dhe robërit e Tu besimtarë!

Zot largoja brengat të brengosurve, stresin e të stresuarve, laja borxhet borxhlinjve, shëroi të sëmurit tanë dhe të mbarë myslimanëve, ruaji haxhilerët dhe udhëtarët!

Zot sigurona në vendet tona, drejtoji prijësit dhe përgjegjësit e çështjeve tona, drejtimin tonë lërja në dorë atij që të frikësohet Ty dhe punon për kënaqësinë Tënde!

Zot udhëzoje prijësin tonë për në atë që Ti do dhe je razi, o i Gjalli që nuk vdes kurrë, rrethoje nga njerëz të devotshëm!

O Zot që nuk ka Zot tjetër veç Teje, Ti je i pasuri dhe ne jemi nevojtarët, zbrite mbi ne shiun dhe mos na i shkëput shpresat, zbrit mbi ne shi mëshire që të jetë mesazh i qartë për të pranishmin dhe të largëtin!

Zot na jep të mira në këtë botë dhe tjetrën dhe ruana nga dënimi i zjarrit! I Lartësuar je Ti o Zot prej asaj që të mveshin Ty, Lutjet shkojnë për Profetët dhe lutja jonë e fundit është se i gjithë falënderimi të takon Ty!

Meka / by

Post Author: admin