Hutbe e Fitër Bajramit nga Medineja e Ndritshme 01-10-1447 H 20-03-2026 D
Shejh Salah Ibn Muhamed El Budejri
Tema Gëzimi i Bajramit dhe zbutja e zemrave
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, lavdërime e shumta janë për Zotin, Madhërimi i takon Allahut mëngjes dhe darkë.
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime që mbushin universin dhe peshojnë rëndë në peshore. Zotin e lavdërojë që na ka dhënë dhurata të mëdha dhe favore të pafundme, na është kthyer me bekimet, mirësi dhe begati, dhe e ka bërë muajin e Ramazanit të veçantë me falje të bollshme. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Bujari, Mëshirëploti. Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, njeriu më i pastër në prejardhje dhe moral, më i larti prej tyre në gradë dhe lavdi. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, familjen e tij dhe shokët e tij, njerëzit me fytyra të shndritshme, me gjuhë elokuente, me zemra bujare dhe me shpirtra falës.
Në vijim
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin, sepse e djeshmja është shembull, mësim, e sotmja veprim dhe e nesërmja shpresë. “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.”(El-Muzzemmil 20)
O ju muslimanë! Urime festën e lavdishme të Fitër Bajramit, mëngjesi i të cilit ka aguar dhe shkëlqyer dhe drita e të cilit është përhapur në të gjithë tokën. Urime për ju që i plotësuat numrin e ditëve të muajit tuaj, Ramazanit, që dhatë Zekatin e Fitrit tuaj dhe filluat me leximin e Tekbirit, madhërimin për Zotin tuaj.
Gëzim që kthehet, lumturi që aromatizon ekzistencën dhe lumturi që përhapet gjithandej. Prandaj, gëzohuni për Bajramin e lumtur dhe falënderoni Zotin e Madhrishëm, sepse Ai është mirënjohës për të paktat, falën shumë, toleron mangësitë dhe pranon pendimin e robërve që kërkojnë falje, që janë të dhembshur, luten dhe kërkojnë strehim tek Ai.
O ju muslimanë! Vërtetë nga bekimet e mëdha dhe favoret e shumta është siguria në vend, në atdheun e njeriut. Sa vende kanë vuajtur humbjen e sigurisë për shkak të luftërave dhe konflikteve, derisa qytetet e tyre janë shkatërruar, infrastruktura e tyre është shembur, banorët e tyre janë shpërndarë, bukuria e tyre është kthyer në rrënoja, gëzimet e tyre janë shndërruar në pikëllim dhe fitimet e tyre në plagë. Sytë janë plot me lot, zemrat dridhen, shpirtrat tremben dhe turmat jetojnë me frikë. Njerëzit ose janë vrarë, ose kanë mbetur të ve, janë plagosur dhe janë gjymtuar, ose janë burgosur dhe janë prangosur. Sa herë që mungon mençuria, fillon konflikti.
“Paqja të jep atë me të cilën je i kënaqur, ndërsa nga lufta vetëm frymëmarrjet e saj janë mjaftueshëm për të të mbushur me frymë.”
Prandaj, lavdëroni Zotin për bekimin e sigurisë dhe për mirësinë e udhëheqjes së mençur, të mprehtë dhe të ditur. Bëni kujdes nga thashethemet keqdashëse, nxitësit e rebelimit dhe ata që nxisin, provokojnë dhe krijojnë konfuzion. Ruani sigurinë e atdheut tuaj dhe largoni nxitësit e fitneve, konflikteve dhe rreziqeve me pendim, kërkim falje, lutje, përulësi dhe duke qëndruar larg nga gjynahet dhe gabimet. Kështu do të ruani bekimet ekzistuese, do të riktheni bekimet e humbura dhe do të përjetësoni bujarinë, begatinë dhe mirësinë e Zotit.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
O ju muslimanë! Ditët e Bajramit janë ditë gëzimi dhe festimi, lumturie dhe kënaqësie, forcimi të lidhjeve familjare dhe zgjerimi të lidhjeve, ditë drejtësie dhe mirësie. Shprehja e gëzimit në Bajram është nga rregullat fetare, prandaj gëzohuni në Bajram, gjeni ngushëllim në këtë ditë të bekuar, jini të lumtur dhe të gëzuar, sepse feja juaj ofron hapësirë dhe fleksibilitet të bollshëm. Zoti i ka larguar të rëndat dhe vështirësitë nga feja juaj, e ka hapur për ju, e ka bërë atë të lehtë dhe të gjerë për ju. Nuk ka vështirësi përveçse në gjynahe dhe vepra të ndaluara, prandaj mos u afroni atyre dhe kufinjtë vendosur nga Zoti mos i shkelni.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
O ju muslimanë! Bajrami është ditë kur zemrat e larguara falin njëra-tjetrën, shpirtrat e zemëruar pajtohen dhe lidhjet familjare të shkëputura rilidhen.
“Fale vëllain tënd dhe nëse ai përzien keqbërjen me gabim.
Dije se nëse kërkon të rafinuar, përkryer, po synon tepër.
Kush është ai që nuk ka bërë kurrë keq? Kush është ai që zotëron vetëm të mira?”
Fale vëllain tënd nëse ai bën shkelje dhe përshëndete atë edhe nëse bën një gabim, sepse ai që kritikon miqtë e tij do të lodhet, e ai që i përmbahet faljes do të durojë.
Bajrami është rast i shkëlqyer për të pastruar shpirtrat nga mëritë e fshehura dhe armiqësitë e vazhdueshme:
“Nëse nuk largohesh nga urrejtja, nuk do të fitosh mirënjohje dhe nuk do të kënaqesh nga lavdërimet e lajkatarit.”
Lani mëritë dhe pakënaqësitë, braktisni largësinë, distancën dhe ndarjen. Jetoni së bashku si miq, jo si armiq të betuar. Tregoni mirësi, dhembshuri, butësi dhe bashkëpunim, pastroni zemrat tuaja dhe jini të sinqertë në këshillat tuaja. Mos e prishni bukurinë e Bajramit me largim, braktisje dhe largim nga njëri-tjetri, as mos e zvogëloni shkëlqimin e tij me ndërprerje të lidhjeve dhe grindje. Çfarë lloj Bajrami është për një njeri të vrenjtur dhe të zemëruar që takon vëllezërit e tij dhe largohet prej tyre me fytyrë të vrenjtur, nuk u shtrëngon duart, nuk u buzëqeshën dhe nuk i uron ata me gjuhë?
Nga Ebu Ejub El Ensariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk i lejohet njeriut, besimtarit, ta braktis, të mos i flasë, vëllait të tij për më shumë se tre netë, në mënyrë që të takohen dhe njëri të largohet e tjetri të largohet, dhe më i miri nga të dy është ai që fillon me selam, përshëndetjen e paqes.” Muttefikun Alejhi.
Një shtrëngim duarsh sjell dashuri dhe largon pakënaqësinë. Një përshëndetje eliminon urrejtjen dhe nxit dashurinë. Një fytyrë e gëzuar qetëson zemërimin dhe i jep fund armiqësisë. Sa mirë e ka thënë poeti:
“Njerëzit mund të jetojnë për një kohë të gjatë pa asnjë dashuri midis tyre, por paqja dhe mirësia mund ta kultivojnë atë.”
Bajrami nuk është kohë për të kujtuar mosmarrëveshjet përçarëse, konfliktet ekzistuese dhe mëritë e trashëguara, përkundrazi, biseda e Bajramit është bisedë gëzimi, lumturie dhe kënaqësie. Dita e Bajramit është ditë tolerimi, faljeje, mëshire dhe pajtimi. Bajrami është ditë e gëzueshme që ribashkon familjen e shpërndarë dhe përmirëson lidhjet e thyera të vëllazërisë. Bajrami është ditë kur mbizotëron biseda për lehtësi, lihet mënjanë biseda për vështirësi, ngrihet lartë zëri i afrimit, hesht zëri i konfliktit, theksohet kërkimi i marrëveshjes dhe aspektet e ndarjes lihen mënjanë.
O ju muslimanë! Çfarë lloj Bajrami është ky për dikë mbi të cilin ka shkëlqyer dielli i festës, por ai vazhdon të mos i bindet prindërve të tij dhe vazhdon të lërë pas dore të drejtat e tyre?! Çfarë lloj Bajrami është ky për dikë që i braktis vëllezërit dhe miqtë e tij, as nuk i viziton, as nuk ulet me ta, as nuk u bën shoqëri, as nuk shtrëngon duart me ta, as nuk i fal dhe as nuk feston Bajramin me ta?! Çfarë lloj Bajrami është ky për ato zemra të ngurtësuara që nuk i harrojnë fyerjet, që nuk i fshijnë gabimet dhe që nuk pranojnë falje?!
Pranoni faljen e kërkuar, lejoni që butësia të mbizotërojë mbi ashpërsinë në karakterin tuaj, durimi të jetë më i përshtatshëm sesa nxitimi, dhe falja të jetë më e lehtë për ju sesa hakmarrja për një gabim. Mos i thyeni zemrat e atyre që ju deshën, as mos i poshtëroni ata që u treguan të mirë me ju, as mos e mohoni mirësinë e atyre që ju kanë treguar favor.
Kush ka frikë se mbajtja e lidhjeve me të afërmit e tij do t’i shkaktojë dëm të vërtetë në fenë e tij ose në jetën e tij të kësaj bote, ai duhet t’i mbajë lidhjet me ta në një mënyrë të thjeshtë dhe të lehtë që largon gjynahin e braktisjes, dhe shmangën përzierjen e tepërt që çon në dëm, abuzim, padrejtësi dhe agresion.
Personit shtypës, i padrejtë, tiran dhe i dëmshëm që shkakton ndarje midis të afërmve të tij i është premtuar poshtërim dhe ndëshkim.
Nga Ebi Bekrete, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka gjynah që meriton më shumë që Zoti ta përshpejtojë ndëshkimin për kryerësin e tij në këtë botë, përveç asaj që Ai ka rezervuar për të në Jetën e Përtejme, Ahiret, sesa shtypja, padrejtësia dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai kërkoni falje, vërtetë fitorja dhe suksesi është për ata që tek Zoti kërkojnë falje.
Hutbeja e dytë
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut për bekimet e Tij të kaluara dhe favoret e Tij të shumta. Zotin e lavdërojmë me lavdërimin më të plotë, të përsosur dhe gjithëpërfshirës.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të shumëfishta dhe të përhershme deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin, të Cilit nuk i fshihet asgjë nga qëllimet dhe synimet, asgjë nga mendimet ose sekretet më të thella nuk është e fshehur prej Tij. Sekretet janë të qarta për Atë, dhe ajo që është e fshehtë është publike për Të: “ Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (El-Hadid 4)
O ju gra! Vërtetë Zoti ngriti, nderoi, lartësoi statusin dhe pozitën tuaj dhe ruajti të drejtat tuaja. Prandaj, jini mirënjohëse për begatitë, kujtoni të mirat, ulni shikimin tuaj, ruani nderin tuaj, jepni lëmoshë, kërkoni falje shpesh, mos e teproni me mallkime, mos u tregoni mosmirënjohëse ndaj bashkëshortëve tuaj, mos u zbukuroni dhe mos e ekspozoni veten.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
O ju muslimanë! Mysafiri juaj është larguar dhe Ramazani ka përfunduar, por veprat e mira nuk kanë mbaruar. Prandaj, mos e mbyllni Kuranin tuaj, mos e kurseni bukën, mos i privoni nevojtarët, mos i ndërprisni veprat tuaja të bamirësisë, mos e lini agjërimin dhe mos i lini pas dore namazet tuaja të natës. Sa e mirë është mirësia që pasohet nga mirësia dhe sa e shëmtuar është mosbindja pas mirësisë!
“Kush agjëron Ramazanin pastaj e pason atë me agjërimin e gjashtë ditëve nga muaji i Shevalit, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.” Kush prej jush ka ardhur nga një rrugë, në Bajram, le të kthehet nga një tjetër rrugë, nëse është e mundur për të, duke ndjekur shembullin e të dërguarit tonë, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Përgëzime, urime për ju që falët namaz nate dhe agjëruat, urime për ju që dhatë lëmoshë dhe u përpoqët, sepse lodhja ka kaluar, vështirësia është zhdukur dhe shpërblimi është i siguruar, me lejen e Zotit. Allahu na e pranoftë agjërimin dhe namazet tona, na i sjellë këto ditë të bekuara neve dhe juve për shumë vite dhe periudha të gjata, duke qenë me shëndet të mirë, mirëqenie dhe jetë të lumtur.
Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë, udhëheqësit e drejtë, njerëzit e nderuar dhe të ngritur, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, ruaj vendin tonë dhe vendet muslimane nga planet e keqbërësve, nga kurthet e atyre që thurin kurthe, nga smira e atyre që kanë smirë dhe zilia e ziliqarëve, o Zoti i botëve.
“Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt.” (El-Bekare 126)
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Do dhe je i Kënaqur, udhëzoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë. O Zot, ruaje atë me ruajtjen Tënde, dhe mbuloje atë mbrojtjen dhe kujdesin Tënd, jepi atij shëndet dhe mirëqenie, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj zëvendësin e kurorës së tij, forco dhe drejto mendimet, fjalët dhe veprat e tij, jepi shëndet dhe mirëqenie dhe bëje një drejtues që udhëheq drejt, o Zot i botëve.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, o Zoti i Botëve.
O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sprovuarit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj kufijtë tanë, jepu fitoren ushtrive dhe ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, forco këmbët dhe vendosmërinë e tyre, forco zemrat e tyre, drejto shënjestrën, goditjet e tyre, mbro radhët e tyre mbro radhët e tyre dhe kthe rrjedhën e ngjarjeve kundër armiqve të tyre.
O Zot, të lutemi të merresh me armiqtë tanë dhe armiqtë e fesë. O Zot, bëj që komplotet e tyre të kthehen mbrapsht, punët e tyre të shkojnë keq dhe përpjekjet e tyre të shkojnë dëm, sepse Ti je më i Madhi dhe më i Lartësuari.
O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë, shëro plagët e tyre, përshpejto fitoren e tyre, liro robërit e tyre, shëro të sëmurët e tyre dhe prano dëshmorë të vdekurit e tyre, o Zot i botëve.
O Zot, bëj duatë tona të dëgjuara dhe lutjet tona të pranuara, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Afrim Smakaj