Nderimi i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe përkrahja e sunetit të tij

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     22-03-1448 H    04-09-2026 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema  Nderimi i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe përkrahja e sunetit të tij

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na begatoi me mirësinë e Islamit dhe na dërgoi më të mirin e krijesave, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na urdhëroi të ndjekim shembullin e profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe të pasojmë udhëzimin dhe metodën e tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na nderoi me dërgimin e salavateve dhe selameve mbi të në namazet dhe lutjet tona.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na urdhëroi ta duam profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ta nderojmë dhe ta madhërojmë pozitën e tij.

O Zot, dëshmojmë tek Ti për dashurinë tonë ndaj profetit tonë, të dashurin e zemrave tona, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon sundimi dhe për Atë është lavdërimi, Ai është i Fuqishëm për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull i predikuesve të sinqertë deri në Ditën e Kijametit.

O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, në këtë botë,  fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër,  fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Në virtyte ti ke një pozitë që përtërihet, dhe ti ke çdo mirësi tënden, o Ahmed.

Zoti ty të ka lartësuar në Librin e Tij, Kuran, përmes teje udhëzoi botën kur ishte në mohim.

Mbi ty qoftë mëshira e Zotit deri sa shqetësimet tona të zhduken dhe vuajtjet tona të lehtësohen.”

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti i Plotëfuqishëm në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues, që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin a.s.) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun xh.sh.) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.” (El-Fet’h 8–9)

Adhurues të Zotit! Është e njohur se profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka pozitë dhe vlerë të jashtëzakonshme. Ai është më i miri i profetëve dhe i të dërguarve dhe zotëria i bijve të Ademit. Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Gjykimit, i pari për të cilin do të hapet varri,  i pari ndërmjetësues dhe i pari, ndërmjetësimi i të cilit do të pranohet.” Pozita e tillë e tij kërkon prej nesh që ta nderojmë, ta vlerësojmë dhe të sillemi me edukatë ndaj tij.

LEXO  Mirësia e sigurisë dhe e ushqimit, mbështetje për popullin e Palestinës

O ju muslimanë! Edukata ndaj profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, gjatë jetës së tij shfaqej në disa mënyra, prej tyre ishte mos ngritja e zërit në praninë e tij. Por se kërkohej ulja e zërit gjatë bisedës me të dhe në mexhlisin, uljen e tij. Kjo konsiderohet prej shenjave të besimit dhe devotshmërisë.

Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e kuptuar fare. Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.” (El-Huxhurat 2–3)

Ndërsa pas ndërrimit jetë të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  kjo edukatë duhet të vazhdojë kur flasim për jetën dhe mësimet e tij të ndershme, dhe në marrëdhënien tonë me sunetin profetik në përgjithësi.

Njerëzit e dijes e madhëronin shumë pozitën e profetit kur transmetonin hadithet profetike të ndershme. Disa prej tyre laheshin, parfumoseshin dhe vishnin rrobat më të mira kur dëshironin të flisnin për profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ndërsa dëgjuesi e nderonte atë që dëgjonte prej haditheve dhe kujdesej që t’ua përcillte njerëzve.

Adhurues të Zotit! Ditët e fundit janë shfaqur disa zëra të papërshtatshëm dhe janë botuar shkrime nga njerëz të paguar, të cilët e kanë tepruar dhe i kanë tejkaluar kufijtë e edukatës ndaj profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Madje, disa prej tyre kanë shqiptuar fjalë kufri, mohimi, të cilat, mund ta nxjerrin njeriun nga feja, në të drejtim të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Kjo është një çështje që duhet dënuar dhe ndaj së cilës nuk duhet heshtur. Gjithashtu, nuk lejohet që këto shprehje të papërshtatshme të quhen thjesht “pikëpamje” ose të futen nën atë që padrejtësisht quhet “liri e shprehjes”. Ato janë shprehje që përmbajnë sulm dhe nënçmim ndaj pozitës së profetit dhe janë një prej shfaqjeve të luftës që armiqtë e umetit Islam zhvillojnë kundër muslimanëve.

O ju muslimanë! Fushatat ideologjike kundër Islamit dhe dispozitave të tij, kundër Kur’anit dhe sunetit profetik, janë të vjetra dhe të reja njëkohësisht. Të gjitha kanë përfunduar me dështim.  Ka pasur njerëz që kanë sulmuar sunetin profetik dhe kanë refuzuar ta pranojnë atë, duke pretenduar se marrin vetëm nga Kur’ani Famëlartë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka paralajmëruar për këta njerëz duke thënë: “Vini re! Mua më është dhënë Libri”,  domethënë Kur’ani, “dhe i ngjashëm me të”, domethënë suneti profetik. “Vini re! Do vijë një kohë kur një burrë, i ngopur dhe i mbështetur në shtratin e tij,  do thotë: ‘Përmbajuni vetëm këtij Kur’ani! Çfarë të gjeni në të si të lejuar, konsiderojeni të lejuar, dhe çfarë të gjeni në të si të ndaluar, konsiderojeni të ndaluar.”

LEXO  Të ecësh drejt Zotit është fitore dhe shpëtim

Në kohët e fundit, ithtarët e kësaj ideje të devijuar kanë zhvilluar një luftë të pasuksesshme kundër Sahihut të Imam Buhariut, Zoti e mëshiroftë, duke qenë kjo një hyrje e rrezikshme për sulmin ndaj sunetit profetik. Këta ecin në gjurmët e atyre që kanë paraprirë nga dyshuesit që janë shfaqur në periudha të ndryshme, që janë shfaqur dhe kanë përhapur helmin e tyre dhe më pas janë zhdukur. Ndërsa Sahihu  i Buhariut ka mbetur, suneti profetik ka mbetur dhe, me lejen e Allahut, do të mbetet deri në Ditën e Kiametit referencë për thirrësit dhe imamët.

Sa u përket atyre që dyshojnë, ata janë kthyer te Gjykatësi i qiejve dhe i tokës, për të marrë shpërblimin e veprave të tyre të këqija dhe devijimit të mendim të tyre.

Adhurues të Zotit! Dijetarët e hadithit fisnik kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme shkencore gjatë qindra viteve për të na përcjellë sunetin e nderuar profetik. Ata kanë hartuar mijëra libra dhe enciklopedi dhe kanë dalluar hadithet e sakta nga ato të dobëta, duke përdorur një metodologji të rreptë dhe të qëndrueshme shkencore.

Këto përpjekje i injorojnë ose i shpërfillin dyshuesit dhe njerëzit e paguar, me qëllim që t’i mashtrojnë njerëzit me idetë e tyre të devijuara.

Këtu duhet të theksojmë gjithashtu se disa prej tyre e përdorin përhapjen e këtyre ideve si mjet për të fituar para, përmes asaj që njihet si shikimet, klikime, dhe rritja e numrit të tyre në botën e rrjeteve sociale.

Prandaj, kërkohet që t’i bojkotojmë plotësisht këto faqe dhe platforma, në mënyrë që këta njerëz të mos arrijnë qëllimet e tyre të këqija. “Ata i shesin fjalët e Allahut për një vlerë të vogël dhe i pengojnë njerëzit nga Rruga e Tij. Vërtet të shëmtuara janë veprat e tyre!” (Et-Teube 9)

O ju muslimanë! Muslimani i vërtetë nuk merret me dyshime dhe debate të kota. Por, ai kujdeset të përmbushë detyrën e tij ndaj profetit dhe të dashurit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të besojë atë që është transmetuar në mënyrë të saktë prej tij nga Suneti profetik dhe të zbatojë dispozitat e Islamit në të gjitha fushat e jetës.

Muslimani i vërtetë është ai që shqetësohet se si ta ringjallë sunetin e profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe si t’i përmbushë detyrimet që ka ndaj tij.

O ju muslimanë! Ekzistojnë disa detyrime të cilat duhet të përmbushen, që lidhen me të drejtat e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Disa prej tyre lidhen me besimin, ndërsa disa të tjera me veprën.

Nga besimet që duhet të ketë besimtari musliman janë: të besojë në çdo gjë që është transmetuar në mënyrë të saktë nga profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lidhur me dispozitat fetare, në mrekullitë e vërtetuara përmes haditheve të sakta dhe transmetimeve të shumta, të besojë se profetësia është vulosur dhe se nuk ka profet pas Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të besojë në ndërmjetësimin e tij të madh dhe në llojet e tjera të ndërmjetësimit të tij në Ditën e Gjykimit, të besojë në luginën e tij të nderuar dhe se ai ka pozitën e “Vesiles”, e cila është pozita më e lartë në Xhenet.

Sa i përket veprës, kërkohet që ta pasojmë profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë të plotë dhe të vetëdijshme në gjithçka që është transmetuar prej tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El-Ahzab 21)

LEXO  Përkushtohuni në vepra të mira - Aksa 18.12.2020

Gjithashtu kërkohet që të dërgojmë salavate dhe selame mbi të sa herë që përmendet emri i tij i nderuar dhe ta shtojmë sa më shumë këtë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

Nga Ebu Hurejra transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Kush dërgon mbi mua një salavat, Allahu dërgon mbi të dhjetë salavate.”                       Zoti na bëftë dobi me Kuranin Famëlartë, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Tij, të besuarin, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Nga çështjet që janë të detyrueshme për ne është dashuria ndaj profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një dashuri e sinqertë e zemrës. Dashuria ndaj tij është pjesë e besimit. Nga Enesi transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besuar me të vërtetë derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.”

Nga shenjat e dashurisë ndaj tij është dashuria për familjen e tij të nderuar. Në këtë përfshihen të gjitha nënat e besimtarëve. Kjo dashuri nuk duhet të ketë as teprim e as mangësi, por duhet të jetë në përputhje me udhëzimet e Sheriatit.

Nga shenjat e dashurisë ndaj tij është dashuria për sahabet e tij të nderuar, veçanërisht për sahabet më të mëdhenj, për katër halifët e drejtë, për pjesën tjetër të dhjetë sahabeve të përgëzuar me Xhenet dhe për ata që ishin dëshmitarë të ngjarjeve në të cilat u ndihmua Islami dhe muslimanët.

Nga shenjat e dashurisë ndaj tij është dashuria për vendet e shenjta, ndër to xhamitë dhe shtëpitë e Allahut, veçanërisht xhaminë e bekuar të Aksasë. Kjo është një xhami me të cilin zemrat tona duhet të lidhen. Nuk mjafton që aty të jenë të pranishëm vetëm trupat tanë.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke folur për shtatë personat të cilët Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij në Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij, përmendi ndër ta: “Një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë.”

Lum për atë që zemra e tij është e lidhur me xhaminë e bekuat të Aksasë!

O Zot! Na furnizo me dashurinë për Aksanë në zemrat tona. O Zot! Na bëj prej atyre që e duan të dërguarin Tënd dhe që ndjekin shembullin e Sunetit të tij.

O Zot! Largo nga suneti i profetit Tënd intrigën e jobesimtarëve dhe dyshimet e atyre që ngrenë dyshime nga hipokritët. O Zot! Na dhuro edukatë dhe respekt ndaj sunetit të profetit Tënd dhe na bëj prej atyre që e përmbushin të drejtën e tij.

O Zot! Na e ruaj xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman. O Zot, shkruaj për ne shpërblimin e atyre që janë të lidhur me të deri në ditën e Kijametit.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit në çdo vend dhe largo fatkeqësitë prej tyre, o Zoti i botëve.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti e ke të mundur ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.

Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1673670258092981/1087825776996516

Post Author: endrit