Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 10-07-1446H 10-01-2025 D
Shejh Halid Ebu Xhumua
Tema Gjendja e besimtarit kur sprovohet
Lavdërimet janë për Allahun, e ka bërë këtë botë vend të sprovës për miqt e Tij dhe vend prove për të gjithë robët e Tij. Sa njerëz të vuajtur kanë shpëtuar prej mundimeve të saj dhe sa shumë njerëz të privuar janë magjepsur prej saj, dynjasë! Zotin tim e lavdëroj dhe e falënderoj, tek Ai pendohem dhe falje kërkoj. Ai është Unik në Lavdi dhe në Madhështi, në Fuqi dhe në Krenari, nuk poshtërohen ata që Ai ka mbështetur, dhe nuk nderohen, lartësohen ata që e kanë kundërshtuar Atë. Ai ndihmon miqt e Tij dhe shtypën armiqt e Tij, e Ai vërtetë është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, çdo gjë përulet para Madhështisë së Tij, çdo gjë nënshtrohet para Fuqisë së Tij, çdo gjë i nënshtrohet Madhështisë së Tij, çdo gjë i nënshtrohet Pushtetit të Tij dhe çdo gjë bindet nga respekti ndaj Tij. I Lavdëruar është Ai në Përsosmërinë e Fuqisë dhe Urtësisë së Tij.
Dëshmoj se zotëria, i dërguari dhe udhëheqësi ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Zotëria i të dërguarve, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, i pari i të bindurve dhe modeli i durimtarëve. Ai bëri thirrje për monoteizmin, Njësimin e Zotit të tij, por u dëmtua dhe u dëbua nga vendi i tij. Ndërsa në betejën e Uhudit u plagos koka e tij dhe i është thyer mburoja e tij, por kjo nuk e dobësoi atë në vendosmërinë e tij dhe as që u lëkund besimi, bindja e tij në Zotin e tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët Allahu i Madhërishëm i zgjodhi për shoqërimin e të dërguarit të Tij dhe për përcjelljen e mesazhit të tij. Ata ishin në lartësinë e përgjegjësisë, bënë atë që u ngarkuan dhe përmbushën atë që premtuan. “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Kështu që disa prej tyre e kanë kryer zotimin (duke vdekur në luftë për Çështjen e Allahut), kurse të tjerët presin, pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (El-Ahzab 23) Dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e Kijametit.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar, sepse vërtetë frika ndaj Tij është mbështetja më e fortë dhe ndihma më e sigurtë, besnike. “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102) Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, sepse besimtari është i fuqishëm me frikën ndaj Tij, i pasur me besimin në Të, i pa lëkundur në bindjen ndaj Tij, i pastër, i rafinuar me moralin e tij, i lehtë në sjelljen e tij, i butë me përulësinë e tij, sikur shiu kudo që bie është i dobishëm.
O ju durimtarë! Allahu i Madhërishëm thotë: “Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl 127-128) Sot, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për përgëzimin, lajmin e mirë të këtij ajeti, pasi sot shikojmë shumë lloje dhe forma të padrejtësisë dhe shtypjes së madhe. Gjë që çoi në përhapjen e pesimizmit dhe dëshpërimit tek disa njerëz. Disa prej tyre ndihen të pafuqishëm, të dorëzuar para rrethanave dhe ndryshimeve, veçanërisht nga tradhtia e miqve dhe komplotet e armiqve. Por kjo është sikurse Allahu ka thënë për të: “ Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Al ‘Imran 140) Në dashtë Zoti, këto janë ditë dhe do të largohen, e sëbashku me to do të largohen dhembjet dhe uria, do të largohen sëmundjet dhe vuajtjet. Myslimani është i bindur tek Zoti, besimi i tij në lehtësimin e shqetësimeve dhe vështirësive është besim absolut, i sigurt dhe bindje. Jeta jonë e kësaj bote është plot me sprova dhe telashe, fatkeqësi dhe vuajtje, mundime dhe katastrofa. Por ato nuk mbeten në të njëjtën situatë: varfëri dhe pasurim, mirëqenie dhe fatkeqësi, shëndet dhe sëmundje, nderim dhe poshtërim.
O ju të lidhur me këtë vend! O ju durimtarë në Bejtul Makdis, Kud’s! Zoti është Mëshirplotë, e Mëshirshploti nuk pranon trishtimin dhe thyerjen, poshtrimin tuaj. Durimi, qëndrueshmëria dhe vendosmëria juaj zemërojnë, irritojnë armikun tuaj. Kështu fitorja dhe epërsia janë çështje e durimit për një kohë, e ajo është afër me ndihmën e Zotit. Zemrat dhe mendjet tona fluturojnë atje në Gazan qëndrestare. Ka ardhur tek ata vit i ri ndërsa ata vuajnë nga frika, uria, etja me të ftohtit e rëndë. Ata janë pa mjekim, kanë mungesë ilaçesh, janë përhapur sëmundje dhe epidemi. Situata është përkeqësuar. Janë të uritur, të etur dhe të sëmurë. Ata kështu në këtë gjendje flenë, zgjohen, vuajnë, dëbohen dhe largohen. I tillë ishte dhe viti i tyre që kaluan. Këto janë vuajtjet e fëmijëve, të rinjve, burrave dhe grave. Një vit kaloi dhe një vit i ri filloi tek ata, ndërsa bota i shikon ata përmes kanaleve të hapura dhe transmetimeve të drejtpërdrejta. Të gjitha parimet, sistemet dhe organizmat ndërkombëtare kanë rënë. I shikojnl ata me një imazh të pastër dhe i dëgjojnë ata me një zë të qartë, pa mundim, pa perde dhe pa mbulesë. Ata janë nën sytë e tyre në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje dhe në darkë. Të qarat dhe vuajtjet e tyre janë përhapur në të gjithë anët e botës me të gjitha rastet dhe festat, dhe për të vërtetën ata nuk gjejnë përkrahës apo ndihmës. O Zot, shikoji ata me mirësi dhe mëshirë. Ata janë robërit e Tu, caktimi për ta që të jetojnë në këtë tokë të ngushtë, ndërsa është e gjërë për të tjerët veç tyre. Ata jetojnë të etur, të humbur, të vuajtur, të privuar dhe të braktisur. Jetojnë, me urinë, frikën dhe etjen, u goditën nga fatkeqësi, por në këtë dhe në të tjera të gjithë janë duke ecur dhe u larguar.
O ju muslimanë! Kjo është bota, bën që të qeshësh dhe të qashë, mbledhën dhe shpërndanë, ka vështirësi dhe begati, mirësi dhe fatkeqësia, e mbushur me sprova dhe mundime të ndryshme. Kështu ka thënë Allahu i Lartësuar: “ Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija’ 35)
Por, nëse krizat bëhen më të rënda dhe vështirësitë vijnë njëra pas tjetrës, për ne nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse duke besuar në Zotin, të mbështetemi tek Ai dhe duke qenë të durueshëm. Ajo është drita që mbron nga pështjellimi dhe është mburoja që mbron nga pesimizmi dhe dëshpërimi. Dijeni se ajo që ndihmon në tejkalimin e këtyre sprovave është siguria, bindja e muslimanit se lehtësimi i Zotit është afër, se pas ankthit, shqetësimit vjen rrugëzgjidhja dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi. “Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” (Et-Talak 7) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dije se nëse duron në fatkeqësinë që të ka rënë, në të ka mirësi të madhe për ty, dhe se fitorja vjen vetëm nëpërmjet durimit, pas ankthit vjen qetësimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.” Dijeni se padurimi nuk e largon fatkeqësinë që të ka goditur. Atë që ka planifikuar i Urti, i Gjithëdijshmi duhet të ndodhi, prandaj nuk ka dobi nga padurimi dhe zemërimi. Pasojë e padurimit dhe pakënaqësisë është zjarri i Xhehenemi, kurse pasojë, rezultati i durimit dhe kënaqësisë me atë që ka caktuar Zoti i Madhëruar është Xheneti. E nevojshme të mësohemi me faktin se çdo fatkeqësi është me caktimin dhe vullnetin e Zotit të Madhërishëm. A nuk keni dëgjuar fjalën e Tij: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” (El-Kamer 49) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Et-Teube 51) Zoti i Madhëruar nuk e ka caktuar atë mbi robin që ta shkatërrojë me të, e as ta mundojë, por e ka sprovuar atë për të provuar durimin dhe kënaqësinë e tij, ankesat e robit ndaj Tij, përgjërimin dhe lutjet e tij. Nëse ai ka sukses në kënaqësi dhe mirënjohje ndaj Tij, atëherë ai ka shpëtuar.
Dijeni se hidhërimi i jetës së kësaj bote, për besimtarin, në vetvete është ëmbëlsia e botës Tjetër, ndërsa ëmbëlsia e kësaj bote për jobesimtarët është në vetvete e njëjtë me hidhërimin e botës Tjetër. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Në Ditën e Kiametit do të sillen jobesimtarët më të pasur në këtë botë, nga banorët e zjarrit, dhe do të zhyten një herë në zjarr, zhytet në zjarr, i pasur në këtë botë, e pastaj do t’i thuhet: O biri i Ademit, a ke parë ndonjë gjë të mirë? A keni pasur ndonjëherë lumturi? Ai thotë: Jo, pasha Allahun, o Zot! Më të mjerët e kësaj bote, nga banorët e Xhenetit, do të sillen dhe do të zhyten një herë në Xhenet dhe pastaj i thuhet: O biri i Ademit, a ke parë ndonjëherë mjerim? A keni kaluar ndonjëherë nëpër vështirësi? Ai do të thotë: Jo, pasha Allahun, o Zot, nuk kam përjetuar asnjë mjerim, as nuk kam parë ndonjë vështirësi.”
O ju të lidhur me këtë vend! Padurimi nuk e largon fatkeqësinë, por e shumëfishon atë dhe shtohet fatkeqësia. Askush nuk është i sigurt nga sprovat dhe fatkeqësitë. Të dërguarve të Zotit, paqja e Zotit qoftë mbi të, ju kanë zbritur fatkeqësi më të rëndë dhe më të mëdha. Fudejl Ibn Ajad, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Vërtetë Zoti i Plotëfuqishëm e trajton robin e Tij besimtarë në sprovë, fatkeqësi, sikurse i trajton njeriu famijarët e tij me të mirë.”
O ju të lidhur me këtë vend! Një vit kaloi dhe iku. Një vit kaloi ndërsa umeti Islam ende nuk është prezent dhe mungon, mungon prej nesh dhe është në gjumë të thellë. Një vit kaloi dhe ai, umeti vuan nga çarje, ose më mirë plasje, vuan nga fatkeqësitë, katastrofat dhe konfliktet. Ka kaluar një vit dhe Palestina vuan nga plagët dhe për nevojat më elementare të jetës. Jetojmë në kohë fitnesh dhe vuajtjesh, mundimesh. Shikoni gjakun që rrjedh, kufoma të shpërndara gjithandej, mjete që digjen, lule që thahen, ndërtesa që rrënohen, toka që shkretohen, qiell që ndotet, nxihet dhe uji që mungon.
O ju muslimanë! Vërtetë lidhja e doktrinës dhe fesë është lidhje madhështore dhe kryesore, e cila ka kërkesat, detyrat dhe të drejtat e saj të vendosura në Librin e Zotit, Kuran, dhe në sunetin e pejgamberit të Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Kjo lidhje thyen fuqinë e njerëzve të mosbesimit dhe agresionit dhe shembet para saj njerëzit e padrejtësisë dhe tiranisë më të fortë. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “Muslimanët janë të barabartë në gjakun e tyre, më i dobëti prej tyre kërkon mbrojtjen e atyre që janë më lartë, prej tyre, më i largëti prej tyre është i mbrojtur nga ata, dhe ata janë një dorë e vetme, të bashkuar, kundër të gjithë të tjerëve.” Shoqëritë Islame, pavarësisht ndrshimit të racave, ngjyrave dhe vendeve të tyre, në thelb janë një entitet dhe një trup, janë të lumtur me lumturinë e tjerëve dhe vuajnë me dhimbjen dhe sëmundjen e tjetrit. Shoqëritë Islame i bashkon një fe e vetme, feja Islame, një libër i vetëm që është Kurani, një i dërguar që është zotëria i njerëzimit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush falën namazin tonë, i drejtohet kibles, Qabes tonë dhe ha nga kurbanet tona ai është musliman, i cili ka mbrojtjen e Zotit dhe të dërguarit të Tij, prandaj mos e tradhtoni Allahun në mbrojtjen, beslidhjen e tij.” Po, o ju muslimanë, mos e tradhtoni Allahun në besëlidhjen e Tij, por se ju e keni për detyrë që ta ruani besëlidhjen e Tij. Në këtë fazë kritike në jetën e popullit tonë durimtarë sa shumë që kemi nevojë që të shmangim, të hedhim poshtë dallimet dhe ndasitë, të shtrëngojmë rrallët tona dhe të unifikojmë fjalën tonë në mënyrë që të jemi dorë e vetme kundër atyre që na kanë sulmuar. Në hadith profetik fisnik ka ardhur nga Ebi Musa EL Esh’ariji, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, njëra pjesë e saj forcon tjetrën, dhe ndërthuri mes gishtave të tij.”
I penduari nga gjynahet është sikur ai që nuk ka gjynahe. Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje. Fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Zoti kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili u ka premtuar durimtare shpërblime të mëdha, e ka bërë durimin rrugëdalje dhe lehtësim dhe për durimtrët ka caktuar pozitat më të larta.
Lutjet dhe përshëndetjet janë për udhëheqësin më të madh në adhurim dhe durim, zotërinë tonë, Muhamedin, për familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
Vërtetë Kud’si dhe Aksa në histori, si tokë, shenjtëri dhe monumente janë trashëgim për muslimanët dhe vetëm për ata. Trashëgimi që duhet pranuar, që duhet përkujdesur dhe që duhet ruajtur. Nuk është zgjidhje për të cilën hezitojnë të lëkundurit, apo çështje për të cilën mund të hamendësojnë ata që hamendosjnë. Ky qytet i bekuar për të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, drejtoi pjesën më të madhe të vëmendjes së tij për të, pasi që çliroi Qaben nga idhujt, theu putat dhe u krijua shteti Islam, drejtoi pjesën më të madhe të shqetësimit të tij drejt Bejtul Makdis, Kud’sit. Ai dërgoi një ushtri nën udhëheqjen e Zejd Ibn Harith, djali i xhahait të tij, Xhafer Et Tajar dhe Abdullah Ibn Revaha. I drejtoi ata drejt vendit të quajtur Mu’ta. Gjaku i tyre u derdh në tokën e saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk ka ndërruar jetë deri sa me dorën e tij të ndershme i ka dhënë flamurin Usametu Ibn Zejd, për ta dërguar atë në përballje me bizantinët në Sham, parapërgatitje për çlirimin e Bejtul Makdisit, Kudsit. Këtë flamur që e ka përcjellë Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, pas kalimit të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për në botën Tjetër. Vërtetë kujdesi për qytetin e Kud’sit është detyrë, përgjegjësi fetare. Ajo është toka e profetëve dhe të dërguarve të Zotit, dhe vendi i zbritjes së mesazheve qiellore. E si mund ta harrojnë atë muslimanët dhe ta neglizhojnë atë, e ajo është e lidhur fort me besimin dhe legjislacionin e tyre?! Historia e lashtë Islame me qytetërimin e saj të lashtë është e rrënjosur fort në qytetin e Kud’sit, në çdo rugë nga rrugët e tij, në çdo gurë nga gurët e tij, në rrugica, shtigje dhe ndërtesa. Ndërsa xhevahiri i tij është xhamia e bekuar e Aksasë. Ajo është amaneti që është në qafën e muslimanëve dhe se Allahu do t’i pyesi ata për të në ditën e Gjykimit. Përkujtoni fjalën e Zotit: “Ndalini ata, se do të pyeten.” (Es-Saffat 24)
O ju të lidhur me këtë vend! Padrejtësija nuk do të zgjasi dhe nuk është përgjithmonë, me lejen e Zotit, do të zvogëlohet dhe do largohet, dhe të padrejtët, tiranët do t’i mësojnë pasojat e mashtrimit të tyre. “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).”(Esh-Shu’ara’ 227) Allahu i Madhërishëm thotë: “ Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf 21)
O Zot, të lutemi që të jesh për ne Ndihmues, Mbështetës, Mbrojtës dhe Përkrahës.
O Zot, na mëshiro me Mëshirën Tënde të gjërë dhe largo nga ne fatkeqësitë. O Zot, mposht armiqtë tanë dhe ata që na kanë sulmuar. O Zot, shëro të metat tona, ushqe të uriturit tanë, largo etjen të eturve tanë dhe mbro këmbëzbathurit tanë, mbulo të zbuluarit tanë, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë.
O Zot, lutemi për Butësinë Tënde mbi të moshuarit e pamundur, mbi foshnjat, mbi gratë që kanë mbetur të veja dhe mbi fëmijët që kanë mbetur jetimë. O Zot, largo shqetësimin dhe pikëllimin nga ne. O Zot, ruaj njerëzit tanë në Gaza me mbrojtjen Tënde, kërkojmë me Madhështinë Tënde t’i mbrosh të mos goditen nga lartë tyre apo nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, zbrit qetësinë dhe sigurinë Tënde tek ata, o i Fortë, o Fuqiplotë, o më i miri Ndihmues, o Përmirësues i zemërave të thyera, o Ti që u përgjigjesh lutjeve të nevojtarëve, përmirëso gjendjet tona dhe përgjigju lutjeve tona.
O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe ata që janë të lidhur në të, vend udhëtimi i të dërguarit Tënd, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, forcoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, bëjë atë nën ruajtjen, kujdesin, sigurinë, mbrojtjen dhe garancinë Tënde, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët.
O Zot, fal gjynahet tona, mbulo të metat tona, shpëto të sprovuarit nga ne, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë dhe mundëso lirimin e të burgosurve tanë.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)
Dhe fto për namaz.
Afrim Smakaj